Projektligji që synon t`i rregullojë nënshkrimet dhe vulat digjitale

Në zhvillimin e teknologjisë dhe komunikimeve Elektronike Kosova kishte probleme serioze me mungesën e legjislacionit për nënshkrimin dhe vulat digjitale.

Në një proces elektronik vendet e EU-së, por edhe vendet e zhvilluara sigurohen që dokumentet të mos shtypen, mirëpo të njëjtat të ruhen në format digjital, i cili siguron që ato të jenë origjinale dhe mos të kontestohen, ndërsa vendosja e vulave dhe nënshkrimeve digjitale u nënshtrohet mekanizmave të licencimit dhe sigurisë.

Ndërtimi i një sistemi të tillë ka eliminuar dokumentet e shtypura dhe nevojën për nënshkrime dhe vula tradicionale të cilat përdoren në masë masive në Kosovë.

Për vite me radhë Kosova synon të ndërtoj legjislacion i cili do rregullojë këtë fushë duke mundësuar që të shmangen dokumentet fizike dhe nevoja për të prodhuar të tilla.

Të dhënat tregojnë që kompanitë në vend duhet të prodhojnë qindra dokumente për të argumentuar pushimet e punëtorëve, apo për të lidhur kontrata të cilat duhet të ruhen të gjitha në kopje fizike në letër.

Implementimi i vulës dhe nënshkrimit digjital krijon mundësinë që këto dokumente të ruhen të gjitha në formë elektronike.

Edhe komunikimi dhe marrëdhëniet në mes bizneseve kryhen momentalisht në formatet tradicionale duke krijuar barriera të mëdha për shkak të kostos së postës dhe kohës që kërkohet për dërgesat e letrave.

Kompanitë të cilat nënshkruajnë kontrata me BE-në duhet që të njëjtat t`i dërgojnë me postë, pasi momentalisht nënshkrimet digjitale të vendit nuk njihen nga sistemet e vendeve të EU-së.

Qasja është e njëjtë edhe në institucionet publike ku pjesa më e madhe e komunikimeve sidomos atyre në sistemin e drejtësisë kryhet në formatet e shtypura të vulosura dhe nënshkruara në formën tradicionale.

Identiteti i sigurt digjital dhe nënshkrimi digjital janë përmendur si sfidat kryesore në Observatorin e Agjendës Digjitale për vitin 2020.

Në vitin 2021 legjislacioni i vendit ka nisur të avancoj në këtë drejtim duke u bazuar në kriteret e rregullores së EU-së për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besueshme për transaksionet elektronike (eIDAS), është hartuar ligji për Identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

Projektligji është miratuar së fundmi në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, një hap ky i rëndësishëm në procesin legjislativ. Pas miratimit në leximin e parë ligji është kthyer tek Komisionet dhe në seancat e radhës pritet të miratohet në leximin e dytë, proces ky që dërgon pastaj në futjen në fuqi të ligjit.

Në ligj rregullohen çështjet si: Vula elektronike dhe nënshkrimi elektronik, duke paraparë mekanizma kontrolli dhe mekanizma të licencimit të kompanive të cilat do i ofrojnë shërbimet e licencave për këto shërbime.

Sistemi do organizohet në kuadër të kompanive të specializuara të cilat do  regjistrohen për të kryer këtë veprimtari, ndërsa shërbimet e tyre do kryhen kundrejt një pagese.

Projektligji rregullon mënyrën e identifikimit dhe skemat e identifikimit elektronik, kushtet e përdorimit të nënshkrimit elektronik, vulës elektronike, vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre, shërbimet e regjistruara elektronike për procedurat gjyqësore, kushtet e lëshimit dhe përdorimit të certifikatave të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqes së internetit; shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike.

Po ashtu është paraparë rregullimi i shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike.

Ligji në fjalë parashihet të zbatohet për skemat e identifikimit elektronik dhe për ofruesit e shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike.

Ndërsa nuk do të zbatohet për verifikimin e vlefshmërisë së kontratave ose detyrimeve tjera ligjore, procedurale që janë të rregulluara me ligjet tjera në fuqi.

Procesi i identifikimit dhe autentifikimit elektronik është paraparë të iniciohet vetëm me kërkesë të personit juridik ose personit fizik që është subjekt i identifikimit.

Me qëllim të sigurimit të qasjes së sigurt, të besuar dhe pa ndërprerje në shërbimet publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, të gjithë personat fizik dhe juridik do të pajisen me Portofol të Identitetit Digjital.

Në rastet kur një institucion publik ose privat, për një shërbim që e ofron në internet, kërkon identifikimin elektronik për t’u qasur në këtë shërbim, mund të shfrytëzoj mjetet e identifikimit elektronik të lëshuara në një Shtet Anëtar i BE-së me qëllim të autentifikimit ndërkufitar.

Po ashtu është paraparë edhe përgjegjësia për identifikim elektronik.

Kështu, ofruesi i shërbimit të identifikimit elektronik i cili lëshon mjetin e identifikimit elektronik është përgjegjës për dëmin e shkaktuar. Njëjtë është rregulluar edhe përgjegjësia për shërbimet e besuara elektronike.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e shërbimeve të besuara, Ministria njofton autoritetet kompetente të shteteve që janë të prekura nga rrezikimi i sigurisë ose humbja e integritetit në ofrimin e shërbimit të besuar ose në të dhënat personale.

Institucioni publik mund të bëhet ofrues i shërbimeve të besuara nëse i plotëson të gjitha kërkesat për ofrimin e shërbimeve të parapara me këtë ligj dhe me Rregulloren e vet të punës.

Një kapitull i këtij ligji ka rregulluar edhe nënshkrimin elektronik.

Nënshkrimi elektronik nënkupton grupin e të dhënave në formë elektronike, të cilat janë të bashkangjitura ose të lidhura logjikisht me të dhënat e tjera në formë elektronike dhe të cilat përdoren nga nënshkruesi për të nënshkrua.

Nënshkrimi elektronik është i vlefshëm dhe i pranueshëm dhe nuk i mohohet vlefshmëria ose pesha e provës vetëm se është në formë elektronike ose nuk i plotëson kërkesat për nënshkrim të kualifikuar elektronik.

Nënshkrimi elektronik i kualifikuar ka të njëjtin efekt ligjor si nënshkrimi i dorës.

Neni 34 ka paraparë përjashtimet e përdorimit të nënshkrimit elektronik, e një ndër to është edhe në fushën e së drejtës familjare dhe të trashëgimisë, të cilat u nënshtrohen kërkesave të veçanta ligjore.

Vula elektronike

Vula elektronike nënkupton të dhënat në formë elektronike, të cilat janë të bashkëngjitura ose të lidhura logjikisht me të dhënat tjera në formë elektronike për të siguruar origjinën dhe integritetin e këtyre të dhënave.

Validimi i një nënshkrimi elektronik ose vule elektronike nënkupton procesin e verifikimit dhe konfirmimit të vlefshmërisë së të dhënave të përdorura për vërtetimin e vlefshmërisë së një nënshkrimi elektronik ose vule elektronike.

Dokumenti elektronik

Dokumenti elektronik nënkupton informacionin e ruajtur në formë elektronike i cili është i përbërë prej shkronjave, numrave, simboleve, grafikave, incizimeve vizuele dhe audio-vizuele.

Një dokumenti elektronik nuk i mohohet efekti juridik dhe pranueshmëria si provë në procedurat ligjore vetëm për arsyet se është në formë elektronike.

Dispozitat ndëshkuese

Ligji parasheh që zyrtari për inspektim për shkeljet e konstatuara me këtë ligj shqipton gjobë për kundërvajtje.

 

Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.