Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Çalimet e Komunës së Mitrovicës në punësim dhe prokurim

Në katër vitet e fundit Komuna e Mitrovicës është përballur me një sërë sfidash në menaxhimin e punëve të komunës dhe jo vetëm.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), gjatë viteve 2015, 2016, 2017 dhe 2018 ka identifikuar një sërë shkeljes dhe mangësish në dikasterin në fjalë.

Sipas raporteve të Auditimit për periudhën e caktuar kohore, Komuna e Mitrovicës ka angazhuar punëtorë me kontrata mbi vepër, kishte  pranuar një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve dhe pak prej tyre ishin zbatuar, në disa raste ka anashkaluar procedurat e prokurimit, si dhe i njëjti dikaster ka pasur dobësi në ekzekutimin e buxhetit dhe planifikimin e të hyrave.

Komuna s’kursen angazhimin e personave me kontrata mbi vepër

Në katër vitet e fundit, Komuna e Mitrovicës, kishte angazhuar një numër të konsiderushëm të personave me kontrata mbi vepër.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se në vitin 2015 këshilltarët e Kuvendit Komunal ishin paguar edhe pasi kishin dhënë dorëheqje nga pozita.

“Ne kemi testuar pagesat e këshilltarëve të Kuvendit Komunal dhe kemi identifikuar se njëri prej tyre ishte paguar për 6 dhe tjetri për 2 muaj pasi kishin dhënë dorëheqje nga pozita e tyre. Mos azhurnimi i të dhënave nga shërbimi i personelit dhe mungesa e kontrolleve të duhura në sistemin e pagave, ka shkaktuar dëmtimin e buxhetit komunal prej 800 euro”, thotë Auditori.

Ndërkaq, në 2016-ën Auditori ka gjetur se për kryerjen e aktiviteteve në administratën komunale dhe për shërbime të parkingjeve, komuna kishte angazhuar 15 punëtorë me kontratë për shërbime të veçanta.

“Një pjesë e tyre në administratën komunale janë zyrtarë financiar, dhe ushtrojnë detyrat në pozita të rregullta. Komuna nuk ka zhvilluar procedura të thjeshtësuara për rekrutim, siç kërkohet me UA”, thuhet në raport.

Edhe në 2017-ën Komuna e Mitrovicës kishte angazhuar 32 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta.

“Komuna për këta të punësuar nuk kishte aplikuar procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me aktet e përcaktuara ligjore. Për me tepër në tre raste të angazhuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin për pozita të rregullta dhe nuk kishin të bënin me punë specifike”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Gjithashtu, Komuna kishte angazhuar 46 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta edhe në vitin 2018.

“Për me tepër në tre raste të angazhuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin për pozita të rregullta dhe nuk kishin të bënin me punë specifike”, thuhet në raport.

ZKA vlerëson se mos aplikimi i procedurave të thjeshtësuara të rekrutimit ishte si pasojë e mos zbatimit të kërkesave ligjore nga komuna.

Ndërkaq, sipas zyrtarëve kjo ka ndodhur me që drejtoritë kanë bërë kërkesë për rekrutim pa procedura të thjeshtësuara.

Grafikë: Angazhimi i personave me kontrata mbi vepër në Komunën e Mitrovicës, Foto: KALLXO.com

Grumbull rekomandimesh

Komuna e Mitrovicës kishte  pranuar një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve në vitet 2015 dhe 2016 me 47 sosh, përderisa numri kishte rënë në vitet rendëse 2017 dhe 2018-ën me 33 rekomandime.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në vitin 2015 komunës i kishte dhënë 25 rekomandime, në 2016-ën 22 rekomandime, për 2017-ën 17 rekomandime dhe në vittin 2018, 16  rekomandime.

ZKA në raportin për vitin 2015 për Komunën e Mitrovicës kishte gjetur se pjesa më e madhe e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk janë implementuar, sepse komuna nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar veprimet e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

“Dobësitë e vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve tjera në sistemet financiare kyçe, si: mbi/nën vlerësim të shpalosjeve në PFV; planifikim dhe ekzekutim i dobët i buxhetit;  menaxhim i dobët i qiradhënieve komunale; menaxhim i dobët i pasurive komunale; kontrollet jo adekuat në prokurim; dhe rritja e vazhdueshme e llogarive të arkëtueshmeve”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në raportin e vitit 2016 thuhet se pjesa më e madhe e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk janë zbatuar, sepse komuna nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar veprimet e marra në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

“Dobësitë e vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve tjera në sistemet financiare kyçe kanë rezultuar në: menaxhim të dobët të pasurive komunale; kontrolle jo adekuate në prokurim; rritja e obligimeve të pranuara krahasuar me zotimin e mjeteve; dobësitë procedurale në menaxhimin e të hyrave vetjake; dhe rritja e vazhdueshme e llogarive të arkëtueshme”, thuhet në raportin e Auditorit.

Nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm ishte evidentuar në Komunën e Mitrovicës edhe në vitin 2017.

“Disa prej rekomandimeve si: keq klasifikimi i shpenzimeve, çështja e plotësisë së regjistrave të pasurisë, mungesa e regjistrit të rreziqeve, skadimi i kontratave të shfrytëzueseve të pronave komunale, menaxhimi jo i duhur i obligimeve, si dhe rritja e llogarive të arkëtueshme janë të gjetura të përsëritura në raportet e auditimit në vitet e fundit”, thuhet në raport.

Kurse, në raportin e fundit të ZKA-së për 2018-ën, thuhet se aktualisht Komuna e Mitrovicës përmes ndihmës së një projekti të USAID-it është duke punuar rreth mundësisë së zbatimit të rekomandimeve.

“Kryetari i komunës kishte në rend të ditës raportin e auditimit për vitin 2017 në Asamblenë Komunale. Deri në përfundim të periudhës së auditimit tonë, nga 17 rekomandime të dhëna, pesë (5) rekomandime janë zbatuar, tre (3) rekomandime ishin zbatuar pjesërisht, një (1) rekomandim i mbyllur i pazbatuar dhe tetë (8) rekomandimeve nuk ishin trajtuar ende”, thuhet në raport.

Punësimi i personave me kontrata mbi vepër, mos respektimi i kritereve për dhënien e subvencioneve, paqartësitë për ndërtimin e objekteve komunale, ishin vetëm disa nga parregullësitë që ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), për vitin 2018 në Komunën e Mitrovicës.

Komuna anashkalon procedurat e prokurimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë katër viteve të fundit, ka identifikuar dobësi në prokurim në Komunën e Mitrovicës.

Për 2015-ën, Auditori ka gjetur komuna kishte anashkaluar procedurat e prokurimit.

Sipas raportit, Komuna kishte lidhur dy kontrata për shërbime kontraktuese duke mos zhvilluar procedurat e prokurimit.

“Njëra kishte të bëjë me ofrimin e shërbimeve të sigurisë për automjetet zyrtare në pronësi të komunës 24 orë me pagesë mujore 1,250.00€, dhe tjetra me shërbimet e komunikimit dhe informimit në mes komunës dhe OJQ Mitrovica me qëllim të përcjelljes së gjitha aktivitete që i zhvillon komuna për të informuar publikun me pagesë mujore 1,500.00€”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, te furnizimi i pajisjeve të teknologjisë informative për vitin 2015 komuna kishte ekzekutuar 14 kontrata me vlera minimale në total 9,930.00€ me një operator, duke i shmangur procedurat e hapura të prokurimit.

Rekomandimi: Kryetari duhet të sigurojë se për të gjitha aktivitetet që parashihen procedura të prokurimit, ato të zbatohen në mënyrë strikte, siç parashihet me Ligjin e Prokurimit Publik.

Edhe për  2016-ën, Auditori kishte gjetur  dobësi në fushën e prokurimit në Komunën e Mitrovicës.

“Komuna ka lidhur kontratë kornizë për projektin ‘Shërbimet e telefonisë mobile për komunë dhe institucione tjera komunale’ në vlerë prej 65,147.00€. Te deklarata e nevojave dhe e përcaktimit të disponueshmerisë së fondeve vlera ishte 60,000.00€. Raporti i vlerësimit të tenderëve nga komisioni, është e plotësuar në formë elektronike dhe me gabime, jo në përputhje me kërkesat e Dosjes së tenderit, si dhe përzgjedhja është bërë për operatorin me çmim më të lartë”, thuhet në raport.

Rekomandimi: Kryetari duhet të shtoj kontrollet gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, t’i përmbahet planifikimeve dhe të siguroj fondet para hyrjes në obligime. Gjithashtu, të siguroj se gjatë vlerësimit të tenderëve, Komisioni t’iu përmbahet kërkesave të dosjes së tenderit dhe vlerësimi të kryhet dhe të pasohet me raporte formale të nënshkruara nga komisioni.

Në vitin 2018 Komuna e Mitrovicës kishte nënshkruara kontrata jashtë planit të prokurimit për nevoja të QKMF-së në këtë qytet.

“Ndonëse në planin e prokurimit nuk ishte e paraparë aktiviteti: ‘Furnizim me material shpenzues për nevoja të QKMF-së në Mitrovicë” në vlerë 8,785.00€, megjithatë, kontrata është nënshkruar. Planifikimi joadekuat ishte shkaktar i lidhjes së kontratës jashtë planit të prokurimit”, thuhet në raportin e auditimit.

Kryetari, duhet të sigurojë se plani i prokurimit është hartuar pas një analize të hollësishme te të gjitha njësive kërkuese dhe ka përfshirë sipas prioriteteve të gjitha projektet, për të cilat janë siguruar fondet e duhura buxhetore.

Edhe në vitin 2018, Komuna e Mitrovicës kishte nënshkruar kontrata jashtë planit të prokurimit.

Sipas Auditorit, dy kontrata të nënshkruara gjatë vitit 2018 në vlerë 108,477.00 euro në mungesë të parashikimit në planin e prokurimit, zhvillimi i procedurave të prokurimit ishte bërë pa marrë aprovim në AQP siç parashihet me Ligjin e Prokurimit Publik.

Planifikimi jo adekuat ishte shkaktar i lidhjes së kontratës jashtë planit të prokurimit, është përfundimi i Auditorit.

“Lidhja e kontratave jashtë planit të prokurimit, rrezikon realizimin e kontratave që janë planifikuar dhe ndryshimin në prioritete, apo edhe hyrjen në obligime pa mbështetje buxhetore”, thuhet në raport.

Rekomandimi: Kryetari, duhet të sigurojë se plani i prokurimit është hartuar pas një analize të hollësishme te të gjitha njësive kërkuese dhe ka përfshirë sipas prioriteteve të gjitha projektet, për të cilat janë siguruar fondet e duhura buxhetore.

Planifikimi i dobët i të hyrave

Komuna e Mitrovicës gjatë katër viteve të fundit ka pasur dobësi në ekzekutimin e buxhetit dhe planifikimin e të hyrave vetjake dhe shfrytëzimin e buxhetit për investime kapitale.

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) në raportin e vitit 2015 në Komunën e Mitrovicës ka theksuar se pasqyra e shpenzimeve të fondeve, nxjerr në pah një nivel relativisht të ultë të ekzekutimit të buxhetit për investimet kapitale gjatë viteve. Kjo, sipas Auditorit për shkak të dështimeve në planin e të hyrave.

“Planifikimi i dobët i të hyrave, ka ndikuar edhe në performancën e përgjithshme të inkasimit dhe në trendin e shpenzimeve për projekte kapitale. Kjo ka ndikuar në shfrytëzimin joefikas të burimeve potenciale të komunës dhe në reduktimin e projekteve kapitale të planifikuara”, thuhet në të gjeturën e ZKA-së.

Rekomandimi: Kryetari duhet të sigurohet që me rastin e planifikimeve buxhetore, të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës i burimeve potenciale i të hyrave, dhe të përcaktoj opsione praktike për përmirësimin e ekzekutimit për vitin 2016. Një monitorim sistematik i trendeve buxhetore do të rriste mundësitë për një performancë më efektive.

Ndërkaq, në vitin 2016 në këtë komunë u evidentuan parregullsi në pagesa

ZKA në raportin e auditimit thekson se komuna ka pranuar faturën prej 5,497.00 euro nga kompania për punët e kryera pa kontratë ndërmjet dy palëve.

Në anën tjetër, sipas të dhënave nuk kishte raport për kryerjen e punëve të faturuara.

“Kjo ka rezultuar në mos zotim të mjeteve për pagesë. Si pasojë, komuna nuk ka kryer pagesën, megjithatë, pagesa është ekzekutuar direkt nga Thesari. Pranimi i faturave për projekte të pa kontraktuara dhe pa zotime të mjeteve, ka ndikuar që komuna të hyjë në obligime të cilat kanë implikime buxhetore. Po ashtu, rritë rrezikun e keqpërdorimit të buxhetit të komunës dhe në kundërshtim me rregulloren financiare për shpenzimin e parasë publike”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, në vitin 2017 edhe pse buxheti i komunës  në tërësi është realizuar në masën 95 për qind, në kontest të performancës situata sipas Auditorit tregon se planifikimi dhe shpenzimi ishte mjaft sfidues.

“Në fund të vitit është shfaqur nevoja për disa përshtatje buxhetore, duke shfrytëzuar mjetet e mbetura nëpër drejtori, me qëllim të realizimit të pagesave, përkatësisht shlyerjen e obligimeve. Për një përshtatje të tillë kishin ndikuar edhe pagesat direkte të ekzekutuara nga thesari dhe pagesat përmes vendimeve gjyqësore. Nevojat e shumta për përshtatje, janë tregues që përgatitja fillestare e buxhetit nuk është bërë si duhet”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) në raportin vjetor për Komunën e Mitrovicës  ka bërë të ditur se viti 2017 është viti i parë që komuna ka filluar të arkëtojë të hyrat nga pagesat e mbeturinave për ekonomitë familjare dhe bizneset.

Por Komuna nuk kishte arritur që të menaxhojë një sistem adekuat për menaxhimin e të hyrave nga mbeturinat.

“Procesi i menaxhimit të mbeturinave komunale i rregulluar me ‘Rregulloren nr.03/2016 për menaxhimin e mbeturinave’, nuk korrespondon me marrëveshjen për shërbime primare të menaxhimit të mbeturinave në mes të Komunës së Mitrovicës dhe KRM “UNITETI” SHA, e cila mbështetet në kontratën kornizë të vitit 2015 -2018”, thuhet në raport.

Auditpri më tej kishte theksuar se sipas rregullores deponimi i mjeteve duhet të bëhet për çdo ditë, ndërsa sipas marrëveshjes në mes të Komunës dhe KRM Uniteti, ishte cekur që deponimi i mjeteve të bëhet çdo tri ditë nga inkasantët e KRM-së Uniteti.

“Nga testimet tona kemi vërejtur se mbledhja/deponimi i mjeteve nga inkasantët, deponoheshin në bankën e komunës pas 3-4 ditëve, të cilat arrinin vlerën deri 4,500€, në kundërshtim me kërkesat e rregullës financiare 03/2010 për të hyrat dhe rregullores për mbeturina”, vijon më tej raporti.

Edhe për 2018-ën, Auditori ka theksuar se edhe pse buxheti i Komunës së Mitrovicës në tërësi është realizuar në masën 96 për qind, në kontest të performancës situata tregon se planifikimi dhe shpenzimi ishte mjaft sfidues.

“Gjatë vitit është shfaqur nevoja për disa përshtatje buxhetore, duke shfrytëzuar mjetet e mbetura nëpër drejtori, me qëllim të realizimit të pagesave, përkatësisht shlyerjen e obligimeve. Për një përshtatje të tillë kishin ndikuar edhe pagesat direkte, të ekzekutuara nga thesari në vlerë 71,760.00€ dhe pagesat përmes vendimeve gjyqësore në vlerë 1,053,387.00€. Nevojat e shumta për përshtatje, janë tregues që përgatitja fillestare e buxhetit nuk është bërë si duhet”, thekson Auditori.