FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Pse nuk e përkrahu Banka Botërore ndërtimin e TC 'Kosova e Re'?

Në tetor të vitit 2018, në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim publikisht kishte deklaruar që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

Organizata partnere e Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Ekonomi të Energjisë dhe Analiza Financiare (IEEFA), publikoi përmbledhjen ekzekutive të raportit të Bankës Botërore për opsionet e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

Rezultatet e këtij raporti, të cilat asnjëherë nuk u bënë publike, ishin arsyeja që Banka Botërore të tërhiqet nga mbështetja e idesë për një termocentral të ri në Kosovë.

Sipas Bankës Botërore, energjia e ripërtërtishme dhe efiçienca janë opsionet me kosto më të ulët të energjisë elektrike.

“Kosova mund të përmbushë nevojat e saj të ardhshme për energji elektrike të paktën me kosto më të ulët duke zhvilluar burimet e saj të ripërtëritshme të energjisë, duke investuar në efiçiencën e energjisë dhe duke pastruar gjenerimin ekzistues të energjisë nga qymyri”, ka shkruar Gerard Wynn, Konsulent për financimin e energjisë në IEEFA.

Në raport gjithashtu shtrohet pyetja se pse kompania amerikane “Contour Global” është ende duke u përpjekur të sigurojë fonde për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr në Kosovë duke përdorur teknologjinë e General Electric.

Sipas raportit të Bankës Botërore, një termocentral 450 megavatësh (MW) me qymyr me specifika të zgjedhura nga “Contour Global” do të “krijonte kosto të konsiderueshme shtesë për vendin.”

Gjithashtu, raporti arriti në përfundim se një kombinim i opsioneve më të vogla, alternative, të furnizimit mund të bëjnë të njëjtën punë më lirë dhe më pastër.

Ky studim është mjaft domethënës, si për të përmbysur mbështetjen e Bankës Botërore për termocentralin e ri me qymyr në Kosovë, ashtu edhe për implikimet e tij globale: që një termocentral modern i ri me qymyr, nuk është më opsioni më i lirë, madje edhe në një vend me resurse të mëdha të rezervave të qymyrit (linjitit), si në rastin e Kosovës.

Konstatimi se një termocentral modern me qymyr nuk ishte më opsioni me kosto më ulët për Kosovën, u bazua në një numër faktorësh, duke përfshirë investimet e fundit dhe të planifikuara të vendit në efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme, dhe rënien e ndjeshme globale të kostos së energjisë solare, erës dhe baterive për ruajtjen e energjisë.

“Ka pasur ulje të konsiderueshme në kostot kapitale të panelave solare PV, teknologjisë së erës dhe teknologjive për ruajtjen e energjisë”, thuhet në raport, duke shtuar se raporti u publikua para uljes së mëtutjeshme të kostos, veçanërisht të baterive për ruajtjen e energjisë.

BloombergNEF, të martën, raportoi se çmimet e baterive kanë rënë 13% në 12 muajt e fundit.

Vendimi i Bankës Botërore, vitin e kaluar, për të tërhequr mbështetjen për një termocentral të ri qymyri në Kosovë ishte kundërshtues, jo vetëm për shkak të marrëdhënies së ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës që favorizonte një termocentral të ri me qymyr, dhe peshën e
Shteteve të Bashkuara si aksionari më i madh i Bankës Botërore.

Studimi konfidencial i Bankës Botërore u botua vetëm përbrenda bankës, në gusht të vitit të kaluar.

Nga përmbledhja ekzekutive prej 23 faqesh, Instituti për Ekonomi të Energjisë dhe Analiza Financiare, krahasoi koston e 10 opsioneve të ndryshme të furnizimit për të përmbushur kërkesën e energjisë elektrike të Kosovës gjatë tre dekadave të ardhshme.

Këto opsione janë: zhvillimi i mëtejshëm i energjisë së ripërtëritshme dhe baterive për ruajtjen e energjisë dhe rindërtimi i dy termocentraleve ekzistuese të energjisë nga qymyri.

Sipas raportit, të gjitha opsionet e furnizimit do të plotësonin nevojat e furnizimit me energji elektrike të Kosovës, për orë, për tre dekadat e ardhshme, dhe të lejojnë importet e energjisë elektrike në nivele historike.

Një nga opsionet që u mor në konsideratë ishte termocentrali me qymyr me fuqi 450MW, superkritike (SC), siç është zgjedhur nga “Contour Global” dhe Qeveria e Kosovës.

Pse nuk duhet të ndërtohet TC ‘Kosova e Re’?

Studimi arriti në përfundimin se ndërtimi i një termocentrali të tillë me qymyr nuk kishte më kuptim në Kosovë, për dy arsye të rëndësishme.

Së pari, është shumë i shtrenjtë. Në bazë të skenarit të Bankës Botërore, opsionet më të lira përfshinin: zhvillimin e mëtutjeshëm të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe baterive për ruajtjen e energjisë; riparimin e termocentraleve ekzistuese të qymyrit; ose ndërtimin i një termocentrali nën-standard (“sub-critical”), joefikas, me teknologji të lirë dhe e vjetëruar, e cila është refuzuar nga “Contour Global”.

Së dyti, sipas Bankës Botërore, një termocentral i madh me qymyr thjesht nuk ishte i nevojshëm, për shkak të investimeve të reja dhe të planifikuara të Kosovës në efiçiencë të energjisë, BRE, dhe planet e pritura për të zvogëluar humbjet në rrjet dhe rritjen e shtrirjes së ngrohjes qendrore.

“Cilido skenar 450MW do të krijojë suficit të kapacitetit. Nëse qeveria vendos të ndërtojë një termocentral të ri 450MW, atëherë do të krijonte kosto të konsiderueshme shtesë për vendin. Skenarët 450MW do të krijonin teprica të kapaciteteve, të cilat nuk janë të nevojshme, shumicën e kohës, për të përmbushur kërkesën e brendshme”, gjeti Banka Botërore.

Cilat janë opsionet e tjera për furnizim me energji elektrike?

Në mënyrë më të detajuar, Banka Botërore atëherë shikoi tre skenarë në mënyrë që të rendiste opsione të ndryshme të furnizimit të Kosovës me energji elektrike me kosto më të vogël.

Biomasa dhe biogazi – Studimi parashikon se deri në vitin 2020 do të ndërtohen 11 MW kapacitete gjeneruese bazuar në biomasë. Kjo përshtatet me cakun e Strategjisë së Qeverisë për Sektorin e Enegjisë 2017-2026.

ZRRE vendosi një tarifë të furnizimit me 71,30 orë megawat-orë për impiantet e biomasës. Produktet pyjore dhe mbetjet bujqësore supozohet se janë burimi i karburantit. Studimi gjithashtu supozon se deri në vitin 2021 do të ndërtohen 5 MW kapacitete bazuar në biogaz. Plehu i kafshëve supozohet të jetë burimi kryesor i karburantit.

Hidrocentralet – Studimi parashikon se deri në vitin 2022 do të ndërtohen hidrocentrale të vogla me kapacitet 163 MW. Kjo përshtatet me cakun prej 234 MW të Strategjisë së Qeverisë për Sektorin e Energjisë 2017-2026.

Qeveria është duke ndërtuar hidrocentrale të vogla me implikimin e sektorit privat. Në qershor të vitit 2017, një total prej 70 MW të hidrocentraleve të vogla kanë marrë autorizimin final.

Energjia diellore – Studimi supozon se deri në vitin 2020 do të ndërtohen kapacitete të energjisë diellore deri në 30 MW. Një projekt i vogël është autorizuar dhe tri projekte të tjera me kapacitet prej 9 MW kanë marrë autorizimin final. Në studim thuhet se ka interesim të madh nga investitorët privat për energjinë diellore PV dhe BESS.

Një investitor privat ka propozuar një projekt te Qeveria e Kosovës për të ndërtuar 150 MW të energjisë diellore te minierat e linjitit.

Energjia e erës – Studimi ka parashikuar se deri në vitin 2020 do të ndërtohen 150 MW kapacitete të reja të energjisë së erës. Për të promovuar zhvillimin e energjisë së erës, ZRrE zhvilloi një procedurë të autorizimit dhe krijoi një tarifë prej 85 euro për MW për orë.

Në qershor të vitit 2017, projekti me kapacitet 105 MW në veri-lindje të Kosovës pranoi autorizimin final dhe në lindje të Kosovës është duke u ndërtuar projekti me kapacitet 32.5 MW.

Opsionet e prodhimit të energjisë nga djegia e fosileve – Ndërtimi i një termocentrali të ri me karburant të dyfishtë (naftë dhe gaz) me kapacitet 300 ose 450 MW. Kosova nuk ka ndonjë pasuri të gazit natyror, dhe aktualisht nuk e ka infrastrukturën për importim dhe distribuim të gazit.

Importimi i gazit për prodhimin e energjisë do të kërkonte shtrirjen e tubacioneve ekzistuese nga vendet fqinje. Kjo krijon sfida në implementimin e saj.

Instalimi i motorëve me kapacitet 300 ose 450 MW që përdorin naftën – Kosova importon të gjitha produktet e naftës të cilat i përdor, dhe një mundësi e tillë e furnizimit do të ekspozojë tarifat e energjisë elektrike në rreziqet e çmimit të naftës.

Ndërtimi i një termocentrali me qymyr subctritical me kapacitet 300 MW, 450 MW supercritical dhe 450 MW ultra super critical, të cilat mund të mbështesin gjithashtu biomasën deri në 10 për qind.

Rezervat e linjitit janë 12.4 tonë, prej të cilave 10.9 janë të eksploatueshme. Studimi nuk tregon një teknologji specifike për termocentralin e ri me linjit të kapacitetit 300 ose 450 MW. Ky termocentral duhet të jetë në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.

Rikonstruktimi i termocentralit Kosova A – Studimi konsideron opsionin e rikonstruktimit të dy njësive të termocentralit Kosova A, i cili do të lejonte rritjen e kapacitetit gjenerues deri në 450 MW. Rikonstruktimi i këtyre njësive duhet të jetë në përputhje me kërkesat e EU sa i përket emisionit.

Skenari i parë mati kapitalin dhe koston e funksionimit plus koston e importeve të energjisë elektrike. I dyti, shtoi koston lokale të ndotjes së ajrit. Dhe i treti shtoi si koston lokale të ndotjes së ajrit ashtu edhe koston globale të emetimeve të karbonit, përmes ndryshimeve klimatike.

Sipas skenarit të parë, opsioni për të riparuar dy njësi ekzistuese të qymyrit u konsiderua opsioni me kosto më të ulët, megjithëse studimi paralajmëroi “rreziqe të konsiderueshme teknike dhe të tejkalimit të kostos”. Zhvillimi i mëtutjeshëm i BRE-ve ishte opsioni i tretë me kosto më të ulët, pas opcionit të një termocentrali të ri nën-standard (“sub-critical”) me qymyr.

Sipas skenarit të dytë, i cili përfshinte koston e ndotësve lokalë të ajrit, termocentrali nën-standard (“sub-critical”) i qymyrit u konstatua se ishte kostoja më e ulët, e ndjekur nga zhvillimi i mëtejshëm i BRE-ve.

“Është e çuditshme që studimi i Bankës Botërore përfshiu një termocentral të tillë nënstandard (“sub-critical”) me qymyrit në analizën e tyre, duke pasur parasysh se tani ajo teknologji është tejet e vjetër e cila ka shumë pak gjasa që sot të ndërtohet kudo në botë”, ka shkruar ka shkruar Gerard Wynn, Konsulent për financimin e energjisë në IEEFA.

Sipas skenarit të tretë, i cili përfshinë koston e ndotjes së ajrit dhe emetimeve të karbonit, zhvillimi i BRE-ve u vlerësua të ishte opsioni me më pak kosto, ndërsa opcioni i dytë ishte ndetërtimi i një termocentrali ultra-supercritical i qymyrit.

Përmbledhja ekzekutive e Bankës Botërore nuk zgjodhi një opsion fitues.

“Sidoqoftë, nëse e përjashtojmë teknologjinë nën-standard (“sub-critical”) të qymyrit, zbulon se nevojat e ardhshme të Kosovës të furnizimit me energji elektrike mund të përmbushen me kosto më të ulët ose nga zhvillimi i mëtutjeshëm i BRE-ve ose rehabilitimi i njësive ekzistuese të gjenerimit të qymyrit, në varësi të faktit se a llogaritet ndotja e ajrit dhe çmimet e karbonit.

Banka Botërore ishte e qartë në refuzimin e planeve për një termocentral të ri 450MW me qymyr për shkak të kostos së tepërt të saj dhe kapacitetit të tepërt.

Historiku i TC ‘Kosova e Re’

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliardë euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Countur Global’ për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor të citit 2017.

Në qershor të vitit 2018, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Ndërsa ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kishte deklaruar që në mars të këtij viti Korporata për Investime Private të Jashtme (OPIC) do të marrë vendimin nëse do ta financojë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ai ka thënë se OPIC ka aprovuar një studim përmes të cilit shikohen mundësitë e financimit të TC ‘Kosova e Re’ në një vlerë deri në 450 milionë dollarë.

Një vendim i tillë ishte shtyrë për në shtator dhe deri më tani nuk ka ndonjë informacion nëse është marrë një vendim i tillë.

Në muajin maj të këtij viti, konzorciumi i udhëhequr nga “General Electric” është zgjedhur ofertues i preferuar për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’.

Sipas parashikimeve, gurthemeli për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ duhet të vihet deri në përfundim të vitit 2019, ku kanë mbetur edhe më pak se një muaj.

Garancia shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës. Tashmë që nga muaji gusht, Kosova është pa Kuvend dhe me një qeveri në detyrë. Derisa nga zgjedhjet e 6 tetorit doli fitues Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk kemi ndonjë marrëveshje për koalicion, bisedime të cilat kanë filluar qysh para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Afati për përbushjen e kontratës për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ është deri në muajin maj të vitit 2020. Nëse Kosova nuk i përmbushë obligimet ndaj kompanisë amerikane “Contour Global”, do t’i paguaj asaj 19.7 milionë euro.