Pronësia e padefinuar e objektit të Fakultetit të Arteve të UP-së ‘Hasan Prishtina’

Që nga pas lufta studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” vazhdojnë t’i ndjekim ligjërata në një objekt që nuk është në pronësi të këtij Fakulteti.

Objekti i Fakultetit të Arteve që gjendet brenda Kampusit Universitarë të UP-së, që pretendohet nga Kisha Ortodokse Serbe, pas luftës ishte venë në dispozicion të institucioneve kosovare. Aty fillimisht ishte vendosur Departamenti i Tregtisë që funksiononte nën ombrellën e misionit të OKB- së, e më vonë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe ajo Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Por, që nga 2004 ky objekt është marrë në shfrytëzim nga Universiteti i Prishtinës konkretisht, Fakulteti i Arteve, ku përveç Dekanatit dhe pjesës tjetër të Administratës në këtë objekt janë edhe disa degë të këtij Fakulteti.

Objekti ndodhet brenda hapësirës prej 4 hektarësh në kampusin universitar të UP-së, e cila pas viteve të 90-ta të shekullit të kaluar nga organet dhunshme të instaluara nga shteti ju dhurua Kishës Ortodokse Serbe.

KALLXO.com u ka shkruar edhe zyrtarëve të Kishës Ortodokse Serbe lidhur me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje nga të njëjtit.

Objekti aktual në të cilin është i vendosur Dekanati i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është ndërtuar gjatë asaj periudhe dhe siç pretendohet nga Kisha Ortodokse Serbe, për nevoja të Kishës që është ndërtuar në kampus, por që nuk arrit të kompletohet deri pas çlirimit.

Heshtja e Rektoratit të UP-së

Për institucionet kosovare ky objekte është në pronësi publike, megjithëse një vit më parë Gjykata e Apelit hodhi poshtë padinë e Universitetit të Prishtinës lidhur me pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe.

Zyrtarë të Rektoratit të UP-së, “Hasan Prishtina” nuk janë përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com lidhur me pronësinë e Objektit të Fakultetit të Arteve. Përderisa zyrtarë të komunës së Prishtinës kanë pohuar për KALLXO.com se objekti në të cilën funksionon Fakulteti i Arteve i UP-së brenda kampusit universitar evidentohet në parcelën kadastrale në pronësi  shoqërore.

 

“Ndërtesa që shfrytëzohet nga Fakulteti i Arteve të UP-së (brenda kampusit universitar) e cila pretendohet nga Kisha Ortodokse Serbe, evidentohet në parcelën kadastrale me nr.7090-21 me sipërfaqe 117277m², në pronësi  Pasuri Shoqërore – Kuvendi Komunal Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës lidhur me objektin e FA-së.

Fakulteti i Arteve ishte vendosur në objektin aktual në kapunisin universitar pas një marrëveshje mes rektorit të atëhershëm të UP-së, dhe ministrave të dy ministrave të qeverisë që ishin vendosur aty pas zgjedhjeve të para të përgjithshme pas luftës.

Ish -ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, Ministri që atë kohë ishte vendosur në objekti ku tani është FA-ja, ka pohuar për KALLXO.com, se gjithmonë ky objekt është konsideruar pronë publike.

Ai ka thënë se objekti ju dorëzua UP-së, pas një kërkese të bërë atë kohë nga rektori i UP-së, por edhe për vet faktin se objekti ishte brenda hapësirës universitare.

“Duke pasur parasysh se objekti është brenda kampusit dhe se nuk është mirë që objektet qeveritare të jenë brenda kampusit, është vendosur që ky objekt t`i jepet në shfrytëzim UP-së, gjegjësisht FA. Marrëveshja është bërë pa implikime financiare për asnjërën palë”, ka thënë ish- ministri Dugolli, aktualisht dekan në Fakultetin Filozifik të UP-së në Prishtinë.

Tri objekt e FA-së

Edhe Agim Selimi,  dekan i Fakultetit të Arteve ka thënë për KALLXO.com, se është në dijeni se objekti i Fakultetit të Arteve nuk është në pronësi të FA-së,  dhe se objekti pretendohet nga Kishës Ortodokse Serbe. Fakulteti Arteve, sipas dekanit Selimi shfrytëzon edhe dy objektet tjera, një në Kampus dhe një përballë Hotel ‘Grandit”, i cili është në pronësi ndërmarrjes xehetarë –Kishnicë.

“Jemi në dijeni që kjo pronë pretendohet nga kisha serbe së bashku me 4 hektarë brenda kampusit universitare.  Kjo çështje nuk është e mbyllur pasi rektorati ka dërguar përsëri ankesë në gjykatën përkatëse”, ka thënë Selimi.