Ilustrim: Telefonat ne banke
Sa ishte i duhur vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla?
Në mënyrë që të ngritet cilësia e arsimit në vend dhe të funksionojë më mirë mbarëvajtja e procesit mësimor, ditë më parë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte marrë vendim për ndalimin e përdorimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga mësimdhënësit dhe nxënësit në të gjitha institucionet e arsimit para universitar.
Derisa ky vendim për njohës të arsimit është pak paradoksal dhe për mësimdhënësit është pakëz i paqartë, prindërit e kanë mirëpritur këtë vendim.
Jeohna Uruqi, drejtore në Shkollën Fillore “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, tha për KALLXO.com se vendimi i Ministrisë nuk është i definuar mirë.
“Unë mendoj personalisht se vendimi do të duhej të korrigjohej dhe të ketë kuptimin që “Mos të përdoret për telefonata dhe rrjete sociale personale gjatë orëve mësimore” në të kundërtën telefoni si aparat didaktik sot është i domosdoshëm për të zhvilluar mendimin kritik si dhe shkathtësitë e shekullit 21. Vërejtje nga mësimdhënësit nuk ka pasur sepse ne telefonin gjatë orëve mësimore nuk e përdorim si mjet komunikimi qe kohë e gjatë”, deklaroi Uruqi.
Këshilli i Prindërve: Do të rritet interesimi për mësim nxënie
Ymret Reshiti nga Këshilli i Prindërve të Kosovës tha për KALLXO.com se me këtë vendim do të rritet përgjegjësia dhe interesimi për mësimnxënie.
“Mendoj se është vendim i duhur dhe i nevojshëm, edhe pse në disa shkolla kishte filluar të bëhet praktikë edhe pa vendim. Ne kemi pasur shumë ankesa nga prindërit dhe nxënësit se janë përdorur shumë gjatë orarit të mësimit dhe nuk janë shpjeguar lendet mësimore”, tha ai.
SBASHK-u: Kërkojmë sqarime shtesë nga MASHT-i
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, tha për KALLXO.com se vendimi ka shumë paqartësi dhe se do të takohen me ministrin Bytyqi në lidhje me këtë çështje.
“Ne si SBASHK kemi kërkuar që të takohemi me Ministrin e Arsimit në lidhje me sqarimin e këtij vendimi sepse ka shumë paqartësi. Nëse është fjala të mos përdoret gjatë orës për telefonat e për çështjet që nuk kanë të bëjnë me njësinë mësimore krejt në rregull, por nëse është menduar se telefon të ndalohen gjatë gjithë kohës sa nxënësit e mësimdhënësit janë brenda shkollës atëherë kjo nuk është në rregull, andaj do të kërkojmë sqarime shtesë në lidhje me këtë vendim sepse nuk është definuar saktë”, tha Jasharaj për KALLXO.com
Qehaja: Vendimi i ministrit Bytyqi, paradoksal
Kurse Rinor Qehaja nga Insituti EdGuard, tha për KALLXO.com se në kohën e tanishme të pushtimit teknologjik, është e vështirë të besohet shkëputja e lehtë e nxënësve nga telefonat e mençur.
“Vendimi i ministrit sado që tingëllon si risi, rikujtoj, që në shumë shkolla përmes rregulloreve të brendshme tashmë për vite me radhë ka qenë mirë i definuar. Në kohën e tanishme të pushtimit teknologjik, është e vështirë të besohet shkëputja e lehtë e nxënësve nga telefonat e mençur, aq më shumë kur po të njëjtëve jo rrallëherë u ofrohen orë mësimore teorike me metodologji monotone të mësimdhënies, që kurrsesi nuk nxisin vëmendjen e nxënësve”, tha Qehaja.
Ai shtoi se është vendim paradoksal pasi ministra në dokumentet e veta strategjike thirret në shkollimin digjital, investon në zhvillim të aplikacioneve online, dhe në të njëjtën kohë ndalon përdorimin e telefonit.
“Suksesi i këtij vendimi nuk është vendimi vet por zbatimi i tij, e për diçka të tillë jam shumë skeptik. Deri sa ishte i vështirë të ndalohej përdormi i telefonave në një proces të vëzhguar si ai i testit të maturës, çka mund të presim në menaxhim të përditshëm të këtij vendimi”, deklaroi Qehaja për KALLXO.com
Kurteshi: Shpresojë që vendimi të zbatohet
Ndërsa,kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Ismajl Kurteshi theksoi se vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla është i duhur, por ai shpreson që ky të zbatohet e mos të ketë fatin “e hidhur”.
Mendoj që vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla, sidomos gjatë orëve të mësimit është një vendim i drejtë dhe që është dashur të ndodh edhe më herët, por shpresoj që ky vendim nuk do ta ketë fatin e shumë vendimeve dhe ligjeve të tjera te cilat nuk po zbatohen., Pra së pari Ministria e Arsimit do të duhej të sigurohet që vendimet të zbatohen”, tha Kurteshi për KALLXO.com
Në lidhje me mos pajtimin e mësimdhënësve karshi këtij vendimi Kurteshi tha se mësimdhënësit duhet të mësohen me përgjegjësitë e tyre.
“Ka mësimdhënës që nuk mund të pajtohen me këtë vendim por mësimdhënësit dhe nxënësit shkojnë në shkollë më mësu jo me komuniku me të tjerët me telefona. Mendoj që është vendim i drejtë dhe pres që të zbatohet”, shtoi Kurteshi për KALLXO.com
Ndryshe këtë vendim të njejtë e kishte marrë në fillim të vitit të ri shkollor ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Franca.
https://kallxo.com/ministria-e-arsimit-ndalon-perdorimin-e-telefonit-ne-proces-mesimor/
.