Qeveria Haradinaj, e parrëzueshme

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj është dëgjuar në çdo fjalim të partive opozitare kohëve të fundit. Por për analistët këto deklarata janë duke u bërë për konsum publik sepse nuk i kanë votat e mjaftueshme.

LDK-ja që nga formimi i Qeverisë Haradinaj këmbëngulte që do ta rrëzojë atë përmes mocionit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kohëve të fundit po e përkrah një gjë të tillë.

Kjo e fundit për dallim nga LDK-ja ka nisur edhe tubime me qytetarë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, duke mos përjashtuar as protestat drejt qëllimit të tyre për rrëzimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt.

Këtë synim e potencoi edhe shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, i cili tha se ka ardhur koha për ta larguar ekzekutivin aktual.

“Për asgjë tjetër, një mocion i mosbesimit do të ishte shumë me rëndësi sepse do t’i poziciononte më qartë partitë të gjitha pa përjashtim sa i përket raportit të tyre me pushtetin dhe Qeverinë Haradinaj”, ka thënë Konjfuca të hënën në një intervistë në KTV.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se do ta iniciojnë rrëzimin e Qeverisë në momentin që sigurohen votat në Kuvend.

“Mocioni mosbesimit ndaj Qeverisë së PAN-it do të procedohet sapo të sigurojmë votat. Është interes i qytetarëve që sa më parë të largohet një qeveri e papërgjegjshme, një qeveri e nepotizmit”, tha Hoti për Gazetën Jeta në Kosovë.

Një mocion të tillë do ta përkrahë edhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila.

“Po, gjithsesi ne e kemi thënë edhe më herët që kjo Qeveri që po udhëhiqet nga Haradinaj çdo ditë është e dëmshme për vendin, kështu që ne do ta mbështesim një mocion nëse iniciohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje”, tha ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kurse, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, që shpesh herë ka qenë kritik ndaj Qeverisë, tha se nuk do ta votojë rrëzimin e Qeverisë  nëse iniciohet nga LDK dhe VV pasi, sipas tij, nuk janë opozitë e duhur.

“Unë e përshëndes idenë e VV-së për me rrëzu Qeverinë, më së pari Konjufca duhet me i bë numrat pastaj me shku me propozime. Personalisht nuk do ta jap votën për rrëzimin e Qeverisë, sepse nuk ki opozitë në Kosovë. Kjo është fatkeqësia, për atë shkak nuk e mbështes”, tha Zeka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Analistët: Opozita nuk ka vota për rrëzimin e Qeverisë

Analisti politik, Ramush Tahiri është shprehur skeptik që Qeveria e përbërë nga koalicioni PAN do të rrëzohet këtyre ditëve.

“Unë nuk besoj shumë që Qeveria rrëzohet me mosbesim, bile nuk besoj që rrëzohet para qershorit sepse deputetët në atë muaj i bëjnë dy vjet dhe kanë të drejtë me i marrë kompensimet edhe për një vit tjetër edhe s’i humbin rrogat për 2-3 muaj”, tha Tahiri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se qeverisja aktuale mund të largohet vetëm nëse LDK dhe LV pranojnë votat e Listës Serbe, pasi kjo e fundit tashmë ka kaluar në opozitë.

“Ne e kemi Qeverinë që s’i ka votat po as opozitën s’i ka votat, sepse të dyja janë diku ka 52-53 edhe vetëm Lista Serbe ngado që shkon ia bën kuorumin. Pra nuk pres që mocioni të ketë sukses dhe është rreziku që kur të hynë mocioni s’ka të drejtë 3 muaj me bë mocion tjetër, me rregullore. Për atë nuk pres plus nuk ka një harmonizim apo platformë të partive opozitare që dallon shumë prej pozitës sa i përket çështjeve kryesore”, tha Tahiri.

Ramush Tahiri theksoi për Gazetën Jeta në Kosove se deklaratat e partive opozitare për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë janë duke u bërë vetëm për konsum publik.

“Këta po bëjnë deklarata të tilla vetëm me mbajt opinionin por jo që e kanë përnjëmend, jo që e kanë forcën për me rrëzu Qeverinë dhe që i kanë numrat”, tha ai.

Edhe Violeta Haxholli nga KDI u shpreh e bindur se nuk do të mund të rrëzohet për momentin qeveria aktuale.

“Nuk besoj pasi që aktualisht opozita nuk i ka numrat. Partive opozitare ju duhet edhe përkrahja e partive në pushtet për të realizuar me sukses mocionin e mosbesimit e partitë në pushtet për momentin nuk kanë shfaqur interesim për ta rrëzuar këtë Qeveri”, tha ajo për gJnK.

Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një  seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 9 shtator 2017, me 61 vota. minimumi që i duhet një qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

Miratimi i ekzekutivit aktual kosovar u mundësua falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua nga ekzekutivi.

Rrjedhimisht, kjo bëri qe koalicioni qeverisës që përbëhet nga PDK-AAK-NISMA, i njohur si PAN, të mos i ketë votat duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.