(Ilustrim) Foto: ZKM

Rritja e pensioneve para zgjedhjeve, "çështje votash e jo mirëqenie"

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur pensionet për 20 për qind – katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, po konsiderohet tentativë për blerje të votave më shumë sesa rritje që përmirëson jetesën dhe standardin social të pensionistëve në Kosovë.

Përfaqësuesit e skemave pensionale të prekura nga vendimi thonë se kjo rritje është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat jetësore bazuar në shkallën e inflacionit në vend. Ndërsa, njohësit e rrethanave politike këtë vendim e kanë konsideruar lëvizje që i shërben kryeministrit Albin Kurti për qëllime elektorale në prag të zgjedhjeve të caktuara më 09.02.2025.

Njazi Gashi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, thotë se nuk i gëzohen rritjes prej 20 euro në pensionin bazë, pasi sipas tij, rritja është dashur të ndodhë çdo vit.

“Rritja që është bërë nuk e kanë respektu ligjin, ne kemi nevojë për respektim të ligjit, e jo kur t’i teket kryeministrit e ministrit në rrethana fushataash zgjedhore me u mundu me na manipulu. Nuk janë rritur pensionet diku që shtatë vite. Tash mendojnë që ne kemi me u gëzu e ekzaltu me 20% që na kanë shtu. Rritja është dashtë me u bë çdo vit, me u vlerësu indeksi i kostos jetësore çdo vit dhe me deklaru a mund të rriten pensionet a nuk mund të rriten”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Neni 14 i Ligjit për skemat pensionale thotë se harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës do të bëhet një herë në vit duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në Indeksin e Kostos së jetesës të vitit paraprak.

Afrim Maliqi, drejtor i Handikos-it në Kosovë, tha për KALLXO.com se kanë mirëpritur rritjen e pensioneve për grupet e personave me aftësi të kufizuara, ndonëse thotë se konsiderojnë që kjo do të duhej të bëhej në bazë të ndonjë vlerësimi të nevojave të grupeve të shoqërisë dhe jo në mënyrë lineare për të gjithë, pasi që nevojat janë të ndryshme.

Ai tha se kanë kërkuar sqarime nga Qeveria dhe Ministria e Financave lidhur me përllogaritjen e pensionit për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Faton Klinaku nga OVL-UÇK ka deklaruar se vendimi për rritjen e pensioneve edhe për kategorinë e luftës është vendim që bëhet zakonisht në prag të fushatës zgjedhore.

“Vendim populist i cili bëhet në prag të fushatës elektorale. Arsyetimet që i japin për shembull për dëshmorët, ata janë të përcaktuar nga ligjet. Nuk ka pasur nevojë të tregojë opinionit për ndarjen e kategorive të luftës. Ka pasur nevojë vetëm me thanë këta i rris pensionet për viktimat, dëshmorëve ose të zhdukurve për 20%. Nuk ka nevojë të manipulojë opinionin se po e bën ndryshe nga të tjerët. Natyrisht po mashtron”- ka thënë Klinaku.

“Tentativë për blerje të votave”

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë që vendimi për rritje të pensioneve në prag të zgjedhjeve parlamentare është tentativë për të fituar mbështetje elektorale.

Profesori universitar dhe politologu Dritëro Arifi ka thënë për KALLXO.com se vendimi për rritje të pensioneve në këtë kohë mund të jetë veprim i diskutueshëm nga perspektiva etike dhe demokratike.

“Edhe në të kaluarën ka pasur këso tentativa, por ne duhet të përmirësohemi jo të marrin shembull qeveritë e kaluara, pikërisht kjo qeveri ka trumpetuar si do ta bëjë këtë kur të vijë në pushtet dhe prapë nuk bëri asgjë”- ka thënë ai.

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka thënë secili vendim që merret pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, që përfshin rritje të pagave, pensioneve, ose dhënie të subvencioneve, tenderëve apo licencave (që nuk kanë qenë të parapara më herët), është formë klasike e abuzimit me resurse publike për qëllime elektorale.

“Është e domosdoshme që qeverive t’u kufizohet vendimmarrja për çështje që mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor”- ka shkruar ai ne Facebook.

Edhe Arifi thotë se në Kosovë ka zbrazëti të madhe ligjore sepse nuk ka ndalesë të qartë që e ndalon Qeverinë për rritje te pagave, pensione e masa të tjera ekonomike prej kur shpallen zgjedhjet, dhe sipas tij kjo e dëmton etikën dhe demokracinë e qeverisjes.

“Mund ta marrin shembull Spanjën e ka një urdhëresë që quhet periudha elektorale dhe vendimet e qeverisë që e ndalon qeverinë të marrë veprime për rritje të pagave e këso gjëra sidomos prej ditës kur dihen zgjedhjet, pastaj e kemi Francën që ndalohen vendime të mëdha në fund të mandatit, për ta evituar favorin elektoral. Kemi Australinë, Kanadën pak a shumë të njëjtat kondita se si duhet të sillet një qeveri”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Rritja e pensioneve nuk i përgjigjet rritjes së inflacionit

Profesori Fakultetit Ekonomik, Nagip Skënderi, thotë se duke u nisur nga fakti se ekonomia e vendit është duke u ballafaquar me inflacion, rritja e pensioneve është rritje simbolike.

Sipas tij, do të duhej që rritje të pensioneve të këtë dy herë në vit, në mënyrë që të përcillet trendi i ngritjes se çmimeve në treg, e të mos vështirësohet standardi jetësor i tyre, e jo rritje simbolike pas 5 vitesh.

Në një përgjigje për KALLXO.com ai thotë se shuma e pensionit do të duhej të ishte jo më pak së 400 euro në muaj për të ruajtur sadopak standardin social.

“Kjo është një rritje simbolike që si rezultat ka vetëm fushatën parazgjedhore dhe assesi përmirësimin e jetës dhe standardit social të pensionisteve, e nuk i përgjigjet rritjes inflacioniste. Rritja prej 20 euro është e pamjaftueshme kur dihet që pensionistët pjesën dërrmuese të të ardhurave të tyre nga pensionet e shpenzojnë për barna dhe medikamente mjekësore”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor dukshëm qëndrojnë më mirë se Kosova në këtë aspekt.

“Mali i Zi prin sa i përket shumës së marrë nga pensionistët (mbi 500 euro, e që në këtë vend pothuajse është “traditë” të rritet tre herë brenda vitit), të pasuar nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria që ka pothuajse njëjtë si Kosova”- ka thënë ai.

Më 07.10.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë rritur pensionet për disa skema pensionale.

Kurti tha se janë rritur pensionet 20% për pensionin bazik, kontributdhënësit, personat me aftësi të kufizuara, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë e personat e verbër, invalidor i punës dhe për ish-punëtorët e Trepçës.

Deri tani pensioni bazë ishte 100 euro, ndërsa pensionet e tjera deri në 265 euro.

Rritja e fundit e pensioneve, në 100 euro, u bë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e Kosovës e miratoi në kohën e pandemisë COVID-19.