Grafika: Jeta Dobranja/Trembelat

Progresiv në letër, por me mendësi patriarkale

Kabineti qeverisës në Kosovës përbëhet nga 21 ministra, 20 burra dhe vetëm një grua, Dhurata Hoxha, e cila drejton Ministrinë e Integrimit Evropian. Po ashtu, brenda kabineteve të këtyre ministrive, numri i grave në pozita vendimmarrëse mbetet shumë i ulët.

Barazia gjinore mbetet një sfidë edhe për partitë politike të Kosovës. Deri më tani, vetëm një parti politike, Partia Social Demokrate, PSD, ka prezantuar kuotën gjinore prej 50 përqind në programin e tyre, një vendim i marrë rishtazi në mars, e cila e bën PSD-në partinë e parë në Kosovë që miraton kuotën gjinore.

Një studim i publikuar në shkurt nga Grupi i Ballkanit për Hulumtin Politikash tregon se gratë përbëjnë rreth 12 përqind të pozitave të larta vendimmarrëse në qeverinë e Kosovës. Ky shpërpjesëtim gjinor është një karakteristikë e një sistemi patriarkal në një vend ku politika konsiderohet si profesion i burrave.

Gjendja aktuale është shkelje e Ligjit për Barazi Gjinore, miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Ligji për Barazi Gjinore i detyron të gjitha institucionet publike të marrin masa të veçanta për të përshpejtuar realizimin e barazisë gjinore aktuale.

“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50 përqind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse,” thotë Ligji për Barazi Gjinore.

Megjithatë, nuk specifikohet se si duhet të zbatohet ky ligj. Katër vjet që nga miratimi i saj, institucionet e Kosovës kanë dështuar të zbatojnë Ligjin për Barazi Gjinore, sepse diskriminimi ndaj grave mbetet tejet lartë.

Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Vetëvendosjes

Një qëndrim i tillë është përsëritur edhe nga anëtarët e Kuvendit të Kosovës, të cilët në vitin 2015 votuan për ligjin.

Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Vetëvendosjes, është një përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës, karriera e së cilës filloi falë kuotës gjinore në vitin 2010. Sipas saj dështimet në zbatim tregojnë mungesë angazhimi nga institucionet qendrore për zbatimin e ligjit.

“Edhe pse ligji u miratua në Kuvend, është Kuvendi që nuk po ndjek përgjegjësitë e veta, duke shërbyer si precedent për institucionet e tjera, sepse mos zbatimi i ligjit nuk po sanksionohet”, tha Haxhiu.

Vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës zgjodhi një ekip të ri të Dialogut i përbërë tërësisht nga burrat të cilët do të angazhohen për të finalizuar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ekipi negociator përbëhet prej nëntë burrave, politikanë që vijnë nga partitë në pushtet dhe një parti opozitare, PSD. Megjithatë, Ministrja i Integrimit Evropian, gruaja e vetme që shërben në kabinet, nuk është pjesë e ekipit, pavarësisht faktit se dialogu me Serbinë përfundimisht do të hapë rrugën drejt integrimit Evropian për Kosovën.

Barrierat për heqjen e pengesave

Kuotat gjinore u prezantuan për herë të parë në Kosovë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe disa muaj më vonë miratoi këtë ligji në sistemin e saj zgjedhor. Një kuotë gjinore e mëparshme prej 30 përqind që ishte miratuar dhe zbatuar nga UNMIK-u, u bë pjesë e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo do të thotë që listat zgjedhore të partive dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përbëhet nga të paktën 30 përqind burra dhe 30 përqind gra.

Gjatë viteve të fundit, gratë në Kosovë kanë bërë përparime të shumta në arsim, pjesëmarrje në fuqinë punëtore dhe aktivizëm politik. Në fakt, gratë kanë tejkaluar burrat në disa fusha të pjesëmarrjes ne arsim. Megjithatë, përkundër përmirësimeve në arsim dhe pjesëmarrjes politike, kjo nuk është përkthyer në rritje të konsiderueshme të grave në pozita udhëheqëse në institucionet publike.

Vetëm 12.7 për qind e grave në Kosovë janë të punësuara, një shifër alarmuese për varësinë e tyre ekonomike. Sipas një sondazhi të OSBE-së, 55 përqind e grave varen nga të ardhurat e partnerit të tyre, ndërsa 27 përqind nga ajo e prindërve të tyre.

Bazuar në Planin e Veprimit Gjinor të BE-së 2016-2020, GAP II, Zyra e BE-së në Kosovë financoi Analizën Gjinore të Kosovës të publikuar në 2017, e cila tregoi pabarazi të mëdha dhe diskriminim në mes të burrave dhe grave në Kosovë në fushën e ligjit dhe politikës.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, mos zbatimi i ligjit mbetet një problem i madh të cilin askush nuk dëshiron ta diskutojë.

“Analiza Gjinore e Kosovës ka dëshmuar qartë se kuotat e aplikueshme kanë nxitur përmirësimin e përfaqësimit të grave në Kosovë. Megjithatë, kur kuota gjinore nuk është zbatuar, gratë mbeten të nën-përfaqësuara”, deklaroi Zyra e BE-së për BIRN në janar.

Zyra e BE-së në Kosovë shtoi se “pjesëmarrja e grave në politikë është vendimtare për zhvillimin e demokracive gjithëpërfshirëse, të përgjegjshme dhe transparente. Prandaj, Zyra e BE-së, është e pranishme në Kosovë të asistojë që autoritetet lokale të përshtaten me praktika të tilla progresive në mënyrë qytetarët e Kosovës të përfitojnë në të ardhmen. Në fund të fundit, perspektiva dhe qëllimi i Kosovës mbetet integrimi në BE dhe barazia e gruas është një parakusht për anëtarësimin në bllok”.

Argumenti për kuotat

Kuotat gjinore kërkojnë që burrat dhe gratë duhet të përbëjnë një përqindje të caktuar të anëtarëve të një institucioni të caktuar. Ato ndihmojnë në sigurimin e përfaqësimit minimal si dhe uljen e barrierave socio-ekonomike dhe politike për gratë e kualifikuara në Kosovë.

Kuotat zakonisht aplikohen si masë e përkohshme, derisa barrierat e punësimit për gratë zvogëlohen gradualisht ose largohen me kalimin e kohës.

Igballe Rogova, drejtoreshë në organizatën Rrjeti i Grave të Kosovës

Igballe Rogova, drejtoreshë në organizatën Rrjeti i Grave të Kosovës, një OJQ lokale që mbron të drejtat dhe mundësitë e barabarta për gratë, është në parim kundër kuotave gjinore. Rogova refuzon idenë e shikimit të grave si numra. Megjithatë, ajo deklaroi se situata aktuale socio-ekonomike dhe politike në Kosovë e bën imponimin e kuotave mjet të fundit.

“Unë personalisht jam kundër kuotave gjinore. Megjithatë, në Kosovë është e domosdoshme t’i kemi ato, sepse ne kemi liderë politikë me mendësi patriarkale edhe pse ata proklamojnë se janë progresiv”, tha Rogova.

Rogova beson se kjo gjendje ka pasoja shoqërore.

“Shumë kosovarë besojnë se gratë kanë detyra specifike në shoqëri dhe një rol të përcaktuar,” tha ajo. “Burrat nuk janë mësuar të shohin gratë në udhëheqje; prandaj, ky realitet i ndërtuar është vështirë të thyhet pa diçka të fortë si kundër efekt”.

Ish-deputja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e Kosovës në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, deklaroi se “Kosova ka nevojë për gra në pozita të larta udhëheqëse në mënyrë që të inkurajohen vajzat dhe gratë tjera dhe të shërbejnë si shembuj inspirues se edhe ato mund të kenë karrierë dhe të fitojnë paratë e tyre; kjo është gjithashtu e nevojshme për të ndryshuar perceptimet e roleve gjinore. Burrat duhet gjithashtu të mësojnë se gratë mund të jenë shefa dhe se gjuha seksiste dhe ngacmimet seksual nuk duhet të jenë të pranishme në asnjë mënyrë”.

Ish-deputja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e Kosovës në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek

Për Lunacek, kontributi i ish presidentes të Kosovës Atifete Jahjaga është një shembull se si gratë udhëheqëse kontribuojnë në barazinë gjinore.

“Presidentja Jahjaga ishte shumë aktive në luftën kundër kancerit të gjirit, mosndëshkimit dhe dhunës ndaj grave, dhe shërbeu si një model për gratë dhe vajzat e tjera në Kosovë”, tha ajo.

Puna e vështirë fillon më pas

Albulena Haxhiu tha se zbatimi i kuotës gjinore krijoithemelet e karrierës së saj politike. Ajo arriti të hyjë në parlament në vitin 2010 me ndihmën e kuotës gjinore, dhe që atëherë, Haxhiu është rizgjedhur dy herë pa ndihmën e kuotës.

Përkundër ndihmës së kuotës që ndihmoi Haxhiun të kapërcejë barrierën e zgjedhjeve, Haxhiu beson se puna e vështirë për gratë në Kosovë fillon më pas. Ajo vuri në dukje se si disa media kontribuojnë në dëmtimin e stereotipeve kundër grave.

“Ka pasur raste kur sekretariati i partisë ka dërguar një grua për të paraqitur pozitën e Vetëvendosjes për një çështje të caktuar dhe kjo e fundit është refuzuar [pjesëmarrja] në bazë të asaj se ajo nuk është një person kompetent. Në disa raste, si arsye e refuzimit është theksuar gjinia”, shpjegoi ajo.

Për Haxhiun, gratë mbeten të sulmuara në shumë fronte në shoqërinë kosovare.

“Edhe kur gratë janë pjesë e debateve të nxehta televizive, ato zakonisht kritikohen për sjelljet e tyre, kryesisht duke përdorur fraza të tilla si: gratë nuk duhet të bërtasin ose gratë duhet të jenë të qeta”.

Skeptikët argumentojnë se kuotat janë në parim kundër mundësive të barabarta pasi grave iu ipet përparësi ndaj burrave. Për më tepër, ata ose ato argumentojnë se kuotat gjinore përcaktojnë pozita në bazë të gjinisë së tyre dhe jo kualifikimeve ose aftësive që posedojnë.

Megjithatë, arsyeja pse këta personat argumentojnë në favor të kuotave gjinore është sepse përfaqësimi i tyre në pozita të larta vendimmarrëse është jashtëzakonisht i ulët.

Një mekanizëm efektiv për të rritur numrin e grave në pozita udhëheqëse

Kuotat gjinore nuk diskriminojnë, në fakt, ato kompensojnë pengesat aktuale me të cilat ballafaqohen gratë. Studime të ndryshme tregojnë se rritja e numrit të grave rrit shëndetin dhe cilësinë e përfaqësimit demokratik.

Dëshmi nga bota tregojnë se kuotat kanë pasur efekt të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë në pjesëmarrjen e grave. Sipas një raporti të OKB-së të publikuar në 2005, kuotat kanë qenë një mjet efektiv për të rritur qasjen e grave në vendimmarrje. Për më tepër, ato kanë ndihmuar në nxitjen e pjesëmarrjes, vendimmarrjes dhe udhëheqjes së grave, si dhe zhvillimin e stimujve për të tërhequr gratë për të marrë rol udhëheqës.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj nuk duhet të jenë një vend i dominuar nga burrat. Një qeveri pasqyron shoqërinë e saj, një kombinim të ndryshëm të zërave dhe profesioneve dhe jo vetëm.

Lunacek tha se një kuotë ishte gjithmonë e pranishme në Kosovë, duke u privilegjuar burrat ndaj grave.

“Sot një sistem informal i kuotave është de facto në zbatim, ku burrat janë të privilegjuar mbi gratë dhe ku burrat zgjedhin burra për pozita vendimmarrëse, e cila nuk është një sistem formal, por megjithatë një kulturë sistematike e rrënjosur thellë në shoqëri”, vlerësoi ajo.

Pavarësisht sfidave dhe problemeve të shumta, shembuj të grave të suksesshme po shfaqen në shoqërinë kosovare, siç janë fituesja e medaljes olimpike xhudistja Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova të cilat po thyejnë stereotipet gjinore në Kosovë.

Pavarësisht sfidave, shpresa e vetme e Rogovës janë gjeneratat e reja. Ajo beson se gjeneratat e reja janë më të hapura dhe do të ndikojnë në ndryshimin e kulturës kosovare, e cila do të ndikojë në reduktimin e mentalitetit patriarkal të shoqërisë.

“Zbatimi i kuotës gjinore është vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe problematik të fuqizimit të grave si aktorë kyç në Kosovë”, përfundoi ajo.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Visar Xhambazi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së