Foto: Loreta Cuka, BIRN

Rritet numri i pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve nëpër komuna

Që prej vitit 2016 prej kur Qeveria e Kosovës e miratoi Udhëzimin Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshorteve, është vërejtur ndjeshëm ngritja e numrit të pronave të paluajtshme të cilat bashkëshortët po i regjistrojnë në emër të përbashkët.

Përpos këtij udhëzimi administrativ rol pozitiv në ngritjen e numrit të pronave të paluajtshme të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve, po konsiderohet se kanë luajtur fushatat e shumta të organizuara edhe nga organizatat jo qeveritare.

Sefadin Blakaj noter në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se viteve të fundit vërehet ndjeshëm rritje në numrin e pronave të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve.

Blakaj tha se nga puna e përditshme me palë vetëm në dy-tri vitet e fundit ka arritur të vërej ngritje të numrit të pronave të cilat po regjistrohen në emër të të dy bashkëshorteve si dhe sipas tij dukshëm është rritur edhe pjesëmarrja e qytetarëve respektivisht pjesëmarrja e të dy gjinive në diskutimin e kontratave pronësore.

E sipas Blakajt ndikim të madh në ngritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshorteve kanë pasur fushatat e shumta që janë bërë me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve por që sipas noterit ndikim ka pasur edhe pjesëmarrja në vendimmarrje e të dy bashkëshorteve.

Infografika: Kallxo.com

“…Në këto trendë kanë ndikuar edhe shumë fushata që janë bërë në kuptim të promovimit të vendosjes së pronësisë së qytetarëve sidomos pronave banesore dhe ambienteve të shtëpive në emrin e që të dy bashkëshorteve. Gjithashtu ka ndiku edhe dëshira dhe pjesëmarrja më reale ose pjesëmarrja edhe në vendimmarrje e të dy bashkëshorteve pa marrë parasysh gjinia apo mosha, në këtë kuptim çdo ditë vërehen ndryshime”, tha noteri Sefadin Blakaj.

Me qëllim të pasqyrimit të gjendjes reale nëpër komuna, BIRN u ka kërkuar komunave të Kosovës të dhënat statistikore lidhur me regjistrimin e pronave në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve.

Këto të dhëna statistikore janë kërkuar për periudhën 2018/2019.

Nga të dhënat statistikore të cilat i kemi pranuar nga 11 komuna të Kosovës kemi kuptuar që ka rritje të numrit të pronave të paluajtshme të cilat qytetarët i kanë regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Hulumtimi i BIRN-it vë në pah se komuna e Prizrenit është komuna e cila ka pasur rritjen më të madhe në numrin e regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshorteve.

Në vitin 2018, në komunën e Prizrenit ishin vetëm 13 prona të paluajtshme të regjistruara në emër të të dy bashkëshorteve ndërsa fund viti i 2019-ës këtë komunë e gjen me 120 prona të paluajtshme të regjistruara bashkërisht në emër të burrit dhe të gruas.

Rritje ka shënuar edhe komuna e Lipjanit, e cila në vitin 2018 kishte vetëm 79 prona të shënuara në bashkëpronësi të dy bashkëshorteve ndërsa deri në nëntor të vitit 2019 të dhënat tregojnë se nga gjithsejtë 139 prona të paluajtshme, 73 janë regjistruar në emër të dy bashkëshortëve dhe 66 prona të tjera janë në emër të grave.

Nga të dhënat që i kemi pranuar nga komuna e Pejës kemi kuptuar se në vitin 2018 në këtë komunë janë regjistruar 219 prona të paluajtshme në emër të të dy bashkëshorteve ndërsa në vitin 2019 ky numër ka shënuar rritje duke arritur kështu në 291 prona të paluajtshme që çiftet nga Peja kanë vendosur ti regjistrojnë në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Në Komunën e Gjilanit është vërejtur një ndryshim më i vogël në numrin e pronave që janë regjistruar në emër të të dy bashkëshortëve.

Në qytetin e Gjilanit në vitin 2018, 58 çifte i regjistruan pronat në emër të përbashkët ndërsa në vitin 2019, 77 çifte e regjistruan pronën në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Komuna e Deçanit na ka informuar se gjatë këtij viti në këtë komunë 33 çifte e kanë regjistruar pronën në emër të përbashkët ndërsa sipas të dhënave të tjera në këtë komunë po gjatë këtij viti janë regjistruar edhe 57 prona të paluajtshme në emër të grave.

Në komunën e Shtimes vërehet se vitin e kaluar 28 persona i regjistruan pronat në emër të përbashkët me bashkëshortet ndërsa deri në nëntor të këtij viti 42 persona të tjerë kanë vendosur që pronën ta regjistrojnë në emër të përbashkët të të dy bashkëshorteve.

Në komunën  e Istogut në vitin 2018, 90 çifte e regjistruan pronën në emër të përbashkët ndërsa këtë vit kjo komunë na ka informuar se 98 çifte të tjera e regjistruan pronën bashkërisht.

Edhe në komunën e Vushtrrisë, krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje të vogël.

Në vitin 2018 në këtë komunë 40 prona u regjistruan në emër të të dy bashkëshortëve ndërsa gjatë këtij viti 70 prona të tjera janë regjistruar në emër të të dy partnerëve, si burrit ashtu edhe gruas.

Komuna e Gllogocit na ka informuar se gjatë këtij viti në këtë komunë 27 prona janë regjistruar në emër të përbashkët si të burrit ashtu edhe gruas.

E nga të dhënat të cilat i kemi pranuar nga komuna e Gjakovës kemi kuptuar se për dallim nga komunat e tjera në këtë komunë vërehet ulje e numrit të pronave të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshorteve.

Në vitin 2018, 255 prona të paluajtshme janë regjistruar në emër të të dy bashkëshortëve por këtë vit ky numër ka pësuar ulje. Në vitin 2019 në komunën e Gjakovës 211 çifte i regjistruan pronat në emër të përbashkët.

Përpos komunës së Gjakovës e cila ka pësuar ulje në numrin e pronave të regjistruara në emër të burrit dhe gruas, komuna e Rahovecit nuk ka pësuar fare ndryshim.

Njëjtë si vitin e kaluar edhe këtë vit në komunën e Rahovecit vetëm 2 prona janë regjistruar në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve, duke shënuar kështu numrin me të vogël të pronave nëpër komuna të cilat çiftet kanë vendosur ti regjistrojnë në emër të përbashkët.

Udhëzim Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve i liron nga pagesa çiftet bashkëshortore që i regjistrojnë pronat për herë të parë.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzimi Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve, është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

BIRN në vazhdimësi e ka monitoruar respektimin e këtij udhëzimi administrativ nga Komuna e Kosovës si dhe ka raportuar lidhur me regjistrimin e pronave të zyrtareve të lartë.

BIRN ka kontaktuar afro 2 mijë zyrtarë të lartë të vendit për të parë nëse janë duke e respektuar Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Por, gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se as 5% e këtyre zyrtarëve të lartë nuk janë duke e respektuar këtë Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Sa i përket hulumtimit për kryetarët e komunave, nga 16 përgjigje që kemi pranuar, vetëm 4 prej tyre kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me gratë e tyre.

42 Kandidatë nuk e Kanë Regjistruar Pronën Bashkë me Gratë

Hulumtimi i BIRN-it ka treguar se vetëm 35 nga 1.304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Pjesë e hulumtimit ishin tw gjithë zyrtarët e lartë të vendit, duke filluar nga kryetarët e komunave, nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, gjykatësit, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e ministrive, drejtorët e rajoneve policore, deputetët e deri te presidenti e kryeministri.

Vetëm 4 gra të kryetarëve të komunave kanë pronë

E nga 121 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga ata të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona, kemi kuptuar se vetëm 13 deputetë posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Ligji për Familjen i Kosovës si pasuri të veçantë të bashkëshortëve parasheh pasurinë e cila i ka takuar bashkëshortit në çastin e lidhjes së martesës, e cila do të mbetet pasuri e veçantë e tij.
Pasuria e veçantë është gjithashtu edhe pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së martesës përmes trashëgimit, dhurimit apo ndonjë forme tjetër ligjore të fitimit të pasurisë.

Në bazë të këtij ligji si pasuri e përbashkët e bashkëshortëve konsiderohet pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës, si edhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë.

Bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët.