Foto:president-ksgov.net

Sa na kanë krypë politikanët në vitin 2018?

Deklaratat dhe premtimet e liderëve shtetërorë, ministrave, kryetarëve të komunave, zëvendësministrave e mediave kanë kaluar nën llupën e Krypometrit gjatë vitit 2018.

Ndër temat që kanë qenë kryefjalë në vitin 2018 dhe për të cilat janë zënë në rrenë liderët e vendit janë, demarkacioni me Malin e Zi, transformimi i FSK-së, ideja për korrigjimin e kufijve, liberalizimi i vizave dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Nuk kanë mbetur më prapa as deklaratat dhe premtimet publike të kryetarëve të komunave të cilat ata vetë i kanë thënë publikisht në ‘Debat Pernime’, në zgjedhjet lokale 2017.

Krypometri është verifikuesi i parë dhe i vetmi i fakteve në Kosovë, i cili u bë pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar për Vërtetimin e Fakteve (IFCN).

Në dhjetor të vitit 2016, Krypometri që paraqet rrenat apo të vërtetat e thëna publikisht në KALLXO.com, mori licencë ndërkombëtare.

Gjatë vitit 2018, Krypometri bëri matjen 131 fakteve e deklaratave, ndër të cilat shumica dolën të jenë rrena.

Më poshtë mund të lexoni disa nga rrenat dhe ndryshimet e qëndrimeve më të mëdha gjatë gjithë vitit 2018.

Rrena e Haradinajt: S’na duhen nga dy zëvendësministra

Para se të ulej në karrigen e të parit të ekzekutivit, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se ministritë gjatë mandatit të tij nuk do të kishin më shumë se një zëvendësministër.

“Jo, jo. Jo 2 zëvendësministra. Vetëm 1 besoj. Mund të ndodhë vetëm ku janë komunitetet, të ketë një zëvendësministër të dytë, sepse është praktikë. Vetëm 1 zëvendësministër, vetëm një duhet. Jo, me nga dy zëvendësministra s’munden me qenë ma”, ishte përgjigjur Haradinaj në intervistën për ‘Jeta në Kosovë’.

Krypometri e cilëson këtë si rrenë të kryptë. Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, numëron mesatarisht mbi 3 zëvendësministra për ministri.

KRYPOMETRI: ‘Abuzimi Arrogant me Pushtetin’

Tërheqjet speciale të Thaçit, Veselit e Haradinajt

Në natën e 22 dhjetorit, treshja Thaçi-Veseli-Haradinaj, ishin bashkë për shfuqizimin e Speciales. Kjo natë u quajt nata më e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta nga ambasadori në britanik, Ruari O’Connell. Ndërsa ish-ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha se shfuqizimi do ta shkatërrojë të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi ka paraqitur qëndrime të ndryshme për Gjykatën Speciale. Në 2015 kishte rolin kryesor në bindjen e deputetëve për të votuar ndryshimet kushtetuese për të mundësuar formimin e Gjykatës Speciale.

Pas ngjarjeve të 22 dhjetorit presidenti Thaçi kishte deklaruar se nisma e deputetëve ishte legjitime dhe se ai do të respektonte mendimin e deputetëve. E kjo nismë buronte nga deputetet e PDK-së, të cilës i kishte prirë Thaçi për 16 vjet. Fakti që gjysma e deputetëve nismëtarë ishin nga PDK-ja dhe se kryeparlamentari Kadri Veseli ishte treguar i gatshëm që në mënyrë urgjente të procedonte nismën për shfuqizimin e speciales e bën atë përkrahës të kësaj nisme. Pro nismës ishte deklaruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Por Viti i Ri (2018), tre liderëve u solli edhe qëndrime të reja. ‘Reflektuan’ njëri pas tjetrit. I pari ishte kryeparlamentari, Kadri Veseli. Në letrën e tij të 8 janarit, ai tha se specialja do të ndodhë. Tri javë më vonë u tërhoq edhe presidenti, Hashim Thaçi. Ai tha se “Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe as nuk do të shfuqizohet”.

Në të njëjtën ditë, pas presidentit u tërhoq edhe kryeministri. Madje Ramush Haradinaj tha se kjo nuk është tërheqje, por reflektim. Reflektimi i tyre ndodhi pas shumë presioneve që erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendet e BE-së. Prandaj, krypometri ka vërejtur ndryshim qëndrimi te këta tre liderë.

Tërheqjet Speciale të Thaçit, Veseli e Haradinajt

Germat prej bore të kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, brenda 24 orësh e kishte ndërruar qëndrimin në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Të premten e 23 shkurtit, në seancën e jashtëzakonshme për Demarkacionin, ai kishte folur me nervozizëm para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionint të vitit 2015.

“Marre ju koftë, marre ju koftë. Kurgjo në rregull s’keni, s’po ju vjen marre, jeni kundër raportit që munet me u gjetë e vërteta e territorit t’juj. Qiky raport o ka ju pengon, ku po ju dhem? Qëto e keni problemin, po doni me qujtë dokument orientues – Jo sa t’jam unë, jo”, kishte thënë Haradinaj, duke iu drejtuar deputetëve të LDK-së.

Në kohën kur Haradinaj po u drejtohej deputetëve në sallë kishte ndërhyrje të deputetëve, të cilat nuk dëgjoheshin. Dëgjohej vetëm përgjigjja e Haradinajt.

“… Epo s’ka ligj tjetër”, vazhdoi Haradinaj fjalimin e tij. “As një germë s’i heket këtij ligji që e keni para jush. Bllokoni qytetarët, leni pa liberalizim, leni pa krejt!”, thoshte ai.

Të nesërmen dolën shumë lajme për arritjen e një akordi në mes të partive në pushtet dhe LDK-së. Në fillim nuk dihej kush ka lëshuar pe.

Por, kjo u kuptua pas paraqitjes publike në Haradinajt në një konferencë të jashtëzakonshme për media në ora 20:00.

Ai kishte ndërruar qëndrim.

“Për të votu Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, ligj i cili po ashtu përmban, pra dokument që përmban pos Marrëveshjes edhe raportin e komisionit shtetëror si ‘orientim’ dhe deklaratën e dy presidentëve”, kishte thënë Haradinaj.

Germat prej Bore të Kryeministrit

Pishmanet politike të Donika Kadajt

Më 17 prill 2016, Donika Kadaj – Bujupi kishte ndërruar parti, duke kaluar nga AAK në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj, në fjalimin e pare kishte thumbuar ish partinë e saj, AAK-në.

“Më lejoni që ta përmbyll këtë fjalë me thënien: Po të më jepej mundësia të zgjedhja në mes të paqes dhe drejtësisë, do të zgjedhja drejtësinë. Të dashur miq, në rrethanat e krijuara, unë u përcaktova për drejtësinë dhe mu për këtë sot jam këtu në mesin tuaj”, kishte thënë Donika Kadaj Bujupi.

“Me Lëvizjen e cila nuk u tundua asnjëherë për pushtet por mbajti zotimin dhe përkushtimin për shtet”, kishte thënë po atë ditë, Kadaj Bujupi.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe deputetja Donika Kadaj – Bujupi u rikthye aty ku kishte qenë në fillim, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Për dallim nga koha kur e la AAK-në, në kohën kur iu bashkua përsëri, AAK e ndante pushtetin me Partinë Demokratike të Kosovës, të cilën ajo e kishte bërë përgjegjëse për krimin dhe korrupsionin.

Madje, një nga arsyet e dorëheqjes nga AAK-ja kishte qenë edhe heqja e vijave të kuqe për PDK-në.

“Kur të gjithë ishim konsistentë në dërgimin e PDK-së në opozitë s’ka pasur mosmarrëveshje. Mendoj se mosmarrëveshjet u thelluan më vonë kur dy nga partitë filluan të deklarojnë që s’kanë vija të kuqe për askënd, që nënkupton as për PDK-në. Kjo dëmtoi procesin dhe kauzën”, kishte thënë Kadaj-Bujupi në një intervistë për Zërin.

Deklarata e Kadaj – Bujupit është konsideruar si ‘qëndrim i ndërruar’.

Pishmanet Politike të Donika Kadajt

Rritja e pagave, nuk është pa çare!

Në dhjetor të vitit të vitit 2017, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat kabinetit qeveritar. Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës mori vendim për rikthimin në fuqi të vendimit që dyfishonte pagat e Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve brenda kabinetit.

Megjithatë në këtë vendim përmendet që Agjencia Kundër Korrupsionit kishte konstatuar që vendimi i Qeverisë të Kosovës për t’ia rritur pagat vetes është në konflikt interesi. Menjëherë pas rikthimit në fuqi të vendimit për rritjen e pagave, qeveria është kujdesur që t’i ndërmarrë të gjitha masat që pagat e qershorit t’i marrë me rritje.

Megjithatë, ky vendim nuk u pëlqye nga Ministri i Financave, Bedri Hamza i cili vendosi që pagën e rritur të mos ia procedojë vetes e as 7 këshilltarëve të tij. Në një konferencë për media, Kryeministri Haradinaj nuk e konsideroi ‘burrni’ vendimin e Hamzës duke thënë se vendimi i kushtetueses i detyron ata të marrin rrogat e rritura.

“Ministri i Financave ka deklaruar në takime zyrtare që do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tani edhe sikur mos të dojshim na, nuk kemi qare pa e respektuar atë vendim. Nëse don Ministri i Financave me qenë burri më i mirë i qeverisë së Kosovës, Zoti Hamza le të ndihmon përshpejtimin e Ligjit për nivelizimin e pagave, le të na përkrahë në rritje të pagave, le të jetë më vizionar. Qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë”, tha Haradinaj.

Por, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë obligativ për Qeverinë.

Krypometri e ka vlerësuar deklaratën e Haradinajt si ‘rrenë të kryptë’.

Rritja e pagave, nuk është pa çare!

Rrena e presidentit për ‘vizitën transparente’ në Ujman

Më 29 shtator të këtij viti presidenti Hashim Thaçi kishte zhvilluar një vizitë në liqenin e Ujmanit, në të njëjtën kohë kur në Prishtinë po zhvillohej një protestë e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Qëllimi i protestës ishte shfaqja e kundërshtimit ndaj idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Një ditë pas vizitës në Ujman, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mblodhi mediat për të folur për vizitën e tij në pikën kufitare në Bërnjak dhe tek liqeni i Ujmanit.

Ndër tjera ai tha se kjo ishte vizitë transparente.

“Edhe kjo vizitë ka qenë shumë transparente”, ka thënë ndër tjera Thaçi në konferencën e thirrur për gazetar pas vizitës në Ujman.

Por, kjo ishte deklarat e rremë. Zyra e tij nuk e ka paralajmëruar këtë vizitë dhe mediat nuk kanë qenë të ftuara siç ndodhë zakonisht kur Zyra e presidentit Thaçi dërgon njoftime për media për agjendën e tij.

Të shtunën e 29 shtatorit, në orën 10:40 kjo zyrë ka dërguar njoftimin për “Adresim publik i presidentit Thaçi në FSK-së”, askund nuk është përmendur vizita e tij në Ujman.

Rrena e Presidentit për ‘vizitën transparente’ në Ujman

Mbrojtja e rrejshme e shtëpisë së Kulturës së Vushtrrisë

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri gjatë fushatës zgjedhore në emisionin ‘Debat Pernime’ kishte deklaruar se Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri do të ruhet si objekt  i trashëgimisë kulturore.

“Shtëpia e kulturës formalisht nuk është pjesë e trashëgimisë kulturore, por ka 70 vite histori në qytetin e Vushtrrisë, prandaj duhet të ruhet si një prej objekteve të trashëgimisë kulturore në Vushtrri”, kishte premtuar Tahiri.

Tahiri madje kishte akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për projektin e rrënimit të Shtëpisë së Kulturës.

“Shtëpia e Kulturës është shpëtuar me insistimi e LDK-së, pushteti i vjetër i PDK-së ka pasur në plan ta rrënojë dhe të ndërtoj ndërtesa të larta aty, për këtë i kanë rrënuar edhe shkallët dhe kanë mbyllur hyrjen aty”, kishte deklaruar Tahiri.

Premtimin që kishte dhënë Tahiri për ruajtjen e Shtëpisë së Kulturës  në Vushtrri nuk ka arritur ta mbajë, pasi që Shtëpia e Kulturës ka filluar të rrënohet në muajin maj të këtij viti.

Mbrojtja e rrejshme e shtëpisë së Kulturës së Vushtrrisë

Rrena mediale për Statutin e Asociacionit  

Çështja e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të Kosovës ka qenë një nga temat kryesore të politikës këtë vit.

Në fillim të muajit korrik, KALLXO.com publikoi dokumente nga raporti i takimeve që Ekipi menaxhues, i përbërë nga katër serbë, kishin zhvilluar me zyrtarë të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në veri të Kosovës. Në këto dokumente, siç raportoi KALLXO.com, kërkohej që Kuvendi i Kosovës ta themelojë një ligj të veçantë [lex specialis] për t’ia bërë të mundur Asociacionit që t’i marrë kompetencat që i kërkojnë liderët serbë të Kosovës dhe Beogradi.

Por, nxjerrja e raportit të takimeve në disa prej mediave u raportua si “hartim i Statutit” të Asociacionit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk ka marrë asnjë draft të Statutit ndërsa ka kundërshtuar përmbajtjen e kërkesave që ekipi menaxhues ka bërë në dokumentet e publikuara nga KALLXO.com. Kjo është thënë nga vetë Avni Arifi.

Vlerësimi i krypometrit është se në media është pasqyruar gabimisht publikimi i raporteve të takimeve të Ekipit Menaxhues të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E vërteta është se Qeveria ka marrë vetëm procesverbalet e diskutimeve nga takimet e Ekipit Menaxhues të Asociacionit, i cili përbëhet nga katër serbë, e jo draftin e Statutit të këtij Asociacioni.

Rrena mediale për Statutin e Asociacionit

Zvarritet ndërtimi i stacionit të autobusëve në Klinë

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj në Debat Pernime kishte thënë se vendimi i tij i parë nëse zgjidhet kryetar do të jetë për ndërtimin e stacionit të autobusëve.

“Vendimi im i parë në krye të komunës do të jetë ai për inicimin e procedurave për ndërtimin e stacionit të autobusëve”, ka thënë Elezaj nga AAK.

Elezaj gjatë zgjedhjeve komunale ka premtuar që në vitin e dytë të mandatit do të ndërtohet stacioni i autobusëve.

“Për stacionin e autobusit, unë ne vitin e parë do të shoh planin rregullativ a ka probleme, dhe ne vitin e dytë do të ndërtohet stacioni i autobusit”

Mirëpo, për KALLXO.com, kryetari i Klinës ka thënë se ky projekt do të shtyhet deri në vitin e tretë të mandatit.

“Për arsye të dilemave të qytetareve për lokacionin e stacionit te autobusëve, e te cilin shqetësim mendojmë ta shtjellojmë me projektin e Hartave Zonale, ndërtimin e Stacionit te Autobusëve do te bëjmë gjate vitit 2020”, tha Elezaj.

Zvarritet ndërtimi i stacionit të autobusëve në Klinë

Rrena e kryptë e Presidencës për korrigjimin e kufijve

Dy përfaqësuesit e Kosovës në dialogun me Serbinë, presidenti Hashim Thaçi dhe këshilltari i tij, Bekim Çolloku kanë pasur kundërthënie në publik sa i përket korrigjimit të kufijve.

Zyrtarisht, për herë të parë në publik, përmes një konferencë për media me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës, Hashim Thaçi tha se do të kërkojë që tri komunat me shumicë shqiptare, Presheva, Medvegja e Bujanovci t’i bashkohen Kosovës.

Së bashku me përfaqësuesit e tri komunave të Luginës së Preshevës, në zyrën presidenciale, me 26 korrik të këtij viti, Thaçi kërkoi të respektohet vullneti i qytetarëve të Luginës së Preshevës të bërë përmes referendumit të 1992 për bashkim të këtyre 3 komunave me shumicë shqiptare me Kosovën.

“Se a do të mund të realizohet objektiva, e drejta e aspirata e qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe liderëve të tyre, e them me përgjegjësi të lartë, do të jetë shumë vështirë, pothuajse e pamundur, por se a do ta prezantoj në tavolinë, do të informoheni shumë shpejt, e me gjasë kjo edhe do të ndodhë”, kishe thënë në mes tjerash Thaçi.

Në konferencat e radhës, që ishin të shpeshta, Thaçi kishte këmbëngulur që kërkesën për bashkimin e tri komunave me Kosovën do ta paraqesë në tavolinën e bisedimeve.

Mirëpo, Thaçin e ‘tradhtoi’ njeriu i tij më i afërt rreth këtyre deklarimeve. Personi që është pothuajse gjithmonë me presidentin në takime të tilla, shefi i tij i Kabinetit, Bekim Çollaku, deklaronte se ideja e korrigjimit të kufirit dhe mundësisë së bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën ka filluar të diskutohet në mes të palëve që nga fillimi i këtij viti.

Pra, mbi 7 muaj më herët, para se Thaçi publikisht të deklaronte se këtë çështje do ta ngritë në tavolinë. Sipas Bekim Çollakut, kjo temë veçse ishte ngritur në takimin në mes të palëve.

“Ky skenar në substancën e tij është duke u trajtuar gjatë këtij viti. Që nga fillimi i këtij viti mund të them që ka filluar të trajtohet jo vetëm ndërmjet dy palëve të përfshira dhe lehtësuesit, BE, por edhe nga shtetet e fuqishme që kanë rol thelbësor në kuadër të këtij procesi”, kishte thënë ai.

Rrena e kryptë e Presidencës për korrigjimin e kufijve

Qëndrimi gjarpërues i Hashim Thaçit për meritat për ushtrinë  

Më 13 shtator, pak minuta para se Qeveria e Kosovës të miratonte tri projektligjet për FSK-në, Hashim Thaçi kishte mbajtur konferencë për media. Në atë konferencë, Thaçi ishte pyetur se nëse ka informacione që Qeveria e Kosovës po planifikonte t’i kalonte ligjet e FSK-së.

Thaçi ishte shprehur i habitur me këtë vendim të Qeverisë, duke thënë se si president i Kosovës nuk ka asnjë informacion. Ai madje ishte shprehur skeptik duke e quajtur ditë të gabuar për procedim tutje të kësaj çështje.

“Procedimi i kësaj çështje sot, nëse është i vërtetë, është ditë e gabuar në këtë ditë historike të Kosovës, sepse nuk kemi nevojë në këtë mëngjes me dërgu këtë mesazh të gabuar miqve dhe partnerëve tanë evropianë”, kishte thënë Thaçi.

Presidenti pretendonte se meqë ai nuk është informuar, nuk janë të informuar as SHBA-ja e NATO për këto ligje. Mirëpo po atë ditë, pas votimit të 3 projektligjeve në FSK-së, kryeministri Haradinaj në konferencë për media tha se të gjithë kanë qenë të njoftuar.

“Sot askush nuk është i befasuar, nuk ka faktor vendor apo ndërkombëtar që sot është zënë në befasi”, kishte deklaruar Haradinaj pas befasimit të Thaçit.

Ndërsa pak orë më vonë, Thaçi ndryshoi komplet qasjen dhe qëndrimin e tij karshi vendimit të Qeverisë. Ai përmes një statusi në Facebook vendosi ta përvetësoj këtë iniciativë.

Përderisa në orët e parë të ditës, Thaçi deklaronte se nuk janë të informuar as SHBA-ja e as NATO, në mesditë deklaronte se aleatët e dinë që ky proces duhet të mbyllet pa vonesa.

“Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë”, deklaronte Thaçi.

Rrena e Haradinajt dhe Veselit për pagat e mjekëve 

Ka qenë qershori i vitit 2017 kur Kadri Veseli e Ramush Haradinaj kërkonin votat e qytetarëve në emër të koalicionit PAN. Të dy kishin dhënë premtime edhe për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë. E premtimet e  koalicionit PAN i kishin formalizuar në një memorandum që kishin nënshkruar me Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë.

Memorandumi i nënshkruar me kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla parashihte rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë dhe furnizimin e rregullt me barna e materiale shpenzuese për të gjitha qendrat spitalore.

Haradinaj ishte zotuar që pagat e punëtorëve shëndetësorë do të rriteshin në tremujorin e parë të qeverisjes.

“Prioritet i yni është rritja e buxhetit për shëndetësinë, pastaj vazhdon rritja e pagave, pasi nuk ka pasur rritje në tri vitet e fundit, me mundësi do të rriten në tre muajt e parë eventualisht. Dhe vazhdon kështu me pagesën e rrezikshmërisë, me furnizimin me barna”, pati thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kishte thënë premtime për rritje të pagave.

“Në të njëjtën kohë, rritja e pagave në sektorin shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve, zotimi të cilin e kemi si koalicion qeverisës që në katër vitet të përmirësojmë kualitetet e shërbimeve por edhe kuantitetin e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë Veseli, që aktualisht është kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ministër i shëndetësisë është Uran Ismaili që është nënkryetar i PDK-së.

Tashmë janë bërë pothuajse dy vjet nga këto premtime, por pagat për mjekët nuk janë rritur. Gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes, kryeministri Haradinaj ka marrë vendim t’ia rritë pagën vehtës dhe vartësve të tij.

Rrena e Haradinajt dhe Veselit për pagat e mjekëve