Sa është e gatshme shoqëria kosovare t’i pranojë refugjatët afganë?

Ardhja e refugjatëve afganë në Kosovë, ka nxitur diskutime për dhe kundër vendosjes së tyre në territorin e Kosovës.

Menjëherë pasi institucionet në Kosovë ishin shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë pas marrjes së Kabulit nga talibanët, lindën diskutime për vendosjen, trajtimin dhe sigurinë e tyre.

Rreth 250 afganë do të jenë pjesë e kontingjentit të valës së parë të ardhjes në Kosovë. Por, deri më tani, ekzekutivi i vendit nuk kanë dhënë detaje për vendin se ku do të strehohen.

Shoqëria kosovare dhe gatitshmëria  e tyre për të pranuar një kulturë tjetër

Duke marrë parasysh situatën në Kosovë, që edhe vetë qytetarët e Kosovës ishin refugjatë gjatë luftës së fundit, sipas sociologut Genca Xërxa, ndjenja e empatisë do të ndikojë që shoqëria kosovare ta ketë më të lehtë t’i pranojë pa marrë parasysh a do të kenë qëndrim afatgjatë apo afatshkurtër.

“Është koha që edhe Kosova pas 20 viteve me aq kapacitete sa ka, të tregoj zemrën e saj të madhe dhe të bashkëndjejë me gjithë ata afganë në nevojë, apo nesër kush qoftë bazuar në vlerat civilizuese dhe liberale që t’u siguroj strehim e shpëtoj nga vrasjet dhe terrori, në bazë të humanitetit dhe botës së civilizuar, ku Kosova me këtë proaktivitet tregoi se ku e ka vendin, me mënyrën se si u qas kësaj problematike, për t’u dalë gjithnjë ballë hallexhinjëve afganë”, thotë Xërxa.

Ndërkohë, Xërxa thotë se në aspektin human dhe sigurisë së tyre, autoritetet kosovare me ndihmën fasilituese të SHBA-se do përmbyllin lehtë procesin e strehimit të tyre nga përndjekja talebane.

Sipas tij, duke marrë parasysh që dy dekada në Kosovë kanë ardhë misonarë nga bota si në aspektin administrativ ndër ombrellën e UNMIK-ut por edhe sferave të sigurisë KFOR-it nga vende të ndryshme të botës, shoqëria nuk duhet të rezervohet që të pranoj njerëz të ri.

“Mendoj se nuk ka ndikuar fare ardhja e tyre për të keq, përkundrazi nga përvojat e tyre dhe ndihma për shoqërinë tonë kanë sjellur veçse dobi, s’kemi pasur nuanca thuajse fare ksenofobike këto dy dekada” tha Xërxa.

Xërxa thotë se  përkundrazi Kosovën e kanë lavdëruar për mikpritjen dhe pranimin e tyre në sferat e shoqërisë.

“Ndërkohë normal që vlerat socio-kulturore kanë arritur të formësohen, por ne esencë shoqëria kosovare ka ruajtur thelbin dhe identitetin e vet socio-kulturor tradicional”, thotë ai.

Të drejtat e afganëve pas ardhjes në Kosovë

Sipas Ligjit për Azil, mbrojtja ndërkombëtare apo azili u jepet atyre që në vendet e origjinës kanë luftë, persekutohen për shkak të bindjeve politike, përkatësisë së grupit të caktuar shoqëror, përkatësisë etnike, fetare ose racore.

Avokati i Popullit tha për KALLXO.com që duke u bazuar në eksperiencat e tyre me azilkërkuesit në qendrat e akomodimit, Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës ka vërejtur se autoritetet kompetente kanë dëshmuar vullnetin e tyre për t’i trajtuar refugjatët dhe azilkërkuesit në mënyrë humane.

Sipas këtij institucioni, ata do i trajtojnë refugjatët duke respektuar të drejtat dhe liritë e tyre themelore, në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Ne si institucion, nuk jemi në dijeni nëse Republika e Kosovës ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për të pranuar refugjatë me ndonjë shtet tjetër, por bazuar nga prononcimet në media, del se Qeveria është e gatshme t’i pranojë këtë kategori të refugjatëve dhe ti akomodojë në territorin e saj”, thuhet në përgjigjet e Avokatit të Popullit.

Sidoqoftë, sipas këti mekanzimi ligjor, bazuar në mandatin Kushtetues dhe ligjor së bashku me Mekanizmin Kombëtar për Parandalim të Torturës, do të monitorojë rregullisht trajtimin dhe respektimin e të drejtave themelore të të gjithë refugjatëve dhe azilkërkuesve në Republikën e Kosovës.

Sipas tyre, vite më parë Ministria e Punëve të Brendshme, kishte planifikuar përdorimin e ish bazave ushtaraketë KFOR për të akomoduar refugjatët dhe azilkërkuesit, gjë që do të rriste kapacitetet e tanishme për akomodim.

Avokati i Popullit, është institucion kombëtar për parandalim të torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese, në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, duke përfshirë ndalimin policor, paraburgimin, qëndrimin në institucionet shëndetësore, ndalimin doganor, ndalimin e emigracionit dhe çdo vend tjetër kur dyshohet se ka shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Si duhet të trajtohen afganët pas ardhjes në Kosovë?

Të drejtat e njeriut janë esenciale për çdo vend në botë pa marër parasysh nivelin e demokracisë, pa marrë parasysh a janë banorë rezidentë, azilantë apo refugjatë. Në këtë rast, refugjatët në një vend tjetër meritojnë trajtim të barabartë, e shpeshherë të veçantë duke marrë parasysh që vijnë nga një zonë e rrezikuar.

Drejtori i Këshillit  për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala tha për KALLXO.com, se çdokush që përndiqet për shkak të bindjeve politike, ekonomike, fetare, racore etj., ka të drejtë të kërkojë strehim në një vend të sigurt, deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit, pranim apo njohjet të statusit të azilantit apo refuzimit.

Shala thotë se në rastin konkret kur është një situatë e jashtëzakonshme, Kosova duhet të pranojë një numër shumë më të madh të refugjatëve se që ka kapacitete pranuese, kushte materiale dhe situatën e përgjithshme.

“Kosova duhet t’i pranojë ashtu siç ka pranuar refugjatët e ardhur nga Siria dhe vendet tjera të përfshira në luftëra. Kosova duhet t’i pranojë afganët jo shkaku i përfitimeve politike apo materiale, jo për shkak se ka detyrime ndaj një shteti apo shteteve tjera por se këtë e obligojnë konventat ndërkombëtare dhe ligjet e zbatueshme në Kosovë”, tha Shala.

Por, sipas tij Kosova nuk ka mundësi, as ekonomike, profesionale e as logjistikë të pranojë një numër të madh të afganëve pa përkrahjen e organizatave të specializuara për këtë UNHCR në radhë të parë dhe shteteve që sponsorisojnë këtë. 

Zyra e Kryeministrit kishte njoftuar se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbulojë shpenzimet për refugjatët afganë, që do të zhvendosen në Kosovë.

Shala thotë se se pari Kosova në përputhje me numrin e afganëve të ardhur duhet t’i identifikojë lokacionet pranuese pastaj ta bëjë verifikimin me  ndihmën e amerikanëve dhe të tjerëve. Pas kësaj ata duhet të vaksionohen dhe të respektohen të gjitha masat anti-COVID, dhe kontrollet tjera shëndetësore. 

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës para dy ditësh ka njoftuar se refugjatët afganë do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit. “Në rast të nevojës e me qëllim të sigurisë kombëtare, ata do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Ndërsa për vendosjen e tyre, KMDLNj vlerëson se për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme lokacionet më të përshtatshme do të ishin kampet e KFOR-it në Prizren (gjerman) dhe në Maxhunaj (francez) në Vushtrri ku do të mund të strehoheshin një numër i konsiderueshëm. 

Për mundësinë që refugjatët të vendosen në Qendrën e Studentëve, Shala nuk u pajtua që të strehohen aty për për shkaqe logjistike dhe të sigurisë. 

“Në këtë rast studentët kosovarë do të mbesnin pa strehim kurse në rastin tjetër lokacioni është në qendër të qytetit dhe monitorimi i tyre, nëse do të lëviznin të lirë do të ishte i vështirësuar”, tha ai.

Kurse, për mënyrën se si do të qëndrojnë ata në Kosovë, të mbyllur apo do kenë mundësi lëvizje, Shala tha të drejtat e njeriut të tyre do të viheshin në pikëpyetje kurse nëse do të liheshin krejtësisht të lirë, do të kishte problem të sigurisë qoftë edhe hipotetikisht. 

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim t’i ofrojë mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme kontraktorëve afganë, të cilët aktualisht punojnë për NATO-në, përfshirë familjet e tyre.

“Me kapacitetet që i ka Kosova do të ishte e vështirësuar, thuaja e pamundur. Për këtë arsye do të duhej një kordinim i ngushtë me vendet mbështetëse. Afganët nuk do të duhej të dërgoheshin në asnjë mënyrë në veriun e Kosovës sepse do të ishin jashtë kontrollit të institucioneve kosovare dhe do të instrumentalizoheshin nga Serbia”, tha ai.

Ndërkaq, për monitorimin e qendrave për të parë se a po respektohen të drejtat e tyre, Shala tha që në momentin kur do të krijoheshin kushtet e domosdoshme dhe të nevojshme për monitorim, KMDLNj do të nënshkruante një Memorandum të Bashkëpunimit me Ministrinë për Punë të Brendshme dhe do të fillonte monitorimin. 

Megjithatë, sipas tij, monitorimi është i nevojshëm për shkak se sipas tyre, afganët në Kosovë nuk do të qëndrojnë një kohë të shkurtër dhe se duhet të mendohet edhe për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare (një numri të tyre). 

“Afganët që do të vijnë në Kosovë nuk janë zgjedhja e Kosovës por mund të jenë zgjidhje e mirë për fatin e atyre që vijnë në Kosovë. Qoftë edhe në planin afatshkurtër”, tha ai. 

Në Afganistan, militantët talibanë kanë marrë kontrollin e shtetit.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.