Foto: LSA

Shqipëria i Trembet Ndikimit të Skuadrës Kosovare të Futbollit

Tifozët fanatikë të futbollit në Shqipëri janë të shqetësuar rreth efektit të mundshëm mbi skuadrën shqiptare nëse ndodh krijimi i një skuadre kombëtare futbolli në Kosovë. Shqipëria historikisht ka tërhequr lojtarët me origjinë shqiptare në rajon dhe më gjerë.

Politika dhe egoizmi mund të ndërlikojnë procesin e gjetjes së lojtarëve për Kosovën, pasi lojtarët e lindur në Kosovë përbëjnë thelbin e skuadrës shqiptare në Kampionatin Evropian në Francë, paralajmëron një ish-yll futbolli shqiptar.

Megjithëse tifozët e futbollit janë të përqendruar aktualisht në shanset e tyre në kampionatin Evropian të UEFA – “kuqezinjtë” do të marrin pjesë për herë të parë – disa dyshojnë se skuadra do të jetë në gjendje ta përsërisë suksesin në të ardhmen nëse lojtarët kryesorë i bashkohen skuadrës së Kosovës.

Rudi Vata, një ish-kapiten i skuadrës kombëtare të futbollit në Shqipëri, i tha BIRN se krijimi zyrtar i një skuadre kosovare, vetëm sa mund t’i ndërlikojë punët.

Për shkak të mosmarrëveshjeve mbi njohjen e shtetit të Kosovës, Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA dhe UEFA nuk e kanë njohur një skuadër futbolli kosovare, por krijimi i skuadrës po ndodh gjithsesi.

Për më tepër, Kosova pret njohje të plotë në FIFA dhe UEFA në kongresin e ardhshëm që do të mbahet në Budapest në mars 2016.

“Negociatat që do të mbahen mes dy federatave kombëtare të futbollit [Shqipërisë dhe Kosovës] do të jenë thelbësore në përcaktimin e fatit të kombëtares shqiptare dhe unë parashikoj që politikat dhe egoizmi do të përfshihen në negociata,” tha në një intervistë për BIRN Vata, i cili jeton në Mbretërinë e Bashkuar.

Foto: Salla74
Foto: Salla74

Anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk pranuan të komentojnë për BIRN për çdo negociatë apo marrëveshje në të ardhmen, marrëveshje që do të krijojnë rregullat mbi mënyrën se si dy skuadrat do të punojnë krah njëra-tjetrës.

Skuadra shqiptare ka humbur tashmë portierin, Samir Ujkanin, i cili hoqi nga Shqipëria për të luajtur me Kosovën në shkurt 2014.

Në ndeshjen e fundit miqësore kundër Shqipërisë në Prishtinë, shtatë nga lojtarët e ekipit të Kosovës kishin lindur jashtë vendit ndërsa tetë prej tyre ishin rritur jashtë. Shumica kishin luajtur për skuadra të tjera kombëtare në nivele të ndryshme.

Megjithatë, tre lojtarë të lindur në Kosovë, Frederik Veseli, Berat Gjimshiti dhe Amir Rrahmani, i refuzuan ofertat për të luajtur me Kosovën dhe zgjodhën skuadrën shqiptare.

Adnan Januzaj i Manchester United vendosi të luajë për Belgjikën pavarësisht ftesave nga Kosova dhe Shqipëria.

Skuadra shqiptare e futbollit ka tërhequr prej kohësh talente nga i gjithë rajoni ku jetojnë shqiptarët dhe lojtarët nga Kosova janë gjithashtu një shtyllë e rëndësishme.

Mes tyre është Lorik Cana, kapiteni shqiptar, që u konsiderua një faktor madhor në udhëheqjen e skuadrës drejt kualifikimeve në UEFA.

Rudi Vata beson se disa nga lojtarët e rinj të lindur në Kosovë do t’i bashkohen pashmangshmërisht skuadrës kosovare teksa përpiqet të fitojë njohje ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo mund të pengojë kombëtaren shqiptare, më herët e para zgjedhje për ta.

“Gjëja më e rëndësishme është se ky proces duhet të jetë i mirëkuptueshëm dhe i hapur, si dhe me vullnetin për të bërë më të mirën për të dyja skuadrat,” tha ai.

“Ne duhet të dalim nga këto bisedime me dinjitet të plotë dhe ta prezantojmë veten si vëllezër në arenën ndërkombëtare të futbollit,” u shpreh Vata.

Por është shqetësues fakti se grupi kryesor i tifozëve shqiptarë, që e quajnë veten Tifozët Kuqezinj bojkotuan ndeshjen miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës në nëntor në Prishtinë.

Ata nuk morën pjesë duke argumentuar se nuk mund të ishin në një stadium ku dy skuadra shqiptare luanin kundër njëra-tjetrës.

Petrit Osmani, lideri i Kuqezinjve në Prishtinë, i tha BIRN se skuadra kosovare e futbollit duhet të jetë gjithnjë zgjedhja e dytë për lojtarët shqiptarë, ndërsa skuadra shqiptare duhet të mbetet më e rëndësishmja.

“Ne gjithnjë do t’i inkurajojmë lojtarët e lindur në Kosovë t’i bashkohen skuadrës shqiptare. Ne besojmë se kur ata marrin pjesë në këtë skuadër, nuk përfaqësojnë vetëm Kosovën apo Shqipërinë, por të gjithë kombin shqiptar,” tha ai.

Ai beson se e vetmja gjë pozitive në krijimin e kombëtares kosovare është mundësia që lojtarët të kenë më shumë se një skuadër për të luajtur dhe të bëjnë më shumë debutime ndërkombëtare.

“Në fund është një zgjedhje individuale, megjithëse jam i bindur se kombëtarja shqiptare do të mbetet gjithnjë më e rëndësishmja,” tha ai.

Debati rreth ndikimit të një kombëtareje kosovare mbi skuadrën shqiptare pritet të kulmojë pas kampionatit Evropian të UEFA.

Media sportive shqiptare shkroi se një total prej 21 lojtarësh shqiptarë do të jenë pjesëmarrës në Euro 2016 në Francë, meqenëse shqiptarët etnikë prej vitesh kanë qenë pjesë e skuadrave të tjera kombëtare evropiane, si Gjermania, Belgjika, Zvicra dhe Danimarka.