Kartela bankare - Foto: REL/TASS

Rriten ankesat ndaj bankave në Kosovë

Konsumatorët në Kosovë thonë se shërbimet bankare po bëhen më të lehta dhe po marrin më pak kohë, por po kushtojnë më shumë.

 

Banka Qendrore e Kosovës thotë se ankesat e konsumatorëve për industrinë e shërbimeve financiare pothuajse u trefishuan midis viteve 2014 dhe 2018, duke reflektuar atë që kritikët e bankave të vendit thonë se është mungesa e transparencës.

Konsumatorët e kontaktuar nga BIRN raportuan përvoja të tilla si pamundësia për të marrë një kopje të kontratës së llogarisë, tarifa të larta dhe norma interesi për kreditë dhe tërheqjet ‘fantazmë’ të parave.

Duke folur për televizionin Kohavision më 15 mars, Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti tha se rritja e numrit të ankesave – nga 353 në 2014 në 927 në 2018 – ishte rezultat i edukimit më të madh të konsumatorëve. Por jo të gjithë janë të bindur.

“Konsumatorët në Kosovë janë jo vetëm të pambrojtur por edhe të diskriminuar nga bankat”, tha Naim Gashi, një profesor universitar i Ekonomisë.

“Institucioni që ka një detyrim ligjor për të mbrojtur qytetarët – Banka Qendrore e Kosovës – është shndërruar në një shoqatë bankare. Në vend që të mbrojë interesat e të gjitha palëve në industrinë bankare, ajo është bërë një palë, si bankat, në varfërimin e qytetarëve dhe në dëm të bizneseve”, shtoi ai.

Kontrata nuk është e disponueshme

Një klient i TEB-it, një ndërmarrje e përbashkët e BNP Paribas dhe një nga bankat më të mëdha në Kosovë, tha për BIRN në kushte anonimiteti se ata kishin kërkuar vazhdimisht një kopje të kontratës së tyre të llogarisë, por ishin refuzuar, në shkelje të dukshme të ligjit.

I pyetur për rastin, TEB tha për BIRN: “Klientët që nënshkruajnë një marrëveshje kontraktuale marrin një kopje dhe origjinali mbetet në bankë. Nëse një klient nuk ka marrë një kopje ata janë të mirëpritur të vijnë për ta marrë atë.”

Një ankesë kundër TEB-it u paraqit nga Lisa Frey, një shtetase e huaj që punonte në Kosovë, e cila tha se ishte përpjekur të tërhiqte para nga një bankomat i TEB-it por iu tha: “Banka juaj nuk po përgjigjet” dhe transaksioni është anuluar. Kur Frey kontrolloi llogarinë e saj, të cilën ajo e mbante në një bankë tjetër, megjithatë, paratë u hoqën.

Frey i postoi shqetësimet e saj në një grup në Facebook të quajtur ‘Prishtina Network’, i cili përmbante postimet e të huajve të tjerë në Kosovë, të cilët thanë se kishin përjetuar probleme të ngjashme.

Frey tha për BIRN se ajo menjëherë e raportoi këtë çështje tek TEB. “Ata thanë se duhej të kontaktonim bankën tonë dhe ata nuk mund të bënin asgjë” tha ajo. “Kam postuar në këtë faqe publike për të paralajmëruar të tjerët dhe kam mësuar se disa ndërkombëtarë gjithashtu kishin të njëjtat probleme brenda atyre 48 orëve, në bankomatet e TEB-it anembanë Kosovës”.

I pyetur për rastin, TEB tha për BIRN se nuk kishte regjistruar ndonjë çështje të veçantë me bankomatet.

“Shërbimi ynë ATM operon me dy licenca nga kompanitë botërore (VISA dhe MasterCard)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Çmimet e larta

Banka Qendrore e Kosovës

Klientë të tjerë janë ankuar për rritjen e tarifave të paparalajmëruara, dhe në përgjithësi tarifat e larta dhe normat e interesit për kreditë.

“Bankat nganjëherë duan konsumatorë të paarsimuar, në mënyrë që banka t’u shtojë pagesa të paarsyeshme”, tha një klientë e bankës e cila tha se quhej Samira.

“Kur isha duke studiuar në Gjermani, tarifat e ngarkuara nga banka që kam përdorur atje ishin shumë më të lira”, tha ajo për BIRN.

Gashi, profesor i ekonomisë, tha se normat e larta të interesit për kreditë nënkuptonin se bankat “po fusin bizneset në kredi të cilat ata kurrë nuk mund t’i kthejnë”.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i Bankës Qendrore, tha për BIRN se normat e interesit për kreditë kanë rënë, nga mesatarisht 6.8 për qind në dhjetor 2017 në 6 për qind në dhjetor 2018. Por ato janë më të larta se sa në vendet fqinje të Kosovës si Serbia dhe Shqipëria.

Në gusht të vitit të kaluar, norma e përbërë e interesit për kreditë e bizneseve në Bashkimin Evropian ishte 1.65 për qind dhe 1.81 për qind për individët.

“Ka dëshmi të pamohueshme që bankat komerciale në Kosovë kanë marrëveshje sekrete oligopole për të mbajtur norma dhe shërbime të larta interesi, por kjo nuk është hetuar asnjëherë nga institucionet kompetente”, tha Gashi për BIRN.

Autoriteti i Konkurrencës tha për BIRN në janar se ai kishte autorizuar një hetim paraprak për “rastin e bankave dhe praktikat ilegale në treg, por ende nuk ka marrë një vendim” për të filluar një hetim të plotë.

‘Sektori më transparent’

Nga numri i përgjithshëm i ankesave të vitit të kaluar, 66 për qind ishin për bankat dhe pjesa tjetër kishte të bënte me sektorin e sigurimeve. 42 për qind u zgjidhën në favor të ankuesve, tha guvernatori i Bankës Qendrore, Mehmeti për Kohavision.

Ahmeti, zëdhënësi i Bankës Qendrore, tha se kur një institucion zbulohet se shkel ligjin, Banka Qendrore zbaton sanksione administrative dhe financiare.

Asociacioni Bankar i Kosovës gjithashtu mbrojti punën e anëtarëve të saj.

“Sektori bankar është sektori më transparent në Kosovë pasi ka një kornizë legjislative dhe rregullative që parasheh transparencë të lartë dhe mbikëqyrje të ngushtë nga Banka Qendrore e Kosovës”, tha për BIRN, Petrit Balijaj, udhëheqës i këtij Asociacioni.

Përveç Bankës Qendrore, Ministria e Tregtisë gjithashtu ka një Departament të Mbrojtjes së Konsumatorit. Ky departament tha për BIRN se legjislacioni në Kosovë për mbrojtjen e konsumatorit është harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian.

Dhjetë banka veprojnë në Kosovë. Raiffeisen Bank, ProCredit Bank dhe TEB Bank llogariten përfshijnë 63 për qind të tregut, sipas një studimi të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës bazuar në qarkullimin vjetor të bankave.