Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria ende pa Plan Qeverisës publik, Kuvendit nuk i ka dërguar as Programin Legjislativ, opozita plotë kritika

Përderisa gjatë vikendit që shkoi, kryeministri Albin Kurti ka lajmëruar se së bashku me anëtarët e kabinetit qeveritar kanë punuar në hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes, Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka pranuar Programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2021.

“Kuvendi deri më sot (14 prill) nuk e ka pranuar Programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2021”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Kuvendit të Kosovës për Kallxo.com.

Agnesa Haxhiu monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Kallxo.com, se nuk ka ndonjë afat ligjor me të cilën obligohet Qeveria të procedojë në Kuvend programin legjislativ për një vit kalendarik, në këtë rast për vitin 2021.

Por, bazuar në praktikën se si kanë operuar qeveritë e kaluara, Haxhiu tha se zakonisht programi legjislativ është dërguar qysh në fillim të vitit.

“Por kjo praktikë është aplikuar në rastet kur nuk ka pasur zgjedhje në atë periudhë kohore që nënkupton që për kontekstin aktual, kjo nuk do të mund të zbatohej sepse qeveria e re ka marrë mandatin në mars, tash një muaj”, tha Haxhiu.

Për të bërë të mundur realizmin e synimeve dhe objektivave të Programit Qeverisës, Haxhiu tha se Qeveria krahas planit vjetor të punës përgatitë dhe miraton programin vjetor legjislativ, i cili përfshinë të gjithë aktivitetin legjislativ që do ta ndërmarrë qeveria brenda një viti kalendarik.

“Mbi bazën e programit legjislativ të Qeverisë, hartohet agjenda legjislative e Kuvendit meqë Qeveria e Kosovës është sponsorizuesi kryesor i ligjeve në Kosovë”, ka shtuar Haxhiu.

Programi legjislativ, sipas saj, i reflekton prioritetet e qeverisë prandaj nuk mund të miratohet pa u miratuar programi qeverisës fillimisht, për të cilin qeveria është deklaruar se tashmë kanë një draft dhe se së shpejti do ta procedojnë në Kuvend për miratim.

“Gjithsesi, Qeveria domosdo duhet të punojë me një dinamikë shumë më të shtuar të punës në mënyrë që edhe programi qeverisës edhe programi legjislativ për vitin 2021 të miratohen në Kuvend brenda këtij muaji. Çdo vonesë në këtë drejtim do të kontribuoj negativisht në përmbushjen e plotë të programit legjislativ për këtë vit nga ana e Kuvendit, pasi dihet që shqyrtimi i një ligji merr më shumë se tre muaj kohë që të përfundoj të gjitha fazat e shqyrtimit deri në publikimin e tij në Gazetën Zyrtare”, tha Haxhiu.

Ajo, ka thënë për Kallxo se bazuar në performancën e legjislaturave të kaluara, përmbushja e agjendës legjislative (edhe në rastet kur programi legjislativ është sjellë nga Qeveria qysh në fillim të vitit) ka qenë në përqindje shumë të ulët dhe rrallëherë e ka kaluar 40% e përmbushjes së saj.

Qeveria Kurti 2, kritikohet për mos publikimin e planit qeverisës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të këtij viti, ka njoftuar opinionin se gjatë të shtunës dhe të dielës, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, kanë zhvilluar punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme.

“Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht. Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë, bashkë me punët drejt realizimit të tyre, do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim”, kishte shkruar Kurti në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka kritikuar qeverinë Kurti për mos publikim të planit qeverisës.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar, në një konferencë për media kishte thënë se qeveria Kurti po shihet si qeveri që bënë zhurmë e nuk punon.

“Sot janë bërë dy muaj prej kur kanë përfunduar zgjedhjet dhe qeveria Kurti është duke qeverisur pa program, po e shohim që kjo qeveri është e pushtetit dhe jo e shtetit. Kjo qeveri po shihet se e ka zhurmën si tupan e punën askund”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, qeveria Kurti në vend se të punoj për program po angazhohet për fushatën në Shqipëri.

“Njëkohësisht po shohim që po ka kohë që të shkon në fushata në Shqipëri, vendin ta mbyll dhe të mos merret me detyrat prioritare dhe të mos qeverisë me program të hapur e transparent dhe nën mbikëqyrje të Kuvendit dhe është në formë transparente i ndarë me akterët e tjerë”, tha ai.

Kallxo.com, ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës lidhur me agjendën legjislative për vitin 2021 por ende nuk ka marr përgjigje.

Monitoruesja e Kuvendit të Kosovës nga KDI, Haxhiu, ka thënë se në të kaluarën ka pasur raste kur Kuvendi ka zhvilluar punimet pa plan të punës.

“Në të kaluarën ka pasur raste kur Kuvendi ka zhvilluar punimet pa plan të punës siç për shembull ka ndodhur vitin e kaluar mirëpo kjo nuk do të thotë që është praktikë e mirë, sepse në mungesë të një plani të punës nuk mund të bëhet as matja e progresit në përmbushjen e detyrave e as të performancës në përgjithësi”, tha Haxhiu.

Sipas saj ka një numër të madh të projektligjeve që ka vite që barten nga një vit në tjetrin si pasojë e krizave të njëpasnjëshme politike dhe zgjedhjeve të shpeshta, prandaj është e domosdoshme që Kuvendi të intensifikojë punën dhe t’iu jap epilog këtyre projektligjeve.

Mirëpo sipas Haxhiut, se cilat projektligje do të jenë prioritet, kjo varet nga objektivat që ka Qeveria.

Gjatë këtij mandati Kuvendi i Kosovës kishte seancë të jashtëzakonshme për Ligjin për Zgjedhjet të thirrur nga pozita.

Ky projektligj nuk ka arritur shqyrtohet fare, pasi ai nuk ka marrë votat e nevojshme prej 2/3 për t’u futur në trajtim në Kuvendin e Kosovës, duke shmangur procedurat e rregullta plenare.

“Nuk kalon propozimi, tani parashihet që ky projektligj të marr rrugën e shqyrtimit të zakonshëm në Kuvendin e Kosovës”, kishte thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjofuca, pasi ka numëruar votat e deputetëve të pranishëm dhe seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ishte mbyllur.