Foto: FFK

Rritja e futbollit të Kosovës, domosdoshmëri për investime në infrastrukturë

Ndërsa ekipi kombëtar i futbollit i Kosovës bëhet gjithnjë e më i fortë, duke sfiduar të gjitha pritshmëritë, menaxherët dhe ekspertët thonë se vendi tani duhet të punojë në përmirësimin e infrastrukturës së tij sportive të lënë pas dore.

 

Njëmbëdhjetë djem kosovarë që ndjekin një top në një fushë futbolli në Sofje kanë eklipsuar eventet që shënojnë 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, kur ata morën një fitore dramatike në minutën e fundit kundër Bullgarisë.

Si pjesë e Grupit A të UEFA-s në kualifikueset për EURO 2020, ekipi i Kosovës do të garojë me Anglinë, Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Në tri ndeshjet e para, Kosova barazoi me Bullgarinë në shtëpi dhe me Malin e Zi në fushën e tyre ndërsa fitoi një ndeshje të mrekullueshme në ndeshjen e dytë kundër Bullgarisë në Sofje më 10 qershor.

Pas një kualifikimi zhgënjyes në Kupën e Botës dy vjet më parë, shanset e Kosovës për t’u kualifikuar në garën më të lartë të futbollit në Europë duken më të mira se kurrë.

Suksese të mëdha në vetëm pak vite

Foto: Atdhe Mulla

Së bashku me Gjibraltarin e vogël, ekipi i Kosovës është më i riu në Europë, pasi u pranua në Federatën Botërore të Futbollit, FIFA dhe UEFA-n e Europës vetëm tre vjet më parë.

Deri atëherë, ekipet e Kosovës nuk mund të konkurronin në nivel ndërkombëtar. Më pas, dy vjet para se ta pranonte atë, FIFA ra dakord të lejonte ekipin të luante të ashtuquajturat “miqësore” me vendet e tjera nën kushte të veçanta.

Në kualifikueset e tyre të para për Kupën e Botës në Rusi këtë vit, Kosova u rendit keqazi në fund të grupit të saj, me vetëm një barazim në 10 ndeshje të luajtura.

Gjatë pothuajse tyre dekadash, ekipi i Kosovës ka marrë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për pranimin ndërkombëtar derisa vendi fitoi anëtarësimin e plotë në FIFA dhe UEFA në vitin  2016.

Në vitin 2012, gazetari veteran sportiv Xhavit Kajtazi botoi një libër, “Futbolli i Kosovës, nga robëria në liri (1991-1999)”, i cili ofronte fakte dhe imazhe rreth futbollit në Kosovë që nga shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

Ndër imazhet më të habitshme në libër janë fotografitë e futbollistëve që përdorin lumenjtë për “dushet” e tyre pas lojës.

Arrin viti 2019 dhe Kajtazi thotë se ekipi i Kosovës po arrin rezultate të mira në futboll, gjë që i ka zënë në befasi shumë ekspertë.

“Fitorja e fundit kundër Bullgarisë dhe rritja e saj e shkëlqyer në renditjen e FIFA-s kanë treguar qartë se Kosova ka potencialin, njohurinë, cilësinë dhe vullnetin për sukses,” tha Kajtazi për BIRN duke iu referuar renditjes mujore të FIFA-s, në të cilën Kosova u ngjit me gjashtë vende në qershor, në vendin e 121-të.

Kajtazi thotë se trajneri kombëtar Bernard Challandes po korr frytet e punës së paraardhësit të tij Albert Bunjaki – megjithëse ky i fundit e la postin e tij pa asnjë fitore në ndeshjet e para kualifikuese të Kupës së Botës “Rusi 2018”, gara e parë ndërkombëtare në të cilën mori pjesë Kosova.

“Bunjaki udhëtoi nëpër botë, duke punuar si bletë për të takuar lojtarët dhe prindërit e tyre dhe t’i bindte ata të jenë pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës. Unë mendoj se ai ka pasur sukses në këtë,” thotë Kajtazi.

Federata e Futbollit e Kosovës tani pretendon një listë prej më shumë se 180 lojtarësh me origjinë kosovare të cilët po korrin sukses në Ligat perëndimore, sidomos në Zvicër, ku klubet e futbollit janë plot me futbollistë kosovarë.

“Ai la pasuesit të tij, Challandes, një listë me lojtarë që luajnë për klube të njohura europiane … i cili tani po korr frytet e kësaj pune,” thotë Kajtazi.

Por ndeshjet më të vështira për Kosovën priten akoma të vijnë. Me dy ndeshje të rëndësishme kundër Republikës Çeke dhe Anglisë në shtator, menaxheri i Kosovës Bekim Isufi këshillon durim.

“Ne duhet të mendojmë se ky është vetëm fillimi dhe të mos jemi shumë euforik. Djemtë kanë nevojë për mbështetje, pa asnjë ngarkesë psikologjike,” tha Isufi për BIRN.

Vite mungese investimesh kanë pasoja

Foto nga libri Futbolli i Kosovës, nga robëria në liri (1991-1999)”, i Xhavit Kajtazit.

Jashtë fushës, sporti në Kosovë në përgjithësi po lufton për të kapërcyer vite të tëra mungese investimesh në infrastrukturë.

Për pothuajse dy vjet, tifozët e Kosovës janë dashur të udhëtojnë në qytetin verior shqiptar të Shkodrës për të parë skuadrën e tyre kombëtare të luajë ndeshjet në shtëpi, pasi vendi nuk kishte stadium që përmbush standardet e vendosura nga FIFA.

Në vitin 2018, pas disa lajmërimeve nga FIFA, Federata e Futbollit arriti të përmirësojë stadiumin kryesor të Prishtinës, i cili tani pret ekipin kombëtar.

Katër ditë pas fitores në dhe me Bullgarinë, Kosova zbuloi një projekt të madh – një stadiumi të ri kombëtar me 30,000 vende, i cili do të ndërtohet rreth 30 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Ministri i sporteve Kujtim Gashi thotë se shpreson që ndërtimi do të fillojë “brenda disa muajsh”.

“Mendoj se do të kemi një stadium që i plotëson kërkesat e futbollistëve tanë,” tha Gashi.

Projekti i stadiumit të ri nacional të Kosovës

Për Xhavit Kajtazin, infrastruktura mbetet çështja “më e dhimbshme” për sportet në Kosovë. “Pasojat e luftës për pavarësi nga Serbia mbeten të pranishme në të gjitha kategoritë sportive edhe tani, 20 vjet më pas,” thotë ai

“Për mua, është e pakuptueshme që një ekip që është bërë kampion i Kosovës nuk ka ende një stadium adekuat apo qendër sportive për ndeshje dhe stërvitje,” shton ai.

Edhe pse ka pasur disa përmirësime në infrastrukturë, ai thotë se ekipet në Kosovë “vazhdojnë të stërviten dhe të luajnë në fusha të cilat nuk i përmbushin aspak kërkesat”.

Futbolli po ndihmon në formësimin e identitetit kombëtar

Shumica e lojtarëve aktualë të ekipit kombëtar kanë lindur jashtë Kosovës nga prindër që kanë qenë të detyruar të emigronin për shkak të presioneve politike nga ish-regjimi serb dhe Sllobodan Millosheviçi.

Menaxheri i ekipit Challandes, i cili është nga Zvicra, pranon se ai e përdor këtë pjesë traumatike të historisë kombëtare për të motivuar lojtarët e tij.

“Unë u kam folur atyre për historinë e Kosovës, e cila ka vuajtur shumë,” kujton ai pas ndeshjes fitimtare në Sofje.

“U thashë se ata nuk janë si lojtarët e tjerë, duke marrë parasysh vuajtjet e prindërve të tyre dhe të brezave të kaluar në Kosovë. Ata ishin të mrekullueshëm sonte. Është e qartë se ata luajtën për Kosovën,” shtoi ai.

Presidenti i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, pajtohet se edhe pse shumica e lojtarëve janë rritur larg nga vendi i tyre, ata i marrin seriozisht detyrat e tyre patriotike.

“Pothuajse 90 për qind e tyre kanë lindur jashtë Kosovës, por Kosova është vendlindja e prindërve të tyre dhe ata kanë sjellë në skuadër shumë patriotizëm dhe seriozitet,” tha Ademi për TV Dukagjini javën e kaluar, i cili e mori drejtimin e federatës pas vdekjes së Fadil Vokrrit në qershor të vitit të kaluar.

“Ata e konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre dhe janë të gatshëm të japin gjithçka për të,” shtoi ai.

Më shumë lojtarë pritet t’i bashkohen ekipit nga klubet europiane.

Në përpjekjen e saj të fundit, Kosova rrëmbeu një ish-kapiten të ekipit kombëtar të të rinjve të Serbisë, Arton Zekaj, një mesfushor 19-vjeçar me origjinë kosovare, i cili ka lindur në Beograd.

Aktualisht luan për Lille në Francë, ai do të ketë të drejtë të mbajë fanellën e Kosovës nga shtatori.

Mbrojtësi i klubit holandez SC Heerenveen, Ibrahim Dreseviç, 22 vjeç, i lindur në Suedi nga prindër shqiptarë etnikë nga Mali i Zi, së fundmi mori nënshtetësinë e Kosovës dhe gjithashtu pritet të luajë për Kosovën.

Që nga formimi i ekipit kombëtar, ka pasur polemika të ashpra në media dhe në rrjetet sociale nëse Kosova duhet të ketë një ekip kombëtar, pasi ekipi kombëtar i Shqipërisë më parë hapi dyert për lojtarët me origjinë kosovare.

Por rezultatet e fundit të ekipit të Kosovës e kanë shuar debatin, me ata që e mbështesin ekipin kombëtar të Kosovës si fitues të qartë.

Fadil Maloku, një profesor dhe sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë se “magjia sportive” e Kosovës po ndihmon në formësimin e identitetit të saj social, politik dhe madje ekonomik.

“Fitoret po dërgojnë një mesazh të qartë politik sepse sot sportet janë bërë një industri që formëson ndjenjën kombëtare, sociale dhe kulturore. Kjo po ndodh me ekipin kombëtar të Kosovës,” thotë Maloku.

“Ai po forcon nevojën për një proces të ndërtimit të shtetit, megjithëse do të ishte gabim të mendojmë se kjo mund të çojë në profilizimin e një identiteti të ri etnik dhe kombëtar për Kosovën – sepse ky identitet tashmë ka ishte atje,” shton ai.

Por Bekim Isufi, i cili vitin e kaluar e shtyu klubin e futbollit Drita në raundet e parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, sheh “ndryshime të dukshme” midis lojtarëve me origjinë kosovare që luajnë në Europë dhe atyre që luajnë për ekipet e Kosovës.

“Futbollistët që luajnë jashtë Kosovës janë pjesë e garave më të forta dhe kjo rrit cilësinë e tyre, për shkak të kushteve më të mira,” thotë ai. “Kosova ka talent, por ka nevojë për klube më profesionale që të jetë gati për një ekip kombëtar.”

“Ata kanë nevojë për infrastrukturë më të mirë dhe menaxherë të trajnuar që janë në përputhje me kërkesat moderne të futbollit,” shton Isufi.

Me vetëm tre vjet në arenën ndërkombëtare, megjithatë, shumica e ekspertëve pajtohen se ekipi kombëtar i ka tejkaluar shumë herë ato që dikur ishin pritshmëri modeste.

Sipas opinionit të Xhavit Kajtazit, Kosova duhet të trajtojë sa më parë çështjen e ngutshme të infrastrukturës së vjetër.

“Nëse shtetet e tjera ecin me 100 km/orë, ne duhet të ecim me 300 km/orë – përndryshe do të mbetemi pas,” paralajmëron ai.