‘Saga' me taksën, mjet për ta zbehur efektin e punësimeve familjare e partiake

Qytetarët e Kosovës ditëve e javëve të fundit kanë qenë dëshmitarë të dhjetëra raportimeve në media, për punësime të familjarëve të liderëve politik dhe individëve mbi baza partiake në ndërmarrje publike dhe institucione shtetërore të vendit.

Në anën tjetër, vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, po konsiderohet të jetë mjet për t’i mbuluar skandalet qeveritare për nepotizëm.

Lidhur me këtë çështje, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Artan Muhaxhiri thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se punësimi sistematik i partiakëve në institucione publike është shndërruar në ‘shenjë dalluese turpëruese të subjekteve qeverisëse kosovare’.

“Kjo formë e amoralitetit politik ka marrë përmasa pothuajse të gjithëpranishme, ndërsa shkaku kryesor për shndërrimin e saj në fenomen qëndron në padënueshmërinë nga ligji. Mungesa e plotë e vullnetit nga partitë në pushtet për ta ndërprerë këtë zinxhir neveritës e ka bërë atë lehtësisht të realizueshëm në praktikë”, vlerëson ai.

Kurse, Donika Emini hulumtuese në Qendrën për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se politikat dhe narrativat populiste dhe nacionaliste tradicionalisht janë përdorur në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Kosovë nga elitat politike, sipas saj, për të mbajtur pushtetin ose edhe si “aveny e lehtë” për të ardhur në pushtet.

Motra e deputetes së AAK-së punësohet në ministri pa konkurs publik

“Retorika nacionaliste, sidomos në raport me Serbinë, vazhdon të mbetet një nga temat kyçe e elitës politike në Kosovë. Kjo më së miri reflektohet në populizmin dhe mbështetjen që kjo qeveri e ka marrë pas vënies së tarifës 100% ndaj Serbisë”, tha ajo.

Artan Muhaxhiri ka shtuar se zakonisht, temat e mëdha shtetërore keqpërdoren për ta zhvendosur vëmendjen prej shpërdorimeve brendastrukturore të llojit të tenderëve shumëmilionësh ose punësimeve partiake.

“Rrëfimet reklamuese për ‘angazhimet e ditë-e-natshme institucionale’ rreth ‘Vendimeve Madhore’ synojnë t’i maskojnë planet perfide që të keqshfrytëzohen burimet publike të pushtetit me anë të anulimit të kriterit të meritokracisë në dobi të shtresave të ngushta familjare dhe klienteliste”, theksoi Muhaxhiri.

Ndërkaq, për Donika Eminin “saga me tarifën”, nuk ka për qëllim vetëm të minimizojë punësimet në baza familjare dhe partiake në Qeverinë e Kosovës.

https://kallxo.com/muharrem-nitaj-flet-per-punesimin-e-djalit-te-tij-ne-telekom/

“Mirëpo kjo po përdoret si mekanizëm emergjent i kësaj qeverie për të shpëtuar,  për të fshehur dhe minimizuar qeverisjen e keqe të vendit, si dhe partisë së kryeministrit për të mbetur relevante në sferën politike në Kosovë”, theksoi hulumtuesja, duke e përmendur edhe zhvillimet për temën e shumë përfolur të Demarkacionit me Malin e Zi.

“Ngjashëm me këtë qëndrim ka qenë edhe skenari i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ku u sigurua mbijetesë politike duke u mbajtur në një kauzë populiste”, përfundoi ajo.

https://kallxo.com/nitaj-arsyeton-punesimet-partiake-qytetaret-e-bejne-hore-me-komente/

Edhe Artan Muhaxhiri thotë se skenarë të tillë janë përcjellë qeveri pas qeverie.

“Skenari negativ riciklohet me saktësi mandat pas mandati qeverisës: kur një parti opozitare arrin në pushtet, ajo i bën të gjitha ato veprime shtetërisht të dëmshme të cilat i kishte kritikuar furishëm derisa kishte qenë në opozitë – bile edhe më zi”, tha ai për Gazetën JnK.

Politikanët i pranojnë ndërhyrjet politike në punësim

Nepotizimin e lartë nëpër institucionet publike të Kosovës nuk e kanë mohuar as vet politikanët.

Gruaja e deputetit të AAK-së punësohet në ndërmarrje publike

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka të meta në emërimet e larta në institucione dhe agjenci.

“Ambasada [britanike] na ka ndihmuar për rekrutim në shërbim civil dhe ndërmarrje publike. Duhet ta pranojmë që kemi lëshime dhe dëme. Këto lëshime e të meta duhet t’i trajtojmë”, u shpreh kryeministri të hënën e kësaj jave, në konferencën për rezultatet e projektit të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, për rekrutimet në pozitat e larta drejtuese.

Ndërkaq, një ditë më vonë kreu i ekzekutivit i doli në mbrojtje partisë së tij politike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila u kritikua ashpër për punësimet e militantëve të saj.

https://kallxo.com/burri-i-deputetes-se-pdk-se-punesohet-ne-ministri-te-drejtesise/

Haradinaj tha se në rastet e fundit të punësimeve politike në pozita publike, partia e tij nuk ka punësuar njerëz as 1 për qind.

“Po foli pak më sinqertë më së pari po Aleanca ka 10 për qind të popullit të Kosovës të punësuar tash sipas disa statistikave të OJQ-ve na është thënë se  15 për qind, por jua siguroj se as 1 për qind s’ka njerëz të Aleancës në pozita publike”, deklaroi kryeministri.

https://kallxo.com/pazaret-politike-ne-komunen-e-lladrovcit-asamblisti-rehaton-gruan-ne-komune/

Se ka ndikim në punësime, e tha edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, i cili u shpreh edhe vetëkritik për këtë çështje.

“Unë jam edhe vetëkritik, partia ime ka disa vite që është në pushtet, por duhet ndalur kjo praktikë që kush e ka më së afërti pushtetin, me i punësu njerëzit e vet, nga Partia Demokratike e Kosovës, në parti tjera. Pastaj disa nuk po lodhen, nuk po mërzitën. Ka 3-4 vetë. Këta njerëz do të ndaljen, këta njerëz do t’i ndalim”, u zotua Veseli, në konferencën e projektit të Ambasadës Britanike për Rekrutimin e Pozitave të Larta Drejtuese.