Ilustrim

Revolucion në Prokurim, pritet publikimi i të gjitha kontratave

Komisioni Rregullativ i Prokurimit ka propozua që duke filluar nga muaji shtator t’i publikojnë të gjitha kontratat e lidhura nga institucionet shtetërore me bizneset.

Publikimi i kontratave do të mundësohet vetëm përmes ndryshimit të Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ te Prokurimit Publik A01, pasi publikimin e kontratave nuk e ndalon Ligji i Prokurimit.

Tek obligimet e Autoriteteve Kontraktuese për publikim të njoftimit për nënshkrimin e kontratës është shtuar edhe një nenë, i cili i obligon institucionet shtetërore t’i publikojnë kontratat.

“Përpos Njoftimit për nënshkrim te kontratës, AK duhet qe te  publikoje kontratën e nënshkruar. Publikimi behët ne platformën e prokurimit elektronik, si dokument shtese nëpërmjet funksionit “shtoni dokument te ri”. Termi kontratë i referohet Kontratës, Kushteve të Përgjithshme të Kontratës, Kushteve të Veçanta të Kontratës, dhe Listës se Çmimeve”, thuhet nenin e ri që është propozuar të futet tek Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ te Prokurimit Publik A01.

Ky ndryshim i madh në prokurim po bëhet pas KRPP prej kohësh ka vendosur raporte pune me USAID-in lidhur me projektin për komuna transparente.

Projekti i USAID-it për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse përveç KRPP-së është duke punuar edhe me Organin Shqyrtues të Prokurimit, disa komuna dhe shoqërinë civile.

Hapja e kontratave po bëhet me qëllim të rritjes së transparencës dhe mundësisë së qytetarëve për të qenë të informuar në lidhje me shpenzimet e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike.

Ky nuk është ndryshimi i vetëm i propozuar nga KRPP. Janë dhënë sqarime shtesë edhe pë kontratat kornizë.

“Autoriteti kontraktues do të specifikojë në dosjen e tenderit vlerën ose sasinë e kontratës si një prag apo një tavan dhe do të lejojë devijimin prej tij, duke deklaruar gjithashtu përqindjen e mospërputhjes së lejuar. Mospërputhja e lejuar nuk mund të jetë më e lartë se plus/minus tridhjetë përqind (30%)”, thuhet në UOPP.

KRPP-ja ka dhënë sqarime shtesë edhe për përcaktimin prej këtë përkufizim prej 30%.

“Mospërputhja e lejuar konsiston në  plus/minus tridhjetë përqind (30%)  të pragut apo tavanit të sasive totale apo vlerës totale indikative të kontratës, mirëpo, kjo nuk do të thotë që Operatori Ekonomik duhet të paguhet për punët, shërbimet apo furnizimet e pa porositura nga Autoriteti Kontraktues.  Sipas këtij kufizimi (+/-30%), Autoriteti Kontraktues merr përsipër që të porositë, pranoj dhe paguaj sasinë totale prej së paku shtatëdhjetë përqind (70%) nga sasia indikative e vendosur në dosjen e tenderit përkatësisht në kontrate”, thuhet në propozimin e ri të futur në udhëzim.

Ky ndryshim – plotësim i bërë publik ne ueb-faqen e KRPP-se dhe mbetet hapur për komente deri me datën 27.08.2018.