Nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë

Shqiptarët Presin Vepra nga Takimet Shqipëri-Kosovë

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të mbajnë takimin e tyre të tretë të përbashkët në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, më 3 qershor, kryesuar nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Isa Mustafa, respektivisht.

Takimi zhvillohet teksa dy vendet kërkojnë të bëhen më të hapur me njëra-tjetrën, pas pothuajse një shekulli të izolimit të detyruar të ndërsjellë.

Megjithatë, pavarësisht fjalimeve populiste, ku shumë simbolizëm nacionalist dhe pamje dekorative shënojnë secilin nga këto samite, historia e marrëveshjeve të zbatuara është më pak mbresëlënëse.

Gjatë shekullit të 20, shqiptarët në Ballkan janë mbajtur të ndarë dhe të izoluar nga njëri-tjetri.

Vetëm rreth gjysma jetonin në shtetin shqiptar, që shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1912.

Gjysma tjetër u shpërnda në ish-Jugosllavi, përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Serbinë Jugore dhe Malin e Zi. Një pjesë e vogël mbeti në Greqinë veriperëndimore deri në 1945, kur shumica e tyre u dëbuan.

Ky izolim i ndërsjellë pasqyron kufijtë e vendosura në Ballkan nga fuqitë e mëdha në vitin 1912-13, të cilat favorizuan kërkesat territoriale të Serbisë dhe Malit të Zi mbi dëshirat e shqiptarëve dhe si rezultat ia dhanë Kosovën Serbisë.

Faktorë të tjerë, më të fundit, përfshijnë regjimin izolues të Enver Hoxhës në Shqipëri gjatë Luftës së Ftohtë dhe luftëtarët në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

Mungesa e infrastrukturës ndërkohë ka vazhduar të pengojnë komunikimin mes komuniteteve shqiptare në të dyja anët e kufirit.

Pasi Kosova u shkëput nga Serbia dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, të dyja vendet janë të etura për t’u afruar.

Si hap i parë, Shqipëria dhe Kosova ndërtuan një autostradë moderne, që kushoi 2 miliardë euro. Duke lidhur Tiranën dhe Prishtinën, kryeqytetet e Shqipërisë dhe Kosovës, ajo është ndërtuar nga një konsorcium amerikano-turk, Bechtel-Enka.

Zgjedhja simbolike e Prizrenit

Më 11 janar 2014, takimi i parë i kryesuar nga kryeministrat Hashim Thaçi – tani president i Kosovës – dhe Rama i Shqipërisë, shënoi fillimin e një marrëdhënieje të re.

Zgjedhja e vendit për takimin e parë, Prizrenin, në Kosovën jugore, simbolizonte aspiratat shqiptare për bashkimin kombëtar.

Në vitin 1878, një ngjarje e rëndësishme kombëtare u zhvillua në këtë qytet, formimi i Lidhjes së Prizrenit, ku udhëheqësit shqiptarë nga i gjithë Ballkani u mblodhën për të kërkuar – padobi – bashkimin e katër vilajeteve otomane [provinca] të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës në një atdhe.

Ngjarja kryesore e takimit në vitin 2014 ishte një marrëveshje për bashkëpunim dhe partneritet strategjik me qëllim “krijimin e një tregu të unifikuar”.

Qëllimi i deklaruar ishte “prosperiteti i përbashkët dhe ndërtimi i një të ardhme të përbashkët europiane.”

Të dyja qeveritë ranë dakord të takohen së paku një herë në vit për të institucionalizuar punën e përbashkët për politikën e jashtme dhe sigurinë, drejtësinë dhe punët e brendshme, ekonominë, energjinë, transportin, turizmin dhe mjedisin, kulturën, arsimin dhe shkencën.

Takimi i Prizrenit rezultoi në tre marrëveshjet të tjera atë të tregtisë, të transportit dhe infrastrukturës, si dhe në bashkëpunimin në integrimin në BE, plus dy komisioneve të përbashkëta mbi ekonominë dhe energjinë.

Takimi i dytë u zhvillua në Tiranë më 23 mars 2015 nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, duke shënuar aspiratën, siç tha Rama, “për një fushë të pakufizuar të bashkëpunimit, një zonë e ofruar për të gjithë, një udhëtim që bëhet gjithnjë e më i përbashkët”.

Fjalimi i Isa Mustafës nga Kosova ishte më pragmatik dhe i fokusuar në çështjet teknike si nevoja për të koordinuar politikat në tregti dhe ekonomi, integrimin europian dhe bashkëpunimin rajonal.

Kështu, ndërsa sfondi i këtij bashkëpunimi është aspirata historike e shqiptarëve për bashkim kombëtar, të dyja palët kanë qenë të kujdesshëm për të theksuar nevojën e bashkëpunimit rajonal dhe unitetin brenda kontekstit të Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij, Rama theksoi gjithashtu “politikëbërjen e bazuar te realiteti”, për të adresuar ndjeshmërinë rajonale për krijimin e një shteti të vetëm shqiptar etnik.

Rama thesoi se “ëndrra jonë e bashkimit kombëtar” do të vijë vetëm në “Bashkimin Europian”.

Njëmbëdhjetë marrëveshje u nënshkruan në Tiranë, përfshirë edhe një protokoll për tregti të lirë dhe tre marrëveshje midis dy ministrive të brendshme në kontrollin e brendshëm, përdorimin e përbashkët të pajisjeve të kontrollit kufitar dhe punën e përbashkët të kufirit nga ana e forcave policore përkatëse.

Marrëveshjet e tjera i referoheshin bashkëpunimit në fushën e sigurisë, financave, bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Ka pasur edhe katër marrëveshje për arsimin, përfshirë bashkëpunimin në arsimin e lartë dhe shkencë, trajnimin e përbashkët të mësuesve, organizimin e përbashkët dhe sigurimin e arsimit në gjuhën shqipe në diasporë, si dhe bashkëpunimin në fushën e kulturës.

Më shumë premtime se rezultate

Megjithatë, studimet në Shqipëri dhe Kosovë sugjerojnë se zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka mbetur shumë prapa nga ajo që është premtuar në dy takime.

Në të vërtetë, një luftë e vogël tregtare dhe masa të stilit të hakmarrjes u zhvillua mes Shqipërisë dhe Kosovës nga viti 2010 deri në vitin 2014.

Një studim nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, AIIS, i vitit 2015, thotë se “pengesa ligjore dhe zbatimi i ngadalshëm vazhdojnë të acarojnë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve”, duke përmendur ekzistencën e vazhdueshme të standardeve të ndryshme të ushqimit dhe të shëndetit, dhe masat proteksioniste të përdorura nga të dyja palët nga viti 2010.

Për shembull, nga viti 2010 Shqipëria bllokoi importet e grurit, miellit dhe produkteve farmaceutike nga Kosova, duke theksuar papajtueshmërinë e tyre me standardet ushqimore dhe shëndetësore shqiptare.

Ajo gjithashtu vuri tarifa të larta të tregtisë së patateve të Kosovës, si dhe një kuotë për të kufizuar importin e rrushit dhe të verës të Kosovës.

Në përgjigje, Kosova ndaloi importin e qumështit shqiptar, duke thënë se nuk ishte në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore në Kosovë. Kosova gjithashtu vuri tarifa të larta për importin e çimentos shqiptare.

Përkundër këtyre mosmarrëveshjeve, Kosova tani është konsumatori i dytë më i madh i mallrave shqiptare dhe ka importuar mallra me vlerë 134.1 milionë euro nga Shqipëria në vitin 2014.

Shqipëria po ashtu kryeson listën e konsumatorëve të eksporteve të Kosovës, duke blerë 42.7 milionë euro të mallrave, ose 14.9 për qind të totalit të eksportit të Kosovës jashtë vendit në vitin 2014.

Italia dhe Greqia janë eksportuesit kryesore në Shqipëri, ndërkohë që vendi i parë i eksporteve në Kosovë është Serbia, e ndjekur nga Gjermania.

Megjithatë, një studim nga një institut me seli në Prishtinë, INDEP, sugjeron se ndërsa eksportet shqiptare në Kosovë u rritën me 21 për qind nga 2013-2014, eksportet e Kosovës në Shqipëri kanë mbetur në vend në të njëjtën periudhë, me një rritje simbolike prej vetëm 1 për qind.

Vitet e izolimit janë të vështira për t’u kapërcyer

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës është arsimi, shkenca dhe kultura.

Në fakt, këto dy sektorë janë konsideruar jetike për të thyer barrierat historike midis popujve në të dyja anët e kufirit.

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje mbi unifikimin e teksteve të tyre shkollore, ndërsa një Abetare e përbashkët është tashmë në përdorim në shkollat e të dyja vendeve.

Megjithatë, nuk ka bashkëpunim midis universiteteve publike në drejtim të studentëve dhe programeve të mobilitetit të pedagogëve dhe politikat që mbështesin punën shkencore janë ende larg nga të qenët aty ku duhet.

Bashkëpunimi kulturor ende varet kryesisht nga iniciativa private, me pak mbështetje që vijnë nga ministritë e qeverive.

Nëse një fillim i bashkëpunimit duket i vështirë për Kosovën dhe për Shqipërinë, kjo është për shkak të viteve të izolimit të ndërsjelltë dhe zhvillimit të partnerëve dhe traditave politike të ndryshme gjatë 100 viteve të fundit, të cilat kanë lënë gjurmën e tyre.

Aktualisht, takimet duken më shumë një shprehje e dëshirave të përdorura për marrëdhënie me publikun dhe përfitim elektoral sesa si angazhim serioz.

Shumë i mbetet marrëdhënieve personale

Një ish-ambasador shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku, është kritik ndaj qasjeve të dy qeverive për bashkëpunim.

“Përtej formës së këtyre takimeve, përfitimet e vendimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara duken larg nga pritshmëritë e qytetarëve”, tha ai.

“Më shumë rëndësi i është kushtuar formës pastaj thelbit të këtyre takimeve,” shtoi ai.

Fakti që nuk ka një strategji të hartuar të bashkëpunimit duket nga boshësia e këtij bashkëpunimi dhe mënyra se si ai duket se varet nga marrëdhëniet personale mes liderëve.

“Bashkëpunimi mes shqiptarëve në të dy vendet ishte më i afërt kur Thaçi drejtonte qeverinë [e Kosovës], ndërsa marrëdhëniet e Edi Ramës me [Isa] Mustafën janë të ftohta,” tha për BIRN redaktori i TV Tema, Ylli Pata.

Çejku është gjithashtu dakord se marrëdhëniet personale midis Ramës dhe Mustafës kanë ndikuar në nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës që nga viti 2014.

Takimi i ardhshëm i Prishtinës pritet të rezultojë në një tjetër duzinë apo më shumë marrëveshjesh në ekonomi, sigurisë, arsimi dhe kulturë, tha për BIRN këshilltari i Mustafës, Sokol Havolli.

Por Çejku thotë se njerëzit duhet ende të shohin ndryshimin e vërtetë që vjen nga takimet ndërshqiptare.

“Më shumë se marrëveshje vetëm formale të nënshkruara për hir të takimeve të përbashkëta të qeverive, shqiptarët në të dyja anët e kufirit kanë nevojë për gjëra ekzistenciale, që lidhen me jetën e tyre të përditshme”, tha ai.

“Dhjetëra marrëveshje të nënshkruara nga viti 2000 duhet të zbatohen,” shtoi Çejku.