DebatPernime në Prizren

Prizreni debaton tolerancën ndëretnike dhe ndërfetare

Një forum publik në Prizren, një nga qytetet me diversitetit të madh fetar, u mbajt në kuadër të serive DebatPernime, duke sjellur së bashku zyrtarë fetarë, ekspertë, politikanë dhe publikun për të diskutuar tolerancën ndëretnike dhe ndërfetare.

Në qendrën e Prizrenit, shumë pak metra larg njëra tjetrës janë të vendosura xhamia, kisha ortodokse dhe kisha katolike. Me këtë prapavijë në horizont u zhvillua DebatPernime për tolerancën fetare dhe ndëretnike.

Lutfi Ballëku, imami i Prizrenit dhe Illarion Llupuloviq, prifti ortodoks

Lutfi Ballëku, imami i Prizrenit dhe Illarion Llupuloviq, prifti ortodoks u ulën pranë njëri tjetrit për të debatuar në një forum publik.

Bane Krstic, gazetar nga veriu i Mitrovicës që mori pjesë në debat  pas përfundimit të emisionit tha se ”Pas disa dekadave të padurimit dhe mungesës së theksuar të tolerancës fetare, emisioni i fundit i Jetës në Kosovë e çeli një kapitull të ri në këto marrëdhënie”.

“Edhepse gjatë debatit disa prijës fetar kanë hyrë në muhabet gjysëm të ndershëm, fakti që ata kanë ardhur dhe janë përshëndetur në mes të sheshit të Prizrenit para qytetarëve, jo vetëm në forume e kokteje të të huajve, hap jo vetëm shpresë por edhe garancë që në Kosovë bashkëjetesa është e mundur për ata që dojnë të jetojnë aty”, shtoi ai.

Toleranca ndërfetare dhe ndëretnike në Prizren, sipas imamit Lutfi Ballëku, është krijuar gjeneratë pas gjenerate kryesisht për shkak të pozitës gjeografike dhe strategjike të Prizrenit.

Ai tha se Prizreni rrethohet me rajone të ndryshme ku jetojnë etni të ndryshme.

“Prizreni rrahet nga katër rrugët, pjesa e Zhurit që përmban me Gorë e Opojë ku jetojnë goranë e boshnjakët, ndërsa shqiptarët jetojnë te pjesa e Anadrinit, e Zhupës dhe Suharekës dhe të gjitha këto elemente të dokeve dhe zakoneve integrohen në atë tradicionalen dhe bashkëjetojnë në mënyrë të bukur në një harmoni të gjallë”, tha Ballëku që është nga Prizreni.

Ballëk shton që edhe sot, si në kaluarën, fëmijët që lindin në Prizren, për shkak të rrethit ku jetojnë rriten duke mësuar shqip, turqisht dhe boshnjakisht dhe kjo ndikon që njerëzit të mos e përjetojnë një gjuhë tjetër dhe komb tjetër si të huaj.

Prift ortodoks, Illarion Llupuloviq, ka përmendur se pikërisht për shkak të këtij imazhi multifetar e multietnik që e ka pas Prizreni ishin befasuar se si “..në Prizren befasisht janë shkatërruar e djegur shumë kisha, (gjatë trazirave të marsit 2004) gjë që askush s’e kishte pritur por shumica e qytetarëve të vjetër na thoshin se këtë punë nuk e kishin bërë qytetarët e Prizrenit, por njerëzit që kishin ardhur nga jashtë.”

“Njerëzit na përshëndesnin me kënaqësi nëpër qytet, në fillim fshehurazi e tanimë jo, sepse ka kaluar shumë kohë që nga atëherë, e falë zotit tani po lëvizim shumë më lirshëm, ..na thoshin se janë shumë të lumtur që jemi sërish në qytet dhe që qyteti sërish i ka ato tiparet e veta që i ka pasur para konfliktit”, tha ai.

Imami Ballëk i përkujtoi Lluparionit se ai nuk e ka atë kënaqësi të lëviz lirshëm në Mitrovicë të veriut. Me këtë rast, prifti Llupulloviq tha që edhe ai “nuk mund të shëtis lirshëm në Gjakovë apo në Drenicë apo edhe në Deçan. Në Gjilan nuk kemi probleme, në Prizren kemi filluar të shëtisim por në Mitrovicë Veriore (për ju) ndoshta edhe nuk do të ndodhte asgjë, ja unë po ju ftoj të shëtisim bashkë e nëse ju ndodh juve diçka do të më ndodh edhe mua.

Ballëk reagoi ndaj kësaj shkatërrimi dhe ruajtja e vendeve të ndryshme fetare në Kosovë dhe Serbi filloi shumë përpara luftës.

“Regjimi serb shkatërroi 218 xhami gjatë luftës në Kosovë, dhe shumë xhami u shkatërruan në Serbi, diçka që do të kishim dashur që të mos ndodhte”, iu përgjigj Lupuloviç duke vënë në theks se vendet ortodokse dhe katolike në Prizren u ruajtën në fillim të shekullit të 20-të, pavarësisht se u përdorën nga komuniteti musliman për të praktikuar besimin e tyre.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, mendon që bashkëjetesa në Prizren është pjesë e identitetit të qytetit të cilin ai mundohet ta kultivojë dhe krenohet me të.

“Në momentin që i sheh të gjitha këto monumente historike dhe rritesh me to fiton njëfarë sensi të empatisë dhe të bëhen pjesë e identitetit. Unë kam takime të rregullta me të gjithë këtu, jemi takuar me priftërinjtë këtu dhe kemi biseduar se si këto objekte të hapen për turistët, që ata të kenë qasje të drejtpërdrejtë sepse janë vlera të Prizrenit”, tha Haskuka.

Abidin Shehu, sheh, ka thënë në debat se rrymat e reja të feve shfaqin dallimet dhe mos tolerancë ndërfetare.

“Nëse duam të jemi realist, (situata) ndonjëherë është kopsht me lule por ndonjëherë nuk është. Në Prizren ata që janë mysliman të vërtetë asnjëherë nuk e kanë problem këtë çështje të dallimeve ndërmjet feve, por ndoshta këto rrymat e reja që kanë filluar me u shfaq edhe në Kosovë, aty mund të dëgjojmë për mostolerancë”, tha Shehu.

Besa Ismajli, profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame ka thënë se nëpër qytete të tjera të Kosovës duhet të krijohet kulturë e tillë që qytetarët t’i njohin e t’i vizitojnë objektet fetare të të gjitha feve dhe t’i heqin paragjykimet nga mosdija dhe moskomunikimi që mund t’i kenë myslimanët për të hyrë në kishë dhe anasjelltas.

Ka fëmijë , sipas Ismajlit, që rriten pa hyrë kurrë në kishë e xhamitë e qytetit edhe nëse një qytet si Prishtina i ka të dyja.  në mes të Prishtinës.

“Jetojmë në një qytet si Prishtina ku (pretendohet) që rriten fëmijët me vlerat më universale, më mendje kritike e më mendje hapur, por që konkretisht ata nuk e njohin edhe vendin ku jetojnë (sepse kurrë nuk kanë shkelur) dhe vizituar ato objekte fetare që janë në vendin tonë” tha Ismajli.

Jovana Radosavljeviq, OJQ Iniciativa e Re Shoqërore se pengesa për tolerancën ndëretnike, përveç ndasive politike, është sistemi arsimor për shkak se nuk mundëson të mësuarit e gjuhës tjetër zyrtare të njëri tjetrit dhe kjo ndikon që fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë të mos kuptohen me fqinjët e tyre.

Gjithashtu Radosavljeviq theksoi se mungesa e shumëgjuhësisë në mediat e Beogradit dhe Prishtinës ndikon shumë në keqinformimin e komunitetit serb.

“.. në përgjithësi serbët nga Kosova kanë frikë që vijnë në jug dhe shumica prej tyre as që e ka kaluar ndonjëherë urën e Ibrit, por njëjtë shumica e shqiptarëve nga jugu nuk e kanë kaluar urën për të ardhur në veri nga po e njëjta frikë dhe mosdija se çka do të ndodhë nëse bëj një gjë të tillë” tha Radosavljeviq.

Agnesa Çipa-Laçi, qytetare nga Prizreni, që i përket fesë muslimane ndërsa është e martuar me katolik ka thënë se toleranca në familjen e tyre e në qytet është trashëguar nga stërgjyshërit e tyre.

“Bubin (burrin e saj) e gjeta në Shoqërinë Kulturore “Agimi”. Divergjenca te ne ka dalë nga stërgjyshërit tanë sepse ata e kanë vizituar njëri-tjetrin në festa për urime, kanë shkuar në kishë e xhami, nuk është asgjë e re në familjet tona martesa ime me Bubin. Neve na ka ofruar diçka tjetër e përbashkët, kënga”, tha Çipa-Laçi.

Bujar Laçi, qytetar i Prizrenit, bashkëshorti i Agnesa Çipa-Laçi tha në debat se nuk duhet të egzistojë dallimi fetar, në fakt ai bën dallime për veti për ata që janë “njeri i mirë dhe i keq”.

“Këshillat që i kam marrë unë në edukatën time kanë qenë se ekziston njeri i mirë dhe i keq dhe jo këshilla fetare. Edhe tash parimi im jetësor është me dallu njeriun e mirë dhe atë të keq. Ne mahalla jonë e kemi një adet që shkojmë në vizitë për Ramazan e Bajram, bile Ramazanin mezi e pres për shkak të pitajkave, përndryshe te vijnë të gjithë edhe për Krishtlindje edhe për Pashkë” shtoi Laçi.

Gjatë debatit u dëgjuan thirrjet e ezanit dhe me këtë rast gazetari Krstiq komentoi se ritet fetare, kambanat e kishave e ezanet në xhami, nuk i pengojnë askujt përveç atyre që nuk besojnë në Zot.

Antigona Shestan, qytetare e Prizrenit që komentoi nga publiku dhe tha se ka prejardhje kroate, por ka lindur në Prizren dhe asnjëherë nuk ka pasur probleme me mungesë tolerance, por Kosova po pëson për shkak të klasës politike që po e ndal avancimin e saj në aspekt ekonomik.

Mytaher Haskuka shtoi se lufta në Kosovë  kurrë s’ka qenë luftë ndërmjet komuniteteve por është importuar nga jashtë, nga Beogradi.

Beogradi “duhet ta kuptojë se çfarë krime ka bërë në Ballkan, sidomos në kohën e Millosheviqit, dhe ta pranojë këtë, dhe atëherë shikimi nga Evropa dhe integrimi do të jetë më i lehtë. Në Prizren njerëzit definohen për shkak të profesionit që e kanë dhe jo për shkak të etnicitetit dhe religjionit. Sepse po të dëgjojmë një bujk të Piranës (vend i banuar me shqiptarë) dhe Novakut (vend i banuar me serbë), shqetësimet e tyre janë të njëjta.”

Llupuloviq tha që nuk mund të shihet vetëm Beogradi fajtor.

“Dioqeza jonë, gjatë kohës së konfliktit, hapur i ka kritikuar disa veprime të regjimit të Millosheviqit. Ati Sava dhe dioqeza jonë atëbotë i kishin dalë në mbrojtje popullit shqiptar. Manastiri i Deçanit i kishte pranuar 150 shqiptar lokal për t’i mbrojtur edhe fizikisht dhe me këtë e kemi kryer obligimin tonë qytetar” tha Llupoviq.

“Unë mendoj që nuk është problemi aktual vetëm krimet e serbëve por para së gjithash edhe krimet e UÇK-së. Kjo shoqëri duhet të spastrohet nga kriminelët në mesin e tyre dhe populli shqiptar të përballet me krimet e kryera në emër të tyre, ashtu siç duhet që edhe populli serb të përballet po ashtu me krimet e kryera në emër të tyre” shtoi Llupoviq.

Por Haskuka inistoi që ashtu siq ka bërë Evropa pas luftës së dytë Botërore, ashtu duhet edhe shtetet e Ballkanit së pari të pajtohen fajësinë nëse dojnë të ecin përpara.

“Pas Luftës së dytë Botërore Gjermania, Franca dhe vendet tjera e kanë definu se kush ka faj për çka. Ne në Ballkan kemi 3 deri në 4 interpretime të historisë edhe kjo po na paraqet problem për të ardhmen, pa e arrit këtë pajtim lidhur me atë se çka ka ndodh nuk mund të shkojmë përpara dhe këtu unë mendoj që pika kyçe është Beogradi”, përfundoi Haskuka.