Foto: KALLXO.com. 15.07.2022

Rritet çmimi i peletit në Kosovë, 1 ton kushton deri në 400 euro

Peleti, lënda djegëse e cila përdoret për ngrohje është shtrenjtuar. Çmimi për një ton pelet aktualisht arrin deri në 400 euro, ndërsa një vit më parë e njëjta sasi e peletit ka kushtuar rreth 250 euro.

Peleti është biomasë për ngrohje dhe fitohet përmes përpunimeve mekanike të mbetjeve të drurit të përpunuar (tallashit) nën presion të lartë.

Peleti përdoret për ngrohje në institucione dhe shkolla në vitet e fundit, ndërkaq përdorimi i saj është zgjeruar në masë të madhe edhe të qytetarët.

Rritja e çmimit të kësaj lënde djegëse po konsiderohet e pa përballueshme për xhepin e disa prej qytetarëve që ngrohen me pelet.

Gentrit Canolli, qytetar nga Prishtina i cili ngrohet me pelet thotë për KALLXO.com se vitin e kaluar një ton pelet e ka blerë 220 euro.

“Vitin e kaluar e kam ble një ton pelet 220 euro. Ketë vit nuk e kam blerë ende. Unë shpenzoj rreth katër ton. E kem mendu me kthye me rrymë se është e papërballueshme”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Një tjetër qytetarë ka thënë se ketë vit nuk e di nëse do të ngrohet me pelet për shkak të çmimit që po qarkullon aktualisht.

“Ketë vit nuk e di a do të blejmë për shkak të rritjes së çmimit, për neve si qytetarë është shtrenjtë”, ka thënë I. Sh. për KALLXO.com.

Nga kompania “Gorenje” kanë thënë për KALLXO.com se kjo rritje të çmimit nuk varet nga kompanitë tregtare, por nga shtrenjtimet e lëndës së parë për prodhuesit e peletit.

“Për momentin toni i peletit është 400 euro. Vitin e kaluar në periudha të ndryshme ka pasur ndryshim çmimi dikund ka qenë deri në 250 euro një ton pelet gjatë vitit të kaluar. Shkaku i mungesës së prodhimit ka ardhë deri në ketë çmim, edhe shtrenjtimi i çmimit të lëndës së parë edhe ndryshimi i çmimeve tjera”, ka thënë zëvendës menaxheri i kësaj kompanie, Endrit Haxhiaj për KALLXO.com.

Ai ka thënë se prej fillimit të vitit 2022 janë përballur me mungesë të kësaj lënde djegëse.

“Për momentin është ende herët, ka pasë mungesa prej fillimit të vitit, për momentin ka sasi por nuk mundemi me ditë a ka më pas gjatë krejt vitit”, ka thënë Haxhiaj për KALLXO.com.

Ndërsa nga Kompania “Pelet Kosova”, të cilët merren me shitjen e peletit kanë thënë për KALLXO.com se ka mungesë sepse sasia e peletit që është duke u importuar në Ballkan është e vogël.

“350 euro kushton prodhimi i Kosovës, 420 euro kushton ai nga Mali i Zi”, ka thënë Petrit Ejupi, përfaqësues i shitjes në ketë kompani.

Disa prej kompanive tjera në kryeqytet, që viteve të kaluara kanë shitur pelet, kanë thënë për KALLXO.com se ketë vit ende nuk janë furnizuar me ketë lëndë djegëse.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kompaninë “Jeta H “ në Deçan, kompani kosovare që bën prodhimin e peletit.

Pronari i kompanisë, Nysret Hasanmetaj ka thënë se aktualisht ka më shumë interesim nga tregtarët për të blerë pelet.

Hasanmetaj ka thënë se ka mungesë të lëndës së parë për prodhimin e peletit.

“Është duke u shitur dikund rreth 300 euro. Ka mungesë të peletit sepse nuk ka lëndë të parë dhe është shtrenjtuar lënda e parë. Lëndën e parë e blejmë në Kosovë, por nuk po ka dru, nuk po lejohet nga Qeveria prerja e drurëve. Prej tregtarëve kam më shumë interesim sepse prej jashtit më duket që nuk po hyn pelet ketë vit për ketë arsye”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Të dhënat nga Dogana tregojnë që Kosova gjatë vitit 2021 Kosova ka importuar në total 46, 646 ton pelet që ka kushtuar 6 milionë e 320 mijë euro.

Ndërsa, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti Kosova ka importuar 9, 377 ton pelet që ka kushtuar 1 milion e 719 mijë euro.

Vendet prej të cilave ka importuar pelet Kosova gjatë vitit 2022 janë Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Bosnja dhe Hercegovina.