Shkaktarët e problemeve të shëndetit mendor te të rinjtë kosovarë

Përdorimi i madh i internetit, i drogave dhe gjendja ekonomike, janë ndër problemet kryesore që ndikojnë në shëndetin mendor.

Në mbarë botën, 10 deri në 20 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve përjetojnë probleme të shëndetit mendor. Gjysma e problemeve të shëndetit mendor fillon në moshën 14-vjeçare. Nëse nuk trajtohen, këto probleme ndikojnë në zhvillimin fizik dhe mendor, në arritjet dhe mundësitë për të përmbushur të gjithë potencialin individual.

Të rinjtë shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre në internet duke u përballur me krime kibernetike, bullizëm kibernetik dhe video-lojëra të dhunshme.

Sipas agjencisë për media sociale “Hallakate” përdorimi i internetit nga të rinjtë e moshave 13 deri në 22 vjeç është relativisht i lartë.

Audienca në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram kalon shifrën prej 210 mijë përdoruesve në Kosovë. Nga ta janë mbi 120 mijë të gjinisë mashkullore dhe 92 mijë të gjinisë femërore.

Në rrjetin social Facebook dhe Instagram audienca është më e madhe se 180 mijë përdorues në secilin nga këto dy rrjete sociale.

Sipas ‘Hallakate’, sa i përket gjinisë, të rinjtë e gjinisë mashkullore preferojnë më shumë Facebook-un me mbi 100 mijë përdorues, ndërsa të rejat kanë rreth 80 mijë llogari në këtë rrjet.

Në Instagram në mesin e 180 mijë përdoruesve, 99 mijë janë të gjinisë mashkullore dhe 78 mijë të gjinisë femërore.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se ndikimi i internetit është shumë i madh në problemet e shëndetit mendor të të rinjve, duke krijuar një botë të rrejshme dhe robërim të njeriut.

“Ndikon shumë. Pasojat janë shumë të mëdha, thjeshtë po shkojmë në një socializim virtual, kur ju komunikoni me një rreth tjetër, qoftë edhe në distanca shumë të mëdha, ju komunikoni me dikë që nuk e shihni, e prezantoni veten si të doni dhe është socializim virtual. Mirëpo kjo është një abuzim me teknologjinë dhe është robërim i njeriut prej teknologjisë, që nuk është më teknologjia në funksion të njeriut, por teknologjia po e robëron njeriun dhe pasojat janë shumë të mëdha, gjithnjë e më pak ka socializim real”, ka thënë Rexhepi.

Tutje Rexhepi ka shtuar se edhe gjendja ekonomike e të rinjve ndikon në shëndetin mendor të tyre, duke krijuar ankth e ndjenja të inferioritetit në rrethin ku jetojnë.

Ai ka shtuar se mënyra e rritjes së një të riu brenda familjes, pritjet që ai i krijon dhe përmbushja e tyre ka rol të madh në rritjen e shkallës së dëshpërimit nëse ato nuk realizohen duke u manifestuar kështu me nivel të lartë të ankthit, i cili atakon drejtpërdrejt shëndetin mendor.

“Diferencat e mëdha ekonomike që janë krijuar në shoqëri, se shtresa e mesme në Kosovë është shkrirë, nuk ekzistojnë dhe diferencat e mëdha dhe kjo krijon te fëmijët ndjenja të inferioritetit që njëjtë manifestohet me një nivel shumë të lartë të ankthit dhe me probleme të shëndetit mendor. Por këto janë kryesisht kriza emocionale të cilat nuk munden me ndiku aq shumë sepse janë të tejkalueshme. Mirëpo nëse kjo vazhdon dhe fillojmë me kriju te të rinjtë pritje të mëdha dhe pakënaqësi të mëdha për shkak të dallimeve në klasa në Kosovë edhe normalisht se ka me u manifestu shumë keq”, ka shtuar ai.

Përdorimi i madh i drogave nga të rinjtë e moshave 14 vjeçare e më poshtë sjell shumë probleme për shkak se në këtë moshë sipas Rexhepit truri nuk është plotësisht i pjekur dhe i zhvilluar.

Tjetër arsye sipas tij është se të rinjtë nuk e dinë nëse kanë pasur ndonjë familjarë me probleme të shëndetit mendor.

Problemet e tilla janë të trashëgueshme deri në tri ose katër gjenerata dhe të rinjtë mund të ballafaqohen me probleme të mëdha të shëndetit mendor, të cilat mund të çojnë deri në skizofreni.

“Mjerisht pasojat janë shumë të mëdha. Është një problem se te ne është përdorimi shumë i madh, mjerisht që mosha ka shku duke u zvogëlu, ka ra në 14 vjet e më poshtë, po flasim për një tru, i cili nuk është plotësisht i pjekur dhe i zhvilluar. Pasojat janë shumë të mëdha për shkak se në kodin tonë gjenetik ne nuk dimë, tri- katër gjenerata a kemi pasë ndonjë familjar të sëmurë prej ndonjë sëmundje psiqike d.m.th ekziston predisponomi gjenetik dhe atëherë vjen deri të zgjimi i një gjeni, i cili ka qenë i fjetur dhe nuk kishte me u zgju kurrë, por me zgjimin e atij gjeni një numër i madh i të rinjve po ballafaqohen me probleme të mëdha të shëndetit mendor deri në reaksione psikotike, por edhe të skizofrenisë”, ka thënë tutje Rexhepi.

Ndërsa, sipas hulumtimeve të kryera nga OJQ dhe ekspertë llogaritet se në Kosovë janë rreth 25 mijë persona që përdorin substanca narkotike. Të dhënat e këtyre hulumtimeve tregojnë se konsumimi i drogës është në rritje.

Drejtuesi i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labyrinth”, Safet Blakaj kishte thënë për KALLXO.com se mosha mesatare e personave që kërkojnë trajtim në këtë qendër është 16 vjeçare.

Kurse, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar për KALLXO.com vetëm gjatë dy muajve të këtij viti janë regjistruar 217 raste të substancave narkotike, ku janë konfiskuar rreth 377 kilogramë marihuanë, 115 gramë kokainë dhe 2.5 gramë kokainë.

Sa i përket vitit që e lamë pas janë regjistruar 1.866 raste. Në këto raste janë konfiskuar rreth 976 kilogramë marihuanë, rreth 119 kilogramë dhe 11 gramë hashash.

Emisioni i ‘Drejtësia në Kosovë’ muaj më parë shfaqi intervistën ekskluzive me një të ri, i cili në moshën 14 vjeçare kishte filluar ta përdorë substancën narkotike marihuanë.

I riu i cili ka dashur të mbetet anonim ka rrëfyer momentet se si ka filluar ta përdorë këtë substancë narkotike.

Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte miratuar një strategji shtetërore për periudhën kohore 2018-2021 kundër narkotikëve por efektet e kësaj strategjie janë parë vetëm në rritjen e numri të të arrestuarve.

 

 

.