Qeveria Kurti financon vetëm katër projekte të reja në komunën e Haskukës

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 10 mars, Kuvendi i  Kosovës me 63 vota pro, miratoi Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Në total, buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

Për Komunën e Prizrenit, 28 projekte janë bartur nga buxheti i vitit paraprak, ndërsa vetëm katër projekte do të jenë të reja.

Këto katër projekte të reja në Prizren, Qeverisë së Kosovës do t’i kushtojnë 356,831 euro.

Me buxhetin e vitit 2020 Qeveria e Kosovës pritet të financojë me 15,431 euro ndërtimin e gypsjellësit për rrugën Janina dhe Nënë Tereza në Prizren.

Me 100,000 euro Qeveria e Kosovës pritet ta financojë memorialin “Masakra e Krushës së Vogël”,

Edhe projekti i Qendrës Rinore në Prizren është projekt i ri dhe për të janë planifikuar 100,000 euro nga buxheti i vitit 2020.

Gjithashtu janë ndarë edhe 141,400 euro për revitalizimin e rrugës “Marin Barleti”.

Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve në mbledhjen e Qeverisë kur u votua buxheti ka thënë se mbi 300 milionë euro kanë mbetur nga obligime të papaguara, për të cilat ai tha që janë një barrë shumë e madhe për buxhetin e ri.

“Ne si qeveri e re kemi trashëguar një masë të konsiderueshme të obligimeve të papaguara nga qeveria e kaluar dhe komunat në një total prej 328 milionë euro, këto obligime përbëjnë një barrë të madhe për buxhetin dhe në vend se në të fillojmë me implementimin e programimit tonë duhet t’i përdorim të hyrat për shlyerjen e obligimeve të papaguara”, kishte deklaruar ai.

Projektet e rrugëve në Prizren do të kushtojnë 766,425 euro.

Me buxhetin e vitit 2020 në Komunën e Prizrenit, pritet të rregullohen disa rrugë.

Të gjitha rrugët që do të rregullohen, do të barten mjete nga buxheti i vitit 2019 ndërsa për këto rrugë nuk janë planifikuar të ndahen mjete me buxhetin e vitit 2020.

Për asfaltimin e rrugës Lubizhdë- Skrobisht janë bartur 5,340 euro. E për asfaltimin e rrugës Mazrek-Gjonaj- Bishtazhin, janë bartur 200,000 euro.

Për asfaltimin e rrugës Prizren – Velezh janë bartur 3,685 euro nga viti paraprak.

Komuna e Prizrenit do të ndërtojë dy rrugë për të cilat janë bartur mjetet nga viti 2019.

Ndërtimi i rrugës Planej-Pashtrik, do t’i kushtojë 250,000 euro ndërsa ndërtimi i rrugës Krushë e Madhe- Randobravë me gjatësi 2km do t’i kushtojë qeverisë 157,400 euro.

Në Prizren do të bëhet edhe rregullimi i rrugës në lagjen Jeta e Re, e cila do të kushtojë 150,000 euro.

Projektet e sportit në Prizren do të kushtojnë 800,000 euro

Për Pishinën Olimpike do të barten 200,000 euro nga viti 2019. Për ndërtimin e stadiumit Përparim Thaqi do të barten 150,000 euro nga viti paraprak.

Për stadiumin e fshatit Gjonaj do të barten 50,000 euro ndërsa nuk është planifikuar ndarje buxhetore për vitin 2020.

Për poligonin sportiv në Mushnikovë do të barten 50,000 euro e për fushën sportive në Lubinjë të Epërme do të barten 50,000 euro nga buxheti i vitit paraprak.

Për ndërtimin e dy sallave sportive do të barten nga viti 2019, 300,000 mijë euro.

100,000 euro për ndërtimin e sallës së Edukatës Fizike të shkollës fillore “Ibrahim Fehmiu” dhe 200,000 euro për ndërtimin e sallës së Edukatës Fizike të shkollës fillore “Izvor” në Gornje Lubinje.

Qeveria e Kosovës për vitin 2020 ka lënë pa buxhet projektin e ndërtimit të stadiumit në Zhur.

Projektet në arsim në Prizren do të kushtojnë 1,320,000 euro

Komuna e Prizrenit këtë vit pritet të ndërtojë shkollën e muzikës në vlerë prej 390,000 euro të cilat mjete janë bartur nga buxheti i vitit paraprak.

Dy çerdhe publike pritet të ndërtohen në Prizren në vlerë prej 530,000 euro.

Njëra do të kushtojë 250,000 euro kurse tjetra 280,000 euro.

Komuna e Prizrenit pritet të renovojë edhe shkollën “Lidhja e Prizrenit”, e cila do të kushtojë 200,000 euro, mjete këto të ndara nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa ngritja e infrastrukturës së re dhe renovimi i objekteve ekzistuese për Universitetin e Prizrenit do të kushtojë 200,000 euro.

Projektet në kulturë në Prizren do të kushtojnë 771,400 euro

Qeveria ka ndarë mjete për Shtëpinë e Kulturës në Manastirica, 100,000 euro për këtë projekt do të barten nga buxheti paraprak. Për objektin e MKRS-së në Prizren janë planifikuar 100,000 euro e për muzeun Arkeologjik janë planifikuar 60,000 euro të bartura nga buxheti i vitit 2019.

Qeveria ka bartur nga viti paraprak 70,000 euro për Qendrën Historike të Prizrenit. Ndërsa për projektin e teleferikut në kala, niveli qendror ka bartur 200,000 euro.

Projekti i Qendrës Rinore në Prizren është projekt i ri dhe për të janë planifikuar 100,000 euro nga buxheti i vitit 2020.

Nga buxheti i vitit 2020 janë ndarë edhe 141,400 euro për revitalizimin e rrugës Marin Barleti.

Buxheti i Parkun të Inovacionit dhe Trajnimit

Qeveria e Kosovës ka bartur nga buxheti i vitit paraprak edhe 1,500,000 euro për Parkun të Inovacionit dhe Trajnimit.

Krijimi i Qendrës për Ekselencë Digjitale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP)-do të kushtojë 1,200,000 euro ndërsa zbatimi i masave të EE dhe BRE në Qendrën për Ekselencë Digjitale në ITP  do të kushtojë 300,000 euro

Projektet në Shëndetësi në Prizren do të kushtojnë 1,750,177 euro

Ndërtimi i objektit për themelimin e laboratorit për kateterizim (kardiologjisë intervente dhe mjekimin pranë Spitalit në Prizren do t’i kushtojnë Qeverisë së Kosovës 750,177 euro të bartura nga buxheti i vitit paraprak.

Po ashtu nga buxheti i vitit 2019 do të barten edhe 1,000,000 euro për ndërtimin e objektit për Nëna dhe Fëmijë, i cili do të kompletohet me pajisje përcjellëse. Ky objekt do të ndërtohet pranë Spitalit Regjional të Prizrenit.

Infrastruktura në drejtësi

Qeveria e Kosovës ka bartur nga buxheti i vitit paraprak 450,000 euro për dizajnimin dhe ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore në Prizren.