Mentor Sopjani u bë i njohur në Kosovë pas kontributit të tij në disa kërkime dhe zbulime shkencore ndërkombëtare

Shkencëtari i Ri Akuzon UP-në për Diskriminim Akademik

Senati i Universitetit të Prishtinës duket se nuk ka marrë parasysh punën shkencore të kandidatit Dr. Mentor Sopjani nga Fakulteti i Mjekësisë, për avancimin e tij profesorial.

Në vendimin e Senatit të datës 8 shtator 2016, Sopjani është avancuar në profesor asistent gjë për të cilën Sopjani ka ushtruar ankesë në Inspektoratin e Ministrisë së Arsimit si dhe në rektorat të Universitetit të Prishtinës. “Unë kam dërguar shkresa në inspekcionin e arsimit të lartë ngase Senati, përkatësisht Rektorati i UP-së,  nuk i ka respektuar meritueshëm Statutin dhe Rregulloren për Avancime” tha Sopjani.

Gradimi i profesorëve në UP bëhet në tre shkallë duke filluar nga profesor asistent, në profesor të asocuar e deri te profesor i rregullt.

Për të gjitha gradat janë paraparë kritere mirëpo kriteri kryesor mbetet numri i punimeve në revista ndërkombëtare, 1 për profesor asistent, 3 për profesor të asocuar dhe 5 për profesor të rregullt.

E drejta për avancim u takon kandidatëve në periudha të caktuara, mirëpo Rregullorja e Procedurave Vlerësuese për Zgjedhjen dhe Avancimin e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës parasheh, avancimin e parakohshëm të kandidatëve në kushte të caktuara, ku puna shkencore luan rol vendimtar.

Shkëlqim i kotë akademik

Sopjani, i cili e ka kryer doktoraturën në Gjermani, është ndër profesorët më të cituar të UP-së me 1276 citime të punimeve të tij në vende të ndryshme të botës. Ai u bë i njohur në Kosovë falë vlerësimeve që kishte marrë në studime të rëndësishme, si dhe në zbulime të mirëfillta në mjekësi, në nivel ndërkombëtar.

Shkencëtari Që Po Bëhet i Dëgjuar

Në Buletinin e Fakultetit të Mjekësisë të datës 14 prill 2015 është paraqitur raporti i Komisionit Recensues të punës së Sopjanit, ku listohen 13 punime me impakt faktor në revista ndërkombëtare, 5 prej të cilave janë në 4 vitet e fundit.

Ai madje, në vitin 2013 u shpall shkencëtar i vitit në fushën e mjekësisë nga ministri i atëhershëm Ramë Buja. Sopjani thotë se i ka plotësuar kushtet e kërkuara që të avancohet në një shkallë më të lartë se ajo e profesorit asistent.

Sipas nenit 11 të rregullores për avancime, “thirrja akademike sipas arritjeve të jashtëzakonshme”, Sopjani i përmbush kriteret që ai të marrë gradën e profesorit të asocuar.

Komisioni Recenzues i Fakultetit të Mjekësisë dha raportin e vet në të cilin thuhet që organet vendimmarrëse duhet të “shiqojnë mundësinë e avancimit të Dr.sc. Mentor Sopjanit në thirrjen Profesor i asocuar pasi që i plotëson të gjitha kushtet e kërkuara sipas nenit 176 të Statutit të Universitetit të Prishtinës”.

Këto rezultate të larta dhe rekomandimet përkatëse kanë dalë të pavlera para standardeve reale të UP-së.

Injorim institucional

Sopjani ka ushtruar ankesë më datë 20 shtator 2016 lidhur me vendimin e Senatit për avancim në profesor asistent të datës 8 shtator 2016, mirëpo asnjë përgjigje nuk i është kthyer nga rektorati i UP-së.

Përveç ankesës së Sopjanit, rektorati ka injoruar edhe pyetjet e dërguara nga redaksia e Gazetës Jeta në Kosovë, duke mos kthyer përgjigje për rastin në fjalë.

Përveçse në rektoratin e UP-së, Sopjani ka dërguar një “Kërkesë për Zbatim të Ligjit” në Inspektoratin e MAShT më 25 nëntor 2016, pasi ka kaluar afati ligjor prej dy javësh për përgjigje nga rektorati. Mirëpo as nga inspektorati nuk i është kthyer përgjigje. Sikurse në rastin e rektoratit, inspektorati i ka shpërfillur pyetjet e dërguara nga Gazeta JNK.

Sulmi i rëndë i vitit 2012

Sopjani i ka rrëfyer Gazetës JNK për një sulm nga “persona të panjohur” siç u shpreh ai në vitin 2012. Më datë 18 dhjetor 2012 ai ishte sulmuar në dalje të Fakultetit të Mjekësisë duke pësuar një frakturë të kafkës e cila mund të kishte rezultuar fatale.

“Nuk e di çfarë ka ndodhur, thjesht kam mbetur pa vetëdije dhe kam qenë në gjendje kome për një kohë”, thotë Sopjani.

Ai nuk është në gjendje të thotë se cilat mund të jenë motivet mirëpo lë të hapur mundësinë e këtij sulmi për shkak të qëndrimeve të tij parimore ndaj “proceseve të ndryshme” në Universitetin e Prishtinës.

Për rastin në fjalë nuk ka pasur të arrestuar.

Avancimet e njollosura të UP

Që në vitin 2015 kur ish rektori Zejnullahu pati bllokuar avancimet me arsyetimin se nuk përmbushen kriteret, çështja e avancimeve në UP është në vëmendjen e publikut kosovar. Me ardhjen e rektorit Marjan Dema, avancimet e bllokuara nga paraardhësi i tij kaluan.

Senati aktual në të kaluarën e afërt ka avancuar – duke shkelur potencialisht ligjet relevante për këto çështje – persona që dyshohen për plagjiaturë dhe falsifikim dokumentesh si rasti i Selim Bezeraj, shef i Departamentit të Historisë në UP, për të cilin Gazeta JNK kishte shkruar disa herë para avancimit të tij.

Gjithashtu, një sërë profesorësh të njohur, përfshi disa drejtues të Universitetit të Prishtinës, janë përfshirë në raste botimesh në revista mashtruese, mes tyre edhe vetë rektori aktual i UP-së, Marjan Dema, për të cilin Gazeta JNK ka raportuar më parë.