Shpërthimi i Lëvizjes Vetëvendosje, rezultat i keqqeverisjeve të ish-pushtetarëve

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme tregojnë për një ndryshim dramatik në skenën politike në Kosovë.

Pas 12 vitesh, Partia Demokratike e Kosovës ka rënë nga ‘froni’. Nga mbrëmë, PDK ka dalë në opozitë.

Kurse, ndryshim tjetër i madh është ngritja e Lëvizjes Vetëvendosje në vend të parë.

Pas numërimit të 98 për qind të votave ana Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë 200 mijë e 754 vota ose 25.5 %, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 195 mijë e 296 vota ose 24.86 për qind, dhe Partia Demokratike e Kosovës – 166 mijë e 9 vota ose 21,13 për qind.

Kurse, koalicioni AAK-PSD ka mbledhur 90 mijë e 570 vota apo 11.55 për qind.

Humbjen e partisë dhe kalimin në opozitë e ka pranuar edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli në një konferencë për media të mbajtur mbrëmë.

Kurse, kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani ka thënë mbrëmë se do të presin numërimin e votave të mërgatës dhe votave me kusht për të ditur fituesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka përgëzuar qytetarët për nivelin e lartë të pjekurisë politike dhe demokratike, ndërsa ka falënderuar institucionet për organizimin e zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e tyre.

Këtë situatë, njohësit e çështjeve politike e kanë parë si një pjekuri politike të qytetarëve të Kosovës.

Bekim Baliqi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se njëra ndër arsyet kryesore të fitores së opozitës është keqqeverisja e kaluar.

“Pikë së pari këto rezultate janë tregues të një pjekurie demokratike, sepse u zhvilluan në një ambient të qetë dhe paqësor, pa ndonjë telashe të theksuar. Arsyet e përmbysjes së rezultatit nga ana e opozitës kanë ardhur në rend të parë si rezultat i keqqeverisjes dhe si votë ndëshkimi. Por edhe për shkak të mobilizimit më efikas të partive opozitare”, ka thënë Baliqi.

Mendim të njëjtë ka ndarë edhe analisti politik, Ramush Tahiri, i cili ka thënë se qytetarët me vullnetin e tyre kanë sjellë këto rezultate që janë tashmë.

“Përmbysjen ish-partive pozitare e kanë shkaktuar vullneti i qytetarëve dhe këto zgjedhje kanë treguar një vullnet të ri të qytetarëve që është shprehur si pakënaqësi me qeverisjen e deritanishme të partive që kanë qenë në qeverisje dhe me shpresën që e kanë me partitë e reja që nëse vijnë në pushtet  e kanë një program ndryshe të qeverisjes”, ka thënë Tahiri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kurse, sa i përket formimit të qeverisë së re mes dy partive të para, profesori Bekim Baliqi është shprehur optimist për këtë çështje, por thekson se duhet të përcaktohen paraprakisht për mënyrën e qeverisjes.

“Meqenëse janë paralajmëruar shumë më herët dhe do të krijonin një qeveri më stabile, besoj se VV dhe LDK do të arrijnë të formojnë qeverinë.  Sa i përket programit, mendoj se do të duhet ta qartësojnë sa më mirë dhe sa më detajisht, nëse mendojnë që të mos përsëriten koalicionet e mëhershme qeveritare ku ndaheshin postet strikt mes partnerëve dhe nuk kishte një program të mirëfilltë përfshirës qeveritar”, ka thënë Baliqi.

Ndërsa, analisti Tahiri tha se VV dhe LDK munden ta formojnë qeverinë e re sepse dyja bashkë do t’i kenë votat e mjaftueshme.

Ai megjithatë shtoi se dy partitë duhet ta përcaktojnë plan-programin qeverisës.

“E para duhet të caktohen sa ministra do t’i kenë a 15 a 12, Njëherë duhet të përcaktohet një lloj reforme në qeverisje. Kryeministri i ri do ta përcaktojë sa dikastere do t’i kenë, besoj se nuk do ta respektojë sa i ka pasur më herët. Po ashtu me çfarë programi do të dalin në qeverisje, cilat pika të programit të VV-së do të hyjnë dhe cilat të LDK-së, cila pjesë ekonomike, politika ndërkombëtare dhe të tjerat. Më pak e rëndësishme është ndarja e funksioneve”, ka thënë Tahiri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kurse, kandidatja për deputete nga VV, Albulena Haxhiu, pas rezultateve të zgjedhjeve ka ripërsëritur se kjo parti e sheh Lidhjen Demokratike të Kosovës si partnere për koalicion në qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Haxhiu për Gazetën Jeta në Kosovë tha se megjithatë që të arrihet kjo duhet të mblidhet kryesia e kësaj partie dhe të vendosin.

“Më duhet të them që VV-ja e ka qartësuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, kurdo që jemi pyetur për partnerin tonë të parë pas fitores, ne kemi thënë që do të jetë LDK-ja dhe do të vijojmë në këtë drejtim dhe përfundimisht është mirë që PDK-ja shkojë në opozitë, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët kanë ndëshkuar subjektet politike të cilat e kanë degraduar vendin”, ka thënë Haxhiu.

Rruga deri te certifikimi i zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka numëruar mbi 98 për qind të votave, duke mos u numëruar ende votat me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta.

Pas kësaj, KQZ-ja do të publikojë rezultatet finale, por subjekti fitues nuk mund të fillojë procedurat për formimin e qeverisë deri në certifikimin e rezultateve.

Subjektet politike dhe kandidatët për deputetë kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa PZAP, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Por, nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e PZAP-it, në të njëjtën formë kanë të drejtë të ankohen edhe në Gjykatën Supreme.