FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Qeveria dhe 'Contour' kërkojnë financim për termocentralin nga Banka Shtetërore Japoneze

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pritur në takim delegacionin japonez nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), në krye me drejtorin e divizionit për financim të projekteve energjetike, Ryuta Suzuki dhe ambasadorin kosovar në Japoni, Leon Malazogu. Në këtë takim është diskutuar me theks të veçantë financimi i projektit “Kosova e Re”.  

Pjesëmarrës në këtë takim ka qenë edhe përfaqësuesi i “Contour Global”, Liridon Mavriqi. Këtë e ka konfirmuar ministri Valdrin Lluka për Kallxo.com, mirëpo në komunikatën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nuk është potencuar që në këtë takim ka qenë pjesëmarrës edhe përfaqësuesi i “Contour Global”.

“Ka pasur edhe përfaqësues të Contour Global, ka qenë përfaqësuesi i degës së Kosovës, Liridon Mavriqi”, ka thënë Lluka për Kallxo.com.

Liridon Mavriqi ka qenë për dy vjet menaxher i projektit ‘Kosova e Re’, ndërsa në prill të vitit 2018 ka filluar punën në kompaninë ‘Contour Global’. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, Mavriqi ka qenë njeriu kryesor i projektit për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Mavriqi para se ta merrte timonin e projektit ‘Kosova e Re’ ka qenë këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj nga viti 2011 deri në vitin 2013. Pra, ka pasur pozitë politike në të njëjtën ministri që e kishte angazhuar përmes tenderit.

https://kallxo.com/ish-menaxheri-i-kosoves-se-re-punesohet-ne-contour-global/

Në takimin me delegracionin e Bankës Shtetërore Japoneze, Lluka ka potencuar se Qeveria e Kosovës vazhdon të përballet me probleme energjetike për shkak të  vjetërsisë së kapaciteteve aktuale energjetike siç janë Kosova A dhe Kosova B si dhe theksoi rëndësinë që projekti Termocentrali “Kosova e Re” ka për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri Lluka tha se Contour Global planifikon që të vendosë gurëthemelin e termocentralit të ri gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe ta përfundoj atë deri në vitin 2023, ku me fillimin e operimit të termocentralit “Kosova e Re”, njëkohësisht të mbyllet termocentrali “Kosova A” dhe të përmbyllet rehabilitimi i termocentralit “Kosova B”. 

“Kjo do të ndryshoj tërësisht kualitetin e ajrit në Kosovë dhe do të përmirësoj jetën e qytetarëve”, ka thënë Lluka, citohet të ketë thënë në njoftimin e MZhE-së.

Në anën tjetër, Ryuta Suzuki nga Banka Shtetërore Japoneze ka shtuar se Kosova ka rëndësi strategjike për vendin e tyre dhe se Japonia është e interesuar që të përkrahë financimin e projektit “Kosova e Re”, për shkak se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. 

Suzuki theksoi se edhe pse prodhimi bazë i termocentralit “Kosova e Re” do të jetë me qymyr, ai do të ndihmojë në realizimin e projekteve të energjisë efiçiente siç është edhe zgjerimi i projektit të kogjenerimit dhe rritjes së kapacitetit të tij, me qëllim të përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës dhe disa komunave përreth, por edhe mbrojtjes së ambientit.

Delegacioni japonez është informuar edhe rreth aktiviteteve dhe investimeve në energji të ripërtërishme, ku Kosova është zotuar që do të ketë 25% të energjisë nga energjia alternative si dhe rreth projektit të sistemit të ngrohjes me biomasë në komunën e Gjakovës, dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ngjashme në të gjitha komunat e Kosovës.  

Banka Botërore ka në tetor të këtij vitit ka pranuar publikisht se nuk do ta përkrah ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim kishte deklaruar që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

“Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtëritshme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Kim.

Kim shpalosi qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit 1.3 miliardë euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po zhvillohen në Bali të Indonezisë.

https://kallxo.com/banka-boterore-nuk-e-perkrah-termocentralin-kosova-e-re/

Pas deklaratës së Bankës Botërore se nuk do të ofrojë mbështetje për termocentralin ‘Kosova e Re’ edhe Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZh) tani e ka konfirmuar se nuk është duke shqyrtuar mbështetjen për këtë projekt, raporton Bankwatch Network.

Lajmi erdhi pasi BERZH po përgatitet të miratojë një Strategji të re të Energjisë për pesë vitet e ardhshme, në të cilën duket se do të përjashtojë plotësisht financimin e drejtpërdrejtë për thëngjill, por deri më tani ka bërë angazhime të pamjaftueshme për të shmangur financimin e naftës dhe gazit.

Ministri Valdrin Lluka kishte thënë se në momentin që është tërhequr Banka Botërore nga financimi i termocentralit ‘Kosova e Re’, janë tërhequr edhe institucionet ndërkombëtare financiare prej idesë së financimit të projekteve me thëngjill.

“Në momentin që është tërhequr Banka Botërore, institucionet ndërkombëtare financiare tërhiqen prej idesë së financimit të projekteve me thëngjill. Nga ana tjetër Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim normalisht që edhe më herët ka qenë duke e shqyrtuar rastin për mos financimin e projekteve me thëngjill, kështu që si i tillë i bie që edhe këtë projekt, domethënë është pritë në fillim (që kanë me financu) mandej e kemi parë që edhe BERZh nuk e përkrah. Sfida kryesore ka qenë Banka Botërore se Banka Europiane veç është lajm i vjetër”, ka deklaruar Lluka për KALLXO.com.

Nga ana tjetër “Contour Global”, kompania që po shtyn përpara projektin për termocentralin ‘Kosovës e Re’, kohët e fundit ka thënë se do të kthehet te Korporata e Jashtme Private e Investimeve e ShBA-së (OPIC), por ende nuk ka identifikuar Agjencitë për Kreditimin e Eksporteve për financimin e projektit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kishte thënë se në muajin mars të vitit 2019, Korporata për Investime Private të Jashtme (OPIC) do të marrë vendimin nëse do ta financojë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Lluka ka deklaruar për Kallxo.com se qe 5 muaj kompania ‘Contour Global’ ka filluar kontaktet me OPIC-un amerikan për financimin e këtij projekti. Ai ka thënë se OPIC ka aprovuar një studim përmes të cilit shikohen mundësitë e financimit të TC ‘Kosova e Re’ në një vlerë deri në 450 milionë dollarë.

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliardë euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor 2017.

Në qershor të këtij viti, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Katër konsorciume tashmë kanë hyrë në garë për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ofertuesit e para-kualifikuar për Inxhinierim, Projektim, Ndërtim dhe Mirëmbajtje për Projektin e Termocentralit “Kosova e Re” janë: 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai.

Pas shpalljes së procesit të ‘Përzgjedhjes Fillestare’ në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga Contour Global. Rezultatet dhe vendimin e ‘Contour Global’ e ka njohur Qeveria e Kosovës.

Gjatë fazës së parakualifikimin kanë aplikuar gjashtë kompani, mirëpo pas procesit të vlerësimit është arritur në përfundimin se katër prej këtyre janë parakualifikuar, të cilët i kanë plotësuar kriteret e larta teknike dhe financiare, si dhe i kanë ofruar letrat e financimit nga institucionet financiare.

Është parashikuar që në vitin 2019 do të vihet gurthemeli i termocentralit “Kosova e Re”.