Ilustrim: Atdhe Mulla

Seanca e 'Idhnimit' për Pagat e Qeveritarëve

Seanca për interpelancë e Kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave, nisi me shtyrje të një interpelance tjetër.

Interpelanca e Kryeministrit Ramush Haradinaj për rastin Dehari është shtyrë me kërkesë të partisë që e kishte thirrur atë, Vetëvendosjes.

Albulena Haxhiu, deputete e kësaj partie tha se interpelanca nuk tërhiqet, por kërkesa lidhet me shtyrjen e saj për javën tjetër.

Pas shtyrjes së interpelancës së parë, nisi interpelanca e dytë, e cila ishte paraprë të mbahej katër javë më parë.

LDK dhe VV, si parashtrues të kërkesës për interpelancë të Kryeministrit Haradinaj, lidhur me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave të anëtarëve të kabinetit qeveritar, vendimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe vendimin për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale, i quajtën këto vendime në shpërputhje me kushtetutën dhe konflikt të hapur interesi.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për pagat e zyrtarëve të lartë të qeverisë “është në shpërputhje me Kushtetutën”. Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se vendimi për rritjen e pagave, përveç që bie ndesh me ligjin për financat publike, ai bie ndesh me etikën qeverisëse dhe është “konflikt i hapur i interesit”.

Por, Kryeministri Haradinaj vazhdonte ta mbronte vendimin e kabinetit të tij për rritje pagash.

Ai u ankua se paga e kryeministrit të vendit është shumë poshtë në renditjen e pagave që marrin zyrtarët shtetërorë dhe, sipas tij, nuk përkon me përgjegjësitë që duhet t’i kryejë një kryeministër.

Janë 69 zyrtarë tjerë që marrin pagë më të madhe se kryeministri juaj. Pse është kështu dhe pse është lënë kështu në të kaluarën, është pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes, mirëpo në bazë të përgjegjësive, Kryeministri, kryetari i KGJK dhe kryetari i KPK nuk guxojnë të jenë në renditje në vendin e 69”, tha Haradinaj në fillim të interpelancës.

Kryeministri deklaroi se përfituesit qeveritarë nga ky vendim janë pakicë e përfituesve, ndërsa nga vendimi shumica që përfitojnë janë gjyqtarët dhe prokurorët.

Pas Kryeministrit foli vartësi i tij, Bedri Hamza. Ai arsyetoi vendimin e shefit të qeverisë, duke thënë se vendime të tilla janë marrë nga të gjitha qeveritë e kaluara. Bile Hamza iu drejtua Haxhiut me një pyetje: “Ma thuaj një vend ku deputeti e ka dyfishin e pagës së ministrit. Merre pak me qetësi”.

“Unë i përmenda vendimet e kryeministrave. Disa i përcaktojnë pagën e kryeministrit, disa të ministrave, disa të zv ministrave. Le të del dikush le t’ma shpjegon qysh kanë caktu pagat e tyre deri sot përveç me vendime të qeverisë”, tha ministri Hamza.

“Deri tash, të gjitha pagat janë të lidhur me shumë ligje, por ligji bazik nuk ekziston”, tha Yagcilar.

Por, kishte edhe deputetë të LDK-së, partisë që e inicioj këtë interpelancë, të cilët e mirëkuptonin kryeministrin.

Lumir Abdixhiku i LDK-së tha se se ka këshilltarë të Kadri Veselit që paguhet 2 mijë euro neto, mbi 600 euro më shumë se Kryeministri.

“Në këtë institucion ka këshilltarë të kryetarit të parlamentit se ka pagë neto 2 mijë euro, e kryeministri ka pagë 1400 euro, sigurisht që e mirëkuptoj këtë”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, do të duhej të miratohej Ligji për Pagat, i cili do të bënte nivelizimin e pagave e që kjo nuk do të lejonte që një këshilltar të Kryetarit të Kuvendit ta ketë pagën më të madhe se Kryeministri.

Në fjalën e tij, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti përveç që kritikoi rritjen e pagave, kërkoi edhe uljen e numrit të ministrave e zëvendës-ministrave.

“Më shumë një zëvendës ministër për ministri është e tepërt. Pra do të duhej të zvogëloheshin së paku për 40 për qind zëvendës kryeministrat, së paku një e treta e ministrave dhe së paku katër të pestat e zëvendës ministrave, pra që në vend të 70 të jenë 14”, tha Kurti.

Ndërsa deputeti Blerim Kuçi, i cili vjen nga partia e Kryeministrit (AAK), në debatin për vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë, dha një propozim që të ulen pagat e deputetëve.

“Të propozojmë t’i përkrahim rritjet e pagave nga kryeministri ose të propozojmë t’i zvogëlojmë pagat e 320 deputeteve, zyrtarëve te bordeve e zyrtarëve tjerë”, tha Kuçi.

Kryeministri gjatë kohës së deputetët diskutonin, ndërhynte shpesh dhe u përgjigjej atyre. Madje akuzat e tyre për rritjen e pagave, ai i quajti hipokrite.

“Kjo ideja e shumë prej juve sa të ndershëm jeni me kursy popullin po del hipokrite, besoni. Na e njohim njëri- tjetrin, i kemi marrë këto mëditje, kemi shku, kemi hy, kemi dalë. Ne i kemi listat, mundemi me i publiku. Të gjithë marrim”, tha Haradinaj.

Madje ai tha se nuk po ia di lezetin postit që mban nga puna në tema të akumuluara.

“Gjashtë muj asni ditë lezet s’ja di kësaj pune, tu nga prej pune në pune në punë, me tema të akumulume”, tha Haradinaj.

Gjatë kohës që po mbahej interpelanca, Albulena Haxhiu kishte nisur të mbledhë nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme për të martën, në lidhje me përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Pas katër orësh diskutime, debati përfundoi.  Në fund të interpelancës Kryeministri Haradinaj tha se nuk pret që opozita t’i miratojë veprimet e tij. Por tha se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin e Kuvendit në lidhje me rritjen e pagave.

“Në fillim të punës kam fillu me vendosë disa parime, e një nga parimet ka qenë mos me u marrë me paraardhësit, mos me u anku çka kanë bo ata. Nuk pres prej opozitës me mi miratu punët e veprimet”, tha Haradinaj.

Kuvendi shkoi në pauzë, në mënyrë që deputetët të harmonizonin rekomandimet e tyre. Pas një ore, ligjvënësit u kthyen në sallë, por rekomandimet nuk kaluan.

Kryesuesi, Xhavit Haliti i ktheu në votim tri herë rekomandimet e propozuara nga LDK dhe VV, por edhe pse në sallë ishin mbi 80 deputetë, ata të partive në pushtet nuk morën pjesë në votim.

Këtu reagoi Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, e cila tha se Kryeministri u ka kërkuar deputetëve të koalicionit qeveritar të mos votojnë. Ndërsa Avdullah Hoti, ‘kërcënoi’ deputetët e partive në pushtet, që nëse ata nuk votojnë, “nga ky moment ne asnjë ligj se votojmë, as për as kundër, as hiç”.

Haliti tha se standardi i prezencës së deputetit, për mos-marrje pjesë në votim është vendosur gabimisht.

“… si praktikë është vendosë gabim, idhnohemi kapak po ndoshta na kalon”, tha ai.

Kësisoj seanca përfundoi, por pa u caktuar dita e vazhdimit të saj.