Rrahjet e famshme politike në Kosovë

Rrahjet mes politikanëve, e simpatizantëve nuk kanë filluar së fundi me rrahjet sporadike në LDK.

Historia e shkurtër pluraliste e Kosovës tregon se rrahje, incidente e konflikte ka pasur në vazhdimësi edhe mes personave të së njëjtës parti, të përfaqësuesve të partive në mes vete, deputetëve e zyrtarëve të tjerë.

Një prej incidenteve më të njohura është ai i nëntorit të 2006 në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.

Pas vdekjes së kryetarit të partisë, kalimi në një stad tjetër për LDK-në nuk ishte i lehtë. Fatmir Sejdiu e Nexhat Daci kishin shpallur kandidaturat për kryetar të partisë. Në ditën që po votohej aty kishte ndodhur një rrahje e madhe mes shumë personave.

Në njërën anë kishte qenë Gani Geci që atë kohë ishte mbështetës i Nexhat Dacit dhe në anën tjetër, mbështetësit e Fatmir Sejdiut.

Që nga ky incident, ky rast në publik njihet si “Kuvendi i karrigeve”. Pas kësaj ngjarje LDK ishte ndarë dhe Daci kishte formuar partinë e tij, Lidhja Demokratike e Dardanisë, të cilës, pas një suksesi të shkurtër në zgjedhjet pasuese të vitit 2007, iu zbeh mbështetja ndërsa shumë individë të partisë bënë kthimin e madh politik duke u kthyer në shtëpinë e vjetër, LDK.

Fatin e LDK-së, vite më vonë e patën edhe dy parti tjera, por për të cilat nuk është raportuar se janë ndarë me dhunë e gjuajtje karrigesh.

Në fillim të shkurtit, ish nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj bashkë me disa zyrtarë të tjerë të PDK-së u larguan për të formuar një parti të re, NISMA e cila më vonë mori shtesën SocialDemokrate.

Në fund të 2017, njëjtë vepruan edhe disa të “pakënaqur” në Vetëvendosje, të cilët u larguan dhe rimëkëmbën partinë e vjetër, të cilën e kishte mbuluar pluhuri, PSD-në e Kaqusha Jasharit.

Sot, dy këto parti janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Rrahjet në degë e nëndegë të partive

Kohëve të fundit, partitë politike i kanë hyrë fazës së zgjedhjeve të brendshme. Këto procese nuk kanë shkuar pa incidente.

Më e prekura deri më tash është Lidhja Demokratike e Kosovës. Në kuvendet zgjedhore të nëndegëve të kësaj partie shpesh janë raportuar incidente të ndryshme. Për ironi, në konflikte po përdoren edhe karriget.

Incidente ka pasur në disa degë të LDK-së në Prishtinë, Mitrovicë e Ferizaj.

Rasti i fundit është incidenti në degën e LDK-së në lagjen Mati në Prishtinë.

Incidente kishte pasur edhe në degën e PDK-së në Pejë, ku kryetar ishte zgjedhur Xhavit Haliti.

KALLXO.com ka raportuar për dy incidente në fshatin Raushiq dhe Ballagajë e ku kishte intervenuar edhe Policia e Kosovës.

Incidentet mes politikanëve

Mirëpo, nuk janë vetëm simpatizantët ata që janë bërë pjesë e këtyre ngjarjeve. Situata të tilla qytetarët e Kosovës kanë parë edhe në institucione.

Në 2012, kishte pasur një rrahje mes deputetit të PDK-së, Latif Gashi dhe atij të Vetëvendosjes Rexhep Selimit.

Ata ishin ndeshur në holl të Kuvendit.

“Provokimit verbal, mu dashtë t’i përgjigjem fizikisht. Ndonëse e kuptoj rolin e një deputeti, por opinioni e di që eksponent të SHIK-ut në cilësinë e sigurimit dinë të provokojnë njerëz. Kësaj radhe më vjen keq që ata kanë provokuar në momentin e pa duhur për ta dhe njeriun e gabuar”, kishte thënë Selimi pak pas përleshjes.

Në këtë incident ishin përfshirë edhe deputetët Bekim Haxhiu (PDK) dhe Florin Krasniqi (VV).

Bekim Haxhiu kishte deklaruar se ishte sulmuar në parking të Kuvendit nga Florin Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Visar Ymeri me truprojat e tyre.

Mandatin e kaluar në Kuvendin e Kosovës ka pasur raste të shumta të situatave të nxehta, gati sa nuk kishin kaluar edhe në konflikte fizike për shkak të diskutimeve të shpeshta dhe të ashpëra për demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Këtë mandat, për pak sa nuk kishte pasur një konflikt të madh fizik mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes kur në Kuvend po flitet për rastin “Dehari”.

Incidenti kishte filluar kur deputetët e Vetëvendosjes kishin penguar fjalimin e ministres Dhurata Hoxha. Për të parandaluar  konfliktin aty ishin hyrë edhe Kryeministri Ramush Haradinaj e kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli por edhe deputetë të tjerë të grupeve tjera parlamentare.

Po në këtë mandat, deputetët Xhavit Haliti e Arben Gashi kishin eskaluar duke përdorur fjalor të ashpër mes njëri tjetrit. Ndërsa Xhavit Haliti më vonë shihej që gjatë një votimi në sallë të Kuvendit godet me krahë deputetin tjetër Arben Gashin.

Një nga skenat më përfolura viteve të fundit është rrahja në mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një studio televizive, në shtator të 2017.

Deputeti i Nismës Social Demokrate, Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi, në atë kohë deputet i Vetëvendosjes ishin rrahur gjatë një emisioni në Televizionin Klan Kosova.