Pallati i Drejtesise. Foto: BIRN

Qasja në aktakuzat e redaktuara me dallime nga një rajon në tjetrin

Në vitin 2022, Kosova miratoi një ligj që i obligonte prokurorët të dorëzojnë në gjykata version të redaktuar të aktakuzës për qasje publike, por zbatimi varion nga vendi në vend dhe gazetarët nuk po përfitojnë nga kjo mundësi.

Në raportimin për krimet dhe gjyqësorin në Kosovë, gazetari i TV Dukagjini, Liridon Llozani, është mësuar që të zvarritet nga prokurorët kur vjen puna tek qasja në aktakuza dhe i duhet ti kërkojë diku tjetër.

“Në shumicën e rasteve, i siguroj aktakuzat përmes burimeve alternative brenda sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe palët e përfshira në raste specifike,”  tha Llozani për BIRN.

Ai tregoi se nuk ishte në dijeni se Kodi Penal i Kosovës kishte ndryshuar në vitin 2022 që obligon prokurorët të dorëzojnë në gjykatë versione të redaktuara të aktakuzave për qasje publike – përpjekje kjo për të përmirësuar transparencën duke mbrojtur informacionin e ndjeshëm.

Një analizë e BIRN-it, megjithatë, tregon se zbatimi i rregullit të ri varion nga rajoni në rajon; disa gjykata thonë se nuk kanë marrë asnjë aktakuzë të redaktuar për qasje publike që kur ligji ndryshoi.

Dështimi për të zbatuar ligjin i lë gazetarët si Llozani dhe kolegët e tij të shfrytëzojnë burimet për të marrë kopje të aktakuzave ose fotografi të faqeve të caktuara përmes telefonit.

Gazetarët thonë se thjesht po bëjnë punën e tyre, por përfaqësuesit e shoqërisë civile argumentojnë se këto ‘rrjedhje’ rrezikojnë të minojnë integritetin e një rasti.

“Kjo praktikë mund të krijojë konfuzion dhe të minojë integritetin e procesit gjyqësor, pasi informacioni i paplotë ose i pasaktë mund të ndikojë në perceptimin publik dhe të drejtat e të pandehurve,” tha Mexhide Demolli, drejtoresha ekzekutive e OJQ-së, Levizja FOL.

Mungesa e ndërgjegjësimit

Pallati i Drejtësisë

Gjyqësori i Kosovës publikon vetëm vendimet online, jo aktakuzat, por qasja mund të jepet – para vendimit – në një aktakuzë të redaktuar, e cila përmban inicialet e të pandehurit, akuzat kundër tyre dhe një përshkrim të shkurtër të dispozitave të aktakuzës.

Datat e lindjes, adresat, numrat e identifikimit dhe çdo informacion që mund të identifikojë dëshmitarët ose hetuesit mbeten konfidenciale.

Në vitin 2022, neni 237 obligoi prokurorët që të dorëzojnë në gjykata versione të redaktuara për qasje publike. Por ata nuk e bëjnë gjithmonë këtë dhe gazetarët duket se nuk janë të vetëdijshëm për të drejtën për t’i kërkuar ato.

Gjykata Themelore në Pejë i tha BIRN-it se kishte marrë dy aktakuza të redaktuara “me kërkesë të gjykatës”. Përveç këtyre rasteve, tha se “nuk kishte marrë ndonjë aktakuzë tjetër të redaktuar sipas këtij dispozitivi”.

Prokuroria Themelore e qytetit gjithashtu konfirmoi se kishte dorëzuar dy aktakuza të redaktuara të interesit publik pas kërkesave për qasje.

“Kemi redaktuar këto aktakuza për palët e interesuara pas rishikimit fillestar,” i tha Prokuroria BIRN-it. “Në shumicën e rasteve, kur aktakuza është ende nën hetim dhe ka interes publik, ne dërgojmë një version të redaktuar.”

Dallimet rajonale në zbatim

Foto: KALLXO.com

Të dhënat nga gjykatat dhe zyrat e prokurorisë tregojnë dallime të mëdha rajonale në zbatimin e nenit 237.

Gjykata Themelore në Prizren  raportoi se merr aktakuza të redaktuara në raste të krimeve të rënda, por jo kur bëhet fjalë për krime të dënueshme me më pak se 10 vjet burg.

Në Ferizaj  gjithashtu, gjykata themelore tha se kishte marrë disa aktakuza të redaktuara nga prokurorët dhe kishte miratuar shtatë kërkesa për qasje.

Prokuroria Themelore e qytetit gjithashtu konfirmoi se, krahas aktakuzës së plotë, dorëzon një version të dytë për qasje publike.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj ende nuk ka marrë asnjë kërkesë nga gazetarët që kërkojnë qasje në dokumentin që dorëzohet bashkë me aktakuzën”.

Në Mitrovicë, gjykata themelore tha se praktika e dorëzimit të aktakuzave të redaktuara ndiqet vetëm pjesërisht dhe se deri tani asnjë gazetar nuk ka kërkuar qasje.

Prokuroria Publike në Mitrovicë i tha BIRN-it: “Kur kërkohet qasje në aktakuzë, ndërmerren veprime bazuar në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës në lidhje me redaktimin e aktakuzës, përveç rasteve që mbrohen nga ligji dhe nuk janë të qasshme për publikun.”

Gjykata Themelore në Gjilan  tha se aktakuzat e redaktuara kishin filluar të arrinin “në muajt e fundit”, por se “nuk janë bërë kërkesa nga media”.

Në mënyrë të ngjashme, në Gjakovë, aktakuzat e redaktuara janë dorëzuar për qasje publike vetëm në dy raste.

“Kemi identifikuar vetëm dy raste ku Prokurori, së bashku me aktakuzën, ka dorëzuar një dokument që lejon qasje publike,” i tha gjykata BIRN-it. “Në rastet kur kërkohet qasje nga media, gjykata, me kërkesën e palëve, lejon qasje në inicialet e të pandehurit, kualifikimin ligjor të veprës penale dhe një përshkrim të shkurtër të akuzave.”

Qasja nga media dhe publiku

Mungesa e dukshme e kërkesave nga gazetarët për të parë aktakuzat e redaktuara tregon pwr nivel të ulët ndërgjegjësimi për ndryshimin e ligjit në vitin 2022 ose  mungesë interesi.

Në kryeqytet për shembull, Prokuroria Themelore tha se nuk kishte marrë kërkesa nga gazetarët, pasi këto kërkesa zakonisht drejtohen në gjykatën ku është dorëzuar aktakuza. Gjykata Themelore nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it.

Demolli, nga Levizja FOL, tha se është jetike që gazetarët të ushtrojnë të drejtat e tyre.

“Kjo përfshin dorëzimin e kërkesave formale në gjykata për qasje në dokumentet publike dhe pjesëmarrjen në seancat e hapura gjyqësore,” i tha Demolli BIRN-it.

Llozani tha se ishte e gabuar nga gjyqtarët, prokurorët dhe ndonjëherë avokatët të mendonin se marrja e një aktakuze nga gazetaret mund të ndikojë në rrjedhën e një rasti.

“Sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe në fund as prokurori dhe as gjyqtari nuk vendosin bazuar në opinionin publik, por në ligje dhe fakte,” tha ai.

“Pronaret e mediave, gazetarët dhe profesionistët e tjerë në fushën tonë kanë burime dhe komunikim, gjë që është legjitime dhe normale, por në disa raste, furnizimi dhe publikimi i pjesëve të aktakuzës ndodh në një kohë të caktuar dhe në një formë të veçantë, shpesh me interesa financiare, politike ose ekonomike të palëve të përfshira,” tha Llozani, duke theksuar se ky ishte opinioni i tij personal.

Prokuroria e Shtetit e Kosovës, në një përgjigje për BIRN, konfirmoi se neni 237 i Kodit të Procedurës Penale po zbatohet në mënyrë jo të njëtrajtshme nëpër zyrat e prokurorisë.

“Sa i përket faktit nëse prokurorët po e zbatojnë nenin 237 dhe po dorëzojnë aktakuza të redaktuara për qasje publike, duket se në disa zyra të gjithë prokurorët respektojnë plotësisht, ndërsa në të tjera disa nuk dorëzojnë aktakuzat e redaktuara siç kërkohet,” tha Prokuroria e Shtetit.

Në zyrat ku është identifikuar mosrespektimi, kryeprokurorët kanë informuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit se “kjo çështje do të trajtohet në takimet e tyre me prokurorët, me qëllim të sigurimit të përputhshmërisë së plotë me nenin 237”.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Balkan Insight