Reagimet e analistëve nga shoqëria civile pas protestës së LVV-së dhe vizitës së Thaçit në Ujman

Protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër ideve të presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve, e cila u mbajt sot në Prishtinë, dhe përfundoi e qetë ka nxitur reagimin e shumë analistëve të pavarur, atyre nga shoqëria civile dhe të përfaqësuesve të partive politike, kryesisht atyre që janë në pushtet.

Reagime të shumta ka nxitur edhe vizita e paparalajmëruar e presidentit Hashim Thaçi në liqenin e “Ujmanit” në veri të vendit.

Petrit Zogaj, aktivist nga shoqëria civile, ka shkruar në rrjetet sociale se protesta e sotme ka treguar se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti treguan se e kanë konsoliduar partinë pas ndarjes.

“Me protestën e sotme, LV dhe Kurti treguan: mobilizim të partisë pas ndarjes. Përçarje në LDK. Dhe e theksuan iniciativën solo të Thaçit dhe në fakt dëshpërimin e tij për shkak të mungesës së mbështetjes së brendshme në dialogun e Brukselit. Protesta i arriti këto objektiva mjaftueshëm”, ka shkruar Zogaj.

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës ka shkruar në llogarinë e tij në FCB se bashkimi i Luginës mund të nënkuptojë copëtimin e trojeve, pasi sipas tij protesta ishte kundër copëtimit të trojeve.

“Protestë, kundër copëtimit të trojeve tona…tash bashkimi me Luginën e Preshevës, a është copëtim a bashkim!?..krejt ma keni përzier”, ka shkruar Kryeziu.

Analisti i çështjeve politike, Dastid Pallaska ka shkruar për vizitën e paparalajmëruar të presidentit Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit.

Sipas tij veprimet e sotme të presidentit Thaçi janë të fundit që i kanë mbetur për të provokuar incidente në veri, pas kundërshtimeve të brendshme për ndarje të vendit.

“Karshi kundërshtimit absolut shoqëror për ndarje të vendit, Presidentit Thaçi i ka mbetur vetëm një mënyrë për të ndryshuar këtë realitet – provokim të një incidenti në veri. Incident i cili do ta formalizonte hartën e re për të cilën ai dhe Vuçiq duket se janë dakorduar”, ka shkruar Pallaska, i cili ka shtuar se “Skenarin e saktë do ta kuptojmë sonte në ora 21:00 kur Vuçiq pritet të “përgjigjet” publikisht ndaj “ekskursionit” të sotëm të Presidentit Thaçi në liqenin e Ujmanit”.

Gazetari dhe analisti politik Astrit Gashi në një postim në rrejtet sociale ka shkruar se  Thaçi në “Ujman” ka shkuar vetëm për të bërë spektakël.

“Para disa ditësh Presidenti Thaçi tha në gjuhën e të dorëzuarit se Kosova edhe ashtu nuk e kontrollon veriun, duke lënë të nënkuptohet se edhe është i gatshëm ta jep. Sot që shkoi në Ujman, për të bërë spektakël para kamerave se e kontrollon atë pjesë, atëherë po i them që është mirë që ta heq nga tavolina ndarjen e kësaj pjese. Edhe tani i besojmë!”, ka shkruar Gashi, duke komentuar vizitën e presidentit Thaçi në liqenin e “Ujmanit”.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj ka shkruar se protesta e sotme të LVV-së pa flamurin e shtetit të Kosovës tregon se subjekti që ka thirrur protestën nuk e njeh Republikën e Kosovës.

“Nuk e kisha menduar fare të reagoj për protestën duke e konsideruar një të drejt të plotë e demokratike. Por, të pretendosh ta mbrosh sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë e Kosovës duke mos mbajtur asnjë flamur të Kosovës flet shumë për ironinë e subjektit që thirri protestat. Flamuri me hartën e Kosovës tregon se territori është habitat i ekzistencës tonë, është siguri, identitet, emocion dhe histori. Protesta si qëllim në politikë nuk e përmbyll sovranitetin dhe shtetndërtimin e Kosovës, por uniteti i brendshëm, përballja me Serbinë në Bruksel dhe me kundërshtarët e pavarësisë në Këshill të Sigurimit. Ata të cilët nuk e kanë njohur kurrë pavarësinë e Kosovës, flamurin dhe himnin shtetëror – sot thirrën kinse për ta mbrojtur Republikën në sheshin e kryeqytetit tonë”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka shkruar tutje se si mund t`i besohet Lëvizjes Vetëvendosje, e cila dikur sipas tij kundërshtonte ‘Pakon e Ahtisaarit’, kurse sot pretendon t`i mbrojë ata kufij shtetërorë.

“Si mund t`i besohet dikujt që thërriste në protesta para 10 vitesh për ta kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit duke mos hezituar ta quante shpalljen e pavarësisë si “Pavarësia e Ahtisaarit”. Kurse sot thërret në protesta për ta mbrojtur pikërisht këtë pavarësi. Cilës Vetëvendosje t’i besojmë? Unë them asnjërës!”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndryshe, protesta e 29 shtatorit ishte thirrur nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qëllimi i protestës sipas organizatorëve ishte shfaqja e kundërshtimit ndaj idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Për ditë me radhë, LVV publikoi video promocionale dhe ka bërë tubime ku ftoi qytetarët dhe aktivistët në protestë kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve që sipas tyre nënkupton edhe shkëmbim territoresh.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në protestën e sotme para qytetarëve renditi arsyet pse sipas tij po zhvillohet protesta kundër presidentit Hashim Thaçi.

“Aq shumë e duam Kosovën Republikë, aq shumë e duam Kosovën Lindore, aq shumë e duam Shqipërinë sa që për asnjë kusht e asnjë rrethanë nuk i nënshtrohemi këtij njeriu. Kjo protestë nuk është as për elektorat, as për vota. Në zgjedhje është pushteti në pyetje, por sot është shteti në pikëpyetje. Serbisë borxh nuk i kemi, dhimbje e kompromise të reja nuk pranojmë”, deklaroi Kurti, në protestën e somte e cila ishte e para pas ndarjes së partisë së tij, ku morën pjesë edhe shumë përfaqësues nga shoqëria civile dhe depuetët e LDK-së Vjosa Osmani dhe Korab Sejdiu.

https://kallxo.com/protestuesit-ne-shesh-fotogaleri/

Ndërsa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi foli në një lidhje të drejtpërdrejtë nga liqeni i “Ujmanit” nga veriu i Kosovës.

Ai në vizitën e paparalajmëruar që i bëri këtij liqeni tha se Kosova është sovrane dhe mohoi mundësinë e ndarjes së kësaj pjese të Kosovës për t`ju bashkuar Serbisë.

“Është një vizitë krejt normale në mrekullitë e vendit tim që ja vlen për t`i vizituar të gjithë qytetarët e vendit tim. Edhe sot nga ky vend i mrekullueshëm i Republikës së Kosovës dërgoj mesazhin më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kosova është një unike  e pavarur sovrane”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se në këtë vizitë u takua edhe me qytetarë serb të Mitrovicës Veriore.

“Unë si president i vendit i shërbej të gjithëve pa dallim. Ishte kënaqësi që të pijë kafe me serbët e këtij lokaliteti, dhe në këtë ditë të vikendit në mes të dy qytetarëve, në këtë ditë të vikendit si të ishte një piknik”, tha ai.

 

https://kallxo.com/thaci-ne-ujman-kosova-eshte-sovrane/