Shkeljet 'Inovative' nga Ministria e Inovacionit

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është themeluar në vitin 2017 me qëllim që tu ndihmojë  bizneseve të reja, të investojë në inovacion dhe ndërmarrësi.

Por Auditori i Përgjithshëm se kjo ministri e re ka vazhduar me shkeljet të shumta që janë bërë në disa fusha, duke filluar nga rekrutimi i stafti, prokurimi dhe sidomos shkelje janë gjetur në zbatim të kontratave. Auditori ka gjetur shkelje edhe tek mënyra e ndarjes së subvencioneve, duke ngritur dyshime se paratë e dedikuara për përkrahje të inovacionit nuk kanë shkuar në vendin e duhur.

Si ministri e sapoformuar, në vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit ia ka audituar për herë të parë pasqyrat financiare.

Në krye të kësaj ministrie ishte emëruar, Besim Beqaj i cili kishte kogja përvojë në pozita të tilla. Beqaj ka qenë ministër i Integrimeve Europiane, Ministër i Financave dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik. Beqaj është duke u hetuar për rolin e tij në privatizimin tinëzar të katër hidrocentraleve bashkë me KEDS-in. Beqaj ka një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria e Shtetit për rastin e njohur si “Pronto”. Me kërkesë të kryetarit të PDK-së, Beqaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka marrë 14 rekomandime nga Auditori. Auditori ka gjetur shkelje në ndarjen e mjeteve për OJQ-të dhe bizneset, probleme me avancet e hapura, punësimet me kontrata mbi vepër, keqmenaxhimin e tenderit për Qendrën e Inovacionit në Ferizaj dhe pagesat e dyshimta për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Dobësitë e vlerësimit të aplikacioneve për Start Up

Në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Auditori ka gjetur dobësi gjatë procesit të vlerësimit të aplikacioneve për bizneset Start Up. Këto dobësi në proces të vlerësimit janë përmbyllur me përkrahje të bizneseve dhe OJQ-ve pa i plotësu kriteret.

Në një aplikacion të përzgjedhur si përfitues për Start Up, në aktivitetet e propozuara në buxhet, ishte blerja e një automjeti komercial (kamionit) në vlerë 8 mijë euro, edhe pse ky shpenzim ishte i papranueshëm për financim.

Në tri raste, ku kishin aplikuar bizneset ekzistuese, ishin paraparë vetëm blerje të pajisjeve, dhe jo mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës. Këto mangësi, kishin ndodhur si pasojë e neglizhencës gjatë punës së kryer nga komisioni i vlerësimit.

Kjo nuk ishte shkelja e vetme në këto ndarje të granteve, pasi Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka ndarë mjete për tri biznese Start Up edhe pse dy prej tyre ishin aktive nga viti 2004 dhe 2005.

Dy nga përfituesit ishin përzgjedhur nga thirrja për Start Up edhe pse nuk i plotësonin kriteret sepse aplikacionet e tyre kishin të bënin me thirrjen për subvencionim të NVM dhe OJQ.

Vlera totale e këtyre subvencioneve ishte 28,747 euro.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i pakujdesisë së komisionit vlerësues, gjatë procesit të vlerësimit”, thuhet në raport.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ për ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria subvencione dhe transfere, Start-Up-et përkufizohen si biznese fillestare të cilat përfshijnë ide inovative biznesore që kalojnë nga faza e inkubimit deri në aprovim si ide me potencial për efekte ekonomike.

MIN, gjatë vitit 2018 kishte bërë një thirrje publike për Start Up, dy thirrje për OJQ si dhe thirrjen për NVM, megjithatë thirrja e parë për OJQ dhe thirrja për NVM ishin anuluar.

Ministria aplikon kontrolle të dobëta në fushën e subvencioneve. Përkrahja financiare e bizneseve ekzistuese të cilat ushtrojnë veprimtarinë prej më shumë se një vit e deri në 15 vite, si përfitues të fondit Start Up, është në kundërshtim me kriteret dhe paraqet keqmenaxhim të fondeve, me efekt në mos arritjen e qëllimit për të cilin fondet janë planifikuar.

“Ministri duhet të vendos kontrolle rigoroze në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për financim të bizneseve Start Up, në mënyrë që përzgjedhja e përfituesve bëhet bazuar në objektivat e thirrjes për financim, në përputhje me udhëzimin administrativ përkatës të ministrisë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se fitueseve të granteve ju mungoni dokumentet që ishin kusht për tu kualifikuar bazuar në Udhëzimin Administrativ.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ dhe thirrjen për aplikim, për t`u konsideruar si aplikacion i kompletuar dhe për të plotësuar kriteret e vlerësimit, aplikuesi duhet të siguroj deklaratë që nuk ka pranuar mjete për të njëjtat aktivitete, si shpenzime të papranueshme për financim, konsiderohen prokurimi i automjeteve komerciale si dhe të dëshmohet se mjetet e ndara të ndikojnë në hapjen e vendeve të reja të punës.

Mangësitë e identifikuara, sipas Auditorit, kanë rezultuar me ndarjen e fondeve jo në pajtim me kriteret, qëllimet dhe objektivat. Sipas Auditorit kjo rritë rrezikun për dëmtimin e buxhetit të ministrisë.

“Ministri, duhet të merr masa të menjëhershme dhe të ndërpres praktikat e tilla, duke vendosur mekanizma efektiv të mbikëqyrjes ndaj procesit të vlerësimit për mbështetje financiare ndaj Start Up-ve dhe të siguroj se komisionet e vlerësimit kryejnë punën me përgjegjësi të lartë. Në rastet ku financimi ka qenë shpenzim i papranueshëm, sikurse blerja e automjetit komercial, mjetet e përfituara të kthehen në buxhetin e ministrisë”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Financimi i dyshimtë i OJQ-ve për inovacion dhe ndërmarrësi

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka financuar disa OJQ të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara.

Në tri, nga gjashtë raste të testuara, “Kryqi i Kuq i Kosovës” i cili ka marrë 200 mijë euro, “Shoqata e Bletarëve AMA”  e cila ka përfituar 14,900 euro dhe “Human Care” të cilës i janë ndarë 14,940 euro, nuk i kishin plotësuar kriteret e thirrjes, pasi programi i punës së tyre nuk ishte i fokusuar në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Po ashtu, projektet për të cilat kishin aplikuar, nuk ishin në përputhje me objektivat dhe aktivitetet e caktuara për financim të vendosura në thirrje. Fushë veprimtaritë dhe projektet kishin të bënin me edukimin shëndetësor dhe ngritja e nivelit profesional në fushën e shëndetësisë, sigurimi i shërbimeve humanitare, trajnimet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe dhënien e këshillave ndaj bletarëve.

Në tri raste, për OJQ-të e përzgjedhura për financim, “Egnatia” që ishte financuar me 15 mijë euro, “Shoqata e Bletarëve AMA” që kishte marrë 14,900 euro, “Kryqi i Kuq i Kosovës”, të cilit i janë ndarë 200 mijë euro, nuk ishin siguruar dëshmitë mbi CV-të dhe deklaratat për pjesëmarrje të personelit/ekspertëve të cilët aplikuesi ka deklaruar se do t`i angazhojë.

Në një rast, OJQ “Kryqi i Kuq i Kosovës” që është financuar me 200 mijë euro nuk kishte siguruar tri referenca për projekte të suksesshme.

Megjithatë, këto OJQ ishin përzgjedhur si përfitues nga komisioni i vlerësimit dhe vlera totale e financimit të tyre nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ishte 244,840 euro.

Bazuar në udhëzuesin për aplikant për mbështetje financiare për projektet e OJQ-ve në promovimin dhe mbështetjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe thirrjes publike për aplikim, MIN iu ka bërë thirrje të gjitha OJQ-ve, programi i punës dhe projektet e të cilave janë të fokusuar në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Aktivitetet që nuk janë të pranueshme për financim, ndër tjera, ishin edhe trajnimet që nuk përkrahin rritjen e aftësive në inovacion dhe teknologji.

Ndër kriteret e vendosura për përzgjedhje, aplikuesi duhej të dorëzonte të dhëna për personelin kyç, duke siguruar CV-të e tyre së bashku me një deklaratë pranimi nga ana e tyre se do të punojnë për projektin/programin, në rast të përfitimit të mbështetjes financiare.

Kriter tjetër ishte që në rast të angazhimit të ekspertëve të jashtëm, të dorëzojnë deklaratën e pranimit nga ana e tyre se do të angazhohen në projekt për pozitën e caktuar.

Për OJQ-të të cilat aplikojnë në nivelin 200 mijë euro, të sigurohen 3 referenca për projekte të suksesshme.

Në raportin e auditimit thuhet se parregullsitë në financimin e OJQ-ve kishin ndodhur si rezultat i pakujdesisë së komisionit të vlerësimit, për t`i vlerësuar aplikacionet e OJQ-ve në pajtim me kërkesat e udhëzuesit.

Sipas Auditorit, pakujdesitë gjatë vlerësimit të aplikacioneve për OJQ-të nga komisioni i vlerësimit, kanë rezultuar me ndarjen e subvencioneve jo në pajtim me kriteret e përcaktuara dhe objektivat e ministrisë. Më tej në raport thuhet se kjo rritë rrezikun që fondet e destinuara për mbështetje të inovacionit dhe ndërmarrësisë, të përdoren për qëllime tjera dhe të mos arrijnë vlerën për para dhe objektivat e ministrisë.

“Ministri duhet të rritë masat e përgjegjësisë ndaj komisionit të vlerësimit të OJQ-ve, për të siguruar se vlerësimi i aplikacioneve bëhet me përgjegjësi dhe objektivizëm sipas kritereve të përcaktuara dhe kërkesave tjera ligjore”, theksohet në rekomandim.

Mos raportimi i përfituesve për subvencionet

Bazuar në marrëveshjet e lidhura mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe përfituesve të subvencioneve nga OJQ-të dhe bizneset (Start Up), përfituesit duhet të ofrojnë çdo tre-mujor një raport narrativ dhe financiar mbi zbatimin e aktiviteteve.

Nga gjashtë raste të testuara për OJQ, Auditori ka gjetur se OJQ Egnatia, e subvencionuar me 15 mijë euro, nuk kishte raportuar për shpenzimet e realizuara në periudhën tre-mujore.

OJQ Nëna Terezë, e cila ishte subvencionuar në vlerë 198,560 euro, në raportin e shpenzimeve për vlerën 17,163 euro kishte arsyetuar vetëm pagat e personelit të angazhuar dhe shpenzimet operative (rrymë, naftë, internet). Ndërsa për shpenzimet e aktiviteteve lidhur me projektin, përkatësisht ngritjen e kapaciteteve përmes pjesëmarrjes së 100 personave në Qendrat për Aftësim Profesional, në vlerë 6,328 uro, nuk ka siguruar fatura/dëshmi për arsyetimin e mjeteve të shpenzuara.

Nga 10 raste të testuara për përfituesit e mbështetjes nga Start Up, Auditori ka vërejtur se tre prej tyre nuk kishin sjellur të gjitha dëshmitë/faturat lidhur me shpenzimin e mjeteve, apo në përputhje me aktivitetet e planifikuara në propozim buxhetet.

Sipas Auditorit, mos raportimi i mjeteve të shpenzuara, mungesa e faturave dhe sigurimi i faturave që nuk dëshmojnë se mjetet janë shpenzuar në përputhje me qëllimin e dhënë, mund të rezultojë me devijime nga qëllimet e përfitimit të mjeteve dhe keqpërdorime.

“Ministri, të siguroj ndërmarrjen e masave shtesë ndaj monitorimit të përfituesve nga OJQ-të dhe Start Up-et, për sigurimin e dëshmive të vlefshme lidhur me shfrytëzimin e mjeteve, në përputhje me qëllimin e dhënë. Nëse këto nuk arsyetohen brenda periudhës së definuar në kontratë, të merren masa ndëshkuese ndaj këtyre përfituesve”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Shkelje në shpenzimin e parasë 

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje të bëra nga minsitria e re edhe sa i përket mënyrës së shpenzimit të parasë publike, por edhe mos-kontrollin e duhur për zbatimin e kontratave.

Dy shkelje janë gjetur nga Auditori në blerjën e një LapTopi që është bërë direkt nga ministri i Inovacionit, Besim Beqaj.

Ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka blerë llap-top në vlerë 1,064 euro me paratë e avancit për udhëtim zyrtar gjatë qëndrimit të tij në ShBA.

Sipas shpjegimeve të Ministrisë kjo kishte ndodhur për shkak se ministri gjatë vizitës zyrtare në ShBA kishte shprehur nevojën për një llap-top.

Sipas Procedurës për regjistrimin e avanceve për para të imëta dhe avancave për udhëtime zyrtare, te llogaritja e shpenzimeve për udhëtime zyrtare, janë të përcaktuara shpenzimet që mund të mbulohen nga mjetet e avancit si: akomodimi, ushqimi, mëditja dhe shpenzime tjera/para xhepi.

Shkelje ishte bëre edhe tek mbyllja e shpenzimeve, duke iu ulur vlera LapTopit.

“Pas realizimit të udhëtimit këto shpenzime ishin mbyllur në kodin ekonomik “Pajisje tjera nën 1,000€”, e që është kundërshtim me procedurat për regjistrimin e avancave në SIMFK”, thuhet në raportin e Auditorit.  

Sipas Auditorit, shfrytëzimi i mjeteve nga avanci për udhëtime zyrtare për blerje të pajisjeve, rrit rrezikun e përdorimit të këtyre mjeteve për qëllime tjera, nga ato për të cilat është destinuar avanci për udhëtime zyrtare. 

“Ministri duhet të siguroj se shfrytëzimi i avancit për udhëtime zyrtare për blerje të pa autorizuar, nuk do të përsëritet në asnjë rast tjetër”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Ministria paguan 35 dyer që nuk u vendosën 

Auditori i përgjithshëm ka zbardhur disa shkelje që janë bërë nga Ministria e Inovacionit në menaxhimin e kontratës për “Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, renovimi i Qendrës së Kulturës”.

Kjo ministri ka paguar para të taksapaguesve ndaj një biznesi për punët dhe shërbimet e parealizuara. Në total, Auditori thotë se janë paguar 28 mijë euro për punët të cilat nuk janë realizuara fare përkundër që kanë qenë të parapara në kontratë.

Auditori ka testuar pagesën në vlerë 134,645 euro, të këtij projekti në Ferizaj që ka vlerën 149,620 euro, dhe ka gjetur se këto pozicione të cilat ishin lëshuar në dokumentacionin financiar për pagesë si të përfunduara nga operatori ekonomik dhe të verifikuara nga menaxheri i projektit i komunës, nuk ishin kryer.  

Pozicionet e paguara, por të pa përfunduara, ishin disa nga punët e meremetimit dhe sistemi i ngrohjes dhe ftohjes.

Sipas Auditorit, në projektin “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, renovimi i Qendrës së Kulturës” mungojnë punët në pozicionin numër 8, 18, 19 dhe 22.

Në pozicionin numër 8, mungon krijimi i rampave sipas standardeve, në korridorin kryesore me disnivel prej 70cm, në dy nivele, me vlerë 840 euro. 

Auditori ka gjetur se ministri i ka paguar 2,800 për dyer që nuk janë vendosur fare.

“Në pozicioni numër 18, mungon furnizimi dhe montimi i dyerve të reja nga materiali i njëjtë me ato ekzistuese me dimensione 90 me 220cm, me vlerë 2,800 euro  (35 copë nga 80 euro = 2,800 euro)”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tek pozicioni numër 19, sipas Auditorit mungon furnizimi dhe montimi i derës për dalje emergjente me hapje nga hapësira, me vlerë 150 euro.

Ndërsa te pozicioni numër 22, mungon përpunimi i dyshemesë nga parketi dhe sipas nevojës të ketë ndërhyrje nëpër vende të caktuara me qëllim përmirësimin e parketit, në vlerë 990 euro.

Përveç punëve të papërfunduara në meremetim, Auditori ka evidentuar mangësi edhe te disa pozicione te sistemi i ftohjes dhe i ngrohjes. Punët e papërfunduara janë evidentuar në pozicionet 3, 4 dhe 6.

Në pozicionin numër 3, sipas Auditorit mungojnë mbrojtëset për borë që vendosen mbi VRF nga llamarina e zinguar, në vlerë 180 euro. 

Sipas Auditorit, në pozicionin numër 4, mungojnë ventilatorë konvektor kasetore VRF, tërheqje të ajrit në mes dhe prurja në të katër anët e maskës së ventilator konvektorit, për montim në lartësi maksimale për ngrohje deri në 3.5m, me maskë, pompë për kondenzator, me mundësi të lidhjes në BMS, me fuqi termike në ftohje 7.10Kë, fuqi termike në ngrohje 8,00Kë, në vlerë 1700 euro.

Ndërsa te pozicioni numër 6, sipas Auditorit, mungojnë ventilatorë konvektor kasetore VRF, tërheqje të ajrit në mes dhe prurja në të katër anët e maskës së ventilator konvektorit, për montim në lartësi maksimale për ngrohje deri në 3.5m, me maskë, pompë për kondenzator, me mundësi të lidhjes në BMS, me fuqi termike në ftohje 3,60 Kilovat, fuqi termike në ngrohje 4,00 kilovat, në vlerë 21,700 euro (31 copë nga 700 euro =21,700 euro). 

Si përfundim, vlera e pozicioneve të identifikuara, të cilat janë paguar por nuk janë kryer ishte 28,360 euro.  

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së përgjegjësisë për punën e kryer nga mbikëqyrësi i projektit, dhe si pasojë e neglizhencës së menaxhmentit për të mbikëqyrur projektin e financuar nga MIN”, thuhet në raportin e auditimit.

Në marrëveshjen mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komunës së Ferizajt për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj” në vlerë 373,231 euro, ka pasur obligime për të dyja palët. 

Sipas Auditorit, të dy palët nuk ishin respektuar këto pika të marrëveshjes, me ç`rast Ministria nuk kishte caktuar zyrtarin për mbikëqyrje të realizimit të projektit dhe as Komuna nuk kishte njoftuar Ministrinë për rrjedhat e realizimit të projektit.  

Sipas marrëveshjes Ministria është dashur të caktojë një zyrtar për mbikëqyrjen e realizimit të projektit nga fillimi deri në përfundim të kontratës.

Komuna është dashur të emërojë projekt menaxherin/organin mbikëqyrës i cili me përgjegjësi të plotë vërteton sasinë dhe kualitetin e punëve të kryera në bazë të të cilave operatori ekonomik lëshon dokumentin financiar me kërkesë për pagesën e punëve të kryera në bazë të kushteve të kontratës. 

Komuna është obliguar që të njoftoj Ministrinë për rrjedhat e realizimit të projektit sipas një plani dyjavor deri në përfundim të projektit. 

Në raportin e auditimit për vitin 2018 thuhet se mungesa e zyrtarit mbikëqyrës nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe në anën tjetër mos raportimi nga Komuna, rrezikon realizimin e projektit sipas cilësisë së duhur dhe mund të jetë faktor i mos realizimit të projektit deri në këtë fazë.  

Më tej thuhet se nënshkrimi i raporteve nga menaxheri kontratës së Komunës së Ferizajt, para se punimet e kontraktuara të jenë kryer, rritë rrezikun e dëmtimit të buxhetit të ministrisë si dhe mos përfitimin e vlerës për para. 

“Ministri duhet të ndërmerr masa për caktimin e zyrtarit mbikëqyrës të projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë’, i cili në bashkëpunim me komunën të siguroj se projekti realizohet në afat sa më të shpejtë në mënyrë që kjo qendër të filloj funksionimin e saj. Po ashtu, të siguroj se pozicionet të cilat janë paguar dhe nuk janë përfunduar, të finalizohen në pajtim me kontratën, në të kundërtën, për punët e pa përfunduara të kërkoj kthimin e mjeteve në buxhetin e ministrisë”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Pagesat e dyshimta për zyrtarët e MPJ-së 

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme janë kompensuar çdo muaj për shërbimet e tyre ndaj Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë bazuar në nenin 3 të marrëveshjes së mirëkuptimit, nen i cili nuk ekzistonte fare në marrëveshje.

UD Sekretari i Përgjithshëm në MIN, i cili njëkohësisht ishte Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së, gjatë muajit dhjetor të vitit 2017, kishte lidhur kontratë me zyrtarë të caktuar nga MPJ, për kompensimin e tyre lidhur me kryerjen e shërbimeve ndaj MIN, për çdo muaj në shkallën prej 50% të pagës. 

Vlera e këtyre pagesave ishte 2,067 euro. Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së personelit dhe kontrolleve të duhura në fillimet e funksionimit të ministrisë. 

Bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, personeli i MPJ-së sipas nevojës mbështet MIN në lëmin e financave dhe shërbimeve të përgjithshme dhe prokurimit. 

Në raportin e auditimit thuhet se në këtë marrëveshje nuk është përcaktuar ndonjë formë e kompensimit. 

Sipas Auditorit, pagesat e realizuara ndaj zyrtarëve të MPJ-së, nuk janë të mbështetura me bazë ligjore dhe si të tilla, rrezikojnë dëmtimin e buxhetit të MIN për vlerën e shpenzuar. 

“Ministri duhet të rishikoj rastin e këtyre pagesave dhe të konfirmoj nëse pagesat janë kryer për punët e kryera jashtë orarit të rregullt të punës. Në të kundërtën, paratë t’i kthehen buxhetit të ministrisë”, theksohet në rekomandimin e Auditorit. 

Avancet e hapura 

Në Ministrinë e Inovacionit avancet për udhëtimet jashtë vendit kanë mbetur të hapura deri në 10 muaj, në kundërshtim me procedurën për avancet.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se në 13 raste, avancat për udhëtime zyrtare në vlerë 13,367 euro, ishin mbyllur me vonesë deri në 10 muaj dhe si pasojë e vonesave, mjetet tepricë në vlerë 1,779 euro nuk ishin deponuar me kohë në llogari të ministrisë. 

Tutje Auditori ka shpjeguar se në avancin e tërhequr në vlerë 3,125 euro për udhëtimin zyrtar në ShBA, ishin realizuar tri udhëtime zyrtare të njëpasnjëshme, pa u bërë mbyllja e avancit nga udhëtimi paraprak. Mjetet e pashpenzuara nga udhëtimi i parë, ishin bartur tek dy zyrtarët tjerë për tu realizuar dy udhëtimet vijuese, në Belgjikë dhe Bosnje dhe Hercegovinë. 

Në raportin e auditimit për vitin 2018, thuhet se këto mangësi kishin ndodhur për shkak se zyrtari i avancave nuk i kishte deponuar mjetet me kohë në llogarinë bankare, si dhe në disa raste, kishte vonesa në arsyetimin e faturave nga shfrytëzuesit e avancit. 

Sipas Procedurës për regjistrimin e avancave për para të imët dhe avancave për udhëtime zyrtare, procedimi i avancave për udhëtim zyrtar, përcakton se përfituesi i avancit për udhëtim zyrtar obligohet që të bëjë arsyetimin e avancit, jo më larg se 2 javë nga kthimi i udhëtimit zyrtar. 

Tek zyrtari i caktuar për mbajtjen e avancave dorëzohet i tërë dokumentacioni/faturat si dhe mjetet tepricë nëse ka.  

“Ministri, të siguroj se janë vendosur kontrolle efektive tek menaxhimi i avanceve për udhëtime zyrtare, në mënyrë që zyrtarët të jenë përgjegjës për arsyetimin e mjeteve me kohë, dhe kthimi i mjeteve të pashpenzuara në llogari të bëhet brenda afatit ligjor”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Punësime me kontrata mbi vepër

Ministria e Inovacionit e udhëhequr nga Besim Beqaj ka përdorur procedura të përshpejtuara të rekrutimit për të punësuar staf të nevojshëm për funksionalizim të Ministrisë së re.

Auditori ka gjetur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në nëntë raste kishte rekrutuar punonjës me “Marrëveshje për Shërbime të Veçanta“, me afat tre deri në gjashtë muaj, në pozita të cilat ishin paraparë përmes rregullores të rekrutohen si pozita të rregullta. 

Prej tyre 4 zyrtarë brenda departamentit të inovacionit, 3 brenda departamentit të ndërmarrësisë, si dhe 2 në departamentin për financa dhe shërbime të përgjithshme.  

Plotësimi i pozitave të rregullta me staf të përkohshëm, sipas Auditorit  rrezikon angazhimin e stafit jo adekuat në pozitat përkatëse dhe mund të rezultojë me performancë të dobët në kryerjen e detyrave. Kjo më pas mund të ketë efekt negativ në realizimin e objektivave në nivel të ministrisë. 

“Ministri duhet të siguroj se janë ndërmarrë veprime për plotësimin e pozitave të lira me staf të rregullt dhe jo përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, ndërsa këto të fundit të aplikohen vetëm për punë/shërbime të cilat nuk janë të parapara si pozita të rregullta pune”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Në raportin e Auditorit thuhet se këto punësime janë bërë për shkak të kjo kishte ndodhur për shkak të nevojës për funksionalizim të ministrisë, duke qenë se rekrutimi përmes procedurave të rregullta kërkon kohë më të gjatë për t’u realizuar, ndërsa angazhimi i punëtorëve me marrëveshje për shërbime të veçanta, kishte mundësuar plotësimin e pozitave të lira përmes një procedure të thjeshtëzuar të rekrutimit.