Qeveria Haradinaj në njërën nga mbledhjet | Foto: ZKM

Qeveria shkarkon anëtarët e bordit "Ibër Lepenc"

Qeveria e Kosovës i ka shkarkuar katër anëtar të bordit të Ndërmarrjes Ibër-Lepenci, me propozim të ministrit të Zhvillimit Ekonomik. Me vetëm tri abstenime është marr vendimi i qeverisë, ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se zëvendësimi i tyre do të bëhet nga lista e pritjes, pra nuk do të ketë konkurs të ri. “Plotësimi i bordit bëhet me anëtarët e bordit që kanë qenë në listën e pritjes”, tha Haradinaj pas interesimit të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri nëse do të ketë konkurs të ri.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se e përkrah propozimin e ministrit Lluka pasi këta anëtar të bordeve e kanë shkelur një vendim të ministrit.

“Ka diçka që më bon me përkrah vendimin e ministrit Lluka, nëse ky i shkruan një kompanie mos i boni këto e ata i bëjnë, unë qëndrojë prapa ministrit. Këto ndërmarrje kanë pas liri të tepërt, si rasti i Telekomit”, ka thënë Haradinaj.

Katër anëtarët që kishin votuar pro benefiteve për veten dhe punëtorët e ‘Ibër-Lepencit’: Fatos Sahiti, Albina Maloku, Imer Hamiti dhe Sami Veliu, u shkarkuansot nga Qeveria e Kosovës.

Propozim vendimi për shkarkimin e tyre është bërë nga ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka, me arsyetimin se vendimi i bordit ishte në kundërshtim me vendimin e tij për ndalës të bonuseve, si dhe kompania kishte humbjes mbi 4 milion euro të kësaj ndërmarrje vitin e kaluar. Bordi i Iber-Lepencit ka marr vendim për ndarjen e shpërblimit në lartësi prej 50% të honorarit themelor vjetor për anëtarët e Bordit të Drejtorëve për vitin 2017, si dhe pagë mujore shtesë (paga e 13-të) për të gjithë të punësuarit e Ibër Lepencit.

Më tutje, në arsyetimin e MZHE-së, thuhet se referuar raportit të Auditorit, kjo ndërmarrje në vitin 2017 ka humbje neto 4 milion e 177 mijë euro, vendimi i  tillë rrezikon likuiditetin e saj, duke krijuar situatë të pafavorshme për ndërmarrjen dhe aksionarin (Qeverinë).

KALLXO.com kishte raportuar për emrat të cilët janë propozuar për shkarkim.  Fatos Sahiti, Albina Maloku, Imer Hamiti dhe Sami Veliu janë anëtarët e këtij bordi, të cilët kanë votuar pro pagës së 13-të dhe benifiteve tjera për punëtorët e “Ibër Lepenci-t”. Kanë abstenuar Liridon Zogjani dhe Bashkim Shabani, ndërsa kundër ka votuar Muharrem Xhemajli.

Por, kryesuesi i këtij bordi, Fatos Sahiti, i ka thënë Gazetës JNK se ky është vendim “puro politik”.

I pyetur për afërsinë e tyre me LDK-në, Sahiti ka thënë se anëtarët e larcekur kanë afërsi familjare me këtë parti, por nuk janë anëtarë të saj.

Fatos Sahiti, është vëllai i gruas së ish-ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharkut. Albina Maloku, është motra e Vlora Dumoshit (ish shefe e kabinetit të Isa Mustafës). Sami Veliu, është vëllai i Agim Veliut, nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në reagimin e këtij bordi, drejtuar ministrit Lluka thuhet se ata njoftimin për shkarkim  e kanë marrë nga mediat, dhe se “Ibër Lepencin” e konsiderojnë një ndër ndërmarrjet më të suksesshme në Kosovë.

Ata thonë se vendimi i tyre, i datës 10 prill 2018, është marrë në pajtim me bazën ligjore për këtë çështje. Ata humbjen e mbi 4 milion eurosh e quajnë të pabazuar, duke e quajtur zhvlerësim dhe siç thonë “trajtohet si humbje nominale duke mos pasur efekt monetar”. Por, të dhënat e audituara të kësaj ndërmarrje e vërtetojnë qëndrimin e MZHE-së se kompania kishte humbje mbi 4 milionë euro.

Tutje në reagim thuhet se ndërmarrja “Ibër Lepenc” e ka respektuar vendimin e ministrit Lluka për ndalimin e bonuseve, të cilin ata e quajnë “ndalesë të përkohshme”, ku siç thonë në prag të festive të Vitit të Ri nuk janë dhënë paradhënje.

“Sa i përket rekomandimit të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike që do të rishqyrtohet vendimi për ndarjen e bonuseve, Bordi i Drejtorëve, të njëjtin do ta ketë në rend dite për shqyrtim në mbledhjen e datës 11 maj 2018”, thuhet në reagim.

Por, në vendimin e ministrit Lluka të datës 14 dhjetor për pezullim të bonuseve për anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike tregohet për kohën sa ky vendim është në fuqi.

“Pezullimin e vendimeve për kompensim për stimulimin e efektshmërisë së anëtarëve të bordeve të Drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore. Ky vendim është i vlefshëm deri në një njoftim të ardhshëm”, thuhet në vendimin e ministrit Lluka.

Vendimi i ministrit thotë se bonuse mund të ketë vetëm në rastet kur kompania operon me fitim dhe ndan dividenta për aksionarin, qeverinë e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës respekton të drejtën për kompensimin e stimulimit të efektshmërisë për bordet e drejtorëve, megjithatë, cilido vendim për ndarjen e kompensimit për stimulimin e efektshmërisë sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe kodit të etikës për qeverisjes korporatave për ndërmarrjet publike duhet t’i paraprijë përformanca e kënaqshme financiare, pagesat e obligimeve, ri-investimi në ndërmarrje si dhe shuma financiare e cila duhet të paguhet për aksionarin në emër të dividentës”, thuhet në vendimin e Llukës.

Në fund të reagimit të anëtarëve të bordit të Iber-Lepencit, i cili i është dërguar ministrit nga katër anëtarët e propozuar për shkarkim, thuhet se veprimet eventuale që ata i quajnë të paligjshme, do t’i kontestojnë dhe do të kërkojnë lëshimin e masave të përkohshme për ekzekutimin e tyre.

Ministri Valdrin Lluka në dhjetor të vitit të kaluar kishte marrë vendim për pezullimin e vendimeve për kompensim për stimulimin e efektshmërisë së anëtarëve të Bordeve të Drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore, në të cilin thuhet se është obligativ deri në një njoftim të ardhshëm. Po ashtu, në të njëjtin muaj, Lluka u kishte dërguar vërejtje të gjitha ndërmarrjeve qendrore, për racionalizimin e shpenzimeve të anëtareve të bordeve në NPQ.

Qeveria Haradinaj i kishte shkarkuar nga puna disa anëtarë të bordeve duke u thirr në një opinion të Agjencisë Kundër Korrupsionit se disa nga anëtarët ishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme.

Por, në janar të vitit 2018, Gazeta JNK kishte raportuar për dy emërimet e jashtëligjshme në këtë bord, të cilat erdhën si plotësim me dy anëtar të rinj. Qeveria aktuale emëroi dy kandidatë që janë të afërt me partnerin e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK): Muharrem Xhemajli dhe Liridon Zogjanin.

Emërimet e Kundërligjshme në Bordin e ‘Ibër Lepencit’