Shkrimtarët shqiptarë nuk e duan horrorin në letërsinë shqipe

Zhanri horror në letërsinë shqipe nuk është prekur nga shkrimtarët shqiptarë, pavarësisht zhvillimit të hovshme që ka njohur letërsia shqipe në dekadën e fundit.

Nuk ka ndonjë statistikë për të nxjerrë një konkludim të saktë rreth mos lëvrimit të këtij zhanri në letërsinë shqipe.

Disa prej krijuesve kosovarë për kallxo.com theksojnë se ka vite që kritika letrare nuk kultivohet për të bërë, siç kanë thënë ata një inventar të botimeve letrare në kuptimin e zhvillimeve të letërsisë.

Deri me tani i vetmi roman horror i shkruan në gjuhën shqipe, sipas studiuesve, rezulton të jetë “Psycho” i Ilir Muharremit, i botuar në 2017.

Kultivimi i romaneve të zhanrit horror në letërsinë botërore është mjaft produktiv dhe shërbejnë edhe si bazë për kinematografinë për krijimin e filmave me tematikën e festave të frikshme sikurse “Nata e shtrigave” apo Halloween-i.

Letargjia e kritikës letrare

Studiuesi dhe krijuesi Imer Topanica ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se shkrimtari Ilir Muharremi me romanin “Psycho”, së fundi, ka “eksperimentuar” në këtë drejtim.

“Por duke mos qenë i pasionuar pas këtij zhanri, nuk e kam të lexuar, andaj nuk mund të them asgjë për sa i përket përmbajtjes, përkatësisht vlerës estetike të romanit në fjalë”, duke potencuar se në Kosovë, prej vitesh, nuk kultivohet kritika letrare periodike”, ka pohuar Topanica.

Për rrjedhojë, ka thënë ai, nuk është  bërë “inventarizimi” i botimeve letrare, në kuptimin e përcjelljes së zhvillimeve kulturore në vend.

Ndërkaq regjisori Ben Apolloni, ka thënë se nuk i kujtohet të kem lexuar ndonjë roman të zhanrit horror nga ndonjë shkrimtar shqiptar.

“Nuk e di pse shkrimtarët tanë e kanë injoruar këtë zhanër. Ndoshta se edhe nuk vlerësohet nga kritika letrare, ka edhe të tillë që romanet horror nuk i konsiderojnë letërsi. Edhe pse Edgar Allan Poe, një nga shkrimtaret më të çmuar botëror, ka krijuar shume vepra brenda këtij zhanri”, ka thënë Apolloni, për Kallxo.com.

Horrori i ‘lumtur’

Kurse Ilir Muharremi, autor i romanit “Psycho” ka pohuar për Kallxo.com se temat horror t’i ketë trajtuar për faktin se aty krijohet përshtypja gjatë të lexuarit se njeriu po fillon të merr nën kontroll ndjenjën e frikës duke stimuluar emocionet.

“Ky zhanër më tërheq pasi njeriu gjithmonë qëndron në kufirin e frikës, vdekjes dhe jetës. Shumë herë tenton të kapërcejë matanë kufirit, por ka frikë, dhe vazhdon të jetojë. Pastaj janë disa situata dhe skena ku ka elemente paranomrale në roman dhe përnjëherë shfaqen zërat e frikshëm dhe torturat që i bën personazhi kryesor. Ana pozitive e romanit tim horror është se fundi është i lumtur dhe vërteton faktin se asnjë nga ngjarjet e romanit nuk ekzistojnë, duke neutralizuar edhe frikën e madhe që krijohet fillimisht”, ka thënë ai. Ai ka potencuar se deri në fund të 2019 do të sjellë edhe ‘Psycho” II.