Protesta në Pragë

Protesta të mëdha në Çeki: Kërkohet dorëheqja e kryeministrit Andrej Babis

Protestuesit çekë mbushën Sheshin e Pragës, në atë që thuhet të jetë, protesta më e madhe çeke që nga viti 1989.

Sheshi në qendrën e kryeqytetit çek, Pragë, ku turma të mëdha njerëzish ishin mbledhur tri dekada më parë në përpjekjen e tyre për të hequr qafe regjimin komunist, këtë të martë, ushtonte përsëri nga jehonat e turmave të përcjella edhe me këngë proteste njëkohësisht.

Republika Çeke ishte dëshmitare e protestës së saj më të madhe politike që nga rënia e komunizmit, pasi që rreth 120,000 qytetarë u mblodhën në Pragë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Andrej Babis.

Burra, gra dhe fëmijë, që vinin nga e gjithë Republika Çeke, duke valëvitur flamuj dhe duke mbajtur simbole që kundërshtonin qeverinë, u mblodhën për atë që ata thanë ishte një tjetër luftë për shpirtin e demokracisë së tyre.

Ajo që filloi gjashtë javë më parë si një protestë relativisht e kontrolluar – emërimi i një ministri të drejtësisë, për të cilin pothuajse të gjithë besojnë se do vihet në mbrojtje të Kryeministrit Andrej Babis në lidhje me akuzat e mundshme për mashtrim – po del të jetë diçka më e madhe dhe ndoshta më e vështirë për t’u kontrolluar.

Duke valëvitur flamujt çekë dhe flamuj të BE, protestuesit mbushën Sheshin Wencesla, skenën e tubimeve euforike të 30 viteve më parë që rezultoi me revolucionin e kadifenjtë dhe i dha fund sundimit komunist në ish-Çekosllovaki.

Me banderola në dorë ku thuhej “Dorëheqje”, protestuesit – duke përfshirë edhe ata që kishin udhëtuar nga vende të largëta – shprehën zemërimin e tyre se pse Babis po qëndron akoma në pushtet, pavarësisht skandaleve në rritje mbi keqpërdorimin e fondeve të BE.

Me guximin e tij karakteristik Babis ishte përgjigjur duke thënë se prezenca e madhe e protestuesve ishte një reflektim i motit të mirë – dhe se ai i ka dënuar hetime kundër biznesit të tij si pjesë e një komploti të madh politik.

Përzierja e shtresave shoqërore në këto protesta jepte shenja se zemërimi i qytetarëve kësaj radhe kishte dalë përtej zonave liberale, relativisht kozmopolitane të rrethinës së Pragës, aty ku kundërshtimi ndaj kryeministrit ka qenë gjithmonë i fortë.

Babis, i cili është në betejë me akuzat për korrupsion për vite me radhë, në një intervistë të vitit të kaluar, nuk e ka fshehur zemërimin e tij duke thënë se ishte e pamundur të mbronte veten nga rrymat e vazhdueshme të sulmeve ndaj tij. Por ai është treguar i durueshëm, pasi i ka mbijetuar një vote mosbesimi në Parlament.

Emocionet në tubimin e javës së kaluar, të fundit në një seri ngjarjesh anti-Babis, u rritën së tepërmi pas zbulimit në publik të një raporti të Komisionit Evropian që e akuzonte udhëheqësin çek për konfliktit interesi mbi lidhjet e tij me një konglomerat industrial, Agrofert, se ka marrë subvencione të mëdha nga BE.

Babis, 64 vjeç, i cili u bë kryeministër në vitin 2017, e ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Pas rekomandimit nga policia në muajin Prill se ai do të përballet me akuzat për mashtrim lidhur me keqpërdorimin e fondeve të BE, Babis u përgjigj me shkarkimin e ministrit të drejtësisë Jan Knezinek në qeverinë e tij të koalicionit dhe e zëvendësoi atë me Marie Benesova, një person i afërt me presidentin e vendit, Milosh Zeman, i cili është një aleat i Babis. Ky vendim politik nxiti një zemërim të menjëhershëm tek qytetarët çekë.

Në fakt, Babis ishte zgjedhur deputet i Parlamentit në vitin 2013 pjesërisht për shkak të një premtimi për të luftuar korrupsionin.

Njeriu i dytë më i pasur i Republikës Çeke, me një vlerë neto të vlerësuar rreth 4 miliard dollarë, u paraqit si dikush që nuk mund të korruptohej. Dhe, si një biznesmen i cili erdhi nga rrethi i jashtëm i elitës së njohur politike e kalbur me skandale për  vite me radhë, Babis premtoi një epokë të re.

Votuesit ranë dakord me këtë dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Babis dhe partia e tij arriten një fitore të jashtëzakonshme ku ai u emërua kryeministër.

Disa orë para protestave, Babis, nisi një kundërsulm të ashpër, duke përdorur një debat parlamentar për ta përshkruar raportin si një “sulm ndaj Republikës Çeke” që ka si synim destabilizimin e vendit.

Një auditim nga Komisioni Evropian, KE, i bërë publik javën e kaluar ishte i pamundur të injorohej. Ky raport zbuloi se kompania e kryeministrit Babis e quajtur Agrofert, ka përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian. Auditimi i KE-së duket se i ka dhënë mbështetje një ankese nga organizata Transparency International se kryeministri po shkel rregullat sa i përket konfliktit të interesit duke e mbajtur nën kontrollin e tij kompaninë Agrofert pavarësisht asaj që ai e ka vënë atë kompani në mirëbesim.

Ky raport thotë se funksionet e tij të qeverisë ishin “të komprometuara” nga përfshirja e tij në vendimet që kanë të bëjnë me buxhetin e të cilat vendime prekin Agrofertin dhe, me këtë, Republika Çeke mund të detyrohet të paguajë miliona euro në subvencione.

Duke folur në një seancë të parlamentit, të martën që po lëmë pas, Babis i shtoi sulmet ndaj kundërshtarëve të tij.

“Unë kundërshtoj rreptësisht këtë mendim dhe unë do të luftoj që ky mendim të ndryshohet”, tha Babis. “Republikës Çeke me siguri nuk do ti duhet ti kthejë ndonjërën prej subvencioneve. Nuk ka asnjë arsye për këtë, sepse unë nuk i kam shkelur normat ligjore të Çekisë apo të Bashkimit Evropian “.

“E konsideroj auditimin si një sulm ndaj Republikës Çeke, një sulm ndaj interesave të Republikës Çeke,” deklaroi ai. “Kjo nënkupton destabilizim i Republikës Çeke”.

Babis, i cili ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, si një “komplot i organizuar”, e quajti auditimin e komisionit “shumë të dyshimtë” dhe premtoi se Republika Çeke nuk do të paguajë asnjë subvencion. “Burokratët evropianë po i përbuzin ligjet çeke. Brukseli po ndërhyn në ligjet tona “, tha ai.

Ndërsa turma e protestuesve javën e kaluar ishte e madhe, partia ‘Ano’ e Babis ende ka një bazë solide mbështetjeje. Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, kandidatët e afërt me këtë parti kanë marrë rreth 20 përqind të votave, më shumë se secila parti tjetër.

Më 23 qershor do të mbahet protesta e radhës e cila pritet të jetë poashtu masive dhe do të mbahet afër Parkut Letna, në Pragë.