Problemet e Komunës së Prishtinës me drejtorët e Kulturës

Për afër tre muaj kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti  nuk ka mundur ta zgjedh personin i cili do të drejton Drejtorinë e Kulturës në këtë komunë. Fërkimet brenda LVV dhe më pas PSD –LVV, kanë ndikuar jo pak edhe zhvillimet kulturore në kryeqytet.

Në fakt, edhe në mandatin e parë të Shpend Ahmetit në krye të Komunës, zgjedhja e drejtorëve të Drejtorisë së Kulturës është përcjellë me probleme, ku drejtorët e përzgjedhur nga Ahmeti, iknin e vinin pa lënë ndonjë gjurmë.

Zyrtarë nga komuna nuk kanë dhënë ndonjë arsye lidhur me mos emërimin e të parit të Kulturës në Prishtinë.

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës është treguar e rezervuar lidhur me mos emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë në Prishtinës.

“Kryetari Shpend Ahmeti se shpejti do të bëjë emërimin e personit që do të udhëheqë me Drejtorinë e Kulturës”.

Përdera sa për komunitetin kulturor në kryeqytet, mos zgjedhja e drejtorit të Kulturës në Komunës e Prishtinës është rezultati i përçarjes LVV-PSD.

Përçarja LVV-PSD

Studiuesi Avni Rudaku, njohës i zhvillimeve socio kulturore në vend, ka pohuar për Kallxo.com se mos zgjedhja e drejtorit të Kulturës në Komunës e Prishtinës është rezultati i përçarjes LVV-PSD.

Rudaku ka kujtuar se Komuna ka pasur probleme me zgjedhjen e drejtorëve të Kulturës, që kur qeverisjen e mori LVV-ja, ku drejtorët emëruar largoheshin njëri pas tjetrit, pa lënë ndonjë gjurmë në zhvillimet kulturore në kryeqytet.

“Prej se e ka marrë LVV-ja pushtetin, kanë pasur sfida me drejtorë. Në mandatin e parë, Shpendi arsyetohej me opozitën aktive dhe të madhe, që e pengonin. Në mandatin e dytë, me sabotimin nga pjesa tjetër e LVV-së, po mundohet të arsyetohet kryetari. Me fjalë të tjera, me largime, dorëheqje, shkarkime, përplasje, ka vazhduar që moti”, ka thënë Rudaku.

Sipas tij, Drejtoria për Kulturë ka qenë gjithmonë e dobët dhe me menaxhim joadekuat, sa për të mos lënë model të mirë as për pasardhësit.

Ndërsa ka shtuar se vonesat në zgjedhjen e drejtorit për Kulturës ndikojnë në politikat kulturore të Prishtinës dhe në shumë aspekte të tjera të planifikimit vjetor, manifestimeve të përvitshme, ngjarjeve dhe investimeve të tjera kapitale.

Dilemat për drejtorin

Koreografi Dilaver Kryeziu në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se mbetja e Komunës së Prishtinës pa drejtor kulture për një kohë të gjatë vjen për arsye politike.

Kryeziu ka thënë se mungesa e drejtorit ndikon në politikat kulturore të kryeqytetit.

“Më së miri këtë e shohim me zhvillimet që po karakterizojnë kulturën dhe realizimin e programeve kulturore. Komuna bën pak për kulturë, si kryeqytet që është”, ka thënë Kryeziu.

Edhe Emin Sahiti, menaxher në ansamblin “Bajram Curri” të Prishtinës, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se mungesa e një drejtori të Kulturës bartë pasoja, sidomos, siç ka thënë ai, sa i përket projekteve dhe konkurseve për mbështetje të projekteve për aktivitete kulturore, të cilat edhe ashtu janë të pakta.

“Komuna ka nevojë për një drejtor  të mirëfilltë të kulturës e jo një drejtor partiak, që i dinë dhe i kupton nevojat kulturore të kryeqytetit”, ka thënë Sahiti, duke kujtuar vitin që shkoi pasi komuna la pa mbështetje ansamblin e “Bajram Curri”-t, pavarësisht traditës dhe vlerave që bartë ansambli.