Pamje nga hapja e Seminari të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Foto: KALLXO.com.
Seminari i shqipes mbyll gjysmëshekullin me arritje të mëdha në studimet albanologjike
Seminari i 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbyllur të premten, më 30.08.2024, në Prishtinë me urimin për një ritakim vitin e ardhshëm.
Për dy javë mbi 300 seminaristë nga vende të ndryshme të botës kanë marrë pjesë në aktivitetet e Seminarit, kurse në tri nivele të gjuhës shqipe e në prezantimin e studimeve të tyre më të reja në shkencat albanologjike.
Në përvjetorin e 50-të të tij, Seminarin e kanë nderuar me prezencën e tyre personalitetet e njohura të albanologjisë, si: Paul Haggerty, Elvira Glaser, Oliver shmit, Nathalie Clayer, Ranko Matasoviq, Leonardo M. Savonia, Rexhep Ismajli, Shaban Sinani, Aleksandër Novik, Francesko Altimari, Phil Hubbard, etj.
Një program i ngjeshur, ligjëratash, referim e prezantime të shumta janë mbajtur gjatë Seminarit të 42-të. E ajo që e ka dalluar seminarin e sivjetëm ishte programi artistike me performanca, koncerte e vizita në vendet historike të Kosovës.
Drejtues të Seminarit të shqipes thanë për KALLXO.com se edicioni i sivjetëm ishte ndër më cilësorët sa i përket prurjeve albanologjike. Ndërsa për studentët dhe studiuesit e huaj seminari është një mundësi për mësimin dhe studimin e shqipes.
Jubileu special
Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, tha për KALLXO.com se për të shënuar 50-vjetorin e Seminarit pati një program të ngjeshur special të organizuar në dy dimensione të ndryshme, si prurje, me emrat dhe tema më të njohur të albanologjisë, dhe një program artistik.
“Në aspektin e parë atë shkencor, kemi arritur të sjellim emra të jashtëzakonshëm të studimeve që lidhen me shqipen. Shumë, prej këtyre emrave të njohur të shkencës albanologjisë, si Haggerty, Kate Cukaro, Irana Saviska Elviar Glazer, etj., ishin studentë të rinj të cilët që po planifikonin të merren me diçka dhe pasi morën pjesë në Seminar filluan të merren me shqipen dhe sot ata janë autoritete të padiskutueshme të albanologjisë”- ka thënë Rugova.
Siaps tij, kjo dëshmon se sa është e rëndësishme të kultivosh diçka dhe rezultatet vilen pas disa vitesh apo dekadash. “Ne kemi parë se pas 50 vjetësh që kur është themeluar Seminari sa e fortë është albanologjia”- është shprehur ai, për KALLXO.com.
Siaps tij, gjatë Seminarit pati edhe një program të ngjeshur artistik, dizajnimi i ri i logos së Seminarit nga Sislej Xhafa, një prezantim dhe një performancë nga ai, pastaj mbrëmje muzikore e poetike si dhe është shfaqur një film për seminaristët.
Siaps Rugovës Seminari, përveçse krijon kontakte dhe lidhje, mundëson edhe rrjetëzimin e tërë albanologjisë. “Departamentet e ndryshme që janë nëpër botë krijojnë njëfarë lidhje dhe të gjithë së bashku e kanë qendër Prishtinën. Seminari mbetët ndër konferencat më cilësore kudo dhe kurdoherë që është mbajtur për albanologjinë”- ka potencuar Bardh Rugova, drejtor i Seminarit.
Seminari, mundësi për huajt
Seminari mbetet një mundësi për studiuesit dhe studentët e huaj që merren me shqipen, por edhe një promovues i vlerave të trashëgimisë historike dhe turistike të Kosovës.
Numri i madh i seminaristëve që këtë viti përcollën kurset e gjuhës shqipe, por edhe referimet e studiuesve të rinj tregoi për rëndësinë që ka Seminari për studimet albanologjike.
Mbi 100 seminaristë kanë ndjekur në këtë Seminar kurset e gjuhës.
Maçej Baçeinski (Maciej Baczyński) nga Polonia, ka thënë për KALLXO.com se për herë të pestë po merr pjesë në Seminar. Përveç mësimit të gjuhës shqipe, Seminari ia mundësoi të njohë Kosovën.
“Për mua (Seminari) ka qenë një shans të mësoj më shumë shqipen, për kulturës shqiptare dhe Seminari ka qenë hera e parë që kamë vizituar Kosovën”- tha Baczyński, seminarist nga Polonia.
Rrugëtimi historik i Seminarit
Historiani, Nuridin Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se Seminari e ka popullarizuar kulturën shqiptare në botë, po edhe vetë shqiptare, dhe kjo Siaps tij, tani mund të shikohet në rrethanat e reja të zhvillimit, vendosjes së kontakteve, projekteve të përbashkëta, etj.
“Seminaristët gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, përveç tjerash, janë njohur edhe me të arriturat, publikimet, projektet e institucioneve tona shkencore nga fusha e albanologjisë dhe ato të arritura, i kanë plasuar në formën me të mirë në vendet ku vepronin”- ka thënë ai.
Ahmeti ka thënë se themelimi i Seminarit më 1974 ishte mbështetur nga instancat udhëheqëse të Kosovës së atëhershme, duke u pa si diçka pozitive. “Prof. dr. Fazli Syla, i cili në këtë kohë ka drejtuar Sekretarin Krahinor të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, institucion që ishte mbështetësi kryesor i themelimit të Seminarit, shkruan në kujtimet e tij, se nga instancat udhëheqëse të Kosovës së atëhershme kishte marrë porosinë “se duhet patjetër të kemi çdo gjë që kanë njësitë e tjera të federatës, bile edhe më konkretisht, ato që kanë Sllovenia, Kroacia dhe Serbia”, pra kishte përkrahje në këtë aspekt”- ka thënë Ahmeti.
Por, siaps tij, pas vitit 1981, thuhej se Seminari nuk u shikua me sy të mirë nga disa instanca në ish-Jugosllavi. Ndërsa, në Shqipëri, në fillimet e punës së Seminarit ka pasur disa rezerva, por me kalimin e viteve, sidomos në vitet e 90-ta, Tirana u bë mbështetëse kryesore e Seminarit.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u themelua më 1974 në Fakultetin e Filologjisë.
Ky Seminar organizohet për studentët që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Deri tani, Seminari ka zhvilluar gjithsej 41 sesione (edicione). Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet serbe.
Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Nga viti 2000 Seminari rikthehet në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Më 2020 nuk u mbajt për shkak të pandemisë “Covid 19”.