Raporti skandaloz i Postës së drejtuar nga Sejdi Hoxha i PDK-së

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se pasqyrat financiare të Postës së Kosovës, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë.

Auditori ka shkruar një opinion të kundërt për pasqyrat financiare të Postës së Kosovës, të shtrirë në rreth 10 faqe, ndryshe nga opinionet e raporteve të institucioneve të tjera.

“Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.

Ky konstatim i bërë nga Auditori është arsyetuar me renditjen e shkeljeve të bëra nga Posta e Kosovës në 9 faqe. Kjo ndërmarrje që nga viti 2012 kur është ndarë nga Telekomi i Kosovës është udhëhequr nga Sejdi Hoxha. Ky i fundit së fundmi është zgjedhur kryetar i Degës së Drenasit në PDK-në e Kadri Veselit.

Posta nuk i ka rivlerësuar pasuritë nga viti 2005

Në raportin e auditimit thuhet se Posta e Kosovës nuk i ka rivlerësuar pasuritë që nga viti 2005 edhe pse do të duhej ta bënte çdo tre ose pesë vjet.

“Kompania për disa zëra kontabël të pronave, impianteve dhe pajisjeve, procesin e vlerësimit të aseteve për herë të fundit e kishte realizuar në vitin 2005”, thuhet në raport.

Sipas Standardit Ndërkombëtar të Kontabilitetit, rivlerësimi i pasurive/aseteve duhet të bëhet në mënyrë të rregullt çdo tre ose pesë vjet, që të sigurohet se vlera neto e aktivit nuk ndryshon materialisht nga ajo që do të përcaktohej nëse do të përdorej vlera e drejtë në fund të periudhës raportuese.

Auditori ka gjetur se në regjistrin kontabël të aseteve të Postës figuron që vlera e pasurive me kosto historike është 34,218,777 milionë euro me një zhvlerësim të akumuluar 22,926,782 milionë euro dhe vlerë neto 11,777,568 milionë euro.

“Kjo tregon një rënie të ndjeshme në vlerën e pasurive si rezultat i mos vlerësimit të tyre për një periudhë të gjatë kohore”, vazhdon raporti.

Sipas Auditorit, grupi më i rëndësishëm i pasurive për t’u rivlerësuar janë ndërtesat që paraqesin një pjesë të konsiderueshme të pasurive.

Çështja e rivlerësimit të aseteve është trajtuar edhe në raportin e auditimit financiar për vitin 2017, mirëpo sipas zyrtarëve të Kompanisë mungesa e burimeve financiare dhe afarizimi me humbje kanë ndikuar në mos marrjen e veprimeve për një procedurë të tillë.

19 prona të uzurpuara nga Posta e Serbisë

Auditori ka thënë se një prej problemeve të kësaj ndërmarrje është uzurpimi i pronave. Përvec pronave në komunat me shumicë serbe, Auditori ka gjetur se kjo ndërmarrje ka toleruar që gjashtë apartamente banesore në Prishtinë të mbeten të uzurpuara.

Për më tepër, Kompania nuk ka kontroll dhe nuk realizon përfitime ekonomike nga këto prona.

“Si rezultat i kësaj, vlera pasurive e paraqitur në pasqyrën e pozicionit financiar është mbivlerësuar për vlerën neto të këtyre pasurive për 114,900.48 euro, si dhe zëri ‘shpenzimet e zhvlerësimit’ në pasqyrën e fitimit/humbjes është mbivlerësuar për vlerën 19,149.96 euro”, ka theksuar Auditori.

Në total, 19 prona janë të uzurpuara nga operatori publik postar i Serbisë, mbi të cilat Posta e Kosovës nuk ka kontroll dhe nuk realizon përfitime ekonomike nga këto prona.

Trembëdhjetë prej tyre janë regjistruar në sistem të kontabilitetit në vlerë prej 264,540.48 euro. Sipas Auditorit këto kanë mbivlerësuar pasurinë e paraqitur në Pasqyrën e Pozicionit Financiar.

Në raport thuhet se kjo situatë është trashëguar që nga viti 2011, me rastin e ndarjes së kompanisë Posta dhe Telekomi i Kosovës në dy kompani të veçanta (Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës) në bazë të vendimit të qeverisë.

“Më tutje, nuk janë marrë veprime të mjaftueshme ligjore për zgjidhjen e këtyre çështjeve, si dhe mos aplikimi i standardeve për trajtimin kontabël të tyre”, ka potencuar Auditori.

Kjo ndërmarrje ka probleme bazike sa i përket obligimeve dhe regjistrimit të borxheve ndaj Adminsitratës Tatimore të Kosovës qoftë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatimin mbi të ardhurat personale dhe pagesën e trustit.

“Kompania, arkëtimet për TVSH i kishte prezantuar në shumën 740,282.95€. Mirëpo, nga analizat tona… rezulton se Posta e Kosovës nuk është debitore ndaj Administratës Tatimore për këtë llogari tatimore. Diferenca prej 740,282.95€, ndërmjet shumës së prezantuar në pasqyrën e pozicionit financiar dhe të konfirmimit nga ATK, është shumë për të cilën janë mbivlerësuar të arkëtueshmet”, thuhet në raportin e Auditorit.

Problemet me transaksionet

Posta e Kosovës nuk ka praktikuar regjistrimet kontabël që të transferohen shumat midis llogarive të arkëtueshme dhe llogarive të pagueshme.

Në pasqyrat financiare janë prezantuar llogaritë e arkëtueshme për shërbime të postës ndërkombëtare në vlerë prej 751,478 euro dhe llogaritë e pagueshme për shërbime të postës ndërkombëtare 185,821 euro.

“Për shkak të natyrës së trafikut postar ndërkombëtar, pothuajse përgjatë gjithë vitit pasues/pas periudhës së raportimit, ndërmjet administratave postare ndërkombëtare kryhen harmonizime për ngjarje apo transaksione të vitit paraprak (në këtë rast vitit 2018)”, thuhet në raportin e auditimit.

Prandaj në raport thuhet se shumë transaksione pas datës së raportimit mbesin si të pa korrigjuara. Po ashtu thuhet se Posta e Kosovës nuk ka aplikuar një datë specifike dhe uniforme të prerjes për korrigjimet pas datës së raportimit për të gjithë furnitorët/klientët e postës ndërkombëtare.

Rrjedhimisht, ekzistojnë diferenca të theksuara ndërmjet dokumenteve burimore për transaksionet e vitit 2018 dhe atyre të prezantuara në pasqyra financiare.

“Prandaj, plotësia e transaksioneve të tilla nuk ishte e mundur të konfirmohet”, ka potencuar Auditori.

Kjo ka rezultuar me pasqyrim jo të drejtë, për shkak se të arkëtueshmet si dhe të pagueshmet janë mbivlerësuar në vlerën 181,009 euro si dhe nuk janë bërë shpalosjet e duhura në shënimet shpjeguese lidhur me ngjarjet/transaksionet e vitit 2018 që nuk janë reflektuar në pasqyrat financiare.

Dyshime për keqpërdorimin e mbi 76 mijë eurove

Auditori ka gjetur se blerësit e shërbimeve të tjera në vlerë 76,151 mijë euro janë përfshirë në kuadër të llogarive të arkëtueshme, për të cilat Posta ka kërkuar hetim nga Policia e Kosovës mbi dyshimin e bazuar se ato para janë përvetësuar nga zyrtarë të Postës.

Bazuar në raportin e Auditorit të brendshëm të Postës së Kosovës, të datës 18 dhjetor 2015, Raportit final të Komisionit mbi kërkesat e hapura për shërbimet ndaj ‘Western Union’ të datës 23 nëntor 2015 si dhe vendimit të Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës të datës 18 janar 2016, Posta e Kosovës me 3 shkurt 2016 ka bërë kërkesë për hetime në Policinë e Kosovës.

Sipas kësaj kërkese ekziston dyshimi i bazuar që zyrtarë të caktuar të Kompanisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë përvetësuar shumën prej 76,151 euro.

“Aktualisht lënda është ende në procedim në gjykatë edhe ende nuk ka një vendim final. Kompania këtë ngjarje e ka njohur në kontabilitet si llogari e arkëtueshme ndaj Pikës Postare nr.10, në vend që të njohë këto si pasuri kontigjente sipas udhëzimeve të SNK 37”, theksohet në raport.

Sipas Auditorit, një regjistrim i tillë ka ndikuar në mbivlerësimin e të arkëtueshmeve për 76,151 euro. Kërkesat për të punësuarit në shumën 254,801 euro, nga të cilat 253,584 euro janë kërkesa për plaçkitjet (vjedhjet), të cilat kanë ndodhur në zyrat postare në vitet 2012-2018.

“Llogaritë e arkëtueshme janë të mbivlerësuara për këtë shumë, sepse këto kërkesa do të duhej të prezantoheshin vetëm tek shënimet shpjeguese si pasuri kontigjente”, vazhdon raporti.

Ndikimi i keq i Telekomit në Postë

Në raportin e auditimit thuhet se Posta e Kosovës, të hyrat kryesore i realizon nga Telekomi i Kosovës. Përkatësisht rreth 53% ose 5,905,412 euro e të ardhurave të përgjithshme realizohen nga ky klient.

Rreth 70% ose 4,139,965 euro e të hyrave që realizohen nga Telekomi kanë të bëjnë me qiranë e objekteve, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me shërbimet tjera të shitjes që Posta e Kosovës kryen për Telekomin e Kosovës.

Në raport thuhet se duke i’u referuar, informatave që ka pranuar ZKA gjatë auditimit të Telekomit të Kosovës për vitin 2018, ekzistojnë pasiguri materiale që mund të hedhin dyshime të konsiderueshme në aftësinë e Telekomit për të realizuar pasuritë e saj dhe të kryejë detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit.

Prandaj, në raport thuhet se nëse pasiguritë e tilla në TK materializohen kjo mund të ketë efekt edhe në Postën e Kosovës duke dështuar që të sigurojë rreth 50% e të hyrave të planifikuara.

Posta vazhdon të operojë me humbje

Posta e Kosovës ka vazhduar trendin e operimit me humbje.  Në vitin 2018 humbja e paraqitur në pasqyra financiare ishte 2,333,841 milionë euro.

Trendi i humbjeve ka vazhduar nga viti 2015. Përkatësisht në vitin 2015 humbja totale që i atribuohet pronarëve/aksionarit ishte 3,043,774  milionë euro, në vitin 2016 humbja ishte 1,584,554  milionë euro, në vitin 2017 humbja ishte 1,942,991 milionë euro.

Në raport thuhet se për më tepër, kapitali aksionar i emetuar si dhe komponentët tjera të kapitalit në vlerën 30,038,345 milionë euro është zvogëluar nga humbjet e akumuluara në vlerë 18,847,408 milionë euro që d.m.th. se vlera e mbetur e ekuitetit është 11,715,937 euro.

Sipas Auditorit, nëse vazhdon trendi i tillë vlera e ekuitetit mund të bie ne zero. Sipas gjykimit të Auditorit, kjo situatë përbën pasiguri për entitetin dhe si e tillë duhet shpalosur.

“Menaxhmenti beson se është duke ndërmarrë veprimet adekuate për të siguruar stabilitet financiar për Postën e Kosovës. Kjo përmes një kërkese/plani të datës 15 nëntor 2017 drejtuar Qeverisë së Kosovës ku kërkohet që një varg shërbimesh financiare jo bankare të Qeverisë të kryhen përmes Postës së Kosovës. Po ashtu, menaxhmenti konsideron se për shkak të pozitës së përshtatshme të objekteve postare në territorin e vendit, është e mundur që objektet të lëshohen me qira për kompani të tjera në rast se marrëveshja e qirasë me TK dështon për ndonjë arsye”, theksohet në raport.