Ministri i Arsimit Predrag Boshkoviq përshëndert nxënësit në ditën e parë të shkollës më 1 shtator. Foto: Ministria malazeze e Arsimit.

Serbët Ankohen për Diskriminim Gjuhësor në Mal të Zi

“Nuk e di se çfarë kuptimi ka që pas 70 vjetësh Ministria e Arsimit t’i detyrojë njerëzit të përdorin alfabetin latin dhe të heqë alfabetin cirilik nga shkollat. Kjo do të shkaktojë vetëm një grindje të re midis qytetarëve”, tha Gordana K, një nëpunëse 45-vjeçare nga Podgorica, pasi dy fëmijët e saj këtë vit sollën në shtëpi për herë të parë diplomat e tyre të shkruara me shkronja latine dhe jo cirilike.

“Ne nuk e dinim që kishte ndryshuar. Më vonë mësuesja na tha se as ata nuk e dinin”, tha ajo për BIRN.

Duke nisur nga fillimi i këtij muaji, e gjithë korrespondenca në shkollat shtetërore në Mal të Zi, përfshirë diplomat, duhet të shkruhen me alfabet latin – një vendim që ka zemëruar disa prindër.

“Kur kërkuam diplomat me shkronja cirilike, mësuesit na thanë se nuk i kanë në atë format dhe se duhet të paraqesim një kërkesë speciale për t’i marrë ato. Pas kësaj, më bënë një “sugjerim miqësor” të mos e bëja shumë të madhe këtë gjë sepse mund t’u prishë punë fëmijëve të mi në shkollë”, tha Jovan M., një shofer profesionist 37-vjeçar nga Podgorica.

“Nuk shoh asnjë problem në përdorimin e dy alfabeteve, por sigurisht që shoh një problem kur na detyrojnë të përdorim vetëm një”, tha ai.

Mosmarrëveshja mbi statusin e gjuhës serbe në Malin e Zi të pavarur daton nga viti 2007, një vit pas ndarjes s[ vendit nga Serbia, kur ai miratoi një Kushtetutë të re që e quajti gjuhën zyrtare si malazeze, gjë që zemëroi shumë komunitetin serb.

Partitë pro-serbe dhe shoqatat serbe këmbëngulën se kjo ishte diskriminuese ndaj komunitetit të tyre dhe ndaj shumicës së qytetarëve të Malit të Zi të cilët cilësojnë serbishten si gjuhën e tyre amtare.

Mosmarrëveshja ka vazhduar që atëherë dhe një debat i ri shpërtheu në qershor, kur për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme i morën diplomat e tyre “Luca” – e quajtur kështu pas një poeme nga sundimtari dhe poeti malazez i shekullit të 19-të Njegosh – të shtypura në alfabetin latin.

Diplomat në alfabetin cirilik mund të merren vetëm me miratimin e administratës shkollore.

Partitë opozitare kërkuan dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Predrag Boshkoviq, për shkak të asaj që ata e quajtën diskriminimin kundër alfabetit cirilik në shkolla.

Debati vazhdoi në fillim të vitit të ri shkollor, i cili filloi më 1 shtator, kur mësuesit u informuan se dhe të dhënat e nxënësve duhet të shkruhen me alfabet latin.

Budimir Aleksiq, një profesor i gjuhës dhe linguistikës serbe, tha për BIRN se vendimi i Ministrisë së Arsimit është një shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, të cilët thonë se të dy alfabetet, si ai cirilik ashtu edhe ai latin, kanë status të barabartë.

Aleksiq, i cili është gjithashtu një zyrtar i lartë në partinë kryesore pro-serbe opozitare NOVA, theksoi se shifrat zyrtare tregojnë se shumica e malazezëve dhe serbëve etnikë në vend flasin gjuhën serbe.

Ai pohoi se ka pasur incidente të ndryshme të cilat ai beson se të tregojnë synimin e Qeverisë “për të spastruar alfabetin cirilik nga shkollat”.

“Fillimisht është finalizimi i projektit ideologjik të krijimit të një “gjuhe të re malazeze” përmes një largimi radikal nga trashëgimia kulturore, tradita dhe historia, në të cilën nuk ka vend për ortodoksinë fetare dhe marrëdhëniet me Rusinë dhe Serbinë”, tha ai.

Ai u shpreh se Qeveria [sht[ p[rpjekur ta bëjë këtë që në vitin 2004, dy vjet para ndarjes s[ vendit nga Serbia, kur sistemi arsimor i riemërtoi lëndët në shkollë si “gjuhë dhe letërsi amtare” në vend të gjuhë dhe letërsi serbe”.

“E gjithë kjo ngjan me Kroacinë në fillim të viteve ’90, e cila e ndaloi plotësisht alfabetin cirilik”, tha tha Aleksiq.

Aleksiq u shpreh se aspekti më shqetësues i lëvizjes së Qeverisë ishte presioni ndaj mësuesve që t’i binden këtij vendimi.

“T’u kërkosh atyre të përdorin ekskluzivisht alfabetin latin në të gjitha dokumentet zyrtare, evidencat shkollore, ditarët dhe diplomat shkollore, është e tmerrshme, sepse ata do t’i detyrojnë mësuesit të shkelin kushtetutën dhe ligjet”, tha ai.

Disa shoqata serbe në vend kanë bërë gjithashtu thirrje për dorëheqjen e ministrit të Arsimit Boshkoviq gjatë dy javëve të fundit, duke e akuzuar atë se po “persekuton” alfabetin cirilik në shkollat fillore dhe të mesme.

Javën e kaluar, në një letër të hapur drejtuar Boshkoviqit, një mësuese nga shkolla e Jugosllavisë në qytetin e Tivarit, Milena Zoranoviq, tha se nëse do të duhet të zgjidhte midis punës së saj dhe alfabetit cirilik, do të zgjidhte alfabetin cirilik.

“Ju lutem, mos më ofendoni me atë historinë që sipas Kushtetutës të dy alfabetet janë të barabartë. Unë nuk kam mundësi zgjedhjeje. Ju dhatë një urdhër. Nuk më latë mundësi zgjedhjeje”, shkroi Zoranoviq në letër.

Por Ministria e Arsimit i ka hedhur poshtë pretendimet e politikanëve të opozitës se ajo po përpiqej të largonte alfabetin cirilik nga sistemi arsimor, duke i akuzuar ata se po përpiqen ta politizojnë çështjen.

Ministria tha se rregullorja e saj e re, e miratuar në prill, thotë se të gjithë të dhënat dhe diplomat e shkollave zyrtare mund të jenë në të dy alfabetet, në atë latin dhe atë cirilik, dhe në të dyja gjuhët, malazeze dhe atë shqipe.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, diplomat jepen të shkruara në alfabetin latin, në rast të kundërt vetëm nëse prindërit i kërkojnë ato specifikisht të shkruara në alfabetin cirilik.

Debatet mbi gjuhën kanë pasur gjithmonë potencialin për të rritur zemërimin në shtetin e vogël multietnik, edhe pse gjuha serbe dhe ajo malazeze janë dy gjuhë shumë të ngjashme.

Kisha tepër ndikuese Ortodokse Serbe në Mal të Zi e ka nxitur gjithashtu edhe më tej debatin disa herë gjatë viteve të fundit, duke thënë se gjuha malazeze është një gjuhë “e sajuar” dhe duke denoncuar ata që thoshin se e flisnin atë.

Debati ka trazuar gjithashtu precedentë historikë.

Në historinë e arsimit të Malit të Zi, alfabeti cirilik është ndaluar dhe hequr dy herë nga të dhënat administrative dhe ato shkollore – herën e parë pasi perandoria Austro-Hungareze pushtoi Malin e Zi në vitin 1916, dhe për herë të dytë në Luftën e Dytë Botërore në vitin 1941, kur trupat italiane pushtuan përkohësisht vendin.

Radovan Ognjenoviq, nga Bashkimi Demokratik i Malit të Zi, sugjeroi se debati i fundit pasqyronte ndarje më të gjera politike në shoqëri. Njerëzit që përdorin alfabetin cirilik po përshkruheshin si anti-malazezë, pro-serbë dhe pro-rusë.

“Nëse përdorni një shkrim me alfabet cirilik me të cilin u krijua pothuajse e gjithë kultura e kombit malazez – të paktën deri në vitet nëntëdhjetë – mund të kuptoheni si një person i ngjyrosur nga një nuancë ideologjike që jo gjithmonë është pozitive’’, tha Ognjenoviq.

Edhe pse alfabeti cirilik dhe ai latin janë tani të barabartë sipas Kushtetutës, dhe gjuha malazeze dhe ajo shqiptare janë në përdorim zyrtar, administrata shtetërore komunikon vetëm me alfabetin latin, dhe në të gjithë Malin e Zi, shkrimi cirilik mund të shihet rrallë dhe përdoret tepër rrallë.

Ognjenoviq u shpreh megjithatë se fakti që Mali i Zi ka dy alfabete duhet të konsiderohet “një burim krenarie kombëtare”.

Ish-ministri i Jashtëm malazez Miodrag Vlahoviq ndërkohë tha se nuk duhet të lejohet që alfabeti cirilik të zhduket.

“Të dy shkrimet duhet të jenë zyrtarë dhe të barabartë. Në moshën elektronike, kjo s’do të donte më shumë letër, por mund të shënojë një hap të vogël dhe të rëndësishëm drejt kompromisit politik që nevojitet në politikat malazeze”, tha Vlahoviq.