Kabineti i Qeverisë së re të Kosovës - Foto: Albin Kurti/ Facebook

Qeverisë Kurti ‘po i duhet kohë’ për fatin e taksës 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës

Qeveria e re e Kosovës nuk po jep afat kohor se kur do ta zëvendësojë tarifën 100 për qind me reciprocitet ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ndonëse gjatë kohës së zgjedhjeve në vazhdimësi kanë premtuar ndryshimin e kësaj mase.

Përfaqësues të koalicionit qeverisës kanë thënë se nuk kanë dilema se taksa doganore duhet të zëvendësohet me reciprocitet, por se për rrethanat dhe periudhën kohore, po tregohen më të rezervuar.

Nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës taksën e kanë vlerësuar si temë komplekse që kërkon studim si dhe mes tjerash, edhe konsensus politik.

Por për njohës të çështjeve politike në vend, këto zhvillime bien në kundërshtim me kërkesat e drejtpërdrejta të ndërkombëtarëve që sa më parë të hiqet taksa.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë një paraqitje para gazetarëve të mërkurën deklaroi, se me Serbinë do të ketë reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, si zëvendësim për tarifën 100 përqind, por se nuk ka treguar se kur do ta marr një vendim të tillë kundrejt shtetit serb.

“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe  Bosnje e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë, edhe për shkaqe historike edhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, si zëvendësim për tarifën 100 përqind”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetare e LDK-së, Vjosa Osmani një ditë më parë u pyet se a kanë afat kohor se kur do të shkojë për vendimmarrje në qeveri zëvendësimi i taksës me reciprocitet.

Por, për Osmanin kjo është një temë jashtëzakonisht komplekse që kërkon studim të thellë dhe gjithëpërfshirës.

“Kjo nuk është temë që prek vetëm punën e kryeministrit dhe qeverisë apo kuvendit, por nënkupton bashkëpunim edhe me shumë akterë të tjerë qofshin ata nga jeta ekonomike qofshin nga institucionet e tjera të cilat zbatojnë relacionet tregtare politike, ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.

Sipas Osmanit, çështja e reciprocitetit në masë të madhe prek marrëveshjet që tashmë janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Por vendimin politik e kemi dhe ai është që tarifa largohet, reciprociteti si parim pozitiv i ndërtimit të relacioneve të mira duhet të hyjë në fuqi. Rreth kohës besoj se do të merrni përgjigje në të ardhmen”, u përgjigj ajo.

Në anën tjetër, një mendim ndryshe e ka shprehur sapo u bë ministër i Jashtëm dhe për Diasporë, Glauk Konjufca.

Me 3 shkurt, ai ka thënë se është kundër “luftës” pozitë-opozitë për temën e taksës.

“Gjithmonë kam qenë ithtar i idesë që në çështje të cilat ne i vendosim të fuqishme dhe karshi Serbisë, unë jam që ato të hiqen me një konsensus të lartë. Jo me qenë çështje e grindjeve pozitë-opozitë edhe e shkuarjeve deri në ekstremizma, edhe deri në gjeste që ‘e kallin’ situatën për shkak që kjo po bëhet një luftë e pastër pozitë-opozitë”, theksoi ai në emisionin “Pressing” të Televizionit 7.

Konjufca ka shtuar se është për të pasur pajtueshmëri të nivelit të lartë kur vendoset ose kur hiqet një vendim.

Ministri ka vlerësuar se nuk duhet ngutur në marrjen e vendimit përfundimtar.

“Unë nuk jam për m`u shty për këtë punë, brenda javës. Gabim është. Unë jam për me lanë me flejt, duhet me u pajtu krejt partitë politike. Do të shkojmë dalë-ngadalë, qoftë veç edhe nëse AAK-ja e refuzon, unë jam për me qenë i kujdesshëm. Nuk mendoj se taksa do të na përçajë. Kohë do të merr nuk e di, por nuk e di se sa”, tha ai.

Është pikërisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ajo që po e kundërshton heqjen e taksës, vendim i cili u vendos nga lideri i saj, Ramush Haradinaj sa ishte kryeministër i vendit.

Madje vet Haradinaj i është drejtuar kryeministrit Kurti me një letër të hapur duke i kërkuar të mos e heq vendimin për taksën.

“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë eurove për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terme të mjegullta siç është ‘reciprociteti’”, thuhet në letrën e Haradinajt.

Por Kurti një ditë më parë deklaroi se beson se për reciprocitetin e ka edhe përkrahjen e opozitës.

“Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe zonja Osmani edhe unë, pra mbi 60 përqind të votave në Kosovë, në mesin e shqiptarëve kanë qenë praktikisht me parimin e reciprocitetit”, tha ai.

“E unë besoj që edhe ata të cilët janë sot në opozitë, ose ata që nuk na votuan por unë do të jem kryeministër edhe i atyre. Mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë plotësisht dakord”, shtoi i pari i Qeverisë.

Në anën tjetër, analisti politik Blerim Vela thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se përkundër premtimit elektoral nga LVV dhe LDK se ata do të zëvendësojnë tarifën 100% me politikën e reciprocitetit, partnerët e rinj të koalicionit duket se preferojnë një qasje më të kujdesshme tani që ata janë në qeveri sesa të marrin vendim të shpejtë për këtë çështje.

“LVV dhe LDK po kërkojnë të sigurojnë mbështetjen nga partitë e opozitës përpara se të heqin tarifën”, vlerëson ai.

Sipas Velës, bartja e përgjegjësisë nga qeveria e re për tek partitë opozitare është në kundërshtim me kërkesën e qartë të qeverisë amerikane dhe BE-së për të hequr tarifën dhe rifilluar negociatat me Serbinë.

“Qeveria e re ka pak hapësirë për manovrim pasi nga njëra anë partitë e opozitës ka të ngjarë të refuzojnë të japin mbështetje politike, ndërsa ShBA dhe BE do të përpiqen të sjellin palët në tryezat e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur”, thekson ai për Gazetën JnK.

“Vendosja e reciprocitet në parim nënkupton jo vetëm ndryshim të raporteve tregtare që është arritur edhe me vendosjen e tarifës, por edhe ridefinim i raporteve në çdo fushë tjetër si qarkullimi i njerëzve, transporti, arsimi, shëndetësia dhe politikën e jashtme”, shton ai.

Në këtë drejtim, thotë tutje analisti, qeveria e re duhet të sqarojë se a synon që në fillim të zbatojë reciprocitet të plotë apo do të ketë një qasje përshkallëzuese në varësi nga vullneti i Serbisë që të jetë konstruktive ndaj Kosovës në fushat përkatëse.

“Për këtë arsye, qeveria e re duhet të përcaktoj qartë qëllimet që synon t`i arrij me vendosjen e reciprocitet dhe të siguroj mbështetje nga akterët e brendshëm politik dhe shtetet mike për një vendim të tillë”, theksoi analisti politik.

Taksa doganore 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake ishte vendosur nga Qeveria e kaluar në krye me Ramush Haradinajn në nëntor të vitit 2018.

Që nga ajo kohë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar, përderisa faktori ndërkombëtar nuk është ndalur së kërkuari heqjen e vendimit, për të rifilluar negociatat mes të dyja vendeve.