Rezultati që la shenjë

“Shenjë s’ma ka lanë”.

Kështu kishte deklaruar Agim Veliu më 18 mars të këtij viti, një ditë pasi që ishte shkarkuar nga Albin Kurti.

Veliu dhe Kurti ishin kolegë qeverie në fillim të këtij viti, por bashkëpunimi i tyre nuk zgjati më shumë se 1 muaj e gjysmë.

Kryeministër në atë kohë, Albin Kurti e shkarkoi ministrin e tij të Punëve të Brendshme, Agim Veliun, për një deklaratë dhënë në media, të cilin Kurti e vlerësonte si të “papërgjegjshme”.  Ministri ishte deklaruar për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në fillim të pandemisë.

“Nuk mundesh me mbështetë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, të paralajmëruar nga presidenti, pa u konsultuara me partnerin e koalicionit. Nuk mundesh, ose edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, sepse të shkarkojnë”, deklaronte Kurti me ironi, ditën kur e kishte shkarkuar Veliun.

Vendimi i Agim Veliut për t’u bërë pjesë e Qeverisë rezultoi me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Podujevës. Për shkak të situatës me COVID-19, zgjedhjet u shtynë deri të dielën e 29 nëntorit.

Kjo hapi një front të ri të luftës politike.

Ndonëse as Agim Veliu e as Albin Kurti nuk ishin kandidatët, zgjedhjet në Podujevë nga shumë njerëz u panë si luftë politike mes këtyre dy figurave.

Ora 20:00 e së dielës dha lajmin që nuk është dëgjuar në Podujevë që 20 vite. LDK humbi zgjedhjet për herë të parë në këtë rajon.

Albin Kurti dhe Agim Veliu ishin aty. Më pak se 200 metra distancë nga njëri-tjetri kur u dhanë rezultatet preliminare.

“Ne i kemi humbur këto zgjedhje”, tha Veliu në një konferencë për media.

“Ne nuk po ua marrim komunën, ne po ua kthejmë komunën”, tha Kurti mbrëmjen e zgjedhjeve.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Shpejtim Bulliqi, ish drejtor i Agim Veliut e ish deputet i LDK-së, tash zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje fitoi mbi 50 % të votave.

Fitorja e një partie tjetër dhe jo e LDK-së në Podujevë, ku për të parë të degës ka Agim Veliun, njeriun e dytë të partisë në nivel vendi, po shihet nga shumëkush si mesazh.

Nënkrytari i LDK-së, Lutfi Haziri ndoshta ka qenë i pari që ka folur publikisht për këtë.

Vetëm një jave pas zgjedhjeve të 6 tetorit, derisa LDK dhe LVV filluan diskutimet për arritjen e koalicionit, Haziri kishte folur për “bluarjen” e LDK-së nga LVV.

”Tash, nëse LVV hyn në bashkëqeverisje me qëllimin për ta ‘blu’ LDK’në, e ka shumë gabim”, shkruante Haziri në atë kohë.

Kryetari i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu ka reaguar gjatë ditës së sotme, duke thënë se do të zgjerojnë ekipin për të fituar përsëri në Podujevë.

“Sot është një ditë reflektimi për neve. Do ta analizojmë me kujdes humbjen në zgjedhjet lokale, do të identifikojmë dhe korrigjojmë mangësitë tona, do ta zgjerojmë ekipin konform nevojave të qytetarëve, për tu rikthyer triumfalisht në Podujevë në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Agron Halitaj, gazetar dhe analist për KALLXO.com ka komentuar rezultatin e djeshëm të zgjedhjeve dhe krijimin e situatës së re politike në vend.

“Humbja e Podujevës është̈ fatura të cilën po e paguan LDK-ja për shkak të veprimeve të udhëheqësve të partis në qendër”, tha Halitaj duke përmendur vendimin e Veliut për ta lënë mandatin e kryetarit për atë të ministrit.

Ndërsa, Agon Maliqi, njohës i zhvillimeve politike, ka shkruar në Twitter, se rezultati i djeshëm në Podujevë është mesazh i qartë se zgjedhjet e përgjithshme janë të mundshme.

“Kjo është një konfirmim i qartë se VV është rritur dhe qeveria qendrore nuk ka mbështetje popullore. Zgjedhjet e parakohshme nacionale tani duken shumë më të mundshme,” ka shkruar Maliqi në Twitter.

Gazetari Halitaj tutje thotë se rezultati i djeshëm lidhet edhe me pakënaqësinë që qytetarët e Podujevës e kanë pasur me qeverisjen e LDK-së dhe Veliut në Podujevë.

“Pa dyshim se votuesit e kësaj komune kanë pasur edhe pakënaqësi me mënyrën se si ka qeverisur Veliu dhe LDK-ja përgjatë kohë në Podujevë, dhe këtë e konfirmon më së miri rezultati i thellë i humbjes në kandidatit të tyre në zgjedhjet e së dielës”, tha Halitaj për KALLXO.com.

Sipas rezultateve preliminare, Bulliqi ka fituar 51.6 për qind të votave. Për Nexhmi Rudarin e LDK-së kanë votuar 36 për qind ndërsa rreth 13 për qind kanë votuar Naim Fetahun e PDK-së.

Pas humbjes së LDK-së në Podujevë kanë mbetur vetëm dhe disa komuna në të cilat ka qeverisur vetëm një parti që nga paslufta.

Në Fushë-Kosovë dhe Istog është LDK ajo që ka fituar të gjitha zgjedhjet. Derisa në Kaçanik, Shtime e Drenas është PDK-ja ajo që ka fituar zgjedhjet komunale.

Kandidati i LDK-së në Podujevë, Nexhmi Rudari, nuk e ka thanë as edhe një fjalë për ta komentuar humbjen.

Në konferencën e parë të djeshme pas zgjedhjeve, fillimisht tha se po prijnë në të gjitha vendvotimet.

Në konferencën tjetër kur u pranua humbja, ishte Veliu ai që foli, derisa Rudari tha; “I tha kryetari të gjitha, s’kam çka të shtoj”.

Në rast se konfirmohet ky rezultat nga ana e KQZ-së, Shpejtim Bulliqi do të jetë kryetar i Podujevës deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, kur pritet të mbahen zgjedhjet e rregullta komunale.