Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Rrenat e Ramush Haradinajt në 678 ditë qeverisje

Kryeministri në dorëhqje i Kosovës, Ramush Haradinaj do të mbahet mend për vendime të shumëpërfolura, si për kalimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, rritjen e pagës për vete, formimin e Ushtrisë  apo taksën 100 për qind ndaj Serbisë e Bosnjës, por ai do të kujtohet edhe për dhjetëra rrena që ua tha qytetarëve të Kosovës.

Haradinaj në shumë raste ka qenë kryefjalë e Krypometrit të KALLXO.com, ku rrenat e tij përfshinin deklarime për fusha të ndryshme, megjithëse ka pasur edhe pak raste kur ai është cituar për mbajtje të fjalës.

Një nga rrenat më të shpeshta të kryeministrit në largim, është premtimi, por edhe urimi që ai e ka thënë për liberalizimin e vizave, ndonëse drita e gjelbër për lirinë e lëvizjes nuk është ndezur akoma.

“Urime, urime Kosovë”, pati thënë Haradinaj një vit më parë, por premtimi i Haradinajt për vizat, nuk ka sosur as deri në ditët e fundit të tij si kryeministër i Kosovës.

Së fundmi, kryeministri i dorëhequr ia huqi edhe për vendimin e shumë përfolur aktualisht të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

Haradinaj reagoi pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë i tërhoqi akreditimin institucional tri universiteteve publike pas rekomandimit të ekspertëve ndërkombëtarë.

Në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj deklaroi se është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri universiteteve publike.

Por në fakt, këto tri universitete publike nuk do të mbyllen, sepse tashmë kanë studentë të përfshirë në programe të ndryshme dhe institucionet e arsimit të lartë janë të obliguara që t’i përcjellin deri në fund të studimeve.

Vendimi i KShC-së nënkupton se këto institucione nuk do të mund të pranojnë studentë për vitin akademik 2019/2020 dhe se në vitin e ardhshëm akademik 2020/2021, do të mund t’i nënshtrohen përsëri këtij vlerësimi.

Përveç fushës së arsimit, Haradinaj ka zënë vend në Krypometër edhe sa i përket sistemit të drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e kishte kritikuar protestën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, duke e cilësuar si ndikim në sistemin e drejtësisë.

Por ai nuk kishte vepruar njësoj kur në shtator të vitit të kaluar, para Pallatit të Drejtësisë ishte mbajtur një protestë e ku qytetarë të shumtë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin mbledhur para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë për të protestuar për lirimin nga burgu të Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut.

Në mesin e protestuesve ishin edhe përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Më i  freskët është reagimi i kryeministrit në largim me rastin e dorëheqjes së prokurorit, Elez Blakaj që kishte hetuar listat e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Në muajin gusht të vitit 2018, në një intervistë për një nga televizionet vendore, Haradinaj e kishte quajtur “hajn dhe pishpirik”, prokurorin Blakaj.

Haradinaj në muajt sa qeverisi me Kosovën ishte pjesë e disa samiteve ndërkombëtare, por ai kishte rrejtë për organizimin e një mini-samiti në Kosovë.

Ideja e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mbajtur një takim të kryeministrave të rajonit në Kosovë në fillim të muajit prill, nuk është jetësuar asnjëherë.

Haradinaj deklaronte se parasheh që takimi ndërmjet kryeministrave të rajonit të mbahet në fillim të muajit prill.

Madje, ai kishte deklaruar se ftesë do t’i bëhet edhe kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq.

“Në fillim të prillit t’i ftoj kryeministrat e Rajonit, duke filluar nga kryeministrat e Rajonit, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, e pastaj shpresoj të Kroacisë, Bosnjës, e nëse vjen edhe e Serbisë, pse jo, edhe pse pak ma vështirë”, kishte deklaruar Haradinaj para kabinetit qeveritar më 5 mars të këtij viti.

Mirëpo, më 11 prill 2019 Haradinaj ka thënë se nuk e di se kur do i thërrasin lidërt në samit.

Kryeministri në largim gënjeu edhe lidhur me operatorin e Sistemit, Transmisionit të Energjisë në Kosovë (KOSTT).

Ai më 26 janar kishte shkruar se Operatori i Sistemit, Transmisionit të Energjisë në Kosovë (KOSTT) është certifikuar nga Bordi Rregullativ i Komunitetit të Energjisë (ECRB).

Por KOSTT nuk ishte certifikuar nga ECRB si Operator i Sistemit Transmetues por kishte marrë një opinion pozitiv nga ky Bord.

Opinioni pozitiv nga ECRB-ja nuk do të thotë vendim përfundimtar për certifikim, pasi KOSTT është në pritje të mendimit përfundimtar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

Kreu i ekzekutivit kosovar jo rrallë herë pati edhe qëndrime të ndryshme me pjestarë të qeverisë së tij.

Rasti më konkret ishte në kohën e grevës në arsimin parauniversitar. Derisa kryeministri në dorëheqje Haradinaj thoshte se e kanë dhënë ofertën e fundit për kërkesat e grevistëve, ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi deklarohej se do të kishte oferta të reja me qëllim që greva të ndalet dhe të vijojë mësimi nëpër shkollat e Kosovës.

Rritja e pagës për 100 për qind e Haradinajt, ishte njëri ndër vendimet më të kritikuara të qeverisjes së tij.

Edhe në këtë drejtim pati rrena.

Haradinaj kishte thënë se me votimin e Projektligjit për Pagat ka kërkuar që gjithë sektorëve t’i rriten pagat përveç kryeministrit dhe këtij të fundit t’i ulen të hyrat mujore nga pozita e udhëheqësit të qeverisë.

Kryeministri në largim, kishte paraparë që paga e tij do të ulet me miratimin e Projektligjit për Pagat në sektorin publik, megjithatë me miratimin e Projektligjit, të hyrat e tij do të mbesnin të njëjta në vitin e parë të zbatimit e ligjit.

Ulja e pazarit për heqjen e taksës

Kryeministri në largim i Kosovës Ramush Haradinaj, që prej vendosjes se taksës prej 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, kishte përmendur njohjen nga Serbia.

Edhe më 21 nëntor të vitit të kaluar, ai ishte deklaruar se vendimi hiqet vetëm pas njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia.

Në takimin me grupin e prodhuesve më 29 nëntor, kryeministri Haradinaj kishte thënë që taksa do të mbetet aq gjatë sa të mos ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia.

Edhe më 8 janar të këtij viti, kryeministri në dorëheqje ishte deklaruar ‘i palëkundur’ në qëndrimin e tij se taksa largohet vetëm pas njohjes nga Serbia.

Ndërsa me 14 janar 2019 ai ka thënë se vendimi për taksën mund të pezullohet vetëm pas garancisë se dialogu do të përfundojë me njohje.

“Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Prapë premtime për vizat

Zanafilla e premtimeve të Haradinajt për vizat ‘datonte’ që nga marrja e pushtetit nga ana e tij.

Më 30 maj 2018, Haradinaj kishte premtuar se me Qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe krejt Evropën.

Por Krypometri e cilësoi rrenë të kryptë këtë deklaratë të kryeministrit Haradinaj, pasi që patën kaluar 90 ditë prej kur ai kishte marrë drejtimin e Qeverisë dhe ende Kosova nuk e ka marrë dritën e gjelbër për liberalizim të vizave.

Edhe kur viti 2018 po numëronte ditët e tij të fundit, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj arriti të nxjerrë një premtim të fundit për liberalizim të vizave.

Në një konferencë pas mbledhjes së qeverisë, Ramush Haradinaj ka thënë se liberalizimi pritet të bëhet para përfundimit të këtij viti.

“Ne tani kemi dy kërkesa për BE-në e kemi normalizimi i dialogut dhe liberalizimi i vizave, këto dyja janë në proces kjo nuk ndërlidhet me taksën kjo është e ndame. Besoj se do ta marrim liberalizimin jo shumë larg, para Vitit të Ri, por kjo nuk ndërlidhet me taksën”, tha Haradinaj.

Megjithëkëtë, 2018-a shkoi, e vizat nuk u panë.

Në anën tjetër, nga vetë zyrtarët e BE-së ka pasur deklarata se liberalizimi mund të pritet në vitin 2020.

Edhe në pranverën e vitit 2018, avazi për liberalizimin e vizave nuk mbaronte.

Qeveria Haradinaj nuk i shqyrtoi kërkesat e sindikalistëve në fillim të mandatit

Kur kishte marr mandatin e kryeministrit, Ramush Haradinaj pati thënë se në mbledhjen e parë të Qeverisë do të ngriten shqetësimet e shprehura nga ana juaj (përfaqësuesit e BSPK-së).

“Nuk do të rrimë në pritje dhe do të ndërmarrim veprime konkrete në realizimin e kërkesave për të drejtat e punëtorëve në vend”, ka thënë ai.

Por, Krypometri e ka verifikuar se në asnjë nga 5 mbledhjet e Qeverisë që janë mbajtur gjatë muajit maj 2018, nuk janë diskutuar kërkesat e sindikalistëve apo të drejtat e punëtorëve.

Bashkimi i Sindikatave i kishte kërkuar Qeverisë: rritjen e pagës minimale në 250 euro, nivelizmim të pagave (paga të njëjta për punë të njëjta), zbatimin e Ligjit të Punës, siguri në punë, zbritja e moshës së pensionimit për 10 vite.

Kërkesat e punëtorëve për rritje të pagës minimale në 250 euro përsëritet prej vitesh dhe asnjëherë deri më tani nuk është realizuar.

Megjithatë, Haradinaj e ka mbajtur deri më tani një premtim, duke i rritur pagat e punëtorëve të KEK-ut për 100 euro.

Ky premtim nuk kishte ndikim në buxhet, sepse KEK-ut efektin e kësaj rritjeje e zbaton në tarifat e energjisë elektrike.

Demarkacioni? Herë në atë t’ejte, herë në këtë t’ejte!

Krerët e shtetit, disa herë kishin premtuar liberalizimin e vizave, e kur demarkacioni u bë kusht për këtë proces, shpesh ata e përmendin kalimin e tij për t’u mundësuar qytetarëve të lëvizin lirshëm.

Pasi AAK erdhi në krye të qeverisë, nisi ‘zhbllokimi’ i procesit të ‘bllokuar’ për gati tre vjet nga partitë opozitare, atëherë kur Kryeministri Haradinaj ishte në opozitë.

Fillimisht u arrit një marrëveshje në mes të dy presidentëve, Hashim Thacit dhe Filip Vujanoviqit.

Por, kur u mendua që demarkacioni do të kalojë shumë shpejt, lindi problemi i ‘raportit të Bulliqit’ dhe ‘germave’ të Projektligjit për demarkacionin. Pas disa javësh punë e bisedime, partnerët e koalicionit qeverisës thanë se më në fund kanë arritur unitet me LDK-në, duke i përmbushur kërkesat e kësaj partie.

Pasi Kryeministri hëngri fjalët e tij se nuk do t’ia hiqte asnjë shkronjë projektligjit, u bë publike ‘arritja e marrëveshjes’ dhe u caktua seanca ‘vendimtare’ për demarkacionin.

Kjo nuk ishte rrena e vetme për Demarkacionin.

Me gjithë vështirësitë, Demarkacioni u votua me 21 mars, por rishikimi i kufirit ashtu si paralajmëroi Haradinaj, nuk u bë asnjëherë.

Zbrapsja për Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale u bë “sebep” që kryeministri Haradinajt me 19 korrik 2019 të jap dorëheqje, pasi u ftua për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Por kohë më parë, krerët e shtetit, përfshirë Haradinajn kishin ndryshuar qëndrim për shfuqizimin e Speciales, në Kuvendin e Kosovës.

Në natën e 22 dhjetorit, treshja Thaçi-Veseli-Haradinaj, ishin bashkë për shfuqizimin e Speciales. Kjo natë u quajt ‘nata më e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta nga ambasadori në britanik, Ruari O’Connell. Ndërsa ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha se shfuqizimi do ta shkatërrojë të ardhmen e Kosovës.

Në listën e deputetëve që kanë kërkuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka më së shumti deputetë të PDK-së (19), parti e drejtuar nga vetë Kadri Veseli, si dhe deputetë të AAK-së (10), NISMA-s (6), një i AKR-së dhe komuniteteve pakicë.

Por viti i ri 2018, tre liderëve u solli edhe qëndrime të reja. ‘Reflektuan’ njëri pas tjetrit.

Madje Ramush Haradinaj tha se kjo nuk është tërheqje, por reflektim.

“Nëse ka një vendim politik që bien kërkesa atëherë edhe për Qeverinë ndryshon situata, duhet ta heqim nga procedimi i mëtejmë. Mendoj se është reflektim i realitetit”, tha ai.

“Epoka” e lotsjellësit

Dy muaj pasi pati marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj i pati ndërruar fjalët sa i përket deputetëve të arrestuar për hedhje të gazit lotsjellës.

Ai me datën 19 shkurt 2016 kishte ‘kërcënuar’ me arrestimin e kryeministrit, Isa Mustafa “në emër të popullit”, si reciprocitet për arrestimin e 9 deputetëve të opozitës.

Ndërkaq në muajin nëntor 2017 ai i ka tradhtuar ‘ushtarët’ e lotsjellësi.

Nga petku i kryeministrit, Haradinaj më nuk i mbrojti deputetet që kanë hedhur lotsjellës.

Haradinaj gënjeu edhe për stafin qeveritar dhe për ndalimin e pjesëmarrjes së ministrave në fushatë.

Partia e Haradinajt, AAK nuk e kishte mbajtur premtimin e dhënë nga lideri i saj se nuk do të bëjnë fushatë më me fëmijë.

Partia që udhëhiqet nga Haradinaj kishte përdorur fëmijë në një video promovuese për kandidatët për kryetarë të komunave. Me këtë veprim, AAK-ja ishte gjobitur me 3,500 euro.

https://kallxo.com/10-vendimet-me-te-perfolura-te-qeverise-se-ramush-haradinajt/