Rrugët për zgjedhjen e Qeverisë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Më 28 maj Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Sipas aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese në pikën 16, ka sqaruar se mënyra e zgjedhjes së Qeverisë në Kushtetutën e Kosovës është e përcaktuar përmes nenit 95.

Gjykata ka sqaruar që për formimin e një Qeverie, Kushtetuta përcakton dy mundësi.

Sipas aktgjykimt e drejta e parë i takon partisë politike ose koalicionit fitues të zgjedhjeve.

“E drejta e parë për formimin e Qeverisë, i takon ‘partisë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë’, përkatësisht partisë politike ose koalicionit fitues të zgjedhjeve. Presidenti nuk ka diskrecion lidhur me të drejtën e kësaj partie politike ose koalicioni për të propozuar kandidatin për Kryeministër dhe vetëm e mandaton të njëjtin”, thuhet në pikën 16.

Ndërkaq, në rast të dështimit për të krijuar qeverinë e re ose në rast refuzimi nga partia apo koalicioni fitues, e drejta kalon te partia politike ose koalicioni i përfaqësuar në Kuvend në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.

“Në rast të dështimit të zgjedhjes së kësaj Qeverie në Kuvend apo refuzimit të këtij mandati nga partia politike ose koalicioni fitues, e drejta për formimin e Qeverisë, kalon te partia politike ose koalicioni i përfaqësuar në Kuvend, që në diskrecionin e Presidentit, ka gjasat më të mëdha për të formuar Qeverinë në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. Ndërsa, dështimi i këtyre dy mundësive, rezulton në detyrimin e Presidentit për të shpallur zgjedhjet, siç është përcaktuar në Kushtetutë”, thuhet në vendim.

Në pikën 14, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se neni 82 i Kushtetutës gjithmonë është zbatuar në këtë mënyrë: legjislatura e tretë dhe pestë, janë shpërndarë nga Presidenti në vitin e tretë të mandatit të tyre, në vitin 2010 dhe 2017, respektivisht, kur në Kuvend nuk ka pasur vullnet e as shumicë të nevojshme për të formuar një Qeveri të re. Ndërkaq, legjislatura e katërt dhe gjashtë, në vitin 2014 dhe 2019, respektivisht janë vet shpërndarë me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve dhe kjo shpërndarje sipas këtij vendimi, vetëm është dekretuar nga Presidentët përkatës.

Në vendim thuhet se rrethanat e rastit konkret, dallojnë qartazi nga ato të legjislaturave të kaluara.

“Në këtë rast, një mocion mosbesimi është votuar me dy të tretat (2/3) e të gjithë përfaqësuesve të popullit dhe të njëjtit nuk kanë nevojë për ndihmën e Presidentit për t`u shpërndarë dhe shumica e partive politike dhe koalicioneve të përfaqësuara në Kuvend, respektivisht edhe shumica e të zgjedhurve të popullit, janë deklaruar në favor të krijimit të një Qeverie të re pas shprehjes së mosbesimit ndaj Qeverisë në detyrë/dorëheqje. Shpërndarja e Kuvendit nga Presidenti kundër vullnetit të përfaqësueseve të popullit do të ishte arbitrare e qartazi kundërkushtetuese”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, presidenti ka qenë i detyruar të fillojë procedurat për t’i dhënë mundësinë formimit të një Qeverie të re bazuar në dispozitat e nenit 95 të Kushtetutës.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Sipas këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lidhur me këtë vendim ka pasur reagime të shumta.

Kryemininistri në detyrë, Albin kurti e quajti të papranueshëm vendimin e Kushtetueses. 

.Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar”, tha Kurti.

Kurti tha se nuk kanë pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, sipas tij ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik).

“Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”, përfundoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në ‘Facebook’ ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese  në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hoti për kryeministër të ri. Në reagimin e Vetëvendosjes, të cilit ia ka bashkuar një video nga protesta e heshtur e sotme në sheshin e Prishtinës, thuhet se pjesëmarrja masive në këtë organizim dëshmoi se vullneti i qytetarëve është që të organizohen zgjedhjet sa më parë.

Zëvendëskryeministri Haki Abazi tha se Gjykata Kushtetuese në mënyrë tinëzare, ka shembur rendin kushtetues, duke përkrahur shembjen e rendit demokratik dhe vullnetin qytetarë.

Edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar  pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese  në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër të ri.

Mustafa ka shkruar se aktgjykimi i Kushtetueses dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.

E presidenti Hashim Thaçi, në një konferencë për media, tha se mirëpret vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

“Si president i vendit e mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese që hapë rrugë për formimin e qeverisë së re. Kam qenë i bindur në çdo vendim që kam marr për mandatarin, kjo u konfirmua edhe mbrëmë”, tha Thaçi para mediave.

Edhe Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partia e tij e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe  ka ftuar të gjitha partitë politike të vazhdojnë “traditën e krijuar deri më sot në respektimin e aktgjykimeve të Kushtetueses”.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se e përshëndet aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij i hap rrugë formimit të Qeverisë së re.

Ndërkaq, ShBA ka kërkuar nga të gjitha institucionet dhe partitë politike në vend që ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!