Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Seminari i Shqipes e riktheu Prishtinën në qendër të studimeve albanologjike

Edicioni i 39-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare po i afrohet fundit.

 Sesionet e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturologjia që janë mbajtur sot dhe vazhdojnë nesër, janë aktivitetet e fundit të këtij edicioni.

Për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19, numri i pjesëmarrësve në seminar është dukshëm më i vogël se në edicionet e kaluara.

Por, sipas drejtuesve të Seminarit, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes me COVID-19, kanë arritur të mbajnë një edicion të zakonshëm.

Ndërsa, seminaristët e huaj e shohin të rëndësishëm për studimet albanologjike organizimin pas dy vjetëve të Seminarit të Shqipes.

Vitin e kaluar për shkak të COVID-19 ishte anuluar mbajtja e Seminarit.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rikthimi në traditë

Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka thënë për KALLXO.com se rreth 45 pjesëmarrës po ndjekin aktivitetet.

“Pavarësisht kohës së shkurtër për ta organizuar Seminarin, pasi përgatitjet kanë filluar në fillim të qershorit, kemi arritur që të sjellim një numër të konsiderueshëm të seminaristëve të cilët kanë ardhur nga shumë vende të ndryshme të botës. Kemi pasur mbi 50 aplikime nga dashamirës të shqipes, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre për Seminarin. Duke përfshirë edhe ata që kanë ndjekur kurset e gjuhës shqipe, por edhe studiuesit. Këtë edicion kemi rreth 40- 45 pjesëmarrës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Seminari i sivjemë po mbahet në formatin e zakonshëm dhe nuk ka pasur shkurtim të aktiviteteve tradicionale që mbahen gjatë Seminarit.

“Edhe përkundër kushteve të rënda, kemi arritur të organizojmë një edicion jashtëzakonisht të suksesshëm, sepse po mbahet në formatin e rregullt tradicional, njëkohësisht ka edhe prurje shumë të rëndësishme studimore në fushën e gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare”, ka thënë Munishi për KALLXO.com.

Ai ka thënë se këtë vit, përveç kurse të gjuhës shqipe në tri nivele, janë mbajtur edhe tryeza shkencore, referime e ligjërata të ndryshme e promovime librash.

Ndërsa në dy ditët e fundit mbahen sesione shkencore të Seminarit.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vlerësimet për Seminarin

Aleksandër Novik, drejtor i Departamentit të Studimeve Evropiane në Kunstkamera- Muzeun e Akademisë Ruse të Shkencave dhe një pjesëmarrës tradicional i Seminarit, ka thënë për KALLXO.com se Seminari i Shqipes ka rëndësi të madhe për studimet albanologjike.

Novik ka thënë se Seminari u mundëson studiuesve nga mbarë bota takime dhe diskutime për çështje të ndryshme të albanologjisë.

Ai e konsideron si shumë me rëndësi rikthimin e albanologëve pas dy vjetëve në Prishtinë.

Novik ka  thënë se gjatë Seminarit janë prezantuar tema interesante për studimet albanologjike.

“Në fakt mua më pëlqen që ka shumë studiues të rinj dhe me shumë interes kam dëgjuar kumtesat e doktorantëve, dje dhe sot”, ka thënë albanologu rus Aleksandër Novik.

Fjalë të mira për Seminarin e sivjemë ka edhe studentja bullgare, Marija Ruseva.

Ajo ka thënë për KALLXO.com se po kalon momente interesante gjatë Seminarit.

“Unë studioj ballkanistikën në Universitetin e Sofjes dhe për mua pjesëmarrja në këtë Seminar është një mundësi për të thelluar studimet për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare”, ka thënë Ruseva.

Historia e Seminarit

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 në kuadër të Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tetë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Edicioni i sivjemë i Seminarit është hapur më 23 gusht, ndërsa mbyllet nesër me përfundimin e sesioneve shkencore.