Kuvendi i Kosovës

Seanca e sotme, plot polemika e votime

Pothuajse si çdo herë tjetër edhe sot seanca e Kuvendit të Kosovës që ishte paraparë të fillojë në ora 10:00 nisi me vonesë. Kësaj here për 25 minuta

Pasi u arrit kuorumi për mbajtjen e kësaj seance me disa pika ‘maratonike’ në rendin e ditës, organi ligjvënës arriti të miratojë projektligje e të formojë komisione të parapara.

Megjithëse kishte votime, as kjo seancë nuk kaloi pa polemika mes deputetëve e ministrave.

Në rend të parë ishte themelimi i Komisionit shtetëror për të jetësuar idenë e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për të cilën nuk u pajtuan partitë opozitare.

Veseli para tyre u zotua se do të tërhiqet si iniciator i Tribunalit vetëm që ai të votohet.

“Unë edhe në seancën e kaluar e kam thënë, nëse ka të bëjë më çështje individuale jam në gjendje të heq dorë prej vetvetes që emri im mos mu përmend, kanë kaluar dy dekada edhe askush s’ka marrë iniciativë, por kjo do të shkojë deri në fund me ndalë s’ka askush”, tha Veseli.

Për Tribunalin u shpreh përsëri skeptik edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha ky tribunal siguron Serbinë që s’do të dënohet për dekada.

“Ideja për Tribunal i jep më shumë kohë Serbisë që do të kalojnë shumë vjet, me këtë ide Serbia do të sigurohet që edhe për një dekadë s’do ta gjejë gjë. Tribunali prej kur lind ideja deri të funksionalizohet shumë vjet shkojnë. Shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur për vete, tribunali merr vjet”, tha Kurti.

Kurti propozoi që me krimet serbe të merren gjykatat vendore ose të paditet Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

E për të arritur një pajtim mes partive, PSD-ja pati një propozim që të krijohet një komision parlamentar për arritjen e konsensusit për Tribunalin.

Pasi mori dritën jeshile nga deputetët me 62 vota për dhe asnjë abstenim kjo nuk i erdhi mirë partisë së Isa Mustafës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti akuzoi Veselin se këtë seancë e ka filluar me lojë.

“Unë po mendoj që e keni filluar me lojë seancën e kësaj dite. Rezoluta të cilën e kemi propozuar si LDK është protokolluar dhe është propozuar në seancën e kaluar dhe kërkoj që kjo të hidhet në votim. S’jemi duke propozuar tjetër gjë sot dhe jashtë procedurave por është e lexuar në foltoren e Kuvendit”, tha Hoti.

Ndërsa Veseli replikoi duke thënë se nuk ka nevojë që LDK-ja të jenë kaq emocionalë.

“Nuk ka nevojë që të jeni kaq emocionalë dhe kaq të përgatitur për të devijuar ose manipuluar. Unë do të vë çdo propozim sa të jem kryetar i Kuvendit, por nuk është e sinqertë që fajin tuaj me ia vë tjetërkujt”, tha Veseli.

Në krah të kryekuvendarit i doli edhe bashkëpartiaku i tij, Memli Krasniqi, ku tha se propozimi i LDK-së është pothuajse i njëjtë me atë të PSD-së.

“Në një çështje të rëndësishme ne jemi duke u rrezikuar për shkak të tendencës për protagonizëm të kujtdo qoftë, për kundër faktit që debati ka përfunduar për këtë pikë dhe sipas procedurave dhe rregullores ne duhet vetëm me votuar pro ose kundër, u dha një propozim nga PSD e cila mori mbështetjen e deputetëve dhe kaloi, por këta çka propozuan është e njëjtë me atë që e kaluam”, tha Krasniqi.

Megjithatë pastaj u pajtuan për emërimin e anëtarëve përfaqësues në këtë komision.

Pak para se të kalohej në pikat e tjera të rendit të ditës, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i reagoi liderit të VV-së, Albin Kurtit, pasi ky e fundit e krahasoi Tribunalin me Gjykatën Speciale të Kosovës.

“Mendoj që është e padrejtë që u ngrit prej Kurtit me krahasuar Gjykatën Speciale me Tribunalin Ndëkrombëtar. Ne e dimë gjithë me çfarë presioni është krijuar Gjykata Speciale dhe jo katër vjet po 40 kanë me pas problem me evidentuar edhe me nxjerrë në pah krimet që paska kryer UCK-ja ndaj popullatës serbe. Kurrë s’kanë më arrit me faktuar një gjë të tillë”, tha Tahiri

E për të pati kundër replikë, Kurti cili tha se Tahiri është përgatitur për dështimin e këtij Tribunali.

“Ministria tha diçka shumë përfundimtare për mua, edhe nëse nuk e bëjmë ata tribunbalin neve na njeh historia. Kjo tregon se ministri është përgatitur për dështim atë që e thash unë më herët. Nuk e ke te drejtësia po ti je bo gati që mos mu bo ky tribunal, pra kur ti je gati që mos mu bo ai mundeni me marrë qysh i vjen fundi. Jeni të përgatitur për dështim”, tha Kurti.

Pasi përfundoi kjo pikë, rendi i erdhi pikave të tjera të ditës.

Kuvendi ka miratuar propozimin e shefit të grupit parlamentar të LDK Avdullah Hotit që pikat “Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave, Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës, Caktimi i Ditës së Gjenocidit” të futen në rezolutë dhe të paraqiten nga komisioni parlamentar i krijuar me arsyetimin se vendimi i tyre nuk është në fushëveprimin e Kuvendit.

Edhe Ligji për RTK-në miratohet në Kuvend

Më pas u miratua në parim edhe Projektligjin për transmetuesin publik të Kosovës.

Për këtë pikë votuan 61 deputetë, prej tyre 55 për 1 kundër dhe 5 deputetë abstenuan.

Pas këtij votimi komisionet pasi ta shqyrtojnë, do t’ia paraqesin Kuvendit këtë Projektligj së bashku me raportet me rekomandime për të marrë dritën jeshile në lexim të dytë.

Mundësohet gjykimi në mungesë i kriminelëve të luftës

Një pikë tjetër e rendit të ditës që shkaktoi ‘zhurmë’ në organin vendimmarrës ishte edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Plotësim ndryshim të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, që mundëson gjykimin në mungesë.

Ky Projektligj është miratuar me 65 vota, 3 kundër dhe 2 abstenime.

Para votimit, deputetët  debatuan mes vete për shkak se grupi opozitar VV, si inicues të këtij ndryshimi, kundërshtoi votimin e Shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Plotësim-Ndryshim të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës me arsyetimin se kryeparlamentari ka bërë gabim gjatë prezantimit dhe deputetët kanë votuar diçka tjetër.

Veseli ju tregoi se ajo ishte votuar, por ata vazhduan të këmbëngulin se nuk është sjellur në votim.

“Nganjëherë po shoh që sa më korrekt aq më abuzues sjellja. 2 milionë qytetarë e kanë parë, por për shkak të idhnimeve dhe inateve po humb edhe koncentrimi. Ftoj regjinë ta sjell nga procesverbali pastaj do procedoj në bazë të rendit”, tha Veseli.

Ndërsa deputetja e VV-së, Fitore Pacolli kërkonte që ky Projektligj të votohej sërish, Veseli i përgjigjet se nuk do ta dëgjoj.

“Zonja Pacolli jeni shumë e fuqishme, por me qenë edhe më e fuqishme nuk e kam ndërmend me të dëgju me respektin për ty”, iu përgjigj Veseli.

E deputeti tjetër nga kjo parti, Sami Kurteshi tha se kjo po bëhet vetëm sepse Projektligji përfshin gjykimin më mungesë që është propozuar nga Vetëvendosja.

“Problemi është i natyrës politike e jo teknike. Është plotësim-ndryshim i kodit të procedurës penale që parasheh gjykimin në mungesë që e ka propozuar LVV”, tha ai.

Veseli lexoi raportin nga procesverbali çka bëri që seanca të vazhdonte me votimin e pikave të tjera.

“Në ora 12:08 kemi votuar amendamentet në këtë Projektligjin për Plotësim-Ndryshim të Kodit të Procedurës Penale. Për kanë votuar 41, kundër 1, abstenim 10. Në 12:20 ka dalë shqyrtimi i parë i projekt kodit dhe kemi votuar për”, tha Veseli.

Derisa e solli përsëri në votim këtë pikë dhe mori votat e mjaftueshme.

Miratohet rezoluta për rritjen e pagës minimale

Rezoluta e Partisë Socialdemokrate për rritjen e pagës minimale ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.

62 deputetë kanë votuar pro, asnjë kundër dhe një abstenim,

Megjithatë kjo pikë solli situatë të nxehtë solli në Kuvend mes partnerëve të koalicionit.

Në fund seanca u shty për shkak të mosvotimit të deputetëve për pikat e tjera të ditës.

Pikat e tjera të rendit të ditës që u miratuan janë:

  1. Projektligji për mbrojtjen nga zhurma,
  2. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
  3. Projektligji për tatimin mbi vlerën e shtuar,
  4. Projektligj për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve,
  5. Projektligji për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
  6. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2004/22 për Kinematografinë, Ligji për Letërnjofim.
  7. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
  8. Projektligjit për qasje në dokumente publike, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-097 për bibliotekat,
  9. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-042 për rregullimin e shërbimeve të ujit,
  10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale,
  11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Diasporën,
  12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit të Punës,
  13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Pronën Publike,
  14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.