‘Ruajtja e pushtetit dhe ardhja në të, përmes gënjeshtrave politike’

Politikanët shpeshherë mashtrojnë për tema të llojllojshme, pa marrë parasysh se a i përkasin pozitës, opozitës, apo fushatës elektorale.

Mashtrime të ndryshme kanë ndodhur lidhur me temat të mëdha siç janë furnizimi me vaksina, liberalizimi i vizave, postet politike e shumë mashtrime të tjera.

Mashtrimet politike sociologu Artan Muhaxhiri i konsideron si rrugë më e lehtë për arritjen e pëlqyeshmërisë afatshkurtër të grupeve të shënjestruara.

“Mashtrimet e vjetra synojnë t’i zëvendësojnë me mashtrime të reja, përderisa kjo metodë të dëshmohet efikase”, tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri, ka thënë për Kallxo.com se politika është një sferë e veçantë shoqërore që funksionon me rregullat, normat, vlerat dhe standardet e veta, të cilat ndonjëherë nuk përputhen me ato të jetës së zakonshme.

“Ajo është në raporte ndërvarësie me shoqërinë – edhe ndikohet prej saj, edhe e ndikon”, tha Muhaxhiri.

Sipas tij kultura e përgjithshme politike e përcakton nivelin e ndershmërisë së politikanëve, sepse ata sipas Muhaxhirit, përgjithësisht veprojnë përbrenda kornizave të saj.

“Pra, vende dhe shoqëri të ndryshme kanë qasje të ndryshme ndaj rolit të etikës në politikë”, tha Muhaxhiri.

Albert Krasniqi nga Demokaci Plus, ka thënë për Kallxo.com se shumë studime tregojnë se kur njerëzit e konsiderojnë sistemin politik të ligjshëm dhe të ndershëm, ata i refuzojnë politikanët që thonë të pavërteta dhe urrejnë të gënjehen.

Sipas tij disa qytetarë i tolerojnë më shumë “rrenat” e politikanëve popullsitë, sidomos kur këto ”rrena” bëhen në drejtim të politikanëve të cilët konsiderohen si pjesë të elitave të korruptuara.

“Një faktor tjetër që ndikon në tolerimin e rrenave të politikanëve është edhe mungesa e besimit në sistemin politik”, tha Krasniqi.

 

Mashtrimet e politikanëve të faktuara në Krypometra

Kallxo.com vazhdimisht i fakton deklaratat e politikaneve në Kosovë përmes Krypometrit në disa kategori: E vërtetë, Pjesërisht e vërtetë, Me kos, Rrenë, Rrenë e kryptë, Qëndrim i ndërruar dhe Hetimet vazhdojnë.

Krypometri ka matur “rrenën e madhe” të Qeverisë së Avdullah Hotit për vaksinën kundër coronavirusit.

Premtimi i ish kryeministrit, Avdullah Hoti dhe i ish ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, se vaksinat e para kundër coronavirusit do të vijnë në muajin shkurt, kur edhe do të realizohen vaksinimet e para, është një rrenë e kryptë.

Asnjë nga vaksinat e porositura nga institucionet e Kosovës nuk ka ardhur në muajin shkurt, rrjedhimisht as nuk ishte vaksinuar asnjë qytetar i Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, më 6 janar kishte thënë se vaksinat e para anti COVID-19 pritet të vijnë në muajin shkurt, ndërsa sipas parashikimeve pritet që të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës.

“Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina. Kemi siguruar edhe buxhetin dhe janë ndarë 40 milionë euro për vaksinën anti-COVID. Presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt”, kishte theksuar Hoti.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në të njëjtën ditë tha se gjatë atij muaji (janar) do të finalizohej marrëveshja mes Ministrisë dhe kompanisë Pfizer në mënyrë që vaksinimi të fillojë në muajin shkurt.

“Gjatë kësaj jave MSh dhe kompania Pfizer do të finalizojë marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të fillojë vaksinimin. Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm Instituti ka përcaktuar edhe grupet për vaksinim, të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar, vaksina do të jepen falas për popullatën”, kishte deklaruar Zemaj.

KALLXO.com kishte kontaktuar edhe me COVAX më 5 janar dhe ata nuk kishin dhënë informacione në lidhje me arritjen e vaksinës.

Ndërsa Pfizer dhe BioNTech nuk kishin konfirmuar nëse kanë arritur marrëveshje me Kosovën për sigurimin e vaksinës anti COVID-19 për qytetarët e Kosovës.

mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë kishte arritur kontigjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19.

Në kontingjentin e parë të vaksinave, të siguruara në kuadër të projektit COVAX, janë 24 mijë doza vaksinash.

Zemaj sa ishte ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, nuk e kishte mbajtur fjalën as për rritjen e numrit të testimeve për COVID-19.

Zemaj, më 14 shtator 2020 kishte premtuar se për “tre-katër ditë” do të rriten kapacitetet testuese për COVID-19.

Gjithashtu më 14 gusht të vitit 2020 ka premtuar se kapacitetet për testime do të rriten. Zemaj tha që synojnë që të kalojnë numrin e 3 mijë testimeve brenda ditës.

Krypometri deklaratat e Zemaj, i kishte vlerësuar si rrenë e kryptë, pasi kapacitetet ditore të testimeve nuk janë rritur substancialisht në Kosovë në tre muajt e fundit, ndërsa as nuk i afroheshin shifrës 3 mijë të përmendur nga Zemaj.

E ndryshim qëndrimi gjatë fushatës për vaksinat kishte bërë edhe kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës Enver Hoxhaj.

Në Gjakovë, Hoxhaj më 4 shkurt 2021, kishte premtuar se nëse zgjidhet kryeministër do të vaksinojë gjysmën e popullsisë, ndërsa në Ferizaj më 7 shkurt ka thënë se do të vaksinojë 70% të popullsisë në Kosovë.

Në të dy rastet, Hoxhaj ka thënë se këtë do ta bëjë brenda vitit 2021.

Në tubimet e fushatës zgjedhore Krypometri zbulon edhe një rrenë.

Në kohën sa ishte u.d. e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi për presidente, në kuadër të listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, kishte deklaruar se tubimet e tyre elektorale me qindra njerëz, nuk kanë qenë të paralajmëruara.

Osmani këtë deklaratë e kishte bërë më 25 shkurt 2021 në një intervistë në emisionin KALLXO Pernime.

“Po tani, ne nuk kemi pasur tubime të mëdha brenda në lokalitete të mbyllura. Ne kemi pasur ecje në shesh, asnjë prej të cilave nuk kanë qenë të paralajmëruara ose të organizuara. Pra, kemi shkuar në shumicën dërmuese të komunave dhe në hapësirë të hapur kemi ecë, por në asnjë moment nuk kemi organizuar tubime të mëdha në hapësira të mbyllura dhe të organizuara. Pra, kanë qenë spontane”, ka thënë Osmani.

Gjatë fushatës, Lëvizja Vetëvendosje përmes komunikatave për media ka njoftuar për qytetet dhe lokacionet e sakta se ku do të merrnin pjesë Albin Kurti e Vjosa Osmani.

E për postin e presidentit, edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë kryeministër i Kosobvës i kishte ndërruar qëndrimet.

Më 19 nëntor 2020, Kurti në një intervistë për Prishtina Insight, kishte thënë se duhet të ulen e ta gjejnë dikë mbi palët.

“Duhet të ulemi e ta gjejmë dikën mbi palët. Pra, nuk bën presidenti të jetë palë…Nuk mund të kemi president të njëanshëm. Është e domosdoshme ta kemi një president të paanshëm e mbi palët. [Pas zgjedhjeve të reja] duhet të ulemi e ta gjejmë dikënd mbi palët”

Albin Kurti kishte ndërruar qëndrimin sa i përket çështjes së Presidentit ku thoshte se presidenti nuk duhet të jetë njeri i fushatave elektorale dhe duhet të jetë person mbi palët. Ai gjithashtu kishte deklaruar se për postin e presidentit do të flisnin pas zgjedhjeve.

Vjosa Osmani ka qenë pjesë e garave zgjedhore dhe e fushatave që nga viti 2010. Ajo ishte pjesë e garës zgjedhore për postin e presidentes.

Më 4 prill të këtij viti Osmani zgjidhet Presidente e Kosovës.

Pjesë e krypometrit, janë bërë edhe deklaratat për liberalizimin e vizave.

Liberalizimi i vizave është njëra prej çështjeve që iu premtua më së shumti qytetarëve të Kosovës ndër vite, por që ende mbetet i parealizuar.

Në vitin 2018, 6 burrat e Kosovës kishin udhëtuar me aeroplanin privat të Behgjet Pacollit për në Bruksel, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardani Gashi.

Presidenti, Kryeparlamentari dhe kryeministri me tre zëvendësit e tij iu kanë uruar qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave.

Pas kësaj vizite, më 18 korrik 2018 nga Brukseli, Komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos kishte deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe se gjithçka do të varej nga Parlamenti dhe Këshilli i Evropës.

“Sot mund të konfirmojmë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Është tash në dorën e Parlamentit dhe Këshillit Evropian të vazhdojnë që të lëvizin përpara me propozimin tonë”, kishte thënë Avramopoulos, më 18 korrik të 2018.

Pas kësaj deklarate, liderët uronin qytetarët për liberalizimin e vizave, duke thënë se brenda 2018, qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm.

Ndërkaq, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka bërë të ditur se shumica dërmuese e Parlamentit Evropian e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën me rastin e votimit të raportit për Kosovën.

Sipas Cramon, raporti për Kosovën mori 472 vota për, 165 kundër dhe 41 abstenime.

“Në votimet plenare për raportin e Kosovës, shumica dërmuese e  Parlamentit Evropian ka mbështetur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe thërret Këshillin e BE-së të veprojë. 472 pro / 165 kundër / 41 abstenim”, ka shkruar ajo në Tëitter.

Ndërkaq, pas disa vite pritjesh, liberalizimi nuk ka ndodhur deri më tani.

Krypometrit iu është nënshtruar edhe procesi i dialogut.

Sa ishte kryeministër i Kosovës Avdullah Hoti, kishte ndërruar qëndrimin për procesin e dialogut.

Më 3 tetor 2020 Hoti kishte thënë senëse gjatë kësaj periudhe (1 vit), nuk arrijmë të përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke, ne vazhdojmë si shtet i pavarur dhe fillojmë me bashkëjetu si dy vende fqinje që nuk e njohin njëri-tjetrin. Kaq!”

Ndërsa më 6 tetor 2020 kishte thënë se “edhe nëse duhet 1 vjet, 2 vjet 5 vjet do të dialogojmë deri sa të arrijmë marrëveshjen finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”.

Hoti ishte treguar i paqartë sa i përket kohëzgjatjes së dialogut me Serbinë deri në njohje reciproke. Fillimisht kishte deklaruar se nëse brenda 1 viti nuk nënshkruhet marrëveshje për njohje reciproke, Kosova e Serbia vazhdojnë bashkëjetesën si dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Ndërsa, tri ditë më vonë, Hoti kishte thënë se dialogu mund të vazhdojë edhe 5 vjet nëse është nevoja.

Mashtrimet e politikanëve ndodhin gjatë fushatave elektorale, gjatë qeverisjes dhe gjatë kohës sa politikanët janë në opozitë.

Sociologu Artan Muhaxhiri tha se problemi kryesor me demagogjinë në politikën kosovare ka të bëjë me faktin se tashmë ajo është përhapur aq gjerësisht, saqë është shndërruar në mënyrë veprimi, kësisoj duke krijuar varshmëri të politikanëve në raport me të.

“Në shkallën e jashtëzakonshme të demagogjisë, hipokrizisë dhe lajthitjeve kanë kontribuuar në vazhdimësi liderët, partitë politike, përfshirë kategoritë e ndryshme të politikanëve, të cilët nuk kanë hezituar t’i përdorin si mjete për manipulimin e masave”, tha Muhaxhiri.

Sipas Muhaxhirit opozita gënjen për të ardhur në pushtet, kurse pozita për ta ruajtur atë.

Muhaxhiri tha se qytetarëve u janë imponuar racionalizimet dhe reinterpretimet filtruese të llojeve dhe formave të gënjeshtrave politike, sepse alternativa do të ishte bojkotimi i plotë sistemor.

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, tha se gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, disa politikanë janë më të prirë të bëjnë deklarata të pavërteta me qëllim të rritjes së probabilitetit të zgjedhjes së tyre.

“Politikanët bëjnë premtime të ekzagjeruar në lidhje me përfitimet nga platformat e tyre zgjedhore, apo i ekzagjerojnë karakteristikat e padëshiruara të rivalëve të tyre politik. Nëse këto gënjeshtra zbulohen në një të ardhme rezultojnë në humbje të reputacionit të tyre. Përfitimet nga gënjeshtrat mund të jenë përfitime të menjëhershme politike por mund të kenë kosto në të ardhmen”, tha Kraniqi.

Krasniqi tha se shpeshherë politikanët bëjnë premtime për gjërat të cilat nuk varen drejtpërdrejtë nga ta, por zbatimi varet krejtësisht nga palë të treta, siç është rasti ta zëmë me liberalizimin e regjimit të vizave.

“Është e kuptueshme që ndonjëherë disa premtime nuk mund të realizohen në kohën e paraparë, pasi mund të kenë ndryshuar rrethanat.  Në këso raste është mirë të bëhen sqarimet e nevojshme para qytetarëve për ndryshimet e qëndrimeve apo për mos përmbushjen e premtimeve në kohën e paraparë”, tha ai.

Politikanët në mashtrimet e tyre prekin edhe familjarët e palës tjetër.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës në këtë mandat e ka përmendur ndër të tjera edhe familjen e Albin Kurtit.

Ajo kishte thënë se vajza e Kurtit nuk flet shqip në shtëpi.

“Keni dëshirë t’ju quajnë kryeministër shqiptar. Ju po e bëni historinë si kryeministër shqiptar dhe do të mbeteni në histori si kryeministri i parë shqiptar të cilit fëmijët e tij nuk i flasin shqip në Kosovë dhe në shtëpinë e tyre”, tha Musliu.

Në një intervistë që e kishte dhënë për emisionin “Konak”, Kurti kishte thënë se vajza e tij e flet edhe gjuhën shqipe, por edhe norvegjeze.

“Vajza ime i flet të dyja. E flet edhe shqipen, njësoj sikurse bashkëmoshatarët e saj, por edhe norvegjishten. Mendoj që tash ka filluar që ta kuptojë edhe anglishten, me të cilën shumë shpesh komunikojmë unë edhe gruaja ime. Ajo ka mbaruar edhe një kurs të shqipes në Tiranë, kështu që ajo di shqipen pa krahisimisht më mirë se unë norvegjishten”, kishte thënë Kurti.

Se çka i shtyn politikanët të mashtrojnë edhe për familjet, sipas Krasniqit, kjo bëhet për të prekur emocionet e votuesve.

“Rrenat për familjarët e politikanëve bëhen me qëllim për të prekur emocionet e votuesve më konservator. Ata përpiqen që t’i lidhin dështimet e politikanëve me dështimet e supozuara në sferën personale”, tha Krasniqi.

Kurse sociologu Muhaxhiri tha se përfshirja e aspekteve private dhe familjare nëpër debate politike është shenjë e qartë e nivelit tejet të ultë të edukatës, përgjegjësisë dhe korrektësisë, si dhe të mungesës së argumenteve normale.

“Politikanët që e aplikojnë këtë qasje janë injorantë aq të mëdhenj politikë, saqë nuk e kuptojnë që me anë të tyre e dëmtojnë veten dhe e ndihmojnë kundërshtarin. Pjesa dërrmuese e shoqërisë kosovare është mjaftueshëm e emancipuar politikisht sa t’i trajtojë me përbuzje tentimet e tilla, të cilat mbesin njolla morale për ata që i thonë. Zhvendosja e fokusit politik në familje synon përfitime mediokritetesh.

Sipas Muhaxhirit, fillimi i ndryshimit të këtij rrethi vicioz mashtrues bëhet vetëm atëherë kur krijohet një momentum shoqëror dhe reagimi vjen si pasojë e mbingopjes me njëjtësinë.