Sa ju kushtuan komunave testet serologjike për testimin e COVID-19?

Tri komuna të Kosovës kanë hapur tenderë për të blerë teste serologjike për testimin e qytetarëve për COVID-19.

Komuna e Prishtinës ka filluar e para testimin e qytetarëve për COVID-19, e cila është pasuar nga Gjakova e së fundmi edhe komuna e Prizrenit ka blerë teste serologjike.

Komuna e Gjakovës ka blerë 9,000 teste IgM dhe IgG për COVID-19 në vlerë prej 89 mijë e 100 euro.

Sipas kontratës së nënshkruar nga komuna e Gjakovës 75 paketime me nga 60 teste IgM, të cilat kanë kushtuar 31 mijë e 950 euro. Pra një test IgM i ka kushtuar 7.1 euro. Ndërsa 75 paketime me nga 60 teste IgG kanë kushtuar 57 mijë e 150 euro, apo 12.7 euro.

Në njoftimin për kontratë thuhet që për këtë blerje janë zhvilluar proceduar të negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Operatori i cili ka ofertuar dhe shpallur më pas fitues është Gazmend  Boshnjaku B.I, i cili ka ofertuar me 89 mijë e 100 euro.

Fillimisht komuna kishte planifikuar të shpenzonte 104,250.00 euro.

Edhe komuna e Prishtinës përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës ka blerë 42 paketime me nga 60 teste SARS-COV2 IgM dhe 42 paketime me nga 60 teste SARS-COV2 IgG. në vlerë prej 58 mijë e 390 euro. Komuna e Prishtinës kishte paguar 11.5 euro mesatarisht cmimin për këto teste, ndërsa komuna e Gjakovës kishte paguar 9.9 euro mesatarisht një test.

Komuna fillimisht kishte planifikuar të shpenzonte 60 mijë euro për blerjen e këtyre testeve ndërsa operatori fitues ”BIOTEK KOSOVO L.L.C.”, kishte ofertuar me 58 mijë 390 euro, shumë në të cilën është nënshkruar edhe kontrata.

Kjo komunë në blerjen e parë ka blerë gjithsej 5 mijë e 40 teste.

Komuna e Prishtinës përsëri është duke planifikuar të blerë teste serologjike, kësaj radhe po planifikon të blejë 14 mijë e 400 teste.

Në tenderin e dytë, kjo komunë ka planifikuar të shpenzojë 165 mijë euro, ndërsa procedura tenderuese kësaj radhe do të jetë e hapur.

Kësaj radhe komuna e Prishtinës ka planifikuar të blejë 120 paketime  Vidas SARS-COV2 IgM me nga 60 teste dhe  120 paketime Vidas SARS-COV2 IgG po ashtu me nga 60 teste.

Në mesin e komunave që kanë planifikuar të testojnë qytetarët me teste serologjike për COVID-19 është edhe Komunë e Prizrenit.

Kjo komunë ka planifikuar të shpenzojë 120 mijë euro për blerjen e testeve serologjike.

Komuna e Prizrenit për dallim nga ajo e Gjakovës dhe ajo e Prishtinës ka zhvilluar procedurë të hapur për blerjen e këtyre testeve. Komuna e Prizrenit pasi e kishte publikuar njoftimin për kontratë, e kishte pezulluar procedurën tenderuese  një javë më pas. Pas kësaj dy operatorë ekonomik, N.T.Sh AGS dhe Pharma plus, të cilëve ju ishte refuzuar ankesa për rishqyrtim të tenderit.

Në këtë procedurë ne fund kishte aplikuar vetëm operatori ekonomik ”BIOTEK KOSOVO L.L.C.” i cili ka ofertuar me 110 mijë e 400 euro për Furnizim me teste serologjike IgM dhe IgG per Covid-19 për nevojat e shëndetësisë primare, i cili edhe është shpallur fitues.

Komuna e Prizrenit është duke planifikuar të blejë 9 mijë e 600 teste IgM dhe IgG. Pra, komuna e Prizrenit ka paguar mesatarisht 11.5 euro për një test.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në muajin gusht ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ që mundëson që edhe në Kujdesin Parësor Shëndetësor të bëhen testet serologjike.

Sipas njoftimit, me plotësimin e këtij Udhëzimi, Kujdesi Parësor Shëndetësor nëpër komuna do të ketë mundësinë të kryejë testime serologjike, duke raportuar për to në baza ditore në IKShPK.

“Raporti i ekzaminimit laboratorik, përveç të dhënave të përgjithshme, duhet të përmbaj informatë për llojin e testit të kryer, prodhuesin e testit, instrumentin/aparatin me te cilin është kryer testi, si dhe komentimin profesional të rezultatit nga specialisti”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Njëra nga mënyrat për të vërtetuar nëse në trupin e pacientit ka pasur infeksion të coronavirusit, janë edhe testet serologjike.

Mirëpo, ekziston mundësia që të vërtetohet nëse një person ka qenë më parë i infektuar me coronavirus, dhe testi serologjik mundëson një gjë të tillë.

Testet serologjike janë e kundërta e testit RT- PCR, pra përmes testeve serologjike zbulohet nëse ai person e ka kaluar infeksionin apo jo, që do të thotë zbulohet nëse personi ka pasur më parë infeksion pa e vënë re.

Gjithë ky zbulim bëhet përmes sistemit imunitar dhe antitrupave që gjendjen brenda trupit të njeriut, përmes analizës së gjakut.

 

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.