Pse barka ku hipi Hashim Thaçi u fik mbi liqenin e Ujmanit

Një qeveri e re ka një listë të gjatë të çështjeve të cilat duhet t’i adresojë për ta bërë Kosovën vend më të sigurt për gjithë qytetarët e vet.

Në debatet që do zhvillohen për siguri, disa politikanë do të mjaftohen me argumentet populiste se kanë miratuar ligjin për ushtrinë dhe kanë pasur sukses me aksionet e policisë në veriun e vendit, por rrallëkush do ta përmendë që njëra nga barkat ku hipi Presidenti Hashim Thaçi për të treguar që kishte kontrollin mbi Ujman dhe veriun, u ndal për shkak të defektit dhe vjetërsisë së saj.

Andaj, të mos mashtrohemi kur në fushatë na përsëritet e dhëna se Policia është institucioni më i besueshëm, që zjarrfikësit punojnë më së miri dhe që vendi ynë është i sigurt për shkak të partneritetit me ShBA-në.

Si dikush që për 11 vite punoi në raportimin e institucioneve të sigurisë, jam i bindur që nëse qeveria e re nuk inicion një reformë të re në institucionet e sigurisë, vendi ynë do të degradojë në një situatë ku siguria publike do jetë e cenueshme e ku krimi i lidhur me grupet e policisë do rrezikojnë mirëqenien e shoqërisë tonë.

Nuk kemi llogari të mos investojmë që t’i reformojmë organet e sigurisë sepse nëse këtë nuk e bëjmë, krimi do t’i mbisundojë e kontrollojë organet e rendit.

Krimi dhe korrupsioni në “Policinë më të re në Evropë”

Policia e Kosovës është ndër institucionet më të besueshme në vend por kjo është një kamuflim i realitetit. Një togë (grup prej mbi 10 punonjësish) zyrtarësh që punojnë në PR (marrëdhënie me publikun) të policisë dhe mbajtja e policëve të thjeshtë larg aferave të vogla të korrupsionit ka ndikuar në këtë perceptim që realisht është edhe i rremë.

Të dhënat e Inspektoratit Policor tregojnë për mbi 100 zyrtarë brenda vitit të hetuar për korrupsion ndërsa mu kjo “policia më e re në Evropë”, është e ajo polici që do të mbahet në mend si abuzuese e të drejtave të njeriut kur vendosi të zbatojë urdhra për të deportuar ilegalisht gjashtë shtetas turq vitin e kaluar. Hiç më pak se 22 policë e eprorë të policisë  ndiqen penalisht për këtë rast por në Policinë e Kosovës ende nuk ka një kërkim falje publike për viktimat e këtij krimi institucional që në fakt na rrezikojnë sigurinë kombëtare sepse tregojnë që policia jonë edhe i nënshtrohet agjendave të shteteve të huaja si dhe kalkulimeve ditore politike të liderëve të caktuar, e jo qytetarëve të Kosovës.

Përveç kësaj, sot një rajon policie komandohet nga një epror i cili u lirua nga akuzat për korrupsion por që Gjykata Supreme konstatoi se lirimi i tij ishte i kontestueshëm. Disa eprorë të tjerë të lartë të policisë janë në hetime po ashtu për korrupsion dhe abuzim me të drejtat e njeriut.

Me një arsyetim të pathënë publikisht drejtori i ri policisë ndryshoi pozita të komandantëve të policisë të cilët mund të ishin të lidhur me krimin ose grupet e caktuara.

Në vend se këta të largoheshin nga policia për shkak se kishte prova se kishin abuzuar me detyrën, ata madje u rehabilituan.

Tashmë nuk është sekret që kontrabandistët e veriut kanë rrëfyer se paratë e kontrabandës dorëzoheshin në Prishtine.

Dhjetë vjet më parë, policia kishte kryer një ristrukturim të njësive të krimeve ekonomike duke vendosur në to policë me lidhje dhe të dëgjueshëm për eprorët.

Procesi doli nga kontrolli kur policët nisën të punonin për vete e jo për shefat. Pas dhjetë vitesh u vendos të largohen këta hetues dhe eprorë me vendime totalitare të cilat nuk u bazuan në vlerësimet e punës por në vullnetin e drejtuesve të policisë.

Nga dukja e jashtme, njësitë elitare të luftës kundër korrupsionit janë të mbyllura dhe ndoshta do t’u kishim besuar që po bëjnë diçka të hajrit nëse nuk do ta kishim parë që qe sa vite këto njësi janë pa rezultate konkrete në hetimin e pushtetarëve të korruptuar.

Hetime të porositura, kallëzime penale të cilat në nisje hedhen poshtë nga prokuroria e deri tek informacionet që na vinë neve se biznese të mëdha janë të vendosura nën protektoratin e të mëdhenjve të policisë, janë vetëm disa nga problemet që krimet ekonomike duhet t’i zgjidhin e jo të bëhen pjesë e problemit.

Këto njësi e neglizhojnë nisjen e hetimeve për aferat e mëdha të korrupsionit dhe merren me çështje dytësore të mandatit të tyre.

Vendimi i qeverisë për t’i mbyllur bastoret i ka ridestinuar resurset e krimeve ekonomike në luftimin e bastoreve ilegale duke lënë anash korrupsionin elitar në qeveri. Dilema në këtë pikë është nëse një hetues i krimeve ekonomike duhet ta ndjekë një bastore apo një aferë korrupsioni në qeveri.

Të palarat e drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dalin shpesh në shesh. Përpos faktit që pjesa më e madhe e punonjësve dhe  eprorëve u larguan ose u risistemuan me vendimet e drejtorit të ri të policisë provat e IPK-së tregojnë se njësia ka problem me mbajtjen e sekreteve dhe përdorimin e kallëzimeve penale për të shantazhuar ose detyruar njerëz të veprojnë ndryshe.

Luftimi i drogave

Në luftën kundër drogave, policia i është nënshtruar urdhrave të politikës duke ndryshuar qasjen dhe lejuar trafiqet e mëdha të drogave.

Në qeverisjen Thaçi 2 dhe qeverisjen Mustafa, policia kishte goditur rrjetet e mëdha të trafikut të drogave duke shkatërruar rrjete të mëdha të transportit të cilat patën efekte të menjëhershme në parandalimin e konsumit të drogave.

Për shkak të mungesës në treg, çmimet e drogave u rritën për disa herë duke ulur kështu konsumin. Strategjia e qeverisë Haradinaj ndërroi qasjen e hetimeve duke fokusuar resurset e policisë te lufta e dilerëve të vegjël.

Si rrjedhojë, afër 100 hetues të antidrogës që deri në atë kohë kishin cak transportet deri në mijëra kilogramë të marihuanës, heroinës e kokainës u desh të kthehen në rrugë dhe të merren me dilerët e vegjël.

Kjo krijoi rrugë të sigurta për të mëdhenjtë, ndërsa uli çmimin e narkotikëve në vend duke rritur numrin e personave të arrestuar për sasi të vogla të drogës.

Një qeveri e re duhet urgjentisht të veprojë në këtë drejtim duke ridizajnuar kompetencat e Njësiteve të Antidrogës në PK dhe duke deleguar hetimin e rasteve të vogla të shitjes së narkotikëve tek drejtoritë rajonale.

Dhuna ndaj grave

Edhe përkundër debateve të mëdha dhe aferave të shpeshta, policia e prokuroria e shteti vazhdojnë të mos reagojnë me kohë në rastet e dhunës në familje.

Gati në të gjitha rastet ku gratë janë vrarë nga familjarët e tyre, është konstatuar se policia kishte qenë e njoftuar për rrezikun që i kanosej viktimës disa herë para se të ndodhë vrasja. Vrasja e Valbona Nrecajt dhe një burri në Prishtinë tregoi se policia nuk i merr seriozisht raportimet dhe kërcënimet për dhunë.

Madje në rastin e Valbona Nrecajt, aparati i propagandës së policisë u angazhua për të na treguar se reagimi ishte i duhuri. Por në fakt hetimet e IPK-së gjetën që zyrtarë të policisë nuk e kryen punën qysh duhet.

Tentativat publike për të mbuluar aferat dhe mungesat e analizave reale kanë dërguar në ripërtëritjen e problemeve.

Në mungesë investimesh policia dhe prokuroria nuk kanë sistem të mbikëqyrjes me GPS të personave me rrezik të lartë për dhunë në familje.

Siguria publike dhe emergjencat

Nuk duhet shumë për ta kuptuar se dora e shtetit arrin të bëjë shumë pak në sigurinë e fëmijëve që keqpërdoren.

Në çdo nyje të semaforëve fëmijët lypsarë sfidojnë autoritetet të cilat përpos disa operacioneve të arrestimeve kanë dështuar të ofrojnë zgjidhje për këtë kategori.

Vrasjet në rrugë, plagosjet te të rinjtë, dhuna në shkolla e problemet e sigurisë publike nuk kanë zgjidhje të qartë në siguri.

Debati pas rasteve të rënda ku fëmijët janë vrarë pas mesnatës është fokusuar në rrethanat e ngjarjes ose në të dhënat se të kujt janë fëmijët por pa e diskutuar esencën pse fëmijët mund të rrinë në qytet pas mesnatës.

Vendi edhe pse e ka të ndaluar shitjen e duhanit dhe alkoolit te të miturit, ky standard nuk zbatohet.

Policia dhe qendrat për punë sociale nuk ka arritur t’i ndalojë të miturit që pa lejen e prindërve qëndrojnë pas mesnatës në rrugë dhe nuk ka pasur raste kur prindërit të jenë ndëshkuar ndonjëherë në Kosovë për moskujdesin e duhur prindëror.

Siguria publike në vend është një koncept pak i njohur ndërsa është konceptuar vetëm si siguri nga rreziqet që vijnë nga krimi e jo edhe nga faktorët e tjerë.

Me një potencial të madh për terrorizëm, veçanërisht atij islam, vendi nuk ka të

adaptuara masa për mbrojtjen në raste të sulmeve terroriste dhe krizave natyrore.

Qytetet e vendit nuk kanë plane të evakuimit dhe reagimit në rast sulmesh apo krizash natyrore ndërsa sistemet e alarmit nuk janë aktive në objekte publike dhe hapësira ku frekuentojnë njerëzit.

Në sigurinë e përgjithshme alarmet për paralajmërim të zjarrit dhe katastrofave natyrore mungojnë në të gjitha objektet e banimit kolektiv dhe institucionet shtetërore, përfshirë këtu edhe shkollat.

Ministria e Arsimit dhe agjencia e emergjencave në asnjë rast nuk ka zhvilluar plane të edukimit dhe testimit të situatave të evakuimit.

Lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit

Me numër të madh të qytetarëve (për kokë banori) që kanë marrë pjesë në luftërat e Sirisë dhe Irakut, Kosova është njëri nga vendet eksperimentale të botës ku është duke u testuar nëse një shoqëri mund të arrijë t’i deradikalizojë luftëtarët e ISIS dhe familjet e tyre.

Rikthimi i mbi 200 luftëtarëve grave dhe fëmijëve të tyre e bën Kosovën njërin nga vendet me testin më të madh në këtë drejtim.

Të dhënat nga tereni tregojnë se vendi nuk është gati në përmbushjen e qëllimit për t’i riedukuar dhe ndihmuar të rikthyerit në ndërtimin e jetës së re deri te problemet më banale si p.sh. komunat nuk kanë punonjës socialë apo psikolog të merren me nevojat e këtyre njerëzve.

Me njësi të trajnuara kryesisht në ShBA, Kosova ka ndërtuar kapacitete të mira në identifikimin e grupeve të cilat përkrahin idetë radikale. AKI dhe Policia kanë arritur të sigurojnë një rrjet njerëzish dhe punonjësish të cilët identifikojnë plane dhe arrijnë të zbulojnë tentativa për t’iu bashkangjitur luftërave të huaja, por nuk ka arritur të njëjtën aftësi për t’i trajtuar ata që kthehen prej këtyre luftërave.

Në çështjet e hapura deri më tani vetëm në një rast janë identifikuar kush janë rekrutuesit dhe financuesit e atyre që shkuan në Siri. Mbetet mister kush rekrutoi dhe përkrahu shkuarjen e qytetarëve të tjerë.

Lëvizja e lirë e rekrutuesve të terrorizmit e vë shoqërinë në një rrezik permanent kur kihet parasysh që vendi nuk ka një sistem të kujdesit social dhe arsimor i cili do kishte parandaluar ekstremizmin.

Dy strategjitë që i kemi, ajo për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ajo për luftimin e terrorizmit janë të pa-implementuara në një pjesë të madhe të tyre, duke krijuar boshllëqe të mëdha në parandalim dhe risocializim.

Institucionet si komunat, Ministria e Mirëqenies Sociale, MAShT etj kanë neglizhuar detyrat e tyre për të punuar në trajtimin e të rikthyerve dhe parandaluar terrorizmin.

Integrimi në Interpol

Deklaratat e Behgjet Pacollit, Ministër i Punëve të Jashtme, se anëtarët e Interpol-it nuk votuan për shkak të vajzave të bukura të paguara nga Serbia tregojnë mungesë informacioni e angazhimi të MPJ-së për të bindur shtetet anëtare të Interpol për të votuar për anëtarësimin e Policisë në këtë mekanizëm.

Dështimi në tentativën e parë për t’u anëtarësuar në Interpol e ka vënë policinë në situatë jo të mirë për bashkëpunim ndërkombëtar ndërsa një qeveri e re duhet të ketë një strategji shumë të ashpër për t’i bindur vendet anëtare ta votojnë anëtarësimin.

Në terma ndërkombëtarë, vendi vazhdon të mos ketë marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha shtetet që na kanë njohur për shkëmbimin e informacioneve dhe të kërkuarve.

Në çështje të bashkëpunimit, vendi ka probleme me ndërtimin e komunikimit me policinë e Serbisë. Për shkak të mosnjohjes në mes dy shteteve Kosova, është bërë strehë e kriminelëve nga Serbia, e poashtu Serbia është bërë strehë e kriminelëve të kërkuar nga Kosova.

(Mos)Përdorimi i teknologjisë

Kosova është ndër vendet me numrin më të vogël të kamerave të sigurisë të vendosura në hapësira publike dhe të cilat mbikëqyren nga policia ose qendrat e emergjencave. Si rrjedhojë, krimi në hapësira publike ka nivel të lartë ndërsa në mungesë të kamerave të sigurisë hetuesit duhet të orientohen te kompanitë private që mbikëqyrin lokale e banesa private për të siguruar pamje të cilat shumë herë janë të papërdorshme për shkak të cilësisë së dobët.

Policia e Kosovës është ndër policitë që teknologjinë e informacionit e ka në përdorim zero. Makinat e policisë nuk janë të pajisura me kompjuterë të cilët mund të kontrollojnë të dhëna në sistem e lexues inteligjent të tabelave.

Si rrjedhojë, për verifikime të thjeshta policia duhet të përdorë kompjuterët e vjetër në bazat e policisë ndërsa për të verifikuar të dhënat duhet të përdoren telefonat.

Teknologjia nuk është përdorur fare as në kontrollin e trafikut. Autostradat dhe rrugët e Kosovës nuk kanë asnjëra radarë elektronikë të cilët do ta kontrollonin shpejtësinë.

Radarë të tillë nuk kanë të vendosur as makinat e policisë të cilat do ta kontrollonin shpejtësinë e makinave në lëvizje.

Për dallim nga vendet në zhvillim, udhëkryqet e vendit nuk janë të pajisura me blice të cilat do t’i fotografonin shoferët në të kuqen.

Investimet në teknologji janë të domosdoshme në polici edhe në zhvillimin e hetimeve profesionale.

Në vitin 1999, policia jonë që punonte nën UNMIK ishte pajisur me video kamera të cilat filmonin deklaratat e dhëna qoftë nga viktimat qoftë nga dëshmitarët në polici. Sot Policia e Kosovës, në përjashtim të njësisë antiterror, nuk përdorin video kamera për të intervistuar të dyshuarit. Në mungesë të pajisjeve, intervistat shkruhen me dorë ose në kompjuter dhe në fund nënshkruhen.

Dikush mund të thotë se kjo nuk paraqet problem por të dhënat nga rastet gjyqësore tregojnë se deklaratat e ndryshuara gjatë procesit janë arsye e rrëzimit të shumë rasteve gjyqësore.

Organet e sigurisë veçanërisht policia kanë problem në komunikim mes vete. Policia në mungesë radiolidhjesh dhe rrezikut nga dekonspirimi dhe ndikimi politik, ka lejuar përdorimin e telefonave për të komunikuar.

Përdorimi i telefonave për komunikim është veçanërisht problem në pjesën veriore të Kosovës ku operatorët VALA dhe IPKO nuk kanë valë ndërsa në operacione si ai i ndërhyrjes në veri komunikimi me njësi bie për shkak të mungesës së valëve.

Pse po i listojmë këto detaje? Sepse një ministër i ri i Punëve të Brendshme do të duhej të përgatitej të përgjigjej në pyetje se si do t’i adresojë këto probleme.

Resurset dhe siguria

Kosova e ka policinë e vetme në rajon që nuk ka në dispozicion një helikopter ndërsa ky i fundit mungon edhe për të gjitha institucionet e tjera. Policia e Kosovë ka të standardizuar vetëm një pajisje dhe atë pistoletën Glock, pajisjet e tjera janë të modeleve të ndryshme dhe prodhimeve të ndryshme ndërsa në kriza të caktuar janë vërejtur mungesa të mëdha në stoqe dhe pajisje.

Njësitë speciale nëpër rajone nuk janë të pajisura të gjitha me setet komplete të pajisjeve si helmeta balistike antiplumb apo helmeta të protestave.

Flota e policisë apo veturat e policisë janë të vjetra dhe të shfrytëzuara në maksimum.

Fotografi ose video ku gomat e makinave të policisë gati dalin nga rruga janë të zakonshme në vend ndërsa policia ishte afër kolapsit kur një pjesë e makinave mbetën pa u regjistruar gjatë këtij viti.

Jeta e policëve po ashtu është shumë e pambrojtur. Policia e Kosovës është policia e vetme në rajon që nuk e ka të garantuar sigurimin jetësor.

Ndërsa sigurimi shëndetësor garantohet vetëm në rast se polici është lënduar në detyrë dhe mbulohet nga pagesat e Sindikatës së Policisë.

Trajtimi i të dënuarve

Kosova ka një sistem të burgjeve që synon që të burgosurit të dalin të aftë për t’u risocializuar në jetën e tyre. Por sistemi korrektues në vend ka probleme të mëdha. Për të burgosurit ofrohen vetëm disa kurse për zhvillim karriere ndërsa mbikëqyrja e të dënuarve nuk është në nivelin  duhur.

Në burgje, problemet me telefona, drogë e alkool janë të vazhdueshme. Problemet janë të mëdha edhe në mbikëqyrjen e të dënuarve të fuqishëm cilët lirohen para kohës ose mbahen në arrest shtëpiak.

Në vitin 2012, Ministria e Drejtësisë kishte nxjerrë një udhëzim i cili mundësonte që të bliheshin pajisje GPS me të cilat do kontrollohej vendndodhja e personave në arrest shtëpiak ose nën masa.

Por sistemi në asnjë rast nuk është implementuar duke krijuar mundësi të shumta të arratisjeve nga arrestet shtëpiake e duke krijuar shpenzime marramendëse për policinë të cilët duhet  të kontrollojnë çdo ditë nëse personat janë në shtëpitë e tyre ose jo.

Pra, për këto probleme, një qeveri e ardhshme s’mund të thotë që ka mungesë të informatave sepse informatat për këto probleme ne po i bëjmë publike.

Lista e detyrave që do të duhej t’i kryente një qeveri e re në sigurinë e vendit është e gjatë por disa prej problemeve më urgjente do të adresoheshin po që se bëhet:

  • Suspendim apo largim nga puna të eprorëve të dyshuar për korrupsion
  • Vlerësim në bazë të meritave në Policinë e Kosovës
  • Ristrukturimin dhe ri përcaktimin e detyrave në Krimet Ekonomike
  • Rishikim i politikave të trajtimit të dhunës ndaj grave
  • Vendosje e prioriteteve në luftën kundër drogave
  • Plan konkret për anëtarësimin në Interpol
  • Plan bashkëpunimi me policitë në rajon
  • Rishikim i veprimeve në luftimin dhe parandalimin e terrorizmit
  • Implementimi i sistemit të mbikëqyrjes me GPS të personave të dyshuar
  • Digjitalizim i policisë
  • Përdorimi i video-incizimeve gjatë intervistave në polici
  • Investime në vetura dhe pajisje mbrojtëse
  • Investime në objekte dhe pajisje të policisë
  • Hartimi dhe implementimi i planeve emergjente në komuna
  • Investimi në blerjen e helikopterëve
  • Ndërtimi i bazës ligjore të obligueshëm për sistemet e alarmit kundër zjarrit
  • Testimi i planeve emergjente
  • Planet për kontrollet e sigurisë publike dhe dhunës në shkolla
  • Ndërtimi i kapaciteteve të reja edukuese në sistemin korrektues
  • Risocializimi i të dënuarve duke përdorur edukimin dhe përkrahjen për të nisur jetën e re.

 

Kreshnik Gashi është jurist, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” dhe Redaktor Menaxhues në Kallxo.com. Menaxhon projekte të dhunës kundër grave, ekstremizmit të dhunshëm dhe edukimit të rinisë nëpër shkolla në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.

Shënim: Artikulli është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës që presim t’i shohim në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi ynë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në teren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për t’u inkorporuar në programe të partive politike dhe për t’u përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substanciale gjatë zgjedhjeve.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!