Renovimi i dështuar i Kalasë së Artanës, javën e ardhshme nis sanimi i dëmeve

Kompania serbe “Koto” e cila ka bërë restaurimin e dështuar të Kalasë së Artanës (Novobërdës) me paratë e Komisionit Evropian është obliguar që të rikthehet edhe një herë për të restauruar të metat e evidentuara pas të renovimit.

Në fillim të javës së ardhshme pritet që kompania nga Beogradi “Koto” të nisë punimet për sanimin e dëmeve të evidentuara pas përfundimit të procesit të konservim – restaurimit të Kalasë së Artanës.

“Koto” tashmë ka marr lejen e kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen të Monumenteve për të nisur rehabilitimin e fasadave të mureve të kalasë.

Në mars të këtij viti u raportua nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë për rënie të fasadës së murit të rinovuar të Kalasë së Artanës, në katër vende, të cilat pastaj menjëherë u raportuan tek zyra e KE-së dhe UNESCO-s dhe palët e përfshira në procesin e restaurimit të kalasë.

Zyrtarë të institucioneve kanë thënë për Kallxo.com se një komision i përberë nga zyrtarë të DTK-së dhe institucioneve të trashëgimisë kosovare, më  datë 12.03.2019 kanë bërë dokumentimin e dëmtimeve ku prezent kanë qenë dhe përfaqësues të Kompanisë “Koto”.

Këto procese kanë bërë që firma punëkryese të kthehet edhe në herë për të sanuar të metat e saja pas renovimi, duke marrë lejen për fillimin e punimeve.

Ismet Hajrullahu, drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka konfirmuar për Kallxo.com se IKMM ka aprovuar projektin për rehabilitimin (sanimin e dëmeve) në muret e Kalasë së Artanës dhe në fillim të javës së ardhshme pritet fillimi i punimeve.

“IKMM ka aprovuar projektin për rehabilitimin (sanimin e dëmeve) në muret e Kalasë së Artanës. Sipas informacioneve që kemi nga Zyra Satelit e UNESCO-s punimet do të fillojnë në fillim të javës që vjen”, ka thënë Hajrullahu për Kallxo.com.

Renovimi, çfarë ndodhi nga 2015 deri më 2016

Restaurimi i mureve të Kalasë së Artanës kishte nisur në 2015 dhe përfundojë në tetor të 2016-së. Fondin prej 1.1 milion euro për restaurim është siguruar nga Këshilli i Evropës.

Enver Rexha drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se IAP kishte aplikuar me dy projekte për fonde për Kalanë Artanë (Novobërd) dhe Ulpianë, kishin përfituar për të parën.

Më pas sipas tij, donatori mjetet i ka deleguar te UNESCO, zyra në Sarajevë për Evropën juglindore, e cila pastaj ka përzgjedhur kompaninë që ka bërë draft-planin për konservim restaurim, punëkryesin, ndërsa siç ka thënë ai, çdo gjë ka shkuar në koordinim me institucionet vendase.

Rexha ka thënë se Kompania punëkryese ka pasur për detyre të bëjë pastrimin dhe restaurimin e mureve, por jo edhe gërmime arkeolgjike, gjë që siç ka pohuar ai edhe është respektuar nga kompania serbe.

“Roli i Institutit  gjatë gjithë procesit të konservim restaurimi ka qenë me i përcjellë punime. Ne kemi qenë prezent me dy arkeologë, ku janë raportuar veprimet e punimeve, procesi afatet, duke mbrojtur të drejtën për mos ndërhyje në gërmime”, ka thënë ai, duke shtuar se gjetjet e rastit gjatë pastrimit të terrenit sipas projekti janë dorëzuar në IAK.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se MKRS/DTK në bashkëpunim dhe koordinim me Institutin Arkeologjik te Kosovës, pas dëmtimeve te fasadës se mureve, ka ndërmarrë veprimet me qëllim evitimit të dëmtimeve të mëtjme, mbrojtjes dhe janë ndaluar vizitat në kala.

“Komisioni i përbërë nga zyrtare të DTK-se, Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Muzeut të Kosovës me datë 12.03.2019 kanë bërë dokumentimin e dëmtimeve ku prezent kanë qenë dhe përfaqësues të Kompanisë Koto ( punë kryesi ) dhe të njëjtit kanë marrë mostrat e llaçit të përdorur për muratim, për analizë të hollësishme laboratorike”, ka thënë Aliu.

Rexha dhe Aliu, kanë thënë se punëkryesi “Koto”, është i  obliguar të bëjë riparimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara.

Reagimet për restaurimin

Vërejtje për punën e bërë nga firma “Koto” gjatë renovimit,  ishin dhënë nga një grup arkeologësh nga Shqipëria dhe Kosova në një raport që më pasi i ishte dërguar MKRS-së.

Kallxo.com ka siguruar raportin e arkeologëve të cilët në tetor të 2015, kishin bërë një vizitë në kala gjatë restaurimit.

Përveç vërejtjeve sa i përket materialit të gjetur gjatë gërmimeve me karakter pastrimi, në raport ngrihen shqetësime të shumta sidomos sa i prekt restaurimit dhe rindërtimit të mureve të klasë deri në lartësinë 10-12 m, që, siç kolaudohet në raport, nuk  ishte në përputhje me kërkesat e restaurimit të monumenteve arkeologjike-historike.

Renovimi i Kalasë së Artanës me fondet të KE-së është zhvilluar nga viti 2015 deri më 2016 dhe nën mbikëqyrjen e UNESCO-s. Hartimi i projektit për konservim-restaurim është bërë nga kompania kroate  “Omega Engineering”, ndërsa punët ishin kryer nga firma beogradase “Koto”.