Shfaqjet teatrale në Kosovës i ‘shpëtojnë’ vlerësimit të kritikës

Mungesa e kritikës për teatrin po e lë zbuluar dhe pa një vlerësim të drejtë dhe profesional skenën teatrore artistike në vend.

Pavarësisht se produksioni teatror në vend është shtuar dukshëm në dekadën e fundit, pa llogaritur festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare që organizohen gjatë një viti, mendimi kritik për shfaqjet teatrore është tkurrur dukshëm, sa që tashmë lirisht mund të thuhet se kritika për teatrin tashmë është një zë i shuar.

Për regjisorët, skenaristët dhe kritikët e teatrit, kritika për shfaqjet e teatrit nuk ekziston, duke e lënë teatrin pa asnjë gjykim profesional.

Një situatë e tillë për njerëzit e teatrit vetëm sa i thellon problemet që po përballet teatri në Kosovë, duke e zhytur edhe më në vetëkënaqësi dhe komplimentime të pamerituara.

Shuarja e zërit kritik

Regjisori Mahir Musliu ka thënë për KALLXO.com se ka dekada që zëri kritik është shuar.

“Mungojnë kuadro të profilizuara e kompetente që ta bëjnë një gjë të tillë. Diskursi i kritikes nuk ekziston për faktin se në shoqërinë tonë është krijuar vetëm kultura e komplimentimit dhe urimit e cila komplikon dhe bën të pamundur përmirësimin e shfaqjeve në aspektin artistik”, ka thënë ai, duke shtuar se hezitimi për ta bërë këtë vjen nga fakti se nuk duhet thënë e vërteta për punën kreative e artistike, ndonëse, shton regjisori Musliu, luhaten marrëdhëniet midis kolegesh.

Më e keqja, shton më tej Musliu, është kur një festival teatror nis e përfundon pa asnjë gjykim ose kritikë profesionale për shfaqje dhe kjo, sipas tij,  ka disa të këqija, sepse nuk kuptohet se si në një vend nuk ka njerëz të kritikës, kurse ka juri vlerësuese.

“Po them mungesa e kritikës e lë teatrin në zhvillime diletanteske dhe objekt bisedash nëpër kafene. Pos dëmit në ngecje e mospërmirësim artistik e estetik, kjo sjell pakënaqësi për ‘juri festivalesh’ jokompetente që nuk ia qëllojnë nominimeve e shpërblimeve”, ka pohuar regjisori Musliu.

Më tej sipas Musliut, kjo gjendje mbretëron edhe në kritiken letrare e kinematografike dhe siç ka vazhduar ai, ekzaltimi, mashtrimi optik dhe vetëkënaqësia do të vazhdojnë, por gjendja nuk do të ndryshojë.

Vlerësimet subjektive

Mungesa e kritikës për shfaqjet teatrore të ne është pohuar edhe nga regjisori Ben Apolloni.

Ai ka thënë për KALLXO.com se tek ne nuk ka kritikë teatrore dhe ky është një fakt fatkeq për teatrin shqiptar.

Apolloni ka thënë se kritika zë një vend shumë të rëndësishëm në zhvillimin e teatrit të një vendi dhe mungesa e saj tregon se te ne teatri, siç ka thënë ai,  është në fund të pusit.

Kritika, sipas tij, ndikon që artistët të jenë më të impenjuar gjatë punës së tyre, por edhe për drejtorët e teatrove që të përzgjedhin vepra e regjisorë më të mirë për të krijuar repertorin e teatrove që drejtojnë.

“Teatri ynë nuk do te marrë veten përderisa nuk do të ketë kritikë teatrore. Kritika do ta shëronte teatrin, kritika është mjeku i teatrit”, ka pohuar ai.

Se kritika është një fushë që nuk e lakmon askush ka potencuar edhe kritiku Ilir Muharremi, sipas të cilit, jo vetëm  në teatër, por edhe në artet tjera ka një mungesë të mendimi kritik.

“Kritika jo veç ne artin skenik, por edhe në artin pamor mungon. Faji është te kritikët të cilët duan t’i ruajnë raportet me artistët. Ana objektive mungon te ne dhe çdo gjë shikohet me subjektivizëm”, ka pohuar Ilir Muharremi.