Reporting House

Reflektime mbi Rezistencën: Ekspozita "Reporting House" si një Pasqyrë e Historisë përmes Artit, Artefakteve dhe Dokumentarëve Mediatik

Me rastin e 25-vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, më 10 qershor 2024, u hap ekspozita “Reporting House” në Prishtinë. Ekspozita u prodhua nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Prishtina Biennale dhe Paper Gallery, me producente gazetaren e mirënjohur kosovare, drejtoreshën e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova) Jeta Xharra dhe kurator bashkëthemeluesin e Prishtina Biennale dhe të Paper Gallery Gaz Ejupi.

Kjo ekspozitë shfaq nga njëra anë raportime gazetareske, fotografi mediatike, video dhe artefakte kryesisht të luftës dhe rezistencës së Kosovës, si dhe nga ana tjetër paraqet vepra bashkëkohore të artistëve kosovarë dhe ndërkombëtarë që eksplorojnë dhe reflektojnë mbi luftën në Kosovë dhe ndikimin e saj.

Ekspozita zë vend në njërën nga hapësirat e ndërtuara në fillim të viteve ’70, e njohur atëbotë si “Shtëpia e Mallrave Gërmia” – hapësirë e cila shpesh është diskutuar në media për qëllimin e përdorimit të saj bashkëkohor, ku ndër të tjera është përmendur madje edhe ideja për përdorimin e saj si sallë koncertesh. Projektimi i saj ishte bërë nga arkitektja nga Maqedonia e Veriut, Lilijana Raševski.

Para se të hyni për vizitë në këtë ekspozitë, ju pret automjeti nga vepra “Our Story” (Tregimi Ynë), me të cilin reporteri i mirënjohur Vaughan Smith nga Britania e Madhe kishte bërë xhirime para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Në këtë automjet janë instaluar audio xhirime që në fillim të vizitës ju bartin në hapësirë dhe në kohë, që ju shpie në atmosferën e dhembshme të kohës së luftës.

Me të hyrë në hapësirë, shihet adaptimi i qëllimshëm unik i objektit lidhur me këtë ekspozitë, i cili, ndër të tjera, është i lënë hapur në materialet ndërtuese, sidomos në pjesën e tavanit. Me këtë, ekspozita fiton një simbolikë që asgjë nuk është paraqitur duke e “zbukuruar”, por çdo gjë është e “zhveshur” në fakte të cilat janë të dëshmuara. Bërthama, thelbi i gjithë ngjarjeve dhe përjetimeve është baza e kësaj ekspozite. Ballafaqimi i vizitorit me të “vërtetën e së vërtetës” është synimi kryesor. Por, edhe reflektimi i vizitorit mbi ngjarjet e përfshira është pa dyshim një rezultat i kësaj ekspozite. Paraqitjet artistike mbështeten nga materialet faktike.

Ekspozita fillon me pamje filmike që nga protestat e minatorëve, demonstratat e studentëve, periudhën e helmimeve nëpër shkolla në Kosovë dhe materiale të tjera nga arkiva kombëtare dhe ndërkombëtare. Vizitorët ballafaqohen me një vepër artistike të artistit Gonçalo Mabunda nga Mozambiku, e titulluar “Froni i pashpresës dhe i pasigurisë” (2021). Kjo vepër është krijuar nga plumba dhe municione të llojeve të ndryshme të luftës. Derisa këto dikur shërbenin për të vrarë dhe për t’i privuar nga jeta mijëra qytetarë, artisti i shndërroi tani në një karrige froni. Nga njëra anë, duket se plumbat tani paraqiten si një mbajtëse për të treguar forcë, si një prapavijë nga e cila, mbështetur, mund të marrësh vendime për të ardhmen. Megjithatë, komforti i kësaj ulëseje ta ngjall ndjenjën se mbi të mund të ëndërrosh për një të ardhme të bukur, pa marrë parasysh që është e ndërtuar mbi një të kaluar të hidhur. Pasi vepra u realizua me mbetjet e municionit nga lufta në Afrikë, në mes të kësaj ulëseje qëndron simbolikisht e integruar një maskë afrikane.

Përveç me luftën civile të viteve ’70 në Mozambik – temë kjo mbi të cilën vepron Mabunda – ekspozita “Reporting House” krijon një urë lidhëse me luftën në Bosnje Hercegovinë. Artefaktet e sjella nga drejtori i qendrës memoriale të Srebrenicës, Emir Suljagić, flasin për destruktivitetin që sjell lufta, duke krijuar një lidhje të pashmangshme me atë të Kosovës. Për shembull, syzet – vegla që vendosen për të parë më kthjellët e më mirë – tani paraqiten si vepra muzeale të thyera e të shtypura. Këtu ndërthuret edhe vepra e artistes boshnjake, Lana Čmajčanin, “Don’t dream Dreams” (Mos shiko ëndrra), e vitit 2023, e cila me veprën e saj tenton ta kthejë problemin e luftës së Bosnjës në gjenezën e saj që në shekullin e 19-të, në kohën e Traktatit të Berlinit, atëherë kur ushtria Austrohungareze e okupoi Bosnjën. Kjo la gjurmë të pashlyeshme në histori. Ndihma që e priti populli i Bosnjës nga evropianët nuk erdhi as më vonë gjatë luftës në Bosnje. Këtë e kishte bërë të ditur paraprakisht deputeti i parlamentit të Britanisë së Madhe, David Owen, i cili thoshte që nuk duhet të ëndërrohej se Evropa do ta shpëtojë Bosnjën.

Me temën e luftës në përmasa bashkëkohore dhe aktuale lidhet pastaj edhe vepra e artistes ukrainase Zhanna Kadyrova “Palianytsia” (Buka), e prezantuar në formë të disa skulpturave që marrin forma të ndryshme të bukës së bardhë, e cila paraqet simbolikisht rezistencën e popullit ukrainas ndaj forcave ruse. Këto, sipas artistes, do të vazhdojnë të prodhohen po aq sa do të zgjasë lufta. Krijimi i tyre është gjithashtu i përfshirë në formë të videos në këtë ekspozitë. Përballë veprave të Kadyrovës lidhen vizurat brenda hapësirës ekspozuese me fotografinë “Bukë për Drenicën” të marsit të vitit 1998 nga Ridvan Slivova, e cila paraqet protestën kundër forcave serbe që po i privonin familjet në Drenicë nga gjërat elementare jetësore për mbijetesë, pas sulmit me armë të rënda ndaj familjes Jashari ku u vranë 58 anëtarë. Këtu, nënat mbanin nga një bukë në dorë në Ditën e Grave – më 8 Mars – me shpresë që zëri i tyre të merrej në konsideratë.

Buka është një simbol me shumë kuptime në historinë e artit, si ato që lidhen me kulturën e krishterë ku buka paraqet trupin e Krishtit, i cili ishte sakrifikuar për njerëzimin. Ndarja e bukës në një tryezë është një akt i përbashkët që lidh njerëzit së bashku. Në kulturën shqiptare, buka, përveçse si një përbërës kryesor i mbijetesës, është edhe pjesë e shprehjes së njohur “bukë e kripë e zemër”, që simbolizon përulësi dhe thjeshtësi, por edhe mikpritjen si një virtyt të rëndësishëm të familjeve shqiptare.

Për të ruajtur kujtimin e veprimtarisë dhe rolit të kryeministrit të tanishëm të Kosovës gjatë rezistencës së popullit shqiptar në vitet ’90, kur ai, si student i ri, udhëhoqi demonstratat, kjo ekspozitë përfshin edhe fotografinë “Protestat Studentore” (1998), e bërë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Eliza Hoxha. Në këtë fotografi, Albin Kurti paraqitet duke shkruar fjalimin e tij mbi shpinën e rektorit të atëhershëm, Zenel Kelmendi. Përveç angazhimit të kryeministrit të tanishëm, fotografia tregon gjithashtu një imazh të tij me flokë të gjata, që i përkiste trendeve ndërkombëtare të rinisë në atë kohë. Ky detaj është një dëshmi se, megjithëse shqiptarët kishin përjetuar shumë shtypje dhe padrejtësi, ata ishin një shoqëri bashkëkohore dhe ambicioze, e përkushtuar për të jetuar megjithatë në hap me kohën.

Zhanna Kadyrova “Palianytsia” (Buka) - 2022, Skulpturë
Zhanna Kadyrova “Palianytsia” (Buka) – 2022, Skulpturë

 

Ridvan Slivova “Bukë për Drenicën” - 1998, Fotografi.
Ridvan Slivova “Bukë për Drenicën” – 1998, Fotografi.

Ekspozita zgjerohet edhe me veprat e artistëve me përmasa ndërkombëtare nga Shqipëria, si Anri Sala dhe Adrian Paci. Nga njëra anë, ata ndërthurin tema që lidhen me luftën, si emigracioni, dhe fakti i të qenit në shënjestër gjatë luftës, presioni, frika dhe emocionet e tjera që lidhen me këtë gjendje që e vendos jetën në kushte ekstreme. Gjithashtu, ekspozita trajton në mënyrë të thelluar luftën dhe pasojat e saj, duke përfshirë fotografinë ikonike të Alan Chin, “Nëna e Ali Paçarizit qan mbi trupin e tij në Kosovë” nga viti 1998, e cila u ekspozua në Muzeun e Artit Modern në New York (MoMA). Kjo fotografi, që të kujton paraqitjet e vajtimit të Krishtit në art, është një përshkrim i fuqishëm i dhimbjes dhe humbjes, duke e pasqyruar me ndjeshmëri dhe realizëm tronditës gjendjen e popullatës në ato kohëra të vështira. Përmes këtij imazhi, ekspozita fton vizitorët të reflektojnë mbi të kaluarën dhe të përballen me të ardhmen me një kuptim më të thellë të asaj që ka ndodhur.

Ekspozita përfshin materiale fotografike nga Besnik Mehmeti për të ilustruar qytetin e Gjakovës pas luftës – një nga qytetet që pësoi më shumë shkatërrime. Temat kyçe të periudhës para luftës, si demonstratat e minatorëve, helmimet e nxënësve nëpër shkolla, dhe mësimi në shkolla private në gjithë Kosovën, janë trajtuar përmes materialeve dokumentuese dhe artistike nga Hazir Reka, Ilaz Bylykbashi, dhe artisti Vullnet Jakupi. Gjyshi i Jakupit ishte një nga ata që e kishte lënë shtëpinë për t’u bërë shkollë në lagjen “Arbëria” (Dragodan) në Prishtinë. Kjo lidhje personale e bën veprën artistike edhe më emocionale, duke e lidhur me familjen dhe përjetimet e saj, dhe duke ndihmuar në përcjelljen e informacionit për brezat që nuk e kanë përjetuar një situatë të tillë.

Në këtë ekspozitë, i kushtohet vëmendje edhe palës serbe në Kosovë, perceptimeve të saj ndaj ngjarjeve të caktuara, duke theksuar se nuk duhet të përgjithësohet situata dhe se vendimet për krime në Kosovë nuk janë zbatuar gjithmonë. Po ashtu, ekspozita dokumenton propagandën e bërë nga serbët gjatë gjithë kohës, si dhe vendin ku u mbajtën të burgosur shumë rom pas luftës.

Ekipi profesional ju pret që nga hyrja, i përbërë nga njëra anë me guidë në fushën e gazetarisë dhe materialeve nga arkivat, dhe nga ana tjetër me guidë rreth veprave artistike të përfshira në ekspozitë. Ekspozita ofron materiale eksplicite rreth artistëve dhe arkivave në tre gjuhë.

Në përgjithësi, kjo ekspozitë mund të shihet si një studim i thellë jo vetëm i luftës dhe pasojave të saj, por edhe i kushteve dhe rrethanave që çuan në luftë, si dhe i trazirave të pasluftës në Kosovë, duke e kontekstualizuar ngjarjen jo vetëm brenda regjionit të Kosovës, por edhe jashtë tij. Ajo krijon ura lidhëse jo vetëm me shtetet që kanë përjetuar dhe po përjetojnë luftë, por edhe me pasojat e luftës në përgjithësi. Gjithashtu, lidh rrethanat historike të së kaluarës me të tanishmen. Në këtë kontekst, luajnë rol jo vetëm mediat dhe arkivat, apo artefaktet, por edhe veprat artistike që ofrojnë një kontekst të gjerë për ekspozitën, duke përfshirë zbërthimin e ikonografisë dhe kontekstualizimin ndërkombëtar të simbolikës që krijohet nga rrethanat e luftës. Ajo vendos në kontekst vuajtjet dhe përpjekjet nga perspektiva të ndryshme, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, në një dimension ndërkombëtar. Ekspozita përfshin me shumë empati ndjenjat dhe emocionet individuale që ngjallin ngjarjet e tilla. Këto vepra ofrojnë gjithashtu zgjidhje për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme, duke e shqyrtuar historikisht, dhe shpjegojnë si ka ndodhur që të krijohen këto konflikte. Perspektivat individuale dhe qasja e secilit ndaj përjetimeve të pakontekstualizuara janë një vlerë shtesë që lind si rezultat i kësaj ekspozite.

 

Dr. Phil. Penesta Dika

Autorja e këtij teksti ka përpiluar projekte për Akademinë e Shkencave të Austrisë, punon si kuratore ndërkombëtare dhe si ligjëruese në universitete në Austri dhe në Kosovë.