Qeveria Haradinaj lë anash ambientin, shpenzoi 3.4 milionë më pak se Qeveria Mustafa

Dita botërore e mjedisit, e gjeti Kosovën me shpenzime 16.4 milionë euro për mbrojtjen e tij. Sipas të dhënave të ASK-së, Qeveria Haradinaj në raport me atë të udhëhequr nga ish-kryeministri Mustafa shpenzoi më pak për mbrojtjen e mjedisit.

Shpenzimet Qeveritare për vitin 2018-të,  që e kalojnë shifrën e 1.9 miliardë euro, më shumë se gjysma e tyre u shpenzuan për paga e mëditje dhe kontribute sociale.

“Në vitin 2018, totali i shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme ishte 1, 978,000.00 milionë Euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet me pjesëmarrje 30%; formimi i bruto kapitalit fiks me pjesëmarrje 25%; kontributet sociale dhe përfitimet, me pjesëmarrje 24%; konsumi i ndërmjetëm, me pjesëmarrje prej 11%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, bën të ditur komunikata.

Ndërsa sipas klasifikimit, në raportin e ASK thuhet se në vitin 2018 shpërndarja e shpenzimeve në çështjet ekonomike 23 përqind, mbrojtja sociale 22 përqind, arsimi 15 përqind, shërbimet e përgjithshme 12 përqind, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në sektorët e tjerë.

Sikurse të hyrat, ashtu shpenzimet ishin më të larta në 2018-ën se një vit më parë. Në vitin 2017-të shpenzimet e përgjithshme Qeveritare nga 1 miliardë e 836.2 milionë sa ishin në vitin 2017-të, ato u rritën në 1 miliardë e 978 milionë euro. Që paraqet një rritje prej 141.8 milionë euro apo shprehur në përqindje paraqet një rritje rreth 8 përqind.

Shpenzimet kanë shënuar një trend rritës nga 2015-ta e këndej. Nga 1 miliardë e 612.3 milionë euro u rritën në 1 miliardë e 978 milionë euro në vitin 2018-të.

Shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit, në kohët e Qeverive Mustafa vs Haradinaj

 Nga gjithsej 1 miliardë e 978 milionë euro sa ishin shpenzimet e përgjithshme Qeveritare të vitit 2018-të, rreth 1 përqind e tyre ishin shpenzuar për mbrojtjen e mjedisit. Duke evidentuar një pjesëmarrje më të ulët të shpenzimeve në raport me kategoritë tjera sipas klasifikimit.

Më së shumti mjete u shpenzuan në mbrojtje sociale në masën rreth 22 përqind apo mbi 440 milionë euro dhe 23 përqind apo mbi 450 milionë euro u shpenzuan për çështje ekonomike.

Referuar raportit të ASK-së, në raport me vitet 2015 dhe 2016, kur në krye të Qeverisë ishte Isa Mustafa, për mbrojtjen e mjedisit ishin shpenzuan në mes 13.9 dhe 19.8 milionë euro. Ndërsa në kohën e Qeverisë Haradinaj shpenzimet për mbrojtjen ambientit sillen në mes 9.9 dhe 16.4 milionë euro.

Nëse krahasohen vitet 2016 dhe 2018, i bie se në vitin 2016-të shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit kishin vlerën e 19.8 milionë euro në krahasim me vitin 2018-të që ishin në vlerën e 16.4 milionë euro. Që paraqet një rënie rreth -3.4 milionë euro.

Raporti i publikuar i “Llogaritë Qeveritare të Kosovës për vitin 2018”, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

https://kallxo.com/fotogaleri-dita-e-mjedisit-e-gjen-kryeqytetin-te-mbytur-ne-berllok/

.